Prishtinë, 7 qershor – Një proces i gjatë i konsultimeve politike ka arritur një formulë të përkohshme që do t’ia mundësojë EULEX-it kësaj jave t’ia nisë arrestimin e disa zyrtarëve të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion, pa pasur destabilizim politik në Kosovë.
Burime diplomatike i kanë thënë “Kohës Ditore”, se procesi konsultues është udhëhequr nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, dhe shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, por është ndihmuar edhe nga shtetet mike të Kosovës. Sipas këtyre burimeve, përderisa Feith e Kermabon kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Bruksel e Uashington, shtetet mike kanë kryer të shumtën e punës me Prishtinën, përkatësisht kryeministrin Thaçi, presidentin Sejdiu dhe partitë opozitare.
“Askush nuk është i interesuar që barrën e luftimit të korrupsionit ta paguajë vetëm një parti, e as që Kosova të mbetet pa udhëheqje politike për shkak të këtij procesi. Nëse është e mundur, formula do të mundësojë që të kuptohet nga opinioni se lufta kundër korrupsionit nuk ka të bëjë vetëm me një parti në Kosovë, e as vetëm me këtë qeveri”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një diplomat evropian i akredituar në Prishtinë.
Sipas këtij burimi, EULEX-i nuk do të ndalet që të ndjekë të gjitha rastet që mund të prokurohen, megjithatë, në fazën e parë, pra gjatë kësaj jave dhe gjatë gjithë muajit qershor, përçimi i mesazhit të lartpërmendur do të mundësojë që asnjëra parti politike të mos mund të përfitojë politikisht nga aksionet e EULEX-it.
Ky përfitim, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, nuk mund të lejohet sidomos në një situatë si kjo kur të tri partitë më të mëdha, PDK, LDK dhe AAK, kanë zyrtarë të tyre që po hetohen për të njëjtat krime.
Pjesë e këtyre konsultimeve politike, përveç kryeministrit Thaçi, ka qenë edhe presidenti Fatmir Sejdiu, pasi që zyrtarë të LDK-së dhe grupe të afërta me këtë parti tashmë janë duke u hetuar, ndërkaq rol të rëndësishëm në konsultime, sipas burimeve, ka luajtur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe partitë e tjera opozitare.
“Formula e stabilitetit politik”, sipas burimeve, është e përkohshme, ndërsa do të vazhdohet me konsultime për të parë se si EULEX-i do të procedojë në fazën e dytë të luftës kundër korrupsionit, që mendohet të jetë në shtator (më gjerësisht në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”).