Vetëm një Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Evropian është rruga dhe vizioni që duhet të ndjekim. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë dhe kërkon shumë përpjekje dhe përkushtim nga ne. Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, në në Samitin e Liderëve të Ballkanit, i cili u mbajt në Neë York i organizuar nga Federata Amerikane e Shoqatave Ballkanike.
“Mirëpo, suksesi është i garantuar nëse të gjitha shtetet punojnë së bashku për të adresuar sfidat, për të ndërtuar konsensus të përbashkët për çështjet e interesit vital. Gjatë këtij procesi, të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të përqafojnë dhe çmojnë kulturat e njëri-tjetrit, duhet të bashkëpunojnë fuqimisht me njëri-tjetrin për zhvillim të përbashkët dhe prosperitet – për të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
“Ndërsa, Bashkimi Evropian, pa hezitim duhet t’i mbaj dyert e hapura për të gjitha vendet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin, sepse vetëm kështu, do të përmbyllet vizioni i Evropës së bashkuar dhe në paqe, parim ky mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi Evropian”, ka thënë kryeministri Thaçi.
“Kur luftërat filluan në rajonin e Ballkanit ishim dëshmitar se liria, dhe të gjitha çka ajo sjell nuk mund të ndalen. Pra edhe Republika e Kosovës edhe pse një vend i vogël në zemër të Evropës, luajti rolin e saj në ndryshimet globale. Shpallja e Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës me 17 shkurt 2008 paraqet një datë historike dhe një fazë të re për popullin e Kosovës”.
“Tani në tri vite të shtetësisë së Kosovës dhe të institucioneve të saj shtetërore, Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, është njohur nga 84 shtete anëtare të Kombeve te Bashkuara, prej tyre nga shtetet më të fuqishme në botë, duke përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të NATO-s, Këshillit të Evropës, Organizatës së Konferencës Islamike etj, që reflekton mbështetjen e madhe që shteti i ri i Kosovës gëzon në arenën ndërkombëtare, si dhe të drejtën legjitime dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të krijuar një ambient ku mbizotëron sundimi i ligjit”. /Telegrafi/