Mbani mend! Aftësia për të kujtuar sa më shumë lidhet shpesh me nivelin
e inteligjencës së fëmijës. Por shqetësimi në këtë drejtim është i
panevojshëm dhe nëse transmetohet tek fëmijët bëhet problematik. Ajo që
ju këshillojmë të bënit është thjesht të ndihmoni zhvillimin e kujtesës
duke përvetësuar strategjitë e duhura. Ja se si...Izela
Tahsini, psikoterapisteShumë prindër vëzhgojnë me vëmendje aftësitë e fëmijëve për të
mbajtur mend, shpesh pasi këtë e lidhin me nivelin e inteligjencës së
fëmijës, si dhe me mundësinë për të pasur arritje të larta akademike.
Për këtë arsye, kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme kur fëmija
fillon parashkollorin, aty ku fillojnë të kërkohen rezultatet e para në
detyra të caktuara e veçanërisht kur fillon shkollën.
Në radhë të parë duhet thënë se ankthi apo shqetësimi i prindit në
këtë drejtim është i panevojshëm dhe në momentin që fillon të
transmetohet tek fëmija, bëhet problematik, pasi fëmijës mbi të cilin
ushtrohet një presion i tillë, ka shumë të ngjarë t'i fluturojë nga
mendja gjithë ç'ka mësuar të djeshmen. Gjithsesi, kjo temë meriton një
shkrim më vete. Këtu, do të doja të fokusohesha në dy çështje.
Së pari, në faktin se zhvillimi mendor i fëmijës në hapësirën 5-7
vjeçare ndodh sipas një ritmi unik. Kjo do të thotë se fakti që një
fëmijë tjetër kupton koncepte apo di veprime që fëmija juaj nuk di ende
t'i bëjë, flet thjesht për gjendjen në një fazë tjetër të zhvillimit.
Së dyti, për këto paralajmërime parandaluese të ankthit, ekzistojnë
disa mënyra të thjeshta sesi prindërit mund të lehtësojnë fëmijët që të
kujtojnë informacionin, të cilat, ndonëse fëmijët fillojnë t'i përdorin
vetë herët a vonë, mund të përvetësohen më shpejt nëse një i rritur i
ekspozon ndaj tyre.
Siç përparon zhvillimi mendor, ashtu përparon dhe aftësia për të
kujtuar, e cila përmirësohet dukshëm gjatë fëmijërisë së mesme. Kjo
ndodh pjesërisht për shkak të kapacitetit të kujtesës së fëmijëve -
sasia e informacionit që ata mund të kujtojnë rritet - dhe pjesërisht
pasi ata mësojnë të përdorin një sërë teknikash për të mbajtur mend.
Si punon kujtesa Studiuesit e krahasojnë kujtesën me një sistem dosjesh. Ajo vepron
përmes tre hapave bazë: kodimit, depozitimit dhe riprodhimit. Pasi
perceptojmë diçka, ne duhet që ta fusim në dosje.
Kështu, hapi i parë është kodimi apo klasifikimi - për shembull, në
kategorinë "njerëz që i njoh", "vendet ku kam qenë". E dyta, ne duhet ta
depozitojmë materialin që ai të qëndrojë në kujtesë. E treta, ne duhet
të jemi në gjendje ta riprodhojmë informacionin apo ta nxjerrim nga
"depoja". Harresa mund të ndodhë për shkak të një problemi në secilin
prej këtyre hapave.
Kujtesa e menjëhershme (afatshkurtër) rritet shpejt në fëmijërinë e
mesme. Ne mund ta shohim këtë duke i pyetur fëmijët të kujtojnë një
listë numrash në të kundërtën e radhës sipas të cilës i dëgjuan (për
shembull të thonë "8-3-7-5-1-6" nëse kanë dëgjuar "6-1-5-7-3-8").
Në moshën 5 deri 6-vjeçare, fëmijët zakonisht mbajnë mend dy shifra;
në adoleshencë atë mund t'i mbajnë mend të gjashta shifrat. Kujtesa
afatshkurtër relativisht e varfër e fëmijëve mund të ndihmojë për të
shpjeguar sesi ata kanë vështirësi në zgjidhjen e disa problemeve, pasi
ata mund të mos të jenë në gjendje t'i mbajnë në kujtesë të gjitha
pjesët e rëndësishme të informacionit.
STRATEGJI PËR TË MBAJTUR MENDFëmijët më të rritur zakonisht - mund të mbajnë mend një listë
numrash më mirë sesa më të vegjlit, pjesërisht sepse ata kanë zbuluar se
mund të ndërmarrin veprime të qëllimshme që i ndihmojnë ata të
kujtojnë. Ndërsa fëmijët rriten, ata zhvillojnë strategji më të mira dhe
i formësojnë ato për të plotësuar nevojën për të kujtuar gjëra
specifike.
Nuk është e nevojshme që teknikat për të mbajtur mend të zbulohen
rastësisht.
Fëmijët mund të mësohen t'i përdorin ato më herët seç do të bënin në
mënyrë spontane. Të mësuarit e këtyre teknikave nga mësuesit dhe të
rritur të tjerë, duke theksuar faktin se ato ndihmojnë kujtesën, është
veçanërisht ndihmues për fëmijët me nivele të ulëta apo mesatare të
arritjeve akademike. Disa nga strategjitë më të zakonshme janë
përsëritja, organizimi, elaborimi dhe përdorimi i mjeteve të jashtme të
kujtesës. Ky është një moment ku prindërit mund të kontribuojnë
natyrshëm.
Përsëritja Përsëritja (e ndërgjegjshme) është një mjet i zakonshëm kujtese. Kur
fillojnë ta përdorin fëmijët përsëritjen? Në një studim, fëmijët e
klasës së parë, të cilëve iu ishte thënë se do t'iu kërkohej të kujtonin
një sekuencë fotografish, u ulën dhe pritën derisa t'ju kërkohej ky
informacion. Nga ana tjetër, fëmijët e klasës së dytë dhe të tretë
lëviznin buzët dhe pëshpëritnin, pra përsërisnin materialin.
Rrjedhimisht, nuk ishte surprizues fakti se fëmijët më të rritur e
kujtuan materialin më mirë se më të vegjlit. Kur eksperimentuesit iu
kërkuan fëmijëve t'i emërtonin fotografitë me zë të lartë kur i shihnin
për herë të parë (një formë përsëritjeje), ata e kujtuan radhën më mirë.
Fëmijëve që iu mësua të përsërisnin, e aplikuan teknikën në situatën
imediate, por jo në situata të reja.
Studime më të vona tregojnë se edhe disa fëmijë të moshës 3-6 vjeç e
përdorin përsëritjen. Ndonëse ka më të ngjarë që të përsërisin
gjashtëvjeçarët krahasuar me trevjeçarët, ata trevjeçarë që përsërisin,
mund ta mbajnë mend një listë ushqimesh po aq mirë sa gjashtëvjeçarët.
Fëmijët mbi 6 vjeç mësojnë dhe përdorin teknika më të sofistikuara, të
cilat renditen në vijim.
Organizimi Është më e lehtë ta kujtosh materialin nëse e organizon në kategori.
Të rriturit zakonisht e bëjnë këtë automatikisht. Fëmijët nën 10-11 vjeç
zakonisht nuk e përdorin spontanisht organizimin; por ata mund të
mësohen ta bëjnë këtë, duke imituar të tjerët.
Nëse shohin fotografi të rreshtuara në mënyrë rastësore, për shembull
të kafshëve, mobilieve dhe rrobave, ata nuk i organizojnë mendërisht
artikujt në kategori. Nëse iu tregohet sesi të organizojnë, ata i
kujtojnë fotot po aq mirë sa dhe fëmijët më të rritur; por ata nuk e
përgjithësoj në këtë në situata të tjera.
PërpunimiPër të ndihmuar veten që të kujtojmë artikuj, ne mund t'i lidhim së
bashku në një skenë apo histori të imagjinuar, sipas një strategjie të
quajtur "përpunim". Për shembull, që të mbajmë mend të blejmë limonë,
salcë dhe peceta, ne mund të përfytyrojmë një shishe salce mbi një
limon, me pecetat gati për të fshirë salcën e derdhur.
Ka më shumë gjasa që fëmijët më të rritur ta përdorin përpunimin
spontanisht, krahasuar me më të vegjlit. Këta të fundit kujtojnë më mirë
kur dikush tjetër i krijon përpunimet për ta. Për shembull, një nënë,
duke dëshiruar që Emi, 6 vjeçe e gjysmë, ta ndihmojë atë të blejë kafe
dhe sallatë, i tha Emit ta vizualizojë të ëmën duke bërë kafe dhe duke
përzier sallatën në të njëjtën kohë. Kështu, Emi i kujtoi artikujt dhe
imazhin edhe disa ditë më vonë.
Mjete të jashtme të kujtesës Teknikat më të përdorura si nga fëmijët, ashtu dhe të rriturit,
përfshijnë të kujtuarit nga diçka jashtë personit. Ju shkruani një numër
telefoni apo shqiptimin e një fjale të re, bëni një listë, lidhni një
fije në gisht, vini alarmin e orës ose i kërkoni dikujt t'ju kujtojë.
Edhe fëmijët e kopshtit e njohin vlerën e mjeteve të tilla të jashtme
dhe teksa rriten, i përdorin ato më shumë.