Afrika e Jugut ishte shumë afër që të fitonte të drejtën për të organizuar Kampionatin Botëror të vitit 2006. Në raundin final të votimeve u mposht me 12:11 në vota nga Gjermania. Gjermania më pas organizoi një botëror të mrekullueshëm, kështu që Afrika e Jugut pranoi disfatën me mirësi.
Në fakt, kandidatura e Afrikës së Jugut për Botërorin 2006 ishte vlerësuar superiore ndaj atyre të dy gjigantëve të sportit si Brazili e Anglia dhe e barabartë me atë të Gjermanisë.
Me qetësi dhe me një përkushtim, Afrika e Jugut në dhjetorin 2002 njoftoi FIFA-n se e ka ndërmend të kandidojë për Botërorin 2010.
Më 30 maj të vitit 2003, qëllimet e Afrikës së Jugut u riafirmuan me garantimet nga qeveria dhe Federata e Futbollit të Afrikës së Jugut te FIFA.
U mbajtën disa takime mes zyrtarëve të Afrikës së Jugut dhe presidentit të FIFA-s, Joseph Blatter gjatë vitit 2003.
Po ashtu u angazhuan si ambasador të kandidaturës edhe disa profile të njohura të sportit dhe Afrika e Jugut siguroi edhe përkrahje nga Komiteti Organizativ i Botërorit "Gjermania 2006".
Mesazhi i Afrikës së Jugut ishte i thjeshtë, por njëkohësisht i fuqishëm. Kemi stadiumet më të mira në kontinentin e Afrikës; shumica e tyre ishin të ndërtuara, disa do të rinovoheshin, ndërsa disa të tjera të ndërtoheshin nga fillimi. Po ashtu Afrika e Jugut, kishte mbështetje të madhe komerciale nga organizatat lidere ndërkombëtare, kishte edhe ekonominë më stabile në kontinent, media të sofistikuara dhe industri të transmetimit si dhe një bazë të madhe të tifozëve të futollit.
Gjithashtu Afrika e Jugut kishte organizuar më herët ngjarje të mëdha: Botërorin e ragbit në vitin 1995, Kupën e Shteteve të Afrikës 1996, Botërorin e atletikës 1998, Lojërat e Afrikës 1999, Botërorin e kriketit 2003. Gjithë këto ngjarje të organizuara nga Afrika e Jugut u vlerësuan mjaft të suksesshme.
Fituesit afrikanojugorë të Çmimit Nobel për Paqe, Nelson Mandela, Desmond Tutu dhe FW de Klerk, ishin mobilizuar për të siguruar mbështetje për kandidaturën e vendit të tyre për të organizuar Botërorin 2010 të futbollit. Presidenti i atëhershëm Thabo Mbeki, e kishte llogaritur këtë kandidatur si pjesë e strategjisë për ringjalljen e vendit të tij dhe të kontinentit të Afrikës.
Legjendat e futbollit të kontinentit të Afrikës si Abedi Pele, George Weah, Roger Milla, Kalusha Bwalya dhe Philemon Masinga u angazhuan si ambasador të kandidaturës, ndërsa përkrahës të kandidaturës ishin edhe yjet e dikurshëm si Lucas Radebe, Jomo Sono, Ace Ntsoelengoe e Gary Mabbutt.
U organizuan disa ndeshje ndërkombëtare të nivelit të lartë në Afrikë të Jugut, përfshirë këtu edhe lojën mes Përfaqësueses të Afrikës së Jugut dhe Anglisë së David Beckhamit, ndeshje kjo e zhvilluar në Durban në maj të vitit 2003. Beckham para ndeshjes kishte dhënë mbështetjen e tij për kandidaturën e Afrikës së Jugut. Grupi i inspektimit të FIFA-s i udhëhequr nga presidenti i Federatës së Futbollit të Belgjikës, Jan Peeters, i dha Afrikës së Jugut gradën më të lartë nga pesë shtetet kandidate të kontinentit të Afrikës për të marrë organizimin e Botërorit 2010. Grupi i Inspektimit konstatoi se Afrika e Jugut ka potencial për të organizuar një Kampionat Botëror të mrekullueshëm.
Pas mijëra orëve udhëtime nëpër botë, qindëra orëve takime dhe lobime, Komiteti Organizativ i Afrikës së Jugut udhëtoi në Zuerich ku në maj të vitit 2004 u bë publike se cili do të jetë nikoqiri i Botërorit 2010.
Afrika e Jugut bëri prezantimin e saj të fundit para Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, më 15 maj, një ditë para votimeve. Nelson Mandela kishte treguar se sa e përkushtuar është Afrika e Jugut, ndërsa presidenti Mbeki me pasion kishte thënë se "Koha e Afrikës ka ardhur".
Kryetari i kandidaturës të Afrikës së Jugut, Irvin Khoza, vlerësoi se organizimi i Botërorit 2010 do të ndihmoj në zhvillimin dhe të ardhmen e banorëve të Afrikës së Jugut që janë të flaktë pas futbollit.
Abedi Pele vlerësoi se Botërori në Afrikë të Jugut do të sillte shumë benefite për futbollin afrikan.
Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, një ditë më vonë hapi një zarf të bardhë dhe lexoi: "Afrika e Jugut fiton të drejtën për të organizuar Botërorin 2010".
Ky është Botërori i parë në kontinentin e Afrikës. Afrika e Jugut kishte për kandidate Mrakon, por e mposhti atë në vota 14:10. Egjipti po ashtu kandidoi, por nuk mori asnjë votë.
(Marrë nga FIFA.com)