Pas një mungese 32-vjeçare në botërore, Australia bëri një rikthim të fortë në “Gjermania 2006” duke arritur deri në 1/8 e finales. Australia atëbotë e udhëhequr nga strategu holandez Guus Hiddink, u dorëzua vetëm në minutën e fundit të ndeshjes me një gol nga penalltia e shënuar nga Italia, që u shpall kampione e botës atë vit. Skuadra e Australisë tash nën drejtimin e holandezit Pim Verbeek, ka shumicën e lojtarëve të Botërorit 2006, por shumica e tyre tash ka përvojë edhe më të madhe.
Ndryshe nga katër vite më parë kur Australia u kualifikua nëpërmjet Zonës eliminatore të Oqeanisë, kësaj radhe “Socceroos” luajtën në eliminatore të Azisë, që zgjatën dukshëm më shumë.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
“Socceroos” ka impresionuar në kampanjën eliminatore të Azisë ku i zhvilloi 14 ndeshje. Në eliminatore mposhti disa prej përfaqësueseve më të mira të kontinentit dhe përfundoi në pozitën e parë në Grupin 1 të raundit final eliminator. Ishte njëra prej përfaqësuesesve të para që siguroi Botërorin 2010. Australia kishte përfunduar e para edhe në raundin paraparak eliminator ku pati në grup përfaqësuese si Katari, Kina dhe Iraku. Raundi final ishte triumf i vërtetë për Pim Verbeekin. “Socceroos” mbeti e pamposhtur në tetë ndeshje, duke dal e para në grup me pesë pikë para Japonisë. Në grup ishin edhe Bahreni, Katari dhe Uzbekistani.
Yjet e skuadrës
Padyshim Tim Cahill është thesari i përfaqësueses. Mesfushori ofanziv i Evertonit njihet për shënim të golave të bukur dhe po ashtu për forcën e tij në luftën në ajër. Futbollisti i Galatasarayt, Harry Kewell, sjell një copë inspirim në anën e majt, ndërsa në anën e djathtë gjendet Brett Emerton. Në qendër të mesfushës janë Vince Grella dhe Jason Collina. Po ashtu, skuadra e Australisë ka edhe forcë në mbrojtje. Në qendër të mbrojtjes është Lucas Neill, ndërsa portier është Mark Schwarzer. Schwarzer ka pranuar vetëm katër gola gjatë eliminatore, duke vendosur edhe një rekord prej shtatë ndeshjeve pa pranuar gol.
Trajneri
Pas një bashkëpunimi të gjatë me Guus Hiddinkun, Pim Verbeek doli nga hija e Hiddinkut dhe e udhëhoqi Korenë e Jugut drejt titullit të Azisë në vitin 2007. Në dhjetor të vitit 2007 ai mori drejtimin e Përfaqësueses së Australisë. Verbeek ka bërë përfaqësuesen më solide në mbrojtje, mirëpo edhe mjaft të rrezikshme me sulme nga krahu. Verbeek që respektohet shumë nga lojtarët ka instaluar një frymë luftarake dhe një motovim të madh te të gjithë futbollistët.
Botërorët e kaluar
Australia është paraqitur dy herë në botërore, mirëpo tash është duke e kompenzuar kohën e humbur. “Afrika e Jugut 2010” është Botërori i dytë me radhë ku paraqitet. Australia debutoi në kampionate botërore në vitin 1974, ku skuadra e përbërë atëbotë nga futbollistë amatorë u eliminua qysh në raundin e parë. Pritja për një Botëror tjetër zgjati plot 32 vite. Ajo mori pjesë në “Gjermani 2006” dhe arriti sukses. Përfundoi e dyta në grupin ku ishin përfaqësueses si Brazili, Kroacia e Japonia. Në 1/8 e finales u eliminua nga kampionia e mëvonshme Italia me rezultatin 1:0. Italia në atë ndeshje shënoi një penallti në çastet e fundit të ndeshjes.
Rekordet
- Portieri i Australisë, Mark Schwarzer arriti rekord të përfaqësueses duke mbajtur portën e pastër për shtatë ndeshje me radhë në eliminatore për Botëror.
- Golashënuesit më të mirë në eliminatore kanë qenë Brett Emerton e Tim Cahill me nga katër gola.
Deklarata
“Ne do të shkojmë në Afrikë të Jugut për të arritur një rezultat më të mirë se që arritëm në Botërorin e kaluar. Mendoj se duhet të vendosësh shënjestra në jetë edhe futbollistët do ta bëjnë këtë. Ne duam të arrijmë një rezultat më të mirë se herën e kaluar dhe do të japim maksimumin që të arrijmë këtë”, ka thënë trajneri Pim Verbeek.
(Marrë nga fifa.com)