Largoni kollën me çajin e
gështenjës
Gështenja, një nga drurët më të njohur në Shqipëri, nuk mund të
vlerësohet vetëm për frutin e mrekullueshëm e të pasur me vitamina, por
pema shquhet edhe për ndihmesën, që ajo jep në mjekësinë popullore.
Gjethet e gështenjës luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e shumë
sëmundjeve.
Gjethet e gështenjës janë të pasura me substanca vepruese saponinë,
eskulinë, fraksinë, flavoneve, taninë, të cilat ndikojnë dukshëm në
qarkullimin e shpejtë të gjakut.
Çaji me gjethet
Pirja e tre gotave të çajit, të përftuar nga farat ose lulet e
gështenjës, ndihmojnë në funksionimin sa më të mirë të veshkave. Në këtë
mënyrë shmangen dhe sëmundjet e tjera, që mund të shfaqen nga
çrregullimet, që ndodhin në to. Në sajë të vetive të shumta, që kanë
gjethet e thara e të grimcuara, përdoret si rrudhëse, shërbejnë në
rritjen e lëngut në stomak, duke bërë të mundur dhe shtimin e oreksit.
Rezultate pozitive çaji jep edhe në kurimin e sëmundjeve reumatizmale.
Janë pikërisht sëmundjet, që zhvillohen në mënyrë të theksuar dhe që
kalojnë në fazën kronike e të zgjatur. Përdoret në lehtësimin e
dhimbjeve të kyçeve dhe gjunjëve, kur vijnë si pasojë e këtyre
sëmundjeve. Gjethet e gështenjës në përbërje të tyre kanë veti irrituese
për indet dhe shkaktojnë skuqjen e tyre. Çaji rekomandohet edhe te të
gjithë ata që vuajnë nga majasëlli. Kjo sëmundje në të shumtën e rasteve
shfaqet te moshat e rritura, veçanërisht te të moshuarit, me zgjerim
dhe pezmatim të pjesës së poshtme të zorrës së trashë. Menjëherë pas
shfaqjes së kësaj sëmundjeje këshillohet pija e çajt, pasi majasëlli
mund të shkaktojë ndërlikime të tjera. Çaji i përftuar nga gjethet e
gështenjës ka dhënë rezultate shumë të mira edhe në pezmatimet e rrugëve
të frymëmarrjes. Sëmundjet e grykës janë të një natyre të menjëhershme e
të zgjatura dhe karakterizohen nga acarimi i mbulesës së mukozës.
Bronket
Sëmundja përhapet gradualisht dhe mund të kapë trakenë e bronkeve.
Mund të shoqërohet me ngritje të temperaturës dhe me kollë. Shpesh kolla
mund të shoqërohet dhe me gëlbazë. Çaji ka dhënë rezulate pozitive në
lehtësimin e kollës. Për largimin e kollës këshillohet të pihet çdo ditë
lëngu i gështenjës, i ëmbëlsuar me mjaltë. Kur kolla është e shoqëruar
me sekrecione, gështenja është një bimë me veprim antiseptik që ndihmon
në largimin e saj. Ajo bën të mundur lëngëzimin e saj dhe i sëmuri
ndihet i lehtësuar. Kjo kurë shërben edhe për të gjithë ata që vuajnë
nga astma. Në rastet e krizave dhe kur të sëmurit i merret fryma,
këshillohet pirja e menjëhershme e çajit të gjetheve të gështenjës. Një
rol të rëndësishëm japin gjethet edhe në disa prej sëmundjeve të zemrës,
në veçanti të çregullimit të ritmit dhe për pasojë edhe të pulsit. Çaji
ndihmon edhe në rastet kur sëmundja shoqërohet me fryrje të këmbëve dhe
barkut, për pasojë të dobësimit të muskulit të saj. Gjatë shfaqjes së
këtyre shenjave këshillohet pirja e çajit deri në shërim të të sëmurit.
Rezultate të mira janë arritur nga përdorimi i çajit edhe në çrregullime
të enëve të gjakut, që furnizojnë trurin. Edhe në këtë rast nevojitet
pirja e çajit të kësaj bime. Pjesët që përdoren për kurimin e sëmundjeve
janë gjethet e thara të gështenjës. Që të kenë rezultate pozitive gjatë
përdorimit këshillohet që tharja të bëhet në ambiente me hije dhe të
ngrohtë. Tharja mund të bëhet nën çatitë e banesave dhe në vende me hije
për të patur një veprim të ngadaltë. Koha në të cilën arrihet është 3
deri në gjashtë ditë. Më pas gjethet e përftuara rekomandohet të ruhen
në vende të ngrohta e pa lagështirë, të mbrojtura nga drita dhe pluhuri.
Duhet patur kujdes që gjethet të ruhen në një kuti. Nëse veprohet sipas
këtyre rregullave, bima mund ta ruajë aftësinë e tyre kuruese deri në
18 muaj nga dita e mbledhjes së tyre.
Çaji
Për përgatitjen e çajit nevojiten një deri tre lugë me bimën e
grimcuar, të cilat hidhen në një enë ku shtohet një gotë me ujë të
valuar. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi për 15 minuta. Më pas
çaji kullohet dhe pihet i ëmbëlsuar sipas dëshirës. Ai këshillohet të
pihet 1 deri 2 gota në ditë. Këshillohet të përdoret nga i sëmuri brenda
48 orëve nga çasti i përgatitjes, përndryshe, duke qenë mjedis i
përshtatshëm për mikrobe, prishet. Duhet të ruhet në enë qelqi dhe jo
metalike, sepse mund të bashkëveprojë me metalin, duke liruar lëndë të
dëmshme dhe dëmton shëndetin. Çaji duhet të ruhet në vende të errëta dhe
të freskëta.