Njëri ndër ekspertët kryesorë britanik u ka sugjeruar shkollave t’u ndalojnë përdorimin e kompjuterëve fëmijëve më të rinj se nëntë vjeç, sepse, sipas tij, teknologjia është e dëmshme për trurin e tyre.
Duke folur në konferencën e specialistëve për përkujdes ndaj fëmijëve të dielën, Aric Sigman, psikolog e shkrimtar, ka thënë se teknologjia ndikon në vëmendjen e fëmijëve dhe i bën dëm trurit të tyre të zhvilluar pamjaftueshëm, shkruan gazeta britanike “Sunday Telegraph”.
"Ekzistojnë fakte të cilat dëshmojnë se zbatimi i teknologjive të komunikimit e informacionit në vitet e hershme në të vërtetë ndrydhë aftësitë të cilat ministrat përkatës dëshirojnë të zhvillojnë tek fëmijët”, ka thënë Dr. Sigman dhe ka shtuar:
“Sot shohim probleme të mëdha tek fëmijët të cilët nuk lexojnë, tek ata të cilët vështirë i kushtojnë vëmendje mësuesit, apo kanë probleme të komunikojnë”.
Përkundër kësaj, ekzistojnë organizata të caktuara të cilat sugjerojnë që fëmijëve do të duhej t’u paraqitej kompjuteri qysh pas 22 muajve moshë dhe se pas 40 muajsh moshë ata do të duhej të udhëheqin me disa aftësi të thjeshta si për shembull me tele-pilotin, apo të përdoruesin miun e tastierën në kompjuter.
Po ashtu, fëmijët në shkollat fillore në Britani të Madhe kanë së paku një orë punë në kompjuter gjatë javës sipas programit shkollor.
Kështu, pas paraqitjes së fundit të Sigmanit ka dalë në pah se sa kjo çështje shihet me sy të ndryshëm.
Hulumtimet dëshmojnë se teknologjia mund t’u ndihmojë fëmijëve në mësim, zhvillim shoqëror dhe të përmirësojë shëndetin e tyre. Studime të shumta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar se në pajtim me rritjen e tyre softuerë të caktuar mund t’u ndihmojnë fëmijëve që më lehtë dhe më shpejt të mbizotërojnë gjuhën.
Mirëpo, megjithëkëtë Dr. Sigman mbetet në qëndrimin e tij që fëmijët duhet të përdorin teknologjinë në fazë më të vonshme të jetës.
“Do të duhej të bëhej një vlerësim real, ideale do të ishte që kompjuterët të përdoren nga fëmijët të cilët janë së paku nëntë vjeç”, ka theksuar ai.