Kampionia e trefishtë e botës, Gjermania, zakonisht gjendet në mesin e më të mirave kur ndahen çmimet në kampionate botërore. Skuadra aktuale e Gjermanisë është duke udhëtuar në Afrikë të Jugut me synime mjaft të mëdha. Pas triumfit në “Zvicër 1954”, “Gjermania Perëndimore 1974” dhe “Itali 1990”, skuadra që drejtohet nga trajneri Joachim Low është duke synuar që të fitojë për herë të katërt titullin e botës.
Suksesi i vazhdueshëm i gjermanëve është i mbështetur në përvojë, në taktikë dhe në aftësi për t’u kthyer kur shumë pak e presin. Gjermania ka treguar të gjitha këto atribute në kampanjën eliminatore. Gjermania përfundoi nënkampione në Botërorin 2002 të mbajtur në Kore të Jugut e Japoni, zuri vendin e tretë në botërorin e fundit atë të vitit 2006 të mbajtur para tifozëve të saj, ndërsa në Evropianin “Austri e Zvicër 2008” përfundoi e dyta.
Shpresat e Gjermanisë mbështeten në lojtarë të njohur të Bayern Munchenit si Philipp Lahm, Bastian Schweinsteiger e Miroslav Klose.
Rruga deri në Afrikë ët Jugut
Efikasiteti i lartë ka qenë ajo që ka veçuar Gjermaninë drejt një kualifikimi pa shumë telashe në Botërorin 2010. Gjermania zuri vendin e parë në Grupin 4 të Zonës eliminatore të Evropës. Gjermania, pikë ka humbur vetëm kundër Finlandës. Ka barazuar dy herë si në shtëpi ashtu edhe në Finlandë. Barazoi në Helsinki 3:3, ndërsa në Hamburg luajti 1:1. Mirëpo, barazimi në Hamburg ishte ndeshja e fundit e Gjermanisë në eliminatore dhe ajo e kishte siguruar kualifikimin.
Si kontrast në dy ndeshjet me rivalin më të afërt Rusinë, Gjermania tregoi klasë të lartë. Në Dortmund djelmoshat e Lowit treguan një përformancë të madhe, njërën nga përformancat më të mira që nga Botërori 2006. Mposhtën Rusinë me rezultatin 2:1. Ndërkohë në Moskë ishte Miroslav Klose ai që shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe i solli Gjermanis biletën për në “Afrikë të Jugut 2010”. Njëherit i shkaktoi edhe Rusisë humbjen e vetme në shtëpi në eliminatore për Botëror. Trajneri i atëhershëm i Rusisë, Guus Hiddink, pas disfatës e kishte vlerësuar Gjermaninë si pretendente për të fituar titullin e botës.
Yjet e skuadrës
Përkundër një skuadre me mjaft yje, sulmuesi i Bayern Munchenit, Miroslav Klose është i pari në listën e lojtarëve më me përvojë. Klose ka shënuar 48 gola me përfaqësuesen e Gjermanisë dhe është shënuesi i tretë më i mirë i “panzerëve” pas Gerd Mullerit (68 gola) dhe Joachim Streichit (55). Në Afrikë të Jugut pritet të kenë rol kyç edhe Philipp Lahm e Bastian Schweinsteigeri.
Trajneri
Joachim Low ishte asistent i Jurgen Klinsmannit te Përfaqësuesja e Gjermanisë gjatë Botërorit 2006. Ai nga një hije e Klinsmannit u shëndrrua në një trajner të madh. Ai mori detyrën më 12 korrik të vitit 2006 dhe 49-vjeçari ishte shumë afër që të fitonte Evropianin 2008, u mposht vetëm në finale nga Spanja. Ai vazhdoi me filozofinë ofanzive që kishte Gjermania nën drejtimin e Jurgen Klinsmannit. Sulmuesi më i mirë i të gjitha kohërave te skuadra e Freiburgut, Low, ka fituar respekt të madh. “Puna e fortë është mënyra e vetme për të patur sukses”, kishte thënë Low.
Botërorët e kaluar
- Gjermania ka fituar tre herë titullin e botës (1954, 1974 dhe 1990). Vetëm Brazili (5) dhe Italia (4) kanë më shumë tituj.
- Me përjashtim të Botërorëve 1930 dhe 1950 në të cilët nuk garuan, Gjermania ka marrë pjesë në çdo Kampionat Botëror.
Rekordet
- Gjermania ka arritur në një finale të Botërorit shtatë herë. Këtë rekord e ndanë me Brazilin.
- Gjermania ka çuar ndeshjet katër herë në penallti gjatë Botërorëve dhe i ka fituar të gjitha ato ndeshje.
Deklarata
“Ne kemi qenë shumë të suksesshëm në të kaluarën dhe kjo është një inspirim për gjeneratat e ardhshme. Vetëm duhet të shikoni sukseset e Gjermanisë në turne të mëdhenj. Kemi fituar titullin e botës në vitin 1954, 1974 dhe 1990 dhe titullin e Evropës në vitet 1972, 1980 dhe 1996. Ne kemi arritur në finale së paku po aq herë. Ne jemi rritur me bindje se Gjermania gjithmonë është e madhe për të arritur deri në finale.
Ne definitivisht jemi në grupin e shteteve që ka shanse të mira për të fituar titullin. Ne kemi qenë të tretët në Botërorin 2006 dhe nënkampion në Evropianin 2008. Synimi i jonë është që të arrijmë në finale të Botërorit 2010 dhe ta fitojmë trofeun”, ka thënë Philipp Lahm, në një intervistë për FIFA.com.
(Marrë nga fifa.com)