| Mjeksia-Grup
| Rilindja Kombëtare | |
| | |
Autori | Mesazh |
---|
dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:52 am | |
| Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (Shoqëria e Stambollit-1879)
Hovi që mori lufta për autonominë e Shqipërisë i dha gjithashtu një shtytje të fuqishme lëvizjes në fushën e arsimit e të letërsisë shqipe, të cilat tani synonin jo vetëm të ngrinin në një shkallë më të lartë ndërgjegjen atdhetare të masave popullore, por edhe të përballonin nevojat që shtronte zëvendësimi i administratës osmane me administratën shqiptare.
Që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, u ndje më shumë se kurdoherë nevoja e ngutshme për të caktuar alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe dhe për t’i dhënë fund anarkisë që sundonte në këtë fushë. Po ashtu, tani u ndje më shumë se më parë nevoja e ngutshme për të formuar një organizatë qendrore ose, siç thuhej atëherë, një shoqëri kulturore, e cila të merrte përsipër barrën e drejtimit e të organizimit të përpjekjeve për të ngritur shkolla shqipe në gjithë vendin dhe për të zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike shqipe.
Nismën për zgjidhjet e këtyre dy detyrave e mori drejtpërdrejt Komiteti i Stambollit. Për këtë qëllim ai formoi qysh në fillim të vjeshtës së vitit 1878 një komision të gjerë prej 25 vetash, i cili ngarkoi një komision të ngushtë me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët.
Sikurse shprehej disa ditë më vonë Thimi Brandi në një letër që i drejtonte Jani Vretos, formimi i Komisionit Kulturor u përshëndet si një hap i rëndësishëm që “do të vinte themelet e gjuhës shqipe”. Por përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për të formuar një shoqëri kulturore të ligjshme, e cila ta zhvillonte lirisht veprimtarinë e saj në Perandorinë Osmane, përsëri dështuan. Porta e Lartë dhe nën shembullin e saj Patrikana e Fanarit e kundërshtuan kërkesën e paraqitur prej tyre si për formimin e organizatës kulturore, ashtu dhe për botimin e një gazete shqip.
Ndërsa i vijuan përpjekjet për formimin e shoqërisë kulturore, atdhetarët u morën me çështjen e alfabetit. Në fillim të vitit 1879 para komisionit të alfabetit u paraqitën katër projekte të ndryshme për shkrimin e shqipes, të cilat u diskutuan duke pasur parasysh kriteret shkencore, politike e praktike që duheshin për gjuhën shqipe. Prej tyre komisioni miratoi projektin e Sami Frashërit, i cili ishte i ndërtuar sipas parimit fonetik (për çdo tingull një shkronjë) dhe sipas alfabetit latin, të plotësuar për tinguj të veçantë të shqipes me shkronja të huajtura nga alfabeti grek ose të sajuara nga autori. Projektet e tjera nuk u pranuan për arsye të ndryshme, ose pse mbështeteshin vetëm në alfabetin grek (J. Vreto), ose pse nuk i përmbaheshin parimit fonetik (P. Vasa), ose pse për përdorimin e tij duheshin shtypshkronja të posaçme (H. Tahsini).
Në një letër që anëtarët e komisionit u dërgonin më 5 mars 1879 bashkatdhetarëve që banonin në Egjipt, i porositnin të përdornin, sikurse thuhet aty, “këtë alfabet (të cilin) ne shokë vëllezër shqiptarë... me një mendje, me një zemër, me një fjalë, vumë themeli për të shkruar gjuhën tonë shqipenë”. Ai shënonte një hap të madh përpara në fushën e lëvizjes kulturore dhe për rrjedhim pati një përhapje të gjerë në masën e shqiptarëve. Megjithatë, edhe ai nuk ishte shumë praktik, pasi shtypshkronjat duhej të pajiseshin dhe me disa shkronja të posaçme. Kjo e metë shkaktoi më vonë kundërshtime nga mjaft personalitete shqiptare, si pasojë e të cilave çështja e alfabetit të njësuar mbeti përsëri në rend të ditës.
Tre muaj më vonë, komisioni botoi veprën e parë me alfabetin e ri, me titull “Alfabetare e gluhësë shqip”, e cila përmbante, përveç alfabetit të Stambollit, disa shkrime mësimore të përgatitura nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e Koto Hoxhi. Për të mos e acaruar më shumë pakënaqësinë e shqiptarëve, të cilët në këtë periudhë i kishte pushtuar vala e lëvizjes autonomiste, Porta e Lartë ngurroi të ndërhynte menjëherë kundër kësaj veprimtarie që po zhvillohej brenda në kryeqytetin e Perandorisë. Këtë rrethanë e shfrytëzuan atdhetarët shqiptarë, të cilët shpejtuan të formonin, pa lejen e qeverisë, edhe shoqërinë kulturore. Pas disa ditë bisedimesh paraprake, ata thirrën në Stamboll, më 12 tetor 1879, një konferencë të posaçme, e cila do të themelonte shoqërinë dhe do të miratonte statutin e saj, sipas projektit që kishte përgatitur Jani Vreto qysh në tetorin e vitit të mëparshëm.
Në konferencën e Stambollit morën pjesë 27 veta, të cilët përfaqësonin, aq sa lejonin rrethanat politike, popullsinë shqiptare të tri besimeve dhe të krahinave kryesore të vendit, që nga Kosova deri në Çamëri. Veç kësaj, ata vinin nga radhët e të gjitha shtresave shoqërore të Shqipërisë. Ndërmjet tyre kishte bejlerë çifligarë dhe intelektualë qytetarë, por shumicën dërrmuese e përbënin emigrantë me origjinë fshatare, të cilët kishin lënë vendlindjen për të punuar në kurbet. Krahas këtyre njerëzve të thjeshtë, aty morën pjesë edhe figurat më të shquara të Lidhjes së Prizrenit, të cilët ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Komitetit të Stambollit, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Zija Prishtina etj.
Më 12 tetor 1879 konferenca vendosi themelimin e shoqërisë kulturore dhe miratoi kanonizmën (statutin) e saj, të cilën e nënshkruan të gjithë pjesëmarrësit. Zyrtarisht organizata u quajt “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, kurse shkurtimisht u bë zakon të thirret “Shoqëria e Shkronjëzave”, ose “Shoqëria e Stambollit”. Kryetar i saj u zgjodh Sami Frashëri, kurse pjesëmarrësit e konferencës formuan këshillin qendror të shoqërisë.
Programi i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip u shpreh në mënyrë të qartë në kanonizmën e saj. Ai nisej nga teza e shpallur qysh prej rilindësve të parë, se çdo komb që nuk e shkruan gjuhën e tij dhe nuk ka alfabetin e vet kombëtar është një komb i prapambetur. Prandaj qëllimi i shoqërisë ishte ta nxirrte popullin shqiptar nga prapambetja duke zhvilluar arsimin kombëtar dhe letërsinë shqipe. Ajo synonte të mobilizonte në këtë veprimtari të gjithë shqiptarët atdhetarë, kudo që ndodheshin, në atdhe ose në mërgim, duke i grumbulluar organizativisht, në degë krahinore të varura prej qendrës.
Ajo mendonte gjithashtu të krijonte një fond për të përballuar nevojat materiale të programit të saj. Fondi do të krijohej nga kuotizacionet e anëtarëve dhe nga të ardhurat që do të mblidheshin nga shitja e librave. Sapo të shtoheshin të ardhurat, thuhej në nenin 18, shoqëria do të pajisej me një shtypshkronjë, me anën e së cilës do të shtypte libra, gazeta e revista shqipe. Më vonë, thuhej në nenin 19, kur të ardhurat do të rriteshin më shumë, shoqëria do të ngrinte me shpenzimet e saj edhe shkolla shqipe. Këto shkolla do të ishin krejt të pavarura dhe do të formonin bërthamën e rrjetit arsimor kombëtar.
Krerët e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip iu përveshën punës për të zbatuar menjëherë programin e saj. Disa javë pas themelimit të shoqërisë ata shtypën në një shtypshkronjë të Stambollit kanonizmën e saj, të cilën e shpërndanë brenda e jashtë Shqipërisë. Në të njëjtën kohë u nis në Shqipëri një grup aktivistësh për të ndihmuar në formimin e degëve të Shoqërisë. Por gjatë vitit 1880 Porta e Lartë kaloi në reaksion të hapur kundër lëvizjes kulturore shqiptare. Administrata e saj ndërhyri me ashpërsi dhe me kërcënime për të ndaluar veprimtarinë e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Ajo nuk dha leje as për botime librash, as për krijim degësh, as për ngritje shkollash shqipe.
Në të njëjtën kohë edhe përfaqësues të turkomanëve e të grekomanëve, të institucioneve klerikale islamike e ortodokse, ndërmorën një fushatë të egër kundër veprimtarëve të lëvizjes kulturore shqiptare. Peshkopi ortodoks i Drinopojës (Gjirokastrës) lëshoi një mallkim publik kundër shkrimit shqip. Hovi që mori lëvizja kulturore shqiptare shqetësoi jo vetëm kishën fanariote, por edhe qeverinë greke. Si pasojë e këtij shqetësimi, organet shtetërore të Athinës ndaluan në vjeshtën e vitit 1880 botimin e mëtejshëm të gazetës “I foni tis Alvanias” dhe filluan persekutimet kundër botuesit të saj, Anastas Kulluriotit. Në këto rrethana Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip nuk pati mundësi ta zhvillonte veprimtarinë e saj kulturore brenda Perandorisë Osmane dhe ca më pak në Shqipëri. Madje ajo u detyrua të kalonte në ilegalitet. Ndjekjeve u shpëtoi vetëm dega e Shoqërisë së Shkronjëzave që u formua më 1880 në Bukuresht (Rumani), e cila më vonë luajti një rol të rëndësishëm për plotësimin e programit kulturor të Shoqërisë së Stambollit. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:53 am | |
| Letërsia popullore dhe artistike
Një vend të rëndësishëm në lëvizjen kulturore të viteve të Lidhjes së Prizrenit zë letërsia popullore dhe artistike shqip. Në letërsinë popullore një zhvillim shumë të begatshëm pati epika historike. Në qershor të vitit 1878, në ditët e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, u botua në Aleksandri të Egjiptit vepra madhore e Thimi Mitkos “Bëleta shqiptare”, në të cilën qenë përfshirë mjaft këngë popullore historike të krijuara gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga poetët anonimë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Në hullinë e këtyre këngëve eci edhe vepritmaria popullore e viteve të Lidhjes së Prizrenit. Si më parë, edhe tani ajo pati për qëllim të përjetësonte në vargje ngjarjet tronditëse historike dhe të frymëzonte brezat e rinj për betejat e ardhshme. Por poezia popullore historike e kësaj periudhe dallohet nga ajo e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm për frymën e saj më të theksuar kombëtare. Uniteti kombëtar i shqiptarëve që krijoi Lidhja e Prizrenit në fushën politike, u pasqyrua kështu edhe në krijimtarinë popullore historike.
Sipas traditës, rapsodët popullorë krijimet e tyre letrare më monumentale ua kushtuan ngjarjeve historike më të shënuara. Në qerthullin e këtyre ngjarjeve tani nuk hynë vetëm momentet dramatike madhore, siç ishin përpjekjet e armatosura me armiqtë e tyre, por edhe momentet politike kulmore. Kështu, krahas këngëve epike që iu kushtuan luftës për mbrojtjen e Lëkurësit e të Gjashtës, të Plavës e të Gucisë, të Hotit e të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, të Slivovës e të Shtimjes, u thurën gjithashtu këngë historike për kuvendet e Prizrenit e të Gjirokastrës, të Gjakovës e të Frashërit, të Shkodrës e të Dibrës, madje edhe për forume të tilla ndërkombëtare, siç ishte Kongresi i Berlinit. Po ashtu, tani poetët anonimë u ngritën monumente në vargje jo vetëm kryetrimave që u shquan në fushën e luftës, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Isuf Sokoli, Col Delia, Çel Shabani ose Sef Kosharja, por edhe ideologëve ose udhëheqësve politikë të Lidhjes së Prizrenit, siç ishin Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ali pashë Gucia, Haxhi Ymeri (Ymer Prizreni) etj.
Të gjitha këngët popullore historike të këtyre viteve kanë karakter epik ose retorik. Pavarësisht se janë thurur nga rapsodë të viseve të ndryshme dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, ato bashkohen qoftë nga boshti tematik, qoftë nga frymëzimi atdhetar. Nëpërmjet vargjeve të tyre të pasura me figura dhe shprehje poetike, autorët anonimë himnizojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi luftën atdhetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të njëjtën kohë ata stigmatizojnë herë me tallje, herë me sarkazëm armiqtë, kryesisht “shtatë krajlat” (gjashtë Fuqitë e Mëdha së bashku me Perandorinë Osmane), rreshtimi i të cilëve kundër Shqipërisë shkaktonte te shqiptarët jo frikë, por krenari.
Krenaria kombëtare, e lidhur ngushtë me besimin për të ardhmen, mbizotëron pothuajse në të gjitha këngët popullore historike të kësaj periudhe. Shqiptarët janë krenarë, sepse asnjëherë nuk i kanë lëshuar armët kundër sundimtarit osman: “Se Shqipnia e ka pas adet / Nga një pashë me mbyt për vjet!”, thuhet në një këngë popullore të këtyre viteve. Sef Kosharja nuk e ndien veten të turpëruar, si dikur kreshnikët mesjetarë, kur mareshali osman Dervish Pasha e dënoi me varje në majën e një lisi. Përkundrazi, ai është krenar se vdes për atdhe (“Po hije m’ka mue, o djemt’e mi / Se kam lanë shpirtin për Shqipni”). Në një këngë tjetër popullore, Dervish Pasha, pasi e shtyp Lidhjen e Prizrenit pyet: Ku ndodhet Sulejman Vokshi, që nuk po e kap dot? Ku u zhduk populli që shkon pas tij? Dhe rapsodi përgjigjet: Janë atje lart në bjeshkë, atje ku zbardhin retë dhe së shpejti do të takohen përsëri me të (“N’ato bjeshkë, te retë e bardha / Q’atje nelt, ku zbardhin ret’/ Kjoft kysmet do’i shihsh opet!”). As Abdyl Frashëri nuk e ndien veten të mundur ose të turpëruar kur kalonte përmes Manastirit i lidhur me hekura dhe i shoqëruar nga xhandarët osmanë, të cilët po e çonin në burgun e Prizrenit. Përkundrazi, këndon rapsodi popullor, “emiri i Shqipërisë” (“udhëheqësi” i Shqipërisë) iu drejtua me krenari e me optimizëm një konsulli të huaj, i cili qeshi me ironi kur e pa të lidhur me pranga: “Ne e mbollëm këtë farë / Po të tjerë shqiptarë / Do ta korrin më të mbarë!”.
Edhe letërsia artistike e këtyre viteve u dallua për karakterin më të theksuar kombëtar luftarak, për lidhjen e ngushtë me detyrat politike, për rolin më të fuqishëm edukativ atdhetar dhe për vëllimin më të pasur të krijimeve letrare. Vrulli i lëvizjes atdhetare që shpërtheu gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit tërhoqi në fushën e letërsisë mjaft pena të reja, por shumica e krijimeve të tyre letrare mbetën të pabotuara. Përveç “Alfabetares” dhe “Kanonizmës” së Shoqërisë së Stambollit, të cilat ishin një përjashtim, Porta e Lartë nuk lejoi asnjë shkrim tjetër shqip që të botohej në Perandorinë Osmane. Por edhe jashtë kufijve të saj mundësitë e botimit ishin të kufizuara. Vetëm pak shkrime shqipe arritën të botoheshin në ndonjë organ periodik të jashtëm, siç ishte gazeta “I foni tis Alvanias” që dilte në Athinë, ose revista “Iris”, që shtypej në Bukuresht. Për të siguruar një përhapje më të gjerë në rradhët e bashkatdhetarëve, disa krijime letrare shqipe, siç ishte poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës dhe himni me titull “Marsejeza” i Thimi Mitkos, u botuan në fletë qarkulluese dhe u shpërndanë në atdhe me anën e veprimtarëve të Lidhjes së Prizrenit.
Pati gjithashtu krijime letrare, të cilat u shpërndanë në dorëshkrim midis bashkatdhetarëve. Kështu ndodhi, për shembull, me poemën “Shqipëria”, të shkruar nga Naim Frashëri. Lëvizja letrare shqipe u zhvillua kryesisht në gjininë e poezisë luftarake. Kjo u lidh me detyrat politike e kulturore më të ngutshme që shtroheshin para lëvizjes kombëtare në përgjithësi dhe Lidhjes së Prizrenit në veçanti. Si rrjedhim, tematika e rrahur prej saj ishte po ajo që trajtoi edhe letërsia politike e atyre viteve. Në çdo poezi spikat thirrja për bashkimin e shqiptarëve si një trup i vetëm pavarësisht nga dallimet fetare. Të gjithë autorët e tyre dënojnë armiqtë e atdheut - Perandorinë Osmane, Fuqitë e Mëdha, monarkitë ballkanike dhe institucionet klerikale. Të gjithë lëshojnë kushtrimin për të rrëmbyer armët jo vetëm për të fituar lirinë e Shqipërisë, por edhe për të mbrojtur tërësinë e saj tokësore. Në të njëjtën kohë ata ftojnë bashkatdhetarët e tyre për të shkruar gjuhën amtare, lëvrimin e së cilës e vlerësonin si një armë të fuqishme jo vetëm për përparimin e vendit, por edhe për thellimin e lëvizjes atdhetare.
Krijimi letrar më i frymëzuar i viteve të Lidhjes së Prizrenit dhe në të njëjtën kohë një nga poezitë më përfaqësuese të mbarë Rilindjes Kombëtare është poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës. Me një pasuri figurash poetike, me një patos romantik atdhetar dhe me një gjuhë të rrjedhshme, autori synon të ngrejë peshë zemrat e bashkatdhetarëve në luftë për lirinë e atdheut. Ai e fillon poemën e vet duke kundërvënë mjerimin e atëhershëm të Shqipërisë me madhështinë e saj të dikurshme. Shqipëria, këndon poeti, dikur zonjë e nderuar, nënë trimash të dëgjuar, të cilët në të kaluarën i kallnin tmerrin armikut, tani ishte e shtrirë përdhe si një lis i lartë, gjithkush e shkelte me këmbë trupin e saj dhe askush nuk e thoshte një fjalë të ëmbël për të. Pse ndodhte kjo? Kjo ndodhte, theksonte autori, jo se shqiptarët e kishin humbur trimërinë dhe atdhedashurinë e dikurshme, por se ishin të përçarë nga institucionet fetare, se ishin të ndarë nga krerët në njëqind “çeta” dhe, si rrjedhim, në vend që të bashkoheshin kundër armiqve, luftonin kundër njëri-tjetrit.
Pas tablosë dramatike, fillon shpërthimi epik i poetit atdhetar, i cili i fton shqiptarët të lënë mënjanë fetë, të bashkohen të gjithë si vëllezër, të lidhen të gjithë në një besë, të rrëmbejnë të gjithë armët dhe “Para se të humbasë kështu Shqipnia / Me pushkë në dorë le të vdesë trimnia”. Poema arrin pikën e vet kulmore kur autori lëshon thirrjen për të mbrojtur me çdo kusht tokën shqiptare: “Asht toka jonë, t’parët na e kanë lanë / Kush mos e preki! Të vdesim të tanë! / Të vdesim si burrat qi diqen motit”.
Këtë kalim nga nota heroike për të kalurën në gjëmën elegjiake për të tashmen, e përdorën edhe autorë të tjerë të këtyre viteve, si Thimi Mitkoja, Naim Frashëri dhe Nikolla Çako, pasi u jepte dorë që të ndiznin me patos atdhetar zemrat e bashkatdhetarëve në luftën për çështjen e madhe të Shqipërisë. Të gjithë krijuesit letrarë të periudhës së Lidhjes së Prizrenit janë krenarë për të kaluarën e shqiptarëve, e cila zë fill me pellazgët parahistorikë, ata krenohen për figurat e mëdha që kanë hyrë në historinë e njerëzimit, si Aleksandri i Maqedonisë, Pirroja i Epirit, sidomos Skënderbeu (që, siç theksonte Naim Frashëri, i dha “dërmën” Perandorisë Turke) ose Marko Boçari (që, siç shprehej Nikolla Çako, fitoi kundër “skllavërisë” osmane). Nëpërmjet këtyre evokimeve ata i përgjigjeshin në të njëjtën kohë atij opinioni konservator evropian, që e paraqiste kombin shqiptar si një popull pa histori. Madje, si poetë, ata reagonin më me pasion sesa si prozatorë, duke arritur deri në atë shkallë sa lashtësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk e shprehnin me argumente historike, por me hiperbola letrare (për Naimin Shqipëria ka qenë gjallë që kur u krijua bota, për Mitkon shqiptarët kanë lindur para se të formohej hëna).
Ashtu si Pashko Vasa, edhe poetët e tjerë e përshkruajnë gjendjen e Shqipërisë së atyre viteve me ngjyrat më të errëta. Ata kanë pika takimi edhe kur trajtojnë detyrat që shtroheshin para vendit. Ç’na duhet trimëria, theksonte Naimi, në qoftë se prej saj nuk fiton gjë Shqipëria? Madje, vijonte ai, sot Shqipëria ka nevojë jo vetëm për trimërinë e bijve të saj, por edhe për diturinë e tyre e në mënyrë të veçantë për lëvrimin e gjuhës amtare. Në një thirrje të vargëzuar Thimi Mitkoja u kujtonte bashkatdhetarëve se për të shpëtuar nga sundimi i huaj dhe për ta ndritur kombin e tyre, duhej të luftonin për tri çështje: për lirinë, për vetëligjësinë (autonominë) dhe për shkrimin e gjuhës shqipe, përveç detyrës që ishte në rend të ditës - mbrojtja e trojeve shqiptare. Madje, të pushtuar nga patosi atdhetar, shpeshherë ata shkuan më larg se kërkesat që përmbante programi politik i Lidhjes së Prizrenit. Në shumicën e rasteve ata u bënë thirrje vëllezërve të tyre jo aq për “vetëligjësi”, sesa për “zbimin e Turqisë” dhe “lirinë e Shqipërisë”, si në kohën e Skënderbeut.
Karakteristikë tjetër e përbashkët e poetëve të këtyre viteve ishte optimizmi për të ardhmen e atdheut. Ashtu si në shkrimet politike, edhe në krijimet letrare autorët ishin të bindur se, me djem trima si ata që luftuan në Guci dhe me udhëheqës të ndritur si Abdyl Frashëri me shokë, Shqipëria e robëruar dhe e prapambetur do ta fitonte një ditë lirinë e humbur e do të hynte shpejt në rrugën e qytetërimit. Në një poezi greqisht, një poet anomin e shprehte optimizmin e vet për luftën e mëtejshme të shqiptarëve me këto katër vargje: “Sa kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të Madh / në Shqipëri, / Sa kohë që ata kanë moshën rinore / dhe shquhen për trimëri, / Sapo të vijë pranvera dhe tërfili / të mbijë përsëri, / Karejfili? i shqiptarit do të ushtojë / prapë për liri!”. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:53 am | |
| 7. LUFTA PËR REALIZIMIN E AUTONOMISË DHE SHTYPJA E LIDHJES SË PRIZRENIT
Kryengritja e armatosur dhe formimi i qeverisë së përkohshme (dhjetor 1880-janar 1881)
Pas dorëzimit të Ulqinit forcat politike shqiptare dhe veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përqendruan vëmendjen në dy çështje kryesore: në atë të pretendimeve greke ndaj Çamërisë dhe në problemin e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Në këtë periudhë u rrit më tej vendosmëria e shqiptarëve për të mos i lëshuar Greqisë asnjë pëllëmbë tokë të Çamërisë. Të gjitha forcat atdhetare kishin qëndrim të njëjtë për këtë çështje, vijuan të kërkonin që Protokolli nr.13 të korrigjohej në mënyrë të tillë që Greqia të kënaqej jo me vise shqiptare, por me troje greke në Thesali. Edhe Porta e Lartë, duke qenë e bindur se përdorimi i dhunës për t’i detyruar shqiptarët të hiqnin dorë nga Çamëria do të shkaktonte një kryengritje të re, me përmasa të mëdha në Shqipëri, po kundërshtonte zbatimin me forcë të këtij vendimi. Stambolli u përpoq të përfitonte nga zvarritja e çështjes së Çamërisë për të marrë masat për rivendosjen e autoritetit të tij të tronditur në Shqipëri dhe për të shtypur lëvizjen autonomiste. Megjithëse krahu i moderuar i Lidhjes Shqiptare hoqi dorë nga lufta për autonominë e Shqipërisë, atdhetarët radikalë e vazhduan atë më me forcë pas ngjarjeve të Ulqinit. Në një mbledhje të veçantë që u mbajt në Prizren në nëntor, në të cilën mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, u vendos që ky (Abdyl Frashëri) të nisej për në Stamboll për t’i paraqitur edhe njëherë Portës së Lartë kërkesën për bashkimin e vilajeteve dhe veç kësaj kryengritja kundërosmane të niste sapo të shihej se Porta e Lartë do të kalonte në sulm kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Qysh në javën e parë të muajit dhjetor 1880 Porta e Lartë filloi të kalonte shkallë-shkallë në sulm kundër lëvizjes autonomiste shqiptare. Goditjen e parë ua dha forcave atdhetare në Shkodër. Menjëherë pasi përfundoi dorëzimin e Ulqinit, Dervish Pasha u turr me egërsi të jashtëzakonshme kundër organeve të Lidhjes së Prizrenit në vilajetin e Shkodrës, të cilat arriti t’i shpërndante me terror, duke rivendosur pushtetin e administratës centraliste osmane. Mareshali turk u tregua më i egër me partizanët e lëvizjes autonomiste, sesa me pjesëmarrësit e luftës së Ulqinit. Më 11 dhjetor ai arrestoi pabesisht dhe internoi në Anadoll edhe figura të tilla si Hodo Sokolin e Preng Bibë Dodën, të cilët nuk morën pjesë në luftën e Ulqinit, por ishin përkrahës të kërkesave autonomiste, ndërsa Daut Boriçin e izoloi në Stamboll. Arrestime të tjera ndërmori ai në qytetin e Shkodrës.
Disa ditë më vonë Porta e Lartë e thirri në Stamboll Dervish Pashën dhe i ngarkoi detyrën të hartonte planin e një ekspedite të madhe ushtarake kundër Shqipërisë, për të shtypur në mbarë vendin Lidhjen Shqiptare dhe prirjen e saj për kryengritje të armatosur kundërosmane. Në relacionin që i paraqiti sulltanit më 27 dhjetor, Dervish Pasha kërkonte që lëvizja autonomiste shqiptare të shtypej para se të shpërthente një kryengritje e përgjithshme e armatosur dhe për këtë qëllim të dërgoheshin në Shqipëri 40 batalione ushtarësh me dy qendra drejtuese, njëra në Shkodër, tjetra në Shkup, që ekspedita ushtarake të fillonte në Veri dhe pas zgjidhjes së çështjes së Çamërisë të shtrihej edhe në Shqipërinë e Jugut. Në të njëjtën kohë sulltan Abdyl Hamiti II u drejtoi shqiptarëve një thirrje të jashtëzakonshme, ku i cilësonte të gjithë ata që kërkonin krijimin e një vilajeti të vetëm shqiptar si armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane. Udhëheqësit shqiptarë i morën vesh synimet e Stambollit, prandaj i shpejtuan përgatitjet për organizimin e aksionit të armatosur autonomist. Sipas planit të tyre, ai do të fillonte në vilajetin e Kosovës, do të shtrihej menjëherë në vilajetin e Janinës dhe pastaj do të përhapej në viset shqiptare të dy vilajeteve të tjera. Në Kosovë veprimet e armatosura filluan në sanxhakun e Prizrenit, qysh në muajin dhjetor 1880, me një varg sulmesh nga ana e fshatarëve kundër administratës osmane. Fill pas tyre u ngritën banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan nga qyteti mytesarifin e sanxhakut së bashku me nëpunësit e huaj. Këtu mbërriti në ato ditë edhe Abdyl Frashëri, që u largua fshehurazi nga Stambolli. Brenda pak ditëve qytete e krahina të tjera, si Shkupi, Gjakova, Luma e Gucia, u çliruan e u pastruan nga administrata perandorake dhe u bashkuan me pushtetin e ri që u ngrit në Prizren.
Vrulli i lëvizjes kundërosmane i nxiti udhëheqësit kryesorë të rrymës radikale, të grumbulluar në Prizren, të bënin hapat e parë për zbatimin e programit të tyre autonomist. Në fund të dhjetorit ata riorganizuan Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare, ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin edhe ndër themeluesit e saj, si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra etj. Komiteti Kombëtar mori vendime të rëndësishme: të përhapte kryengritjen kundërosmane në krejt vilajetin e Kosovës dhe të thërriste mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare për të formuar qeverinë e përkohshme.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare u mblodh në Prizren në fillim të dhjetëditëshit të dytë të muajit janar. Në Kuvend mbajti një fjalim programatik Abdyl Frashëri, në të cilin tha, midis të tjerave: “Porta e Lartë nuk do që të bëjë asgjë për Shqipërinë. Ajo i trajton me përbuzjen më të madhe si lutjet tona, ashtu edhe neve… Le të mendojmë e le të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim ndërmjet toskëve e gegëve. Të jemi të gjithë shqiptarë dhe të formojmë një Shqipëri të bashkuar”. Me këtë formulim Abdyl Frashëri nënkuptonte krijimin e “një shteti autonom shqiptar”, i cili, nëse nuk do të njihej nga Stambolli dhe do të sigurohej me anën e kryengritjes së armatosur, do të shpinte vetvetiu në shpalljen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.
Në përfundim të punimeve Kuvendi i Jashtëzakonshëm miratoi, me pak ndryshime, Komitetin Kombëtar të mëparshëm të Lidhjes Shqiptare. Duke marrë parasysh detyrën e re që shtrohej para vendit - zëvendësimin e administratës osmane me administratën shqiptare autonome - Kuvendi e veshi organin qendror të Lidhjes Shqiptare me funksione të plota pushtetore. Për këtë qëllim ai e shpalli Komitetin Kombëtar qeveri të përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin, nënkryetar Shuaip Spahiun dhe me dhjetë anëtarë, midis të cilëve ishin Abdyl Frashëri, i ngarkuar për punët e jashtme dhe Sulejman Vokshi, i ngarkuar për punët ushtarake. Fill pas formimit të saj qeveria e përkohshme u përpoq ta përhapte flakën e kryengritjes çlirimtare në viset e tjera të vilajetit të Kosovës e të shtrinte pushtetin e saj në gjithë vilajetin e Kosovës dhe shkallë-shkallë edhe në tre vilajetet e tjera shqiptare. Në të njëjtën kohë ajo iu përvesh organizimit të forcave ushtarake. Brenda pak ditëve u formuan njësi ushtarake të rregullta dhe pranë tyre reparte shëtitëse që do të shërbenin ku ta lypte nevoja. Në viset e çliruara u ngrit menjëherë administrata shqiptare, e cila hyri nën vartësinë e qeverisë së përkohshme të Prizrenit.
Lëvizja e armatosur autonomiste u përhap me shpejtësi edhe në viset e tjera të vilajetit të Kosovës. Në saje të përkrahjes që gjetën në masat popullore, repartet e Lidhjes Shqiptare të komanduara nga Sulejman Vokshi, më 4 janar shtinë në dorë Shkupin, më 18 janar çliruan pa luftë Prishtinën (kryeqendrën e vilajetit) dhe më 25 janar Mitrovicën. Ndërkohë u lidhën me qeverinë e përkohshme edhe qytetet e tjera të vilajetit të Kosovës, si Peja, Ferizaj, Vuçiterna etj. Nëpunësit e lartë turq u dëbuan nga të gjitha këto qendra, ku u vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta turke u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, prej nga nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare zunë urat hekurudhore në mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e trenave me qendër në Shkup mori urdhër të mos transportonte trupa e municione për ushtrinë turke.
Në shkurt autoriteti i qeverisë së përkohshme u shtri në Tetovë, në Gostivar e në Dibër. Në Dibër dëbimi i nëpunësve turq ndeshi në kundërshtimin e feudalëve sulltanistë, që kryesoheshin nga Sadik pashë Hoxholli, të cilët, duke mos pasur mbështetje në popullsinë vendase, thirrën në ndihmë dy batalione turke nga Manastiri. Qeveria e përkohshme e Prizrenit dërgoi në Dibër Abdyl Frashërin, që u vendos drejtpërdrejt në selinë e prefekturës, para së cilës u mbajt një miting i madh. Duke iu përgjigjur thirrjes së Abdylit, që në fjalën e tij u kërkoi dibranëve të bashkoheshin me qeverinë e përkohshme, popullsia e Dibrës së Sipërme, qytetarë e malësorë, dëboi më 19 shkurt mytesarifin turk dhe vendosi pushtetin e Lidhjes Shqiptare. Dibra u lidh kështu me qeverinë e përkohshme.
Porta e Lartë u përpoq t’i mbyste me anën e censurës lajmet mbi ngjarjet tronditëse që po zhvilloheshin në Kosovë. Madje jo vetëm shtypi turk, por edhe shtypi ndërkombëtar nuk botoi asgjë mbi këto ngjarje. Atdhetarëve shqiptarë nuk u mbeti asnjë mjet në dorë për të njoftuar zhvillimin e lëvizjes autonomiste, përveçse letrave personale që shkëmbenin fshehurazi ndërmjet tyre. Në një letër të tillë që Sami Frashëri i dërgonte nga Stambolli Jeronim de Radës në Itali në valën e këtyre ngjarjeve, më 20 shkurt 1881, shkruante: “Lidhja e Shqiptarëve që ka kërthizën në Prizren, në Gegëri, ka kërkuar shumë herë, që nga tre vjet e tëhu, bashkimin e Shqipërisë me një provincë me autonomi; po mbretëria gjer më sot e kish gënjyer me fjalë. Këtë herë shqiptarët e kuptuan fort mirë që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, dhe Lidhja e Prizrenit ka nevojë të bashkojë Shqipërinë e ta bënjë një me autonomi, a mbase me shkëputje fare pas punësë. Kështu Lidhja mori emrin e guvernës së përdorme (qeverisë së përkohshme - shën. i aut.) dhe përzuri guvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës dhe nga Prizreni, nga Gjakova, nga Tetova, nga Dibra etj. 10 000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupin dhe udhënë e hekurtë; 10 000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një kryengritje të madhe në Shqipëri”.
Në të vërtetë, në fund të shkurtit qeveria e përkohshme arriti të shtrinte autoritetin e saj në katër nga pesë sanxhakët e vilajetit të Kosovës (me përjashtim të Novi Pazarit): në të Prizrenit, të Pejës, të Shkupit e të Prishtinës. Pushteti i ri u krijua nëpërmjet shndërrimit të komiteteve të mëparshme të Lidhjes në organe pushteti në çdo sanxhak. Po kështu ndodhi edhe me komitetet e kazave që vareshin nga ato të sanxhakëve. Qeveria e përkohshme synonte ta shtrinte kryengritjen e armatosur çlirimtare në krejt viset shqiptare, në vilajetin e Shkodrës, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një kujdes të veçantë i kushtoi ajo sanxhakut të Dibrës, si një hallkë që lidhte gjithë trevat shqiptare.
Veprimtaria e qeverisë së përkohshme u përqendrua në ngritjen e forcave të armatosura shqiptare, në vendosjen e rendit publik, në organizimin e administratës së re e sidomos të gjykatave shqiptare (që u krijuan në çdo sanxhak duke zëvendësuar ato osmane), në krijimin e një buxheti të shtetit shqiptar, nëpërmjet përqendrimit në duart e Lidhjes të taksave shtetërore. Krahas veprimeve ushtarake, të cilat çuan në çlirimin e shpejtë të vilajetit të Kosovës dhe të disa viseve të vilajetit të Manastirit, qeveria e përkohshme i kushtoi kujdes të veçantë edhe ngritjes së pushtetit të ri shqiptar. Administrata e re që u ngrit në viset e çliruara u pastrua jo vetëm nga funksionarët turq, por edhe nga ata sulltanistë shqiptarë. U morën masa të rrepta kundër veprimeve arbitrare dhe shpërdorimit të funksioneve pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm. Duke i dhënë një rëndësi të madhe vendosjes së një qetësie shembullore, organet e Lidhjes Shqiptare ndoqën me ashpërsi të gjithë keqbërësit e arratisur. Masa të rrepta u morën gjithashtu edhe kundër parisë reaksionare, që u përpoq të minonte pushtetin e ri me veprimtarinë e saj armiqësore. Mjaft prej përfaqësuesve të saj u arrestuan. Për sukseset që pati pushteti i ri i vendosur nga Lidhja Shqiptare në viset e Kosovës, kryekonsulli austro-hungarez raportonte nga Shkodra, më 5 mars 1881, midis të tjerave: “ ... Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga Lidhja; gjyqtar është një qytetar i Prizrenit; taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të Lidhjes; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. Lidhja ka kujdes për mbajtjen e rendit qoftë në qytet, qoftë në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull se ç’ishte në kohën kur administratën e drejtonin funksionarët e sulltanit”.
Sukseset që arriti lëvizja çlirimtare në Kosovë ngjallën një entuziazëm të madh në radhët e atdhetarëve shqiptarë. Madje shumë prej tyre filluan të shpresonin se me këtë hov që po merrte aksioni revolucionar çlirimtar po krijohej mundësia për të fituar jo vetëm autonominë e Shqipërisë, por “mbase”, siç shprehej Sami Frashëri ato ditë, edhe shkëputjen e saj të plotë nga Perandoria Osmane. Në këto rrethana qarqet atdhetare filluan të mendonin edhe për formën e qeverisjes që duhej të kishte shteti i ardhshëm shqiptar. Lidhur me formën e regjimit, opinioni publik shqiptar anonte kryesisht nga regjimi monarkist. Ai e përfytyronte Shqipërinë e lirë si një principatë a si një mbretëri me një fisnik shqiptar ose të huaj në krye. Sipas këtij koncepti, Shqipëria nuk duhej të bënte përjashtim nga vendet e tjera të Ballkanit që u formuan si shtete monarkiste. Përkrahësit e regjimit republikan ishin më të pakët. Ndër ta u shqua Sami Frashëri, i cili propozonte për Shqipërinë një zgjidhje origjinale, një republikë me një kryesi kolegjiale. “Në u bëftë dot Shqipëria më vete, - shkruante Sami Frashëri në letrën e përmendur drejtuar De Radës, - nuk do të kemi nevojë për princër as të krishterë as muhamedanë që të na rrjepnë e të na pinë gjaknë. Vendi ynë mund edhe do të guvernohet (të qeveriset - shën. i aut.) prej një farë dhimokratije, prej pleqet”. Kjo pikëpamje për të vendosur në Shqipëri një regjim republikan me një presidencë kolegjale përfaqësonte mendimin më përparimtar të shprehur deri atëherë nga lëvizja demokratike shqiptare.
Pas sukseseve që korri lëvizja në vilajetin e Kosovës e në sanxhakun e Dibrës, pritej që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të vendit. Në të vërtetë, në Shqipërinë e Jugut atdhetarët prisnin çastin e përshtatshëm për t’u hedhur në veprim. Shenjën do ta jepte Abdyl Frashëri në varësi të ecurisë të bisedimeve turko-greke dhe të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Meqenëse këtu Porta e Lartë kishte përqendruar forca ushtarake të mëdha për të përballuar një sulm të mundshëm nga ana e Greqisë, qeveria e përkohshme e Prizrenit filloi të përgatiste reparte vullnetarësh për të ndihmuar kryengritësit e vilajetit të Janinës, sapo këta të hidheshin në veprim. Por pikërisht ato ditë u krijua një gjendje ndërkombëtare shumë e ndërlikuar, e cila e pengoi shtrirjen e lëvizjes në viset jugore.
Ngjarjet e reja në Shqipëri, të cilat po çonin në prishjen e status quo-së në Evropën Juglindore, pra në ndryshimin e hartës politike të Kongresit të Berlinit, shqetësuan jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Fuqitë e Mëdha. Shqetësimin e tyre e rriti më tej qëndrimi i Greqisë, e cila, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, filloi ta kërcënonte Perandorinë Osmane me luftë për ta detyruar që t’i lëshonte asaj Çamërinë e Thesalinë. Ndërlikimet e mëdha që po krijoheshin në Gadishullin Ballkanik nga sukseset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i detyruan Fuqitë e Mëdha të ndërhynin energjikisht për t’i detyruar Stambollin e Athinën që t’i jepnin fund çështjes së kufirit turko-grek, me qëllim që Porta e Lartë t’i kishte duart të lira për të shtypur Lidhjen e Prizrenit dhe kryengritjen e saj të armatosur.
Për t’i bërë ballë këtij komploti ndërkombëtar që po organizohej kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit u orvatën përsëri të siguronin një pikëmbështetje të jashtme. Rastin ua dha Greqia me gatishmërinë e saj për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare me Abdyl Frashërin në krye, u kthyen te projekti i tyre i vjetër për të lidhur një aleancë politike e ushtarake me Greqinë, sipas së cilës, në përfundim të luftës së përbashkët kundër Stambollit, Athina do të aneksonte provincën greke të Thesalisë, kurse shqiptarët do të fitonin pavarësinë kombëtare në kufijtë e tyre etnikë, duke përfshirë këtu edhe viset shqiptare të Çamërisë.
Në fillim qeveria e Athinës u tregua e interesuar për bisedimet shqiptaro-greke, të cilat u zhvilluan në Korfuz. Por shpejt u pa se ajo nuk kishte hequr dorë nga platforma e saj, që parashikonte aneksimin e vilajetit të Janinës nga Greqia dhe bashkimin e Shqipërisë me Greqinë në formën e një shteti dualist. Veç kësaj, ndërsa vijonin bisedimet e Korfuzit, presioni i Fuqive të Mëdha ndaj Stambollit dhe Athinës u rrit aq shumë, sa Porta e Lartë e qeveria greke u detyruan të bënin lëshime dhe t’i jepnin fund grindjes rreth kufirit të tyre të ri. Sipas protokollit, që u nënshkrua më 27 mars 1881, Perandoria Osmane pranoi t’i lëshonte Greqisë pjesën më të madhe të Thesalisë, afërsisht deri në lumin Selemvria dhe një pjesë shumë të vogël në këndin juglindor të Epirit, konkretisht qytetin e Artës së bashku me rrethinat e tij. Ky vendim i Fuqive të Mëdha u mor për shkak të qëndresës gati trevjeçare të Lidhjes Shqiptare, e cila luftoi me vendosmëri për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë shqiptare në vilajetin e Janinës (Epir).
Qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare dhe ndërhyrjet e konsujve të tyre kundër lëvizjes autonomiste ushtruan një ndikim negativ në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në Shqipërinë e Jugut. Veç kësaj, me nënshkrimin e marrëveshjes turko-greke, Athina nuk dëshironte më trazira në vilajetin e Janinës. Madje tani lindi rreziku që, sapo të shpërthente kryengritja autonomiste në Shqipërinë e Jugut, Greqia t’i sulmonte shqiptarët prapa krahëve për të bërë aneksimin e vilajetit të Janinës. Në këto rrethana atdhetarët shqiptarë të viseve jugore ngurruan të fillonin veprimet kryengritëse kundër Portës së Lartë. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:53 am | |
| Betejat e fundit të Lidhjes dhe shtypja e saj (prill 1881)
Sapo u bind se çështja e kufirit turko-grek po hynte në rrugën e zgjidhjes, Porta e Lartë mendoi se tashmë i kishte duart të lira për të shtypur me forcë lëvizjen autonomiste shqiptare. Për këtë qëllim, disa ditë përpara se të nënshkruhej protokolli i marrëveshjes së kufirit, ajo i dha urdhër Dervish Pashës që të vinte në zbatim planin e ekspeditës ushtarake kundër Shqipërisë. Atij iu dha grada e kryegjeneralit dhe detyra e kryekomandantit të Rumelisë, domethënë të forcave të armatosura të dislokuara në vilajetet e Kosovës, të Manastirit, të Janinës, të Shkodrës e të Selanikut. Ekspedita e tij, e përbërë nga 30 batalione, do të ndihmohej edhe nga garnizonet ushtarake të vendosura në qytetet e Kosovës. Ekspedita do të kishte edhe 7 gjeneralë të tjerë nën komandën e Dervish Pashës. Goditjen e parë ushtria osmane ia dha Komitetit të Lidhjes Shqiptare në Shkup, të kryesuar nga Jashar bej Shkupi. Ky komitet, ndryshe nga ata të qyteteve të tjera te Kosovës, nuk preku as administratën osmane, as mytesarifin dhe as garnizonin turk të qytetit. Ai nuk pengoi gjithashtu futjen e forcave të tjera ushtarake osmane më 27 shkurt 1881 dhe vendosjen këtu të Ibrahim Pashës si komandant i garnizonit. Më 23 mars Ibrahim Pasha thirri në selinë e tij 11 anëtarët e Komitetit të Lidhjes për Shkupin me Jashar bej Shkupin në krye, të cilët i arrestoi pabesisht.
Pushtimi i Shkupit, pati rëndësi të madhe për forcat osmane, pasi për nga madhësia dhe pozita strategjike qyteti ishte një pikëmbështetje e fortë për zhvillimin e ekspeditës së tyre në mbarë vilajetin e Kosovës. Për këtë arsye, gjatë ditëve të mëvonshme u shpërngulën nga Selaniku në Shkup forcat kryesore të ekspeditës ushtarake osmane (30 batalione me rreth 20 mijë ushtarë). Më 7 prill 1881 arriti edhe vetë Dervish Pasha, i cili vendosi këtu shtabin e vet. Në të njëjtën kohë aty u shpall shtetrrethimi dhe filluan arrestimet. Për të ngjallur terror në popull, të gjithë anëtarët e arrestuar të Komitetit të Lidhjes, pasi i shëtitën në rrugë të lidhur me hekura, i dërguan në burgun e Selanikut dhe më vonë i internuan në ishullin e Rodosit, në detin Egje.
Sapo ra Shkupi, Lidhja Shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët dhe për t’i bërë ballë ekspeditës osmane. Qeveria e përkohshme formoi shtabin e mbrojtjes me 25 anëtarë, nga të cilët njihen deri më sot Sulejman Vokshi (që ishte edhe komandant i tij), Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja, Halim Efendiu, Zeqirja Aga, Mullah Hyseni, Mustafa Aga, Halil Efendiu etj. Në kohën e fillimit të ekspeditës ushtarake shtabi kishte vetëm 5 mijë luftëtarë. Përpjekjet për mobilizimin e forcave të tjera nuk u kurorëzuan me sukses. Qeverisë së përkohshme i mungonin edhe mjetet financiare për armatimin dhe mbajtjen e tyre. Udhëheqësit e saj vendosën t’i përqendronin forcat ushtarake në rrugën Ferizaj-Prizren dhe ta zhvillonin luftën e armatosur në qafat e maleve midis Ferizajt e Suharekës, të cilat kontrollonin rrugën nga mund të kalonte ushtria turke për në Prizren. Për këtë arsye forcat e para vullnetare u përqendruan kryesisht në dy pika strategjike: në Shtimje, ku u vendos edhe shtabi i tyre nën kryesinë e Sulejman Vokshit; pjesa tjetër zuri vend në pozita më të përparuara, në afërsi të fshatit Slivovë. Për të siguruar ndërlidhjen e shpejtë të shtabit me Prizrenin, u ngrit me të shpejtë në Shtimje një stacion telegrafik. Sipas planit të shtabit të ushtrive shqiptare, në rast se qëndresa e Shtimjes do të thyhej, prita tjetër kundër ushtrive osmane do të organizohej në Grykat e Carralevës.
Krahas përgatitjeve ushtarake, Lidhja e Prizrenit më 15 prill 1881 u drejtoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, që ishte dhe akti i fundit diplomatik i saj, me anën e të cilit, pasi shprehte vendimin që kishte marrë për të mbrojtur me armë të drejtat kombëtare, për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për ta futur vendin në rrugën e përparimit e të qytetërimit, kërkonte ndërhyrjen e kancelarive evropiane për të ndaluar ekspeditën ndëshkimore osmane.
Por pikërisht në këtë çast vendimtar u dukën pasojat e dëmshme të qëndrimit të butë që kishte mbajtur qeveria e përkohshme ndaj forcave reaksionare, të cilat u vunë në lëvizje për të penguar mobilizimin në masë të forcave vullnetare dhe organizimin e shpejtë të qëndresës së armatosur. Në këtë gjendje tensioni të jashtëm e të brendshëm, dy javë pasi ra Shkupi, Dervish Pasha u dha urdhër ushtrive të veta të marshonin drejt Kosovës dhe të zinin qytetin Ferizaj. Për të ngjallur terror në popullsinë shqiptare, gjatë marshimit ushtria osmane, pasi theu qëndresën e parë që ndeshi në Grykën e Kaçanikut, bombardoi me artileri fshatrat që ndodheshin gjatë rrugës. Më 7 prill ajo hyri në Ferizaj. Të nesërmen arriti këtu edhe Dervish Pasha së bashku me shtabin e vet. Sapo u vendos në Ferizaj, ai u dërgoi një ultimatum forcave të Lidhjes duke i kërcënuar se do të merrte masa ndëshkimore të rrepta kundër atyre që do të qëllonin me armë ushtritë osmane. Krerët dhe vullnetarët e Lidhjes nuk lëvizën nga pozitat e tyre. Vetëm disa krerë, midis tyre edhe Ali pashë Gucia, u paraqitën te Dervish Pasha duke i shprehur besnikërinë e tyre ndaj sulltanit dhe duke dënuar aksionin autonomist të Lidhjes së Prizrenit.
Dervish Pasha u përgatit për më shumë se dhjetë ditë para se të nisej ekspedita nga Ferizaj në Prizren. Pasi dështuan orvatjet e tij për të përçarë udhëheqësit e Lidhjes, ai ndërmori për katër ditë me radhë (16-19 prill) disa operacione ushtarake të kufizuara për të zbuluar numrin e vullnetarëve shqiptarë dhe pozitat e tyre. Më 20 prill 1881 ushtritë osmane të ndara në dy kolona morën urdhër të fillonin sulmin kundër forcave shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtimje. Ndeshja e parë me ushtritë osmane ndodhi më 20 prill në Slivovë. Edhe pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë së tyre shqiptarët e ndalën për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre u keqësua kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u shkaktonte luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse dhe u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke. Qëllimi i tyre ishte të sulmonin dhe të asgjësonin baterinë e armatosur, që po u shkaktonte dëme shqiptarëve. Por të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, u vranë përpara grykave të topave të artilerisë osmane. Përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët, me gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në Shtimje, ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit.
Beteja e dytë ndodhi të nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet qenë më të përgjakshme se në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e shtabit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem Sadria e të tjerë. Edhe këtu vullnetarët shqiptarë luftuan me heroizëm të rrallë, por nën breshërinë e dendur të artilerisë së armikut dhe kur municioni i armëve të tyre filloi të shteronte, u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Suharekës. Në betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët patën shumë të vrarë e të plagosur: turqit rreth 800 veta, ndërsa shqiptarët 1 200 veta. Pas Shtimjes forcat e Lidhjes Shqiptare u bënë më 22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e tyre nuk e ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu qëndresën e shqiptarëve, Dervish Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli menjëherë shtetrrethimin dhe bëri arrestime të shumta.
Qëllimi i Portës së Lartë nuk ishte vetëm që të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste edhe idenë e autonomisë së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi qëndresën në Prizren, Dervish Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit, të Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit etj., si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të nënshkruanin një deklaratë, ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare dhe sidomos kërkesa e saj për bashkimin e vilajeteve shqiptare, të cilën e quante një akt armiqësor. Këtu erdhën kryesisht krerët sulltanistë dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes, si Ali pashë Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Dervalla dhe Esat pashë Tetova, të cilët e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e moderuar, që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga sulltani të falur, madje disa prej tyre, si Ali pashë Gucia etj., u emëruan në poste të rëndësishme në administratën e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. Epërsia e ushtrisë osmane, kapitullimi i elementëve të moderuar dhe pushtimi i shpejtë i Prizrenit shkaktuan tronditje të thellë në opinionin publik të vendit. Megjithatë, udhëheqësit e Lidhjes vendosën ta vazhdonin më tej qëndresën kundër ushtrive osmane. Vatrat e qëndresës tani duhej të organizoheshin në Gjakovë e në Dibër. Për organizimin e tyre shkuan Sulejman Vokshi në Gjakovë dhe Abdyl Frashëri në Dibër.
Sipas planit të ri, forcat dibrane duhej të sulmonin Shkupin për t’u marrë krahët ushtrive osmane, gjë që do të ndihmonte vullnetarët gjakovarë të kundërsulmonin për të rimarrë Prizrenin. Por në Dibër Abdyl Frashëri gjeti një gjendje të ndryshuar. Këtu dibranët nuk deshën të largoheshin nga Dibra për të luftuar kundër Dervish Pashës në Kosovë, sepse mendonin se forcat turke do të sulmonin fshatrat rreth qytetit. Prandaj malësorët dibranë vendosën që ta kundërshtonin ushtrinë osmane në viset e tyre.
Në Gjakovë Sulejman Vokshi gjeti kushte më të favorshme. Me gjithë reaksionin e disave prej parisë feudale, qyteti e malësia ndodheshin ende nën autoritetin e degës së Lidhjes Shqiptare. Udhëheqësit e saj arritën të mobilizonin forca të shumta, sidomos nga radhët e malësorëve të Krasniqit e të Gashit. Por vullnetarët e mobilizuar nuk ishin të mjaftueshëm për një sulm kundër Prizrenit. Si rrjedhim, edhe forcat gjakovare qëndruan në mbrojtje të krahinës së tyre. Vendosmëria e tyre e detyroi Dervish Pashën të priste ardhjen e forcave të tjera përpara se të ndërmerrte sulmin kundër Gjakovës. Sulmi u zhvillua një muaj më vonë, në maj 1881. Pasi morën Gjakovën, ushtritë osmane shtinë nën kontrollin e tyre të gjitha qytetet e tjera të Kosovës. Por në malësitë e Gjakovës, të Dibrës e të Lumës qëndresa e armatosur kundër ushtrive osmane vazhdoi me sulme e kundërsulme nga të dyja palët, deri në vjeshtë 1881.
Në përfundim të ekspeditës ushtarake osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shpërnda. Pushtetin në vilajetin e Kosovës e mori kudo administrata e Portës së Lartë. Vendosja e saj u shoqërua me një terror të pashembullt për Shqipërinë. Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë veta, udhëheqës e veprimtarë të Lidhjes, 3 mijë në Kosovë dhe 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Midis të vrarëve në luftimet që u bënë në Slivovë e në Shtimje, përveç Mic Sokolit, qenë edhe veprimtarë të tjerë të Lidhjes dhe luftëtarë të ushtrisë së saj, si Rustem Sadria, Seit Suhareka, Mehmet Smaili, Ali Ibrahimi e të tjerë, ndërsa nga ata që u kapën dhe u ekzekutuan pa gjyq Ali Nimani (oficer karriere), Mulla Hyseni e Sef Kosharja.
Dervish Pasha u përpoq të shtinte në dorë me çdo kusht udhëheqësit e lëvizjes autonomiste shqiptare dhe të qëndresës së armatosur kundërosmane. Kryetari i qeverisë së përkohshme, Ymer Prizreni, u fsheh për disa kohë në Malësinë e Gjakovës, pastaj mërgoi në Mal të Zi (Ulqin). Ai nuk pranoi asgjë nga ofertat për falje e për ofiqe të larta që i dha sulltani dhe qëndroi në mërgim derisa vdiq (1884). Sulejman Vokshi qëndroi gati pesë vjet i arratisur gjithashtu në Malësinë e Gjakovës. Gjatë kësaj kohe ai organizoi një kryengritje tjetër kundër pushtuesit osman, që shpërtheu në Kosovë më 1885. Me shtypjen e saj u kap dhe u dënua rëndë. Abdyl Frashëri u nis në këtë kohë për në Shqipërinë e Jugut. Por Dervish Pasha, i cili donte ta shtinte me çdo kusht në dorë, u dha urdhra të rreptë organeve të xhandarmërisë turke për të zënë të gjitha shtigjet nga mund të kalonte ai drejt jugut dhe caktoi një shumë të madhe për atë që do ta kapte të gjallë ose të vdekur. Abdyli u shpëtoi ndjekjeve qeveritare gjatë udhëtimit të fshehtë në rrethet e Dibrës, të Matit, të Krujës e të Tiranës, por në kohën kur po kapërcente Shkumbinin, në vahun e fshatit Buqës, afër Elbasanit, u kap nga një patrullë turke dhe u dërgua në Prizren. Këtu u dënua nga një gjyq special me vdekje, dënim i cili u kthye në burgim të përjetshëm. Abdyli u mbajt tre vjet i burgosur në kalanë e Prizrenit, pastaj u internua së bashku me familjen në zonën e Marmarasë. Duke qenë i sëmurë rëndë nga vuajtjet në burg dhe në internim, Abdyl Frashëri u lejua më 1886 të kthehej në Stamboll, ku jetoi i izoluar nën vëzhgimin e policisë derisa vdiq më 1892. U arrestuan gjithashtu udhëheqës të tjerë të Lidhjes, si Shuaip Spahiu, Zija Prishtina, Omer efendi Narta, Jusuf Dohoshishti etj., që u dënuan me burgime e internime të rënda.
Të njëjtin qëndrim Porta e Lartë mbajti edhe në vilajetin e Janinës. Edhe këtu, pasi u dënuan veprimet e lëvizjes atdhetare, valiu i vilajetit, Mustafa Asim pasha, në fillim të muajit thirri në një mbledhje të posaçme në Prevezë të gjithë anëtarët e degëve të Lidhjes Shqiptare të krahinave të Jugut (49 veta) për të dënuar idenë e autonomisë së Shqipërisë. Ashtu si në Prizren, edhe në Prevezë, krerët që nuk pranuan të hiqnin dorë nga kërkesa për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar, si Mustafa Nuri Vlora, Omer pashë Vrioni, Mehmet Ali Vrioni, Dalip bej Përmeti, Seit bej Gjirokastra, Sulejman bej Dino, Qazim bej Preveza etj., u arrestuan pabesisht dhe u internuan në Çanak-Kala.
Pas valës së burgimeve dhe të internimeve, Dervish Pasha iu përvesh detyrës së tretë me të cilën e kishte ngarkuar Porta e Lartë, funksionimit të rregullt të administratës shtetërore osmane dhe në mënyrë të veçantë çarmatimit të popullsisë, vjeljes së taksave, rekrutimit të nizamëve dhe ngritjes së gjykatave perandorake në të gjitha trojet shqiptare. Për plotësimin e kësaj detyre ai qëndroi në Shqipëri bashkë me forcat e tij deri në fund të vitit 1881. Por, me gjithë terrorin e egër, Porta e Lartë nuk arriti ta nënshtronte plotësisht vendin. Ajo nuk mundi ta shuante idenë që kishte pushtuar masat popullore për autonominë e Shqipërisë, as aspiratën e tyre për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare. Administrata centraliste osmane u vendos vetëm në qytete e në fshatrat fushore. Fshatrat e viseve malore nuk pranuan as të dorëzonin armët, as të jepnin taksa, as të shkonin nizamë. Çështja e taksave, e nizamëve dhe e armëve mbetën një plagë e hapur për Portën e Lartë. Në kuadrin e lëvizjes autonomiste shqiptare ato u bënë shkak për shpërthimin e konflikteve të reja ndërmjet popullit shqiptar dhe pushtuesve osmanë.
Rëndësia historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Lëvizja kombëtare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lindi nga vrulli atdhetar i shtresave më të ndryshme të popullsisë së Shqipërisë dhe u zhvillua në truallin historik të përgatitur gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo shënoi një hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike, e kërkesave politike dhe e frontit luftarak, në krahasim me lëvizjen çlirimtare të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura. Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX - njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimin e një shteti shqiptar autonom e demokratik.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënonte, si organizatë, një hap të madh cilësor nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të atdheut krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë. Nën udhëheqjen e atdhetarëve më të përparuar ajo mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare.
Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga dhuna ushtarake dhe nga terrori policor i Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike. Gjatë viteve 1878-1881 u bënë hapa më të mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar. Me qëndresën e armatosur që zhvilloi për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tregoi se trojet shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu për të kënaqur interesat e Fuqive të Mëdha ose lakmitë pushtuese të monarkive fqinje. Madje, në saje të kësaj qëndrese ajo i detyroi Fuqitë e Mëdha jo vetëm të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre në lidhje me përfitimet e Malit të Zi në dëm të trojeve shqiptare, por edhe të hiqnin dorë përfundimisht nga lëshimi i Çamërisë shqiptare në dobi të Mbretërisë Greke.
Me karakterin kombëtar që përshkoi veprimtarinë e saj trevjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përmbysi tezën që mbronin Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje ballkanike, sipas së cilës mohohej ekzistenca e kombit shqiptar; ajo vërtetoi në shkallë ndërkombëtare se populli shqiptar ishte një komb i formuar, liridashës, atdhetar, me aspiratat e veta dhe i vendosur për të krijuar shtetin e vet kombëtar. Edhe pse shqiptarët nuk i fituan gjatë Krizës Lindore të drejtat e tyre kombëtare, në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit çështja shqiptare hyri tanimë në veprimtarinë diplomatike ndërkombëtare si një nga problemet e mprehta që kërkonte zgjidhje në çdo rregullim të ardhshëm të Evropës Juglindore. Me veprimtarinë pushtetore, që zhvilloi sidomos gjatë muajve të fundit të jetës së saj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit hodhi gjithashtu poshtë tezën tjetër të propaganduar aq shumë nga armiqtë e Shqipërisë mbi paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje dhe provoi në truallin konkret se ata tashmë ishin të përgatitur politikisht për të pasur shtetin e tyre kombëtar.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit i dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore shqiptare; përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në fitoren e pavarësisë kombëtare, në nëntor të vitit 1912.
Nga ana tjetër, Lidhja e Prizrenit u dha shqiptarëve edhe një varg mësimesh të rëndësishme. Sukseset e saj treguan se autonomia e Shqipërisë ishte një synim i realizueshëm, por shtypja e saj tregoi se fitorja përfundimtare e autonomisë kalonte nëpër rrugë të vështira dhe se duheshin përpjekje të tjera vigane për arritjen e saj. Historia e Lidhjes tregoi se pengesa kryesore për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar nuk vinte vetëm nga Perandoria Osmane, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar përkrahjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të atyre që kishin filluar të anonin nga zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare. Lidhja provoi gjithashtu se brenda vendit Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave shoqërore e politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, krahine e përkatësie shoqërore. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi, më në fund, rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, të letërsisë shqiptare dhe të publicistikës patriotike. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:54 am | |
| K R E U VI
ZHVILLIMI I LËVIZJES KOMBËTARE NË SHQIPËRI NË VITET 1882 - 1895
1. KUSHTET E REJA POLITIKE PAS SHTYPJES SË LIDHJES SË PRIZRENIT
Gjendja politike pas Lidhjes së Prizrenit
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u krijua një gjendje e rëndë politike për lëvizjen kombëtare dhe për mbarë popullin shqiptar. Forcat e shumta ushtarake osmane të komanduara nga Dervish Pasha, pasi shpërndanë qeverinë e përkohshme shqiptare, rivendosën administratën osmane në zonat ku kishte vepruar kjo qeveri dhe u përpoqën të forconin kudo autoritetin e Portës së Lartë. Qeveria e Stambollit ishte tronditur thellë nga vrulli dhe nga arritjet e Lidhjes së Prizrenit. Prandaj vendosi në Shqipëri një regjim terrori politik, që ishte i lidhur me emrin e sulltan Abdyl Hamitit II ose të “sulltanit gjakatar”, siç e quanin rilindësit. Në Shqipëri, veçanërisht në Kosovë, vepruan për një kohë të gjatë shtetrrethimi dhe gjykatat ushtarake. Qindra e mijëra atdhetarë shqiptarë u ndoqën, u burgosën dhe u internuan. Qëllimi i këtyre masave të ashpra ishte që të pengohej zhvillimi i mëtejshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Porta e Lartë u dha kompetenca të veçanta organeve të xhandarmërisë e të policisë, për të cilat u përdor pjesa më e madhe e buxheteve lokale të sanxhakëve dhe të vilajeteve shqiptare. Sipas buxhetit të vitit 1889, për xhandarmërinë dhe për policinë u caktuan në sanxhakun e Elbasanit 63% të shpenzimeve lokale, në atë të Korçës 64% dhe në atë të Dibrës 70%, pa përfshirë këtu garnizonet ushtarake, të cilat mbaheshin nga buxheti perandorak. Në fund të kësaj periudhe (më 1898), nga 982 857 groshë shpenzime të vilajetit të Kosovës, për xhandarmërinë u përdorën 977 116 groshë.
Krahas dhunës politike, administrata sunduese osmane rëndoi edhe shtypjen ekonomike, duke shtuar taksat e detyrimet e mëparshme dhe duke vendosur të reja; ajo mori masa të rrepta për nxjerrjen e tyre, duke përfshirë edhe ato të prapambeturat nga vitet e Lidhjes. Si rrjedhim, u keqësua më shumë gjendja ekonomike e popullsisë së fshatit dhe e qytetit. Megjithëse vendi ishte i varfër e i prapambetur, miliona groshë të nxjerrë nga popullsia shqiptare vazhdonin të merrnin rrugën e Stambollit. Ndër të tjera paguhej edhe për rrugët e për shkollat, por rrugë e shkolla nuk ndërtoheshin. Në sanxhakun e Korçës, ku grabitja fiskale osmane ishte më e theksuar, buxheti i vitit 1889 parashikonte të vilte nga taksat një shumë prej 9 671 mijë groshë, nga e cila, për të përballuar shpenzimet administrative të vendit, do të përdoreshin vetëm 1 795 mijë groshë, kurse pjesa tjetër, rreth 81% e të ardhurave, do të dërgoheshin në Stamboll.
Gjendjen ekonomike të popullsisë e keqësonin edhe më shumë korrupsioni e abuzimet e nëpunësve osmanë. Lidhur me këtë, konsulli austriak Shmuker shkruante në gjysmën e dytë të vitit 1881, se “korrupsioni dhe keqadministrimi i mëparshëm i nëpunësve qeveritarë ka filluar përsëri..., lakmia e ditur e tij (e Dervish Pashës - shën. i aut.) për të holla shfaqet gjithmonë e më qartë në të gjitha veprimet e tij”.
Po kështu plagë të rënda për popullsinë ishin shërbimi i detyruar ushtarak, i cili kryhej për vite me radhë dhe në vise të largëta të Perandorisë, si edhe gjykatat osmane, të cilat i zgjatnin së tepërmi proceset gjyqësore dhe nuk zgjidhin asnjë çështje pa ryshfet. Krahas dhunës së drejtpërdrejtë, Porta e Lartë përdori edhe mjete të tjera kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë ekspeditave ushtarake për shtypjen e Lidhjes dhe më vonë, duke shpërndarë para, grada e dekorata, ajo arriti të tërhiqte në anën e saj disa krerë feudalë e bajraktarë të lëkundur e konservatorë. Porta e Lartë vuri në poste të rëndësishme edhe disa krerë shqiptarë që kishin marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, që kishin pranuar të bashkëpunonin me të dhe që kishin ndikim në popull. Përveç kësaj, ajo nxiste përçarjet fetare e krahinore për të penguar bashkimin e shqiptarëve në luftën çlirimtare. Çdo pakënaqësi kundër pushtetit osman paraqitej si e nxitur nga jashtë, nga armiqtë e fesë islame e të Perandorisë Osmane, kurse atdhetarët shqiptarë etiketoheshin si agjentë të shteteve të huaja.
Si pasojë e të gjitha këtyre masave, Lëvizja Kombëtare Shqiptare mori një goditje të rëndë. Megjithatë qeveria e Stambollit, për shkak të qëndresës së vazhdueshme të shqiptarëve, nuk arriti të vendoste “rendin” e “qetësinë” e dëshiruar. Masat e saj shtypëse, administrative, fiskale e ushtarake, ndonëse të mbështetura nga bajonetat e ushtrisë, arritën të zbatoheshin vetëm në qytetet e në viset fushore, madje edhe atje në mënyrë jo të plotë, kurse përpjekjet për të shtrirë administratën e centralizuar osmane edhe në viset malore nuk dhanë rezultat; atje vijuan të ruheshin venomet e mëparshme.
Duke vlerësuar në mënyrë të saktë pozitën e qeverisë osmane në Shqipëri pas Lidhjes së Prizrenit, konsulli austriak i Korfuzit A. Varsberg (A. Warsberg), i shkruante Vjenës në vitin 1884: “Pasi e pashë gjendjen, ngul këmbë se do të ishte gabim të mos shihej sundimi i tanishëm turk (në Shqipëri) si një sundim krejt i kalbur, i dobët, i urryer dhe i përbuzur prej të gjithëve”. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:54 am | |
| Politika e Fuqive të Mëdha dhe e shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë
Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha pas Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi që mbajtën shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes shqiptare.
Pas zgjidhjes së Krizës Lindore të viteve 70, në Evropë u vendos një farë stabiliteti politik i përkohshëm. Për shkak të interesave të tyre, Fuqitë e Mëdha ishin të prirura të ruanin për një farë kohe status quo-në e Perandorisë Osmane dhe hartën politike të Ballkanit, që u vendos prej tyre në Kongresin e Berlinit. Dy nga Shtetet e Mëdha, Anglia e Franca, e përkrahën, ashtu si më parë, ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan për të ruajtur pozitat e tyre të privilegjuara, që i kishin siguruar prej kohësh brenda territoreve të saj dhe për të penguar daljen e Rusisë në ngushticat e Bosforit e të Dardaneleve, si edhe të Austro-Hungarisë në Selanik. Rusia e Austro-Hungaria, nga ana e tyre, nuk e shikonin të mundshëm realizimin e synimeve të tyre për të mbizotëruar në këtë rajon pa u përgatitur politikisht e ushtarakisht jo vetëm kundër njëra-tjetrës, por edhe kundër fuqive të tjera të interesuara në Çështjen Lindore.
Prandaj, si Peterburgu, ashtu edhe Vjena, në pritje të një kohe më të përshtatshme, nuk kishin ndër mend të cenonin hartën e Gadishullit Ballkanik. Edhe Italia, duke qenë e pazonja për të shmangur kalimin e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë të bregdetit shqiptar të Adriatikut në duart e Austro-Hungarisë rivale, parapëlqente të ruhej sundimi osman në këtë zonë. Në këtë periudhë Gjermania po rritej me shpejtësi si një fuqi e madhe dhe po ushtronte presion të fuqishëm. Kancelari gjerman Bismarku kërkonte të pengonte një koalicion antigjerman ndërmjet Francës e Rusisë së pakënaqur nga vendimet e Kongresit të Berlinit, prandaj përpiqej të mbante në anën e vet, krahas Austro-Hungarisë, edhe dy rivalet e Vjenës, Peterburgun e Romën. Meqenëse fusha ku ndesheshin interesat e kundërt austro-rusë dhe austro-italianë ishte kryesisht trashëgimi osman në Ballkan, “zbutja” e këtyre kontradiktave shihej vetëm nëpërmjet ruajtjes së status quo-së në këtë zonë. Ky qëndrim u sanksionua edhe në përtëritjen e “Aleancës së tre perandorëve” më 18 qershor 1881 ndërmjet sovranëve të Gjermanisë, të Rusisë e të Austro-Hungarisë.
Por stabiliteti politik që u vendos në Evropë ishte i përkohshëm. Secila fuqi e madhe përpiqej ta shfrytëzonte këtë periudhë “qetësie” për t’u përgatitur politikisht e ushtarakisht për arritjen e synimeve të veta në rastin e një krize të re politike. Në fushën diplomatike fuqitë evropiane po vepronin me ngulm për krijimin e aleancave e të blloqeve politiko-ushtarake. Më 20 maj 1882, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë e Italisë u nënshkrua aleanca e njohur në histori me emrin Lidhja Tripalëshe; më 1894 Rusia u afrua me Francën dhe lidhi me të Aleancën Dypalëshe. Këto shënuan ndarjen e botës në dy blloqe imperialiste. Kështu, për shkak të raportit të forcave në arenën ndërkombëtare dhe të kontradiktave që kishin midis tyre, Fuqitë e Mëdha përkrahnin ekzistencën e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik e si rrjedhim edhe sundimin mesjetar osman në Ballkan e në Shqipëri; në këtë mënyrë frenonin luftërat çlirimtare të popujve që ende vuanin nën robërinë osmane. Në këto rrethana, asnjë nga Fuqitë e Mëdha në atë kohë nuk kishte interes të përkrahte idenë e krijimit të një shteti shqiptar autonom ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare, por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane që të shtypte çdo kryengritje të brendshme të armatosur.
Një dëm të madh i shkaktoi luftës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar edhe qëndrimi i shteteve fqinje ballkanike, të cilat, siç shkruante gazeta “Shqipëtari” e Bukureshtit e vitit 1888, “nuk u kënaqën me plagët që i bënë (Shqipërisë - shën. i aut.) gati për vdekje (gjatë Krizës së fundit Lindore të vitit 1878), po bëheshin gati ta gllabëronin fare për të forcuar trupin e tyre”. Shtetet fqinje ballkanike u detyruan ta pranonin politikën e status quo-së që diktuan Fuqitë e Mëdha. Por, duke parashikuar se periudha e stabilitetit mund të merrte fund në një të ardhme të afërt, ato shtuan përpjekjet politiko-ushtarake e propagandistike për të shtënë në dorë zotërimet osmane në Ballkan. Pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, për shtetet fqinje (Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë) ishte bërë edhe më e qartë se në përpjekjet për sendërtimin e pretendimeve të tyre territoriale ndaj trojeve shqiptare, ato do të ndesheshin me qëndresën e shqiptarëve që ishin të vendosur të mbronin tërësinë e atdheut. Prandaj, secila prej tyre u orvat t’i tërhiqte shqiptarët pas vetes dhe forcën e tyre luftarake ta vinte në shërbim të politikës së saj pushtuese. Këtij qëllimi i shërbenin nxitjet që monarkitë ballkanike u bënë shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe për t’i hedhur në kryengritje të parakohshme, që do t’i lidhnin duart Perandorisë Osmane, do të dobësonin forcën ushtarake të shqiptarëve dhe do të lehtësonin plotësimin e planeve të tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë.
Nga ana tjetër, fuqitë ballkanike vijonin në mënyrë të ethshme përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve me anën e kishës, të shkollës, të propagandës etj. dhe mundoheshin me çdo mjet që në arenën ndërkombëtare të mohonin qenien e kombit shqiptar. Kjo veprimtari i krijoi vështirësi të shumta Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nxiti grindjen e përçarjen midis popujve të Ballkanit, ndezi konflikte midis vetë shteteve ballkanike, prapa të cilave qëndronin disa fuqi të mëdha, e pengoi dhe e ndërlikoi procesin e çlirimit përfundimtar të Gadishullit Ballkanik. Këtë politikë të monarkive ballkanike e shfrytëzoi edhe Porta e Lartë për të nxitur përçarjen midis popujve të Ballkanit, për të larguar vëmendjen e popullit shqiptar nga kontradikta e tij me sunduesin shekullor osman dhe për ta drejtuar atë vetëm kundër rrezikut të jashtëm. Por as politika përçarëse e Portës së Lartë, as edhe qëndrimi shovinist i shteteve ballkanike nuk i larguan shqiptarët nga lëvizja për çlirimin kombëtar dhe nga kërkesat e tyre të pavarura. Pas qeverisë osmane ishte Greqia ajo që zhvilloi në këto vite një veprimtari të madhe armiqësore ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kjo veprimtari u zhvillua në dy rrugë të ndryshme, të cilat plotësonin njëra-tjetrën. Qeveria e Athinës, e përkrahur fuqimisht nga patrikana dhe nga gjithë rrjeti i dendur i shkollave, i kishave që vareshin nga patrikana dhe i konsullatave greke të vendosura në viset jugore e të mesme të Shqipërisë, si edhe nga grekomanët vendas, e shumëfishoi veprimtarinë e saj për helenizimin e shqiptarëve.
Në Shqipërinë e Jugut ishin çelur mjaft shkolla greke. Për helenizimin e shqiptarëve punonte gjithashtu Patrikana greke e Stambollit, që mbronte me ngulm interesat e borgjezisë shoviniste greke, si edhe klerikët e lartë ortodoksë, që emëroheshin prej saj e që ishin kryesisht të huaj (grekë). Veprimtaria e klerikëve grekë e grekomanë përqendrohej kryesisht në luftën kundër shkollave shqipe. Përdorimi i shqipes në ceremonitë fetare dhe në librat “e shenjta” paraqitej si një veprim antifetar. Mallkimi, shkishërimi, helmimi etj. binin mbi çdo shqiptar ortodoks që guxonte të punonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Krahas kësaj veprimtarie që zhvillohej lirisht dhe nën mbrojtjen e ligjeve osmane, veprimtarët grekë e grekomanë, klerikë e laikë, zhvilluan në mënyrë të fshehtë edhe një veprimtari politike në të mirë të Greqisë e gjoja edhe të të krishterëve shqiptarë. Madje ata u përpoqën të shfrytëzonin për këtë qëllim edhe prirjet antifeudale të popullsisë vendase. Duke u kapur pas faktit se në lëvizjen kombëtare ishin përfshirë edhe disa çifligarë dhe për t’i larguar atdhetarët shqiptarë nga kjo lëvizje, grekomanët në fushatën e tyre propagandistike u përpoqën ta paraqitnin në mënyrë krejt të shtrembër përmbajtjen kombëtare të lëvizjes shqiptare, duke e quajtur atë një lëvizje të maskuar të feudalëve myslimanë shqiptarë, me fitoren e së cilës Shqipëria do të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të krishterët ortodoksë do të humbnin mbrojtjen e Patrikanës e do të hynin në një zgjedhë të re më të rëndë.
Nga ana tjetër, qeveritarët e Athinës nuk mund t’i varnin shpresat për arritjen e synimeve të tyre politike ndaj Shqipërisë vetëm në një grusht elementësh grekomanë vendas, aq më tepër kur në radhët e shqiptarëve po rritej gjithnjë e më shumë lëvizja kombëtare për një shtet shqiptar më vete. Për të shfrytëzuar këtë lëvizje, ata themeluan një varg komitetesh e shoqatash, duke aktivizuar kryesisht arvanitët (arbëreshët) e helenizuar. Të tilla ishin Komiteti politik i Korfuzit, i themeluar më 1883, shoqata kulturore “Vllamët shqiptarë”, e themeluar në Athinë më 1884, Komiteti i fshehtë greko-epiriot i Korfuzit, rikrijuar në fillim të vitit 1885 etj. Agjentët e këtyre komiteteve e shoqërive vepronin deri në Mirditë, në Mat e në Dibër. Këtij qëllimi i shërbenin edhe një varg organesh të shtypit, të cilat, krahas atyre brenda Greqisë, dilnin edhe në Stamboll, në Bukuresht, në Trieste etj.
Gjatë viteve 1883-1884 Komiteti i Korfuzit u përpoq t’i nxiste shqiptarët të rrëmbenin armët kundër Turqisë, duke hedhur përsëri parullën e vjetër për formimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, nën kurorën e mbretit të Greqisë. Për ta popullarizuar këtë ide u dërguan agjitatorë si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë shqiptare të mërgimit. Por këto orvatje nuk patën sukses. Rilindësit demaskuan karakterin antishqiptar të idesë së formimit të një shteti të përbashkët greko-shqiptar, që synonte t’i hidhte shqiptarët në një aventurë kundër Portës së Lartë, për të shtënë në dorë pastaj me lehtësi territoret e tyre. Duke iu përgjigjur disa personaliteteve evropiane, që nuk e kuptonin synimin e vërtetë të propagandës së Athinës, “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885) shkruante në shkurt 1886: “Disa zotërinj të shquar na qortojnë përse ne e shkëputim fatin e Shqipërisë nga ai i Greqisë, duke shkaktuar kështu dobësimin e të dy vendeve. Ata nuk e kuptojnë se sot ekzistenca jonë e veçuar bën që ne të vazhdojmë të ekzistojmë dhe bashkimi do t’i jepte fund ekzistencës sonë”.
Duke filluar nga viti 1884 qeveria e Athinës, tanimë jo me anë të Komitetit të Korfuzit, por drejtpërdrejt, disa herë me radhë u bëri thirrje shqiptarëve të fillonin kryengritjen kundër Perandorisë Osmane dhe të merrnin pjesë në të ashtuquajturën Federatë të Shteteve Ballkanike, që përpiqej të formonte kryeministri grek Trikupis. Qarqet drejtuese të Athinës e shikonin Federatën si një mjet për të ndarë ndërmjet shteteve ballkanike zotërimet evropiane të Perandorisë Osmane pa e prishur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Por kryeministri grek nuk mori asnjë zotim konkret ndaj shqiptarëve.
Rrethet atdhetare shqiptare iu përgjigjën propozimit të Trikupisit me argumentin se Shqipëria nuk mund të fillonte asnjë kryengritje kur askush, madje as vetë kryeministri grek, nuk tregohej përkrahës i shtetit shqiptar. Në atë kohë rilindësit mendonin se shqiptarët mund ta shqyrtonin çështjen e pjesëmarrjes në një federatë ballkanike vetëm pasi të viheshin në kushte të barabarta me popujt e tjerë të Ballkanit dhe pasi të kishin dhe ata shtetin e tyre kombëtar. Duke iu përgjigjur propozimit të Trikupisit, “Fiamuri i Arbërit” shkruante në mars të vitit 1884: “Greqia, Rumania, Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të cilat janë zonjat e vetvetes dhe i kanë duart të lira, le të federohen. Edhe Anglia - ose kush të dojë, le t’i përkrahë nëse Turqia ose ndonjë tjetër ato i kundërshton. Dhe atëherë (pasi të formohet federata) Shqipëria do të vendosë vetë pasi të shohë diçka përpara syve të saj. Përndryshe do të kërkojmë të zbulojmë gjarprin e zi që e këshillon (Shqipërinë - shën. i aut.) të ngrejë krye për diçka që nuk ekziston dhe që ta fillojë ajo, e përçarë, pa të holla, pa armë, pa taktikë ushtarake dhe me krahë të pakët, luftën kundër Turqisë që i ka të gjitha këto me shumicë dhe më shumë aleatë që e ndihmojnë”.
Shqiptarët u nxitën për të rrëmbyer armët kundër Stambollit edhe nga Mali i Zi, i cili gjatë këtyre viteve bashkëpunonte për këtë çështje me Greqinë. Ata ishin në dijeni të këtij bashkëpunimi dhe të rolit të dyfishtë që luante Komiteti i Korfuzit për t’i shërbyer jo vetëm Athinës, por edhe Cetinës.
Te këto përpjekje, që zhvilloheshin pa kundërshtimin e qeverisë së Stambollit, rilindësit shikonin një rrezik serioz për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në saje të veprimtarisë shekullore të Fanarit në dobi të helenizimit të popullsive të krishtera jogreke të Perandorisë Osmane, në një pjesë të opinionit publik evropian dhe të literaturës politike e shkencore të kohës ishte përhapur pikëpamja e gabuar se ortodoksët shqiptarë ishin grekë. Veç kësaj, pretendimet shoviniste të qarqeve politike të Athinës ndaj trojeve shqiptare vazhdonin të gjenin përkrahje në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha.
Për të gjitha këto arsye patriotët shqiptarë shikonin në këto vite te Greqia dhe te aleatja e saj, Patrikana e Stambollit, armiq po aq të rrezikshëm për lëvizjen kombëtare, sa ishte edhe vetë Perandoria Osmane. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:54 am | |
| Vija politike e rilindësve
Kushtet e reja të vështira të krijuara në Shqipëri pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, rreziku i copëtimit të tokave shqiptare ndërmjet fqinjëve lakmitarë dhe politika e ruajtjes së status quo-së e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në këtë periudhë diktuan nevojën e përpunimit të një taktike të re të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Ndonëse tani pa një organizatë qendrore kombëtare, rilindësit, në saje të lidhjeve që kishin ndërmjet tyre, mbajtën pak a shumë të njëjtin qëndrim për problemet politike të lëvizjes. Pikëpamjet e tyre të përbashkëta shërbyen si program në këtë periudhë zbatice të lëvizjes së armatosur.
Rilindësit e kuptuan se tani kishte marrë fund përkohësisht periudha e sulmit të drejtpërdrejtë kundër sundimtarëve osmanë dhe kishte filluar një periudhë e re e grumbullimit të forcave. Ata me të drejtë e vlerësuan situatën e re si të papërshtatshme për një kryengritje të përgjithshme të armatosur, së cilës do t’i kundërviheshin jo vetëm forcat ushtarake osmane, por edhe ato të Fuqive të Mëdha që nuk donin të cenohej status quo-ja në Turqinë Evropiane.
Si rrjedhim, rilindësit nuk shikonin ende kushtet e mundësitë për të arritur në ato vite shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Por ata këtë gjendje e shihnin si të përkohshme, aq më tepër kur mendonin, sikurse shkruante Sami Frashëri, se Perandoria Osmane nuk do të jetonte gjatë në Ballkan. Në këtë periudhë stabiliteti politik të përkohshëm, rilindësit u kufizuan me disa kërkesa të karakterit kulturor-arsimor dhe administrativ që nuk preknin status quo-në e Perandorisë Osmane. Ata kërkuan nga Porta e Lartë zbatimin e reformave të parashikuara në artikullin 23 të Traktatit të Berlinit që vetë Turqia e kishte pranuar nën trysninë e Fuqive të Mëdha. U kërkua gjithashtu që të ktheheshin nga viset e ndryshme të Perandorisë shqiptarët e internuar gjatë shtypjes së Lidhjes së Prizrenit.
Por theksi kryesor gjatë kësaj periudhe u vu në zgjerimin e lëvizjes kulturore kombëtare për përhapjen e shkrimit shqip, të shkollës e të letërsisë kombëtare, me qëllim që të ngrihej më tej ndërgjegjja politike e popullit, të njihej kombësia shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe të mbrohej nga orvatjet shkombëtarizuese të armiqve. Për këtë arsye lufta për shkollën e për letërsinë shqiptare mbeti edhe në këtë periudhë stabiliteti, ashtu siç kishte qenë para Lidhjes së Prizrenit, përmbajtja kryesore e lëvizjes kombëtare. Gjuha e kultura kombëtare u bënë hallka të rëndësishme, me anën e të cilave rilindësit punuan për të bashkuar gjithë popullin shqiptar pavarësisht nga dallimet fetare, krahinore e klasore.
Lëvizja kombëtare brenda vendit u zhvillua në kushtet e një ilegaliteti të plotë. Për këtë arsye një rëndësi të madhe morën kolonitë shqiptare të mërgimit, sidomos ato të Rumanisë, të Bullgarisë, të Egjiptit etj. Në to, pikërisht në këtë periudhë, filloi jetën e vet shtypi shqiptar, ku rilindësit patën mundësinë të shprehnin hapur pikëpamjet e tyre. Më 20 korrik 1883 në Kalabri doli numri i parë i organit mujor “Fiamuri i Arbërit” në dy gjuhë, në të folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe në italisht, nën drejtimin e Jeronim de Radës. Ai vazhdoi botimin deri në vitin 1887 dhe dha një ndihmesë të shquar për njohjen dhe për afirmimin e të drejtave të popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1884 filloi të botohej në Stamboll revista mujore me emrin “Drita” e më vonë “Dituria” (1884-1885) dhe më 1888 botohet në Bukuresht gazeta “Shqipëtari” (1887-1903).
Si në letërkëmbimin që patën rilindësit ndërmjet tyre brenda e jashtë Shqipërisë, ashtu edhe në organet e para të shtypit shqiptar, atdhetarët theksonin veçanërisht nevojën e përhapjes së arsimit e të kulturës shqiptare, si mjete që do të futnin kombin shqiptar në rrugën e zhvillimit e të përparimit, që do ta mbronin nga rreziku i shkombëtarizimit dhe do ta radhitnin atë krahas kombeve të tjera të përparuara të Ballkanit e të Evropës.
Patriotët i kushtuan rëndësi gjithashtu njohjes së kombit shqiptar në qarqet politike e diplomatike evropiane dhe mbrojtjes së të drejtave të tij legjitime. Pasi doli nga burgu i Prizrenit dhe nga internimi i Anadollit, Abdyl Frashëri u drejtoi disa letra e memorandume personaliteteve të Fuqive të Mëdha. Tri prej tyre ia dërgoi Françesko Krispit, me origjinë nga arbëreshët e Italisë dhe në atë kohë kryeministër i Italisë. Letrën e parë ia çoi në nëntor 1887 dhe të dytën në shtator 1888, por këtë e nënshkroi së bashku me Mehmet Ali Vrionin. Me anën e saj ata i parashtronin F. Krispit “dëshirat dhe ndjenjat e shqiptarëve”, theksonin se Shqipëria ndodhej “para jetës ose vdekjes së saj, para ringjalljes ose copëtimit të saj”. Pasi përmendnin qëndresën energjike e të vazhdueshme të kombit shqiptar kundër pushtuesve osmanë, shkruanin: “Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më shumë se çdo komb tjetër i Ballkanit. Ne shpresojmë se ajo do të tregohet më e denja për përkrahjen e Evropës dhe më e afta për të qeverisur vetveten”. Pavarësisht nga taktika e re që u detyruan të ndiqnin rilindësit në atë periudhë, letra e përmendur tregonte qartë se, edhe në ato vite reaksioni të egër, synimi kryesor i shqiptarëve dhe i lëvizjes së tyre kombëtare mbetej i njëjtë: fitorja e pavarësisë kombëtare të Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së saj territoriale.
Në letrën e tretë drejtuar Françesko Krispit, Abdyl Frashëri i shprehte edhe një herë mendimin e tij të njohur se “Çështja e Lindjes nuk do të mund të zgjidhet kurrë në qoftë se Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë, e cila zë një vend me shumë rëndësi në Gadishullin Ballkanik”; ai shprehte gjithashtu bindjen se “Shqiptarët janë të gatshëm më mirë të vdesin të gjithë me armë në dorë sesa ta lënë veten e tyre të copëtohen midis kombesh të tjera, të cilat do t’ua shkatërronin gjuhën e karakterin e tyre”; po aty i kërkonte që në interes të paqes e të drejtësisë të plotësohej dëshira legjitime e fisnike e kombit shqiptar, duke e njohur Shqipërinë si një shtet autonom ose të pavarur, në kufijtë e saj natyrorë dhe etnografikë.
Po kështu në vitin 1892 Nikolla Naçoja, kryetar i Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, së bashku me rregulloren e Shkollës Normale të çelur prej tij në Bukuresht, u dërgoi letra e promemorje disa personaliteteve politike e shkencore rumune dhe evropiane, si Dimitër Butkuleskut, kryetar nderi i Shoqërisë “Drita” dhe deputet në parlamentin rumun, kancelarit gjerman Bismark, mbretit të Italisë, albanologut çek Jan Urban Jarnik, profesor në Universitetin e Vjenës etj.
Në letrën dërguar Bismarkut, në korrik 1892, në emër të Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit dhe të popullit shqiptar, Nikolla Naçoja e vinte në dijeni për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë politike, kulturore dhe ekonomike të popullit shqiptar, për rrezikun e shkombëtarizimit të tij nga shkollat e huaja e nga propaganda pansllaviste dhe ajo e “Megali Idesë” greke, të cilat përhapeshin duke shfrytëzuar tolerancën dhe indiferencën ndaj tyre të Perandorisë Osmane. Në të njëjtën kohë shprehte bindjen se kancelari gjerman do t’i tërhiqte vërejtjen Perandorisë Osmane për “të drejtat e shenjta” të shqiptarëve, për krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre dhe për mbrojtjen nga rreziqet që u kanoseshin. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:55 am | |
| 2. KRYENGRITJET SHQIPTARE NË VITET 1883-1895
Kryengritjet kundërosmane në vitet 1883-1885
Megjithëse pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit rilindësit e vlerësonin gjendjen politike të brendshme e të jashtme të vendit si të papërshtatshme për një kryengritje të përgjithshme, qëndresa e armatosur e shqiptarëve kundër sundimit osman e masave të tij shtypëse vijoi pa ndërprerje. Por tani ajo pati karakter lokal dhe u zhvillua në përmasa më të kufizuara. Vatra të pashuara kryengritjesh e konfliktesh të armatosura mbetën malësitë shqiptare (të Kosovës, të Shkodrës, të Lumës, të Mirditës, të Himarës etj.). Por lufta e armatosur përfshiu herë pas here edhe zonat fushore e qytetet (si Podrimën, Rekën e Zadrimën dhe qytetet e Prizrenit, të Gjakovës, të Pejës, të Shkodrës etj.).
Kryengritja e parë pas shtypjes së Lidhjes ishte ajo e Malësisë së Mbishkodrës, ku pakënaqësia kishte ardhur gjithnjë duke u rritur. Në vitin 1882 ajo u shtua edhe më shumë për shkak të veprimeve arbitrare dhe të krimeve të bylykbashit të krahinës. Shaljanët dogjën shtëpitë e disa zaptijeve që ishin të lidhura me bylykbashin dhe dërguan te qeveritari i Shkodrës një përfaqësi të përbërë prej 60 vetash të armatosur, e cila i njoftoi atij se kundërshtimi ndaj qeverisë do të vazhdonte derisa të emërohej një bylykbash i përshtatshëm për ta. Në dhjetor të po atij viti u vra nga malësorët komisari i policisë së bajraqeve malore, i cili kishte ngjallur urrejtjen e gjithë Malësisë.
Situata u acarua edhe më shumë kur autoritetet qeveritare osmane hynë në bisedime me Malin e Zi, lidhur me konfliktet kufitare, për të siguruar asnjanësinë e tij në rast se organizohej një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin e Malësisë së Mbishkodrës. Për t’i dalë përpara situatës, më 26 prill 1883 përfaqësuesit e Malësisë organizuan në Kastrat një mbledhje, në të cilën vendosën të kundërshtonin shtimin e trupave ushtarake osmane në Malësi dhe çdo lëshim të territorit të tyre Malit të Zi. Në mbledhjen e Kastratit u vendos që të formohej një lidhje mbrojtëse e malësisë, e cila do të merrte masa si kundër Portës së Lartë, ashtu edhe kundër Malit të Zi. Qeveritarët osmanë nga ana e tyre po përgatisnin me shpejtësi një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin e Malësisë. Më 2 qershor 1883 u vunë në lëvizje shtatë batalione dhe një bateri malore, e komanduar nga gjenerali Hafiz Pasha. Në ndihmë të tyre u vunë edhe dy luftanije në liqenin e Shkodrës me dy kompani ushtarësh. Me kastratasit u bashkuan forcat e Shalës, të Shkrelit, pjesërisht të Hotit, të Grudës e të Kelmendit. Përpara qëndresës këmbëngulëse të kryengritësve Hafiz Pasha u detyrua të kërkonte ndërprerjen e luftës, duke u premtuar “kushte të ndershme”: do të respektoheshin privilegjet e tyre tradicionale dhe do të gjendeshin “kompensime të tjera” për lëshimet tokësore ndaj Malit të Zi.
Por luftimet vazhduan gjatë 15 ditëve. Forcat osmane morën masa të egra terrori ndaj popullsisë. Me shtypjen e kryengritjes turqit shpallën një falje gjysmake. Një numër krerësh malësorë u hodhën në arrati për të mos rënë në dorë të tyre. Ngjarje të tjera ndodhën gjatë vitit 1883 në Llap të Kosovës, ku u ngritën rreth 300 burra për të kundërshtuar bylykbashin turk, i cili ishte dërguar për të mbledhur taksat qeveritare. Po kështu, në Dibër, nën trysninë e popullsisë së pakënaqur të qytetit e të malësisë, u hoqën nga detyra mytesarifi dhe kryetari i gjyqit ushtarak. Në këtë rast dibranët u çliruan edhe nga puna angari në rrugën ushtarake Ohër-Strugë-Dibër, ndërtimi i së cilës u pezullua.
Vatër e qëndresës kundërosmane mbeti gjithnjë Kosova. Megjithëse pesha kryesore e ekspeditës ushtarake të komanduar nga Dervish Pasha kishte rënduar pikërisht mbi të, Stambolli nuk arriti ta qetësonte këtë krahinë veçse përkohësisht. Në gusht e shtator të vitit 1884 popullsia e Prizrenit dhe e rretheve të tij e kundërshtoi pagimin e taksës për kokë që do të vilej me rastin e regjistrimit të popullsisë, si edhe shtesën prej 25% të së dhjetës. Rreth 500 podrimas, fandas e lumjanë të armatosur hynë në Prizren. Në këto rrethana autoritetet e vendit premtuan se do të hiqnin dorë nga detyrimet e reja. Mirëpo, kur nga mesi i shtatorit ato i kërkuan përsëri këto detyrime, një numër edhe më i madh malësorësh të armatosur hynë në Prizren dhe dëbuan prej qytetit mytesarifin e drejtorin e financës.
Për të qetësuar gjendjen, Porta e Lartë i hoqi nga Prizreni nëpunësit e dëbuar dhe premtoi edhe njëherë anulimin e taksave e lirimin e atdhetarëve të burgosur e të internuar gjatë ekspeditës së komanduar nga Dervish Pasha. Por pas kësaj qeveria osmane dërgoi përforcime ushtarake në Prizren dhe arrestoi e internoi pjesëmarrësit e ngjarjeve të shtatorit 1884. Reagimi i popullsisë ishte i menjëhershëm. Në shkurt të vitit 1885 shpërtheu një kryengritje e re. Këtë radhë, krahas uljes së taksave dhe të drejtës për mbajtjen e armëve, kryengritësit kërkuan edhe faljen e të burgosurve e të të internuarve të shumtë, të cilët mbaheshin në burgjet e në viset e Anadollit që nga koha e shtypjes së Lidhjes së Prizrenit.
Lëvizja u shtri në rrethet e Prizrenit, të Ferizajt dhe në krahinën e Lumës. Krerët e saj mbanin lidhje edhe me organizatat atdhetare të mërgimit. Veprimet luftarake vazhduan nga fundi i shkurtit deri në mesin e marsit. Kryengritësit prenë linjat telegrafike, sulmuan e rrethuan Prizrenin. Më 20 shkurt 1885 midis Prizrenit e Ferizajt u bë ndeshja e parë e një pjese të kryengritësve kosovarë me repartet osmane. Atë ditë kryengritësit, të pakët në numër dhe të armatosur keq, u tërhoqën përpara zjarrit të dendur të topave dhe të mitralozave të armikut. Por shumë shpejt e rifilluan kundërsulmin: “... më 1 mars, - thuhet në letrën që një atdhetar prizrenas u dërgoi disa ditë më vonë organizatave të mërgimit, - kryengritësit ..., pasi u grumbulluan, sulmuan Prizrenin nga të gjitha anët pasdite në orën 9 allaturka dhe luftuan trimërisht deri në mëngjes... Dhe, me gjithë mitralimin e tmerrshëm e të vazhdueshëm, luftuan deri në shtëpitë e para të qytetit dhe i pushtuan”.
Autoritetet osmane dërguan atëherë një ekspeditë të madhe ushtarake me mareshalin Vesel Pasha në krye. Kryengritësit, të ndodhur përballë forcave të mëdha armike, u detyruan të hiqnin rrethimin e qytetit e të tërhiqeshin, ndërsa udhëheqësit e tyre qëndruan në arrati dhe u përpoqën të mbanin gjallë kryengritjen. Vesel Pasha, krahas masave që mori për të siguruar qetësinë në Prizren, në gusht 1885 iu drejtua papritmas Gjakovës, ku, nën drejtimin e Sulejman Vokshit, po bëheshin përgatitje për të formuar një lidhje të re. Në fillim ai arrestoi Sulejman Vokshin e bashkëpunëtorët e tij. Popullsia e zemëruar, duke dashur të përsëriste ngjarjet e zhvilluara tetë vjet më parë kundër mareshalit Mehmet Ali pasha, sulmoi trupat osmane që kishin bllokuar qytetin. Ndërmjet tyre u zhvilluan luftime të ashpra, por në saje të përforcimeve ushtarake që erdhën nga Prishtina, Vesel Pasha mundi t’i sprapste sulmet e shqiptarëve.
Kur në Gjakovë zhvilloheshin luftimet, në Rumelinë Lindore shpërtheu kryengritja çlirimtare kundër Stambollit dhe disa ditë më vonë u shpall bashkimi i saj me Bullgarinë. Duke parashikuar keqësimin e mëtejshëm të gjendjes në Ballkan, Porta e Lartë u detyrua të ndryshonte qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ajo pezulloi veprimet ushtarake, e anuloi edhe njëherë urdhrin për zbatimin e reformave centralizuese, ua njohu malësorëve të drejtën të mbanin armë, liroi nga burgu e nga internimi shqiptarët e arrestuar, duke përfshirë edhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit, si Abdyl Frashërin e Sulejman Vokshin dhe, më në fund, premtoi se do të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe në shkollat e Shqipërisë.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1887-1893
Meqenëse bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë (1885) cenonte status quo-në në Ballkan, u vunë në lëvizje si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe monarkitë ballkanike. Rusia dhe Austro-Hungaria e kundërshtuan këtë veprim që “prishte” ekuilibrin politik të Ballkanit. Por në Konferencën e Fuqive të Mëdha, që u mblodh në Stamboll posaçërisht për këtë çështje, fitoi teza e Anglisë, e cila, duke e parë rritjen e Bullgarisë, që tani ishte prishur me Peterburgun, si një pengesë për shtrirjen ruse në Ballkan, kërkoi që bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë të njihej si fakt i kryer. Serbia e Greqia, nga ana e tyre, nuk u pajtuan me këtë akt; ato kërkuan shpërblime territoriale për të kundërbalancuar zgjerimin e Bullgarisë dhe filluan përgatitjet ushtarake. Me nxitjen edhe të Austro-Hungarisë, Serbia, në nëntor 1885, i shpalli luftë Bullgarisë që përfundoi pas dhjetë ditësh me disfatën e serbëve. Greqia hoqi dorë nga lufta kundër Bullgarisë, por u orvat të siguronte shpërblime territoriale duke e kërcënuar Turqinë me luftë. Porta e Lartë iu përgjigj këtij kërcënimi, duke forcuar kufijtë turko-grekë. Me këtë rast edhe në Shqipërinë e Poshtme, në afërsi të kufirit grek, u përqendruan ushtri të mëdha osmane. Edhe këtë radhë Stambolli u bëri thirrje shqiptarëve të inkuadroheshin në ushtrinë osmane për t’i bërë ballë kërcënimit grek.
Në këto kushte, kur për shkak të masave ushtarake të Athinës lindi përsëri rreziku i copëtimit të vendit, jo vetëm ata krerë feudalë që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, por edhe rilindësit që udhëhiqnin lëvizjen kombëtare, nuk ndryshuan qëndrimin e tyre ndaj Perandorisë Osmane dhe nuk shtruan si detyrë të ditës çështjen e shkëputjes prej saj. Duke shprehur gatishmërinë për të luftuar kundër rrezikut grek që kërcënonte tokat shqiptare, rilindësit theksuan njëkohësisht përballë opinionit publik evropian dhe qeverisë së sulltanit, karakterin e veçantë kombëtar të qëndresës shqiptare.
Por gjendja e jashtme politike e Perandorisë Osmane u përmirësua shpejt. Fuqitë e Mëdha, konsekuente në politikën e ruajtjes së status quo-së, formalisht nuk lejuan të bëheshin ndryshime territoriale në Ballkan. Me traktatin bullgaro-turk që u nënshkrua në mars të vitit 1886 në Bukuresht, ato e njohën bashkimin e Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore, por me kusht që të ruhej në dukje gjendja e mëparshme. Fuqitë e Mëdha e ndaluan edhe Greqinë të ndërmerrte veprime luftarake kundër Turqisë dhe e detyruan me forcë të bënte çmobilizimin. Sapo u qetësua gjendja e saj e jashtme, Porta e Lartë u kthye në qëndrimin e mëparshëm ndaj shqiptarëve, duke shkaktuar kështu riacarimin e marrëdhënieve shqiptaro-osmane. Abuzimet e nëpunësve turq dhe rritja e papërmbajtur e taksave u bënë shkak për lëvizje të reja protestash në krahina të ndryshme të vendit. Gjatë viteve 1887-1892 protestuan e ngritën krye popullsia e Mirditës, e Zadrimës, e Prishtinës, e Drenicës, e Dibrës, e Himarës etj. Autoritetet osmane arritën t’i shtypnin këto lëvizje me anën e forcës ose t’i shpërndanin kryengritësit duke u bërë premtime të rreme.
Për të qetësuar gjendjen në vilajetin e Kosovës, Porta e Lartë përqendroi atje forca të mëdha ushtarake. Megjithatë, lëvizja atdhetare e udhëhequr nga Haxhi Zeka, Bajram Curri etj., po përhapej gjerësisht në pranverën e vitit 1893. Në fund të majit Haxhi Zeka i bëri thirrje popullit të Pejës e të rrethinave të saj që të ngrihej në luftë kundër pushtetit osman.
Pasi dështuan në orvatjet për t’i bindur kryengritësit të shpërndaheshin, turqit dërguan në Pejë forca nga Mitrovica, nga Berana e nga Shkupi. Haxhi Zeka ishte tërhequr nga qyteti dhe ishte vendosur në fshatin Leshan, ku i shkuan në ndihmë 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës të udhëhequr nga Bajram Curri. Veprimet luftarake filluan më 11 korrik, por nuk vijuan gjatë. Turqit, duke përdorur forcën e premtimet, si edhe duke pasur përkrahjen e disa çifligarëve vendas, e shtypën kryengritjen, e cila, për mungesë organizimi, mbeti e kufizuar vetëm në rrethet e Pejës e të Gjakovës. Haxhi Zeka u arrestua në mënyrë të pabesë dhe u mbajt në Stamboll për disa vjet.
Pa u shtypur mirë kjo kryengritje, në Lumë shpërtheu një kryengritje e re. 3 000 lumjanë të armatosur iu afruan Prizrenit dhe kërkuan dëbimin e mytesarifit turk. “Tërë Luma është ngritur me armë dhe kërkon përzënien e mytesarifit të Prizrenit e të disa bejlerëve të atjeshëm”, shkruante konsulli serb i Prishtinës. Valiu i Kosovës dhe Porta e Lartë, për t’i prerë rrugën zgjerimit të konfliktit, shkarkuan nga detyra mytesarifin e Prizrenit, Salih Pashën.
Kryengritjet kundërosmane të këtyre viteve nuk ishin të organizuara në shkallën e duhur dhe as të lidhura ndërmjet tyre. Edhe kërkesat e paraqitura ishin të kufizuara. Megjithatë, Abdyl Frashëri shihte tek ato synimet e shqiptarëve për t’u çliruar nga zgjedha osmane.“Shqiptarët, - shkruante Abdyli në vitin 1888, - nuk kanë pushuar kurrë së shfaquri pakënaqësinë e tyre kundrejt qeverisë osmane dhe dëshirën e tyre për pavarësi”. Ndonëse u shtypën, këto kryengritje patën disa rezultate të pjesshme, siç ishin ulja e barrës së taksave dhe lirimi i të burgosurve dhe i të internuarve politikë. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:55 am | |
| 3. PËRPJEKJET PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT DHE TË KULTURËS KOMBËTARE. KONTRIBUTI I DIASPORËS SHQIPTARE
Organizimi dhe veprimtaria e diasporës shqiptare
Për shkak të reaksionit të egër osman që u vendos pas Lidhjes së Prizrenit dhe të keqësimit të mëtejshëm të gjendjes ekonomike, mërgimi jashtë vendit e sidomos jashtë kufijve të Perandorisë Osmane mori përmasa gjithnjë e më të mëdha. Qindra e mijëra shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të mërgojnë në Rumani, në Bullgari, në Egjipt etj. Të mërguarit forcuan kështu kolonitë e vjetra shqiptare që ndodheshin në këto vende. Në këto vite filluan gjithashtu mërgimet e para të shqiptarëve në Rusi e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se në atdheun e robëruar lëvizja kombëtare zhvillohej në kushte ilegale dhe zbatimi i programit të saj, qoftë edhe për arsimin e kulturën, ishte gati i pamundur, një rëndësi gjithnjë e më të madhe mori veprimtaria e diasporës shqiptare. Me gjithë vështirësitë e shumëllojshme që duhej të kapërcenin, shqiptarët e mërguar mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë një kontribut shumë të madh në lëvizjen kombëtare, veçanërisht për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare. Veprimtaria atdhetare e shqiptarëve të mërguar filloi tani të organizohej e të udhëhiqej nga shoqëritë që u krijuan gjatë kësaj periudhe. Këto shoqëri atdhetare, të ngritura jashtë Perandorisë Osmane, vepruan legalisht dhe në kushte më të mira politike.
Ndonëse kishin synime të qarta politike, për të përgatitur çlirimin e atdheut nga robëria dhe mbrojtjen e tij nga copëtimi, ato paraqiteshin si shoqëri kulturore, gjë që pasqyrohej edhe në programet e statutet e tyre. Kjo bëhej për të shfrytëzuar mjetet legale në të mirë të lëvizjes shqiptare dhe për të shmangur çdo pengesë që mund të nxirrej, nën presionin e qeverisë osmane, nga organet qeveritare të vendit ku vepronin. Bashkëkohësi dhe veprimtari i këtyre shoqërive, Visar Dodoni, ka shkruar më vonë: “Ahere fytyr’ e dëshirës së shqiptarëve ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që mshifnin dëshirat ish liria kombiare...”. Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e themeluar në Stamboll në vitet e Lidhjes së Prizrenit, pati jetë të shkurtër. Pas tronditjes që pësoi gjatë reaksionit të vitit 1881 dhe pasi mbeti me pak anëtarë, ajo nuk mundi ta vijonte veprimtarinë e saj në forma të organizuara e legale si më parë. Disa nga anëtarët e kësaj Shoqërie i larguan nga Stambolli, kurse disa të tjerë hoqën dorë vetë prej saj. Megjithatë, një bërthamë anëtarësh aktivë si dhe kryetari i saj Sami Frashëri e vijuan veprimtarinë në fushën kombëtare më shumë në forma individuale dhe në kushte ilegaliteti.
Në këto rrethana, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të lëvizjes kombëtare, patriotët u detyruan ta kalonin një pjesë të madhe të veprimtarisë jashtë Perandorisë Osmane, por gjithnjë në afërsi të Shqipërisë, në vende si Rumania e Bullgaria, të çliruara nga zgjedha e huaj, ku kishte koloni shqiptare të mërgimit. Shteti rumun, i formuar nga bashkimi i principatave të Vllahisë e të Moldavisë (më 1859), sidomos pas sigurimit të pavarësisë (më 1878), vijoi të jetë vendi kryesor i strehimit të emigrantëve të krahinave të ndryshme të Turqisë Evropiane, pra edhe të një numri të madh shqiptarësh. Për shkak të lidhjeve tradicionale ndërmjet dy popujve dhe të interesave të përbashkët politikë në Ballkan, shteti rumun e përkrahte luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Rumani. Po kështu shteti i ri bullgar, i çliruar më 1878 dhe i bashkuar me Rumelinë Lindore më 1885, nuk e pengoi organizimin dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Sofje e në qendra të tjera të Bullgarisë. Kolonitë shqiptare në Rumani e në Bullgari, duke qenë numerikisht më të mëdha, materialisht më të forta dhe në rrethana politike më të favorshme morën përsipër një rol të veçantë e me shumë rëndësi në lëvizjen kombëtare, duke ndihmuar për ngritjen e shtypshkronjave, për botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, për nxjerrjen e gazetave shqiptare, për hapjen e shkollave kombëtare etj. Pikërisht kur po shtypej Lidhja e Prizrenit dhe kur ishin krijuar kushte të vështira për veprimtarinë e Shoqërisë së Stambollit, zuri fill Shoqëria e Bukureshtit, e cila si nga numri i anëtarëve, ashtu edhe nga veprimtaria, u bë shoqëria më e rëndësishme kulturore e kësaj periudhe.
Kriza e fundit e Lindjes dhe lufta 3-vjeçare e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit ushtruan ndikimin e tyre në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare të shqiptarëve të Rumanisë. Përveç kontakteve që mbanin me Shqipërinë, ata filluan të lidheshin edhe me shqiptarët e Stambollit e të Egjiptit, veçanërisht me Sami Frashërin. Në korrik të vitit 1881 u organizua në Bukuresht një mbledhje e atdhetarëve shqiptarë të asaj kolonie, të cilët formuan Shoqërinë “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit”. Pas krijimit të kësaj Shoqërie, shkuan në Bukuresht Jani Vretoja e Pandeli Sotiri, të dërguar nga Shoqëria e Stambollit. Vitin tjetër në Egjipt u themelua një degë tjetër e Shoqërisë së Stambollit me të njëjtin emër, por për shkak të vështirësive politike kjo degë përkohësisht nuk mundi të zhvillohej. Për disa kohë edhe “Deg’ e Shoqërisë së Stambollit” në Bukuresht mbeti e dobët dhe me veprimtari të kufizuar. Por me shtimin e numrit të anëtarëve të saj dhe për të përballuar më mirë nevojat që shtronte zhvillimi i mëtejshëm i lëvizjes kombëtare, sidomos në fushën kulturore, u bë një hap i ri përpara.
Në dhjetor të vitit 1884 u mblodh në Bukuresht një kuvend i posaçëm, i cili themeloi një shoqëri kulturore më vete me emrin “Drita”. Në dokumentet e kësaj mbledhjeje dhe në statutin e shoqërisë u përcaktua edhe programi. Mbledhja zgjodhi komitetin drejtues me kryetar Anastas Avramidhi Laçke, një pasanik shqiptar nga Korça, nga i cili shoqëria shpresonte të siguronte shuma të rëndësishme për qëllimet e saj. Qysh në këtë mbledhje u hartua një listë ndihmash për blerjen e një shtypshkronje. Kryetari i Shoqërisë “Drita” premtoi se do të jepte për këtë qëllim 100 mijë franga dhe se do të linte me testament në dobi të lëvizjes kulturore shqiptare gjithë pasurinë e tij. Qysh në muajt e parë numri i anëtarëve të shoqërisë arriti në 300 veta. Ndonëse ajo kishte synime të qarta politike kombëtare, statuti e paraqiste atë si një shoqëri kulturore-letrare. Në nenin 1 të tij thuhet se Shoqëria e shqiptarëve “Drita” themelohej duke pasur si qëllim të vetëm zhvillimin e përparimin e gjuhës shqipe. Në nenin 2 thuhej se shoqëria nuk do të përzihej në çështje politike dhe se për t’ia arritur qëllimit të vet do të shtypte libra në gjuhën shqipe dhe do të çelte shkolla shqipe në Shqipëri, të cilat do të ndihmonin për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në nenin 3 kërkohej që në shkollat shqipe gjuha turke të ishte fakultative si gjuhë e Perandorisë, kurse në nenin 4 përcaktohej që si alfabet i shqipes të përdorej ai i Stambollit. Me 43 nenet e statutit rregullohej tërë veprimtaria e Shoqërisë “Drita”, si dhe marrëdhëniet me degët e saj.
Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, duke ecur në gjurmët e Shoqërisë së Stambollit, filloi të punonte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe me anën e shkollave, të librave didaktike, të gazetave etj. Mbështetur në programin e në statutin e saj, shoqëria shtroi si detyrë kryesore blerjen e një shtypshkronje për botimin e librave shqip. Për këtë qëllim mblodhi si ndihmë 10 828 lej, përveç shumës që kishte mbledhur më parë dhe, pas një kohe, shtypshkronja e porositur në Vjenë u vendos në Bukuresht. Ndërkohë Sami Frashëri, Naim Frashëri dhe Jani Vretoja përgatitën tekstet e para mësimore dhe ia dërguan Shoqërisë së Bukureshtit, e cila në muajt e parë të vitit 1886 filloi t’i botonte në shtypshkronjën e saj. Në vitin 1886 u botua nga Naim Frashëri: “E këndimit të çunave këndonjëtoreja”, “Dëshir’ e vërtetë e shqipëtarëvet” (greqisht), “Istoria e përgjithshme”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Bagëti e bujqësija”; nga Sami Frashëri: “Abetare e gjuhësë shqip” dhe “Shkronjëtorja e gjuhësë shqip” (gramatika); nga Jani Vretoja: “Numërmësonjë” dhe “Mirëvetija” (Mësime morali). Po kështu Shoqëria “Drita” kërkoi nga qeveria osmane që shkollat në gjuhë të huaj në Shqipëri të shndërroheshin në shkolla shqipe ose që në to të mësohej edhe gjuha shqipe. Themelimi i kësaj shoqërie kulturore, pjesëmarrja e qindra shqiptarëve ortodoksë, në mënyrë të veçantë e korçarëve, që në rini kishin ndjekur shkollën e kishën greke, i shqetësoi kundërshtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht qarqet shoviniste greke, të cilat kishin pretendime mbi Korçën dhe mbi tërë Shqipërinë e Poshtme. Duke shprehur këtë shqetësim gazeta e Athinës “Konfederata Lindore” shkruante në janar të vitit 1885: “Morëm vesh me një habi të dhimbshme se në Bukuresht u themelua një silog (komitet) për lëvrimin e gjuhës shqipe ... për ta përpunuar dhe bërë sa më të kulluar ... Për ta shkëputur përgjithmonë Shqipërinë nga Greqia, deshën të nxjerrin në dritë një gjuhë shqipe. Sepse lindja e kësaj gjuhe nuk do të thotë gjë tjetër veçse ndarje dhe shkëputje e shqiptarëve prej nesh...”.
Në Bukuresht në atë kohë vepronin disa gazeta e shoqëri greke të lidhura me Patrikanën e Stambollit e me Athinën, të cilat ndiqnin hap pas hapi si shtypin, ashtu edhe tërë lëvizjen kombëtare. Në Bukuresht ishte gjithashtu filiali i Komitetit Pansllavist me ambasadorin rus në krye, i cili mbante lidhje me konsujt e shteteve ballkanike (grekë, serbë, bullgarë), si dhe me komitetet e tyre që vepronin në Rumani. Silogu grek në Bukuresht u angazhua për të penguar me çdo mënyrë veprimtarinë e Shoqërisë “Drita”. Kundër saj veproi edhe konsulli rus në Bukuresht, Hitrovo, i cili, ashtu si konsulli i atjeshëm grek, nxiti përçarje ndërmjet anëtarëve të kryesisë së Shoqërisë “Drita” dhe së bashku u përpoqën ta pengojnë e ta paralizojnë veprimtarinë e shoqërisë shqiptare. Disa nga drejtuesit e Shoqërisë “Drita” u lëkundën përballë presionit grek. Madje, vetë kryetari i saj Anastas Laçke, i mikluar nga ledhatimet e lavdërimet e mbretit të Greqisë (që e dekoroi për “besnikëri”), dhe i kërcënuar në fshehtësi nga elementët grekomanë, hoqi dorë nga veprimtaria e tij në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe u bashkua me grekomanët. Ndërhyrjet dhe intrigat e jashtme bënë që në radhët e Shoqërisë së Bukureshtit të futej fara e grindjes dhe e përçarjes dhe që veprimtaria e saj të binte përkohësisht. Lëkundjet e grekomanëve dhe mosmarrëveshjet ndërmjet dy grupimeve politike që u formuan në gjirin e Shoqërisë, bënë që kjo të shpërndahej në vitin 1886. Në vendin e saj u krijuan dy shoqëri.
Grupi i kryesuar nga Nikolla Naço (1843-1913), në mbledhjen që u mbajt në janar të vitit 1887, themeloi një shoqëri më vete po me emrin “Drita”, në të cilën morën pjesë përkrahësit e tij. Pjesa tjetër e atdhetarëve shqiptarë formoi nga mesi i vitit 1887 një shoqëri tjetër me emrin “Dituria”, sipas emrit të dytë të revistës shqipe të botuar në Stamboll. Në themel të konfliktit ndërmjet dy shoqërive qëndronin pikëpamjet e tyre të ndryshme për një varg çështjesh të lëvizjes kombëtare. Nikolla Naçoja vlerësoi drejt rrezikun që i kërcënohej lëvizjes kombëtare nga politika e qarqeve drejtuese të Greqisë, nga pansllavizmi dhe nga ndikimi i kishës e i kulturës greke mbi shqiptarët. Por, në të njëjtën kohë, ai mendonte se shqiptarët do të mund të përballonin lakmitë aneksioniste të shteteve fqinje nëpërmjet bashkëpunimit me vllehët e Shqipërisë, të Maqedonisë e të Pindit dhe, nëpërmjet tyre, me Rumaninë. Sipas tij, vetëm një bashkëpunim i tillë do t’u jepte mundësinë të dy palëve, shqiptarëve dhe vllehëve, që t’u bënin ballë rreziqeve të përbashkëta që u vinin nga shovinistët grekë, serbë e bullgarë. Pikëpamjet e Nikolla Naços për t’u mbështetur në ndihmën e një shteti të huaj, sikurse ishte Rumania, nuk përputheshin me mendimin e forcave të tjera politike të lëvizjes kombëtare, të cilat ishin për një qëndrim më të ashpër kundër sulltanit e Perandorisë Osmane dhe nuk ishin kundër bashkëpunimit edhe me grekët e me rusët.
Shoqëritë e riformuara “Drita” e “Dituria” e vijuan veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur. E para krijoi degët e saj në qytete të tjera të Rumanisë, si në Brailë, në Fokshan, në Kostancë, në Marashesht, në Krajovë, në Ploesht etj., ku kishte mjaft shqiptarë të mërguar. Këto degë krijuan fondet e tyre për përhapjen e mësimit shqip e për botimin e librave dhe mbanin lidhje me Shoqërinë “Drita” të Bukureshtit, që ishte shoqëri qendrore. Kjo bëri disa botime të tjera didaktike. Po kështu dega e Shoqërisë “Drita” në Brailë (në maj 1887) nxori gazetën letrare-shkencore “Drita” (rumanisht “Lumina”), e cila pati gjithsej 11 numra. Në gusht të vitit 1888 doli numri i parë i gazetës “Shqipëtari” (“Albanezul”), organ i Shoqërisë “Drita”, gazetë javore në gjuhën shqipe e rumune, e cila, me ndërprerje, vijoi të dalë deri më 1903.
Në artikullin me titull “Çfarë kërkojmë”, botuar në numrin e parë të gazetës “Shqipëtari”, jepej në mënyrë të përmbledhur programi i Shoqërisë “Drita”, në të cilin kërkohej: “1) Përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla dhe në kisha; 2) Themelimi i degëve kulturore dhe hapja e shkollave shqipe; 3) Zhvillimi i gjuhës, i historisë dhe i letërsisë kombëtare; 4) Botimi i teksteve shkollore, i revistave dhe i gazetave në gjuhën shqipe”. Në vazhdim të programit gazeta shpallte gjithashtu një thirrje në formë manifesti, drejtuar gjithë shqiptarëve, me të cilën i grishte ata, kudo që jetonin e pa dallim feje, të ngriheshin “si një trup i vetëm, për të kontribuar me punën e tyre, me pasuri, me fjalë, me mendje, me zemër dhe në rast nevoje edhe me jetën për zhdukjen e robërisë së popullit shqiptar”. Siç shihet, programi dhe thirrja nuk kanë vetëm përmbajtje kulturore e arsimore, por edhe politike e atdhetare. Megjithatë, veprimtaria e Shoqërisë “Drita” zyrtarisht nuk drejtohej hapur kundër sulltanit dhe nuk kërkonte drejtpërdrejt pavarësinë e Shqipërisë. Kjo motivohej me rrezikun e madh që i kanosej popullit shqiptar nga politika shoviniste e shteteve fqinje. Një qëndrim i tillë taktik i Shoqërisë “Drita” shpjegohet edhe me koniunkturën politike të kohës, me interesimin e qeverisë rumune për të mos cenuar marrëdhëniet e mira të Rumanisë me Portën e Lartë. Një luftë të ashpër Shoqëria “Drita” dhe gazeta “Shqipëtari” bënë kundër politikës aneksioniste greke të “Megali Idesë” dhe kundër grekomanizmit si pjellë e saj. Mirëpo vetë përpjekjet për ngritjen kulturore kombëtare ishin të gërshetuara me luftën politike për lirinë kombëtare.
Shoqëria “Drita” dhe Nikolla Naçoja, që ishte udhëheqësi kryesor i saj, u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik evropian për çështjen shqiptare, duke u dërguar thirrje e memorandume personaliteteve politike të kohës, qeverisë osmane etj. Shoqëria “Drita” ndihmoi gjithashtu për mbajtjen e shkollave shqipe dhe për furnizimin e tyre me libra shqip. Shoqëria “Dituria”, me të cilën u bashkuan shumica e shqiptarëve të Bukureshtit, me kryetar Kostaq Duron, pasi miratoi programin, vijoi veprimtarinë e vet me botimin e librave, të dorëshkrimeve që vinin kryesisht nga Naimi e Samiu, të cilët jetonin në Stamboll. Tani disa shqiptarë të pasur ishin larguar nga Shoqëria, kurse disa të tjerë kishin kaluar në pasivitet. Në fillim Shoqëria “Dituria” nuk mundi të krijojë degët e saj dhe arkën e kishte pothuajse të zbrazur. Në vitin 1888 ajo botoi tekstet “Dheshkronja” (Gjeografia) të përgatitur nga Sami Frashëri dhe “Dituritë” (Njohuri të shkencave shoqërore e natyrore) të Naim Frashërit. Më vonë ajo botoi “Rradhuashkronjën” e Jani Vretos, “Abetaren” e gjuhës shqipe në gegërisht, veprat e Naim Frashërit “Lulet’ e verës”, “Mësime” etj. Për shkak të censurës, Samiu dhe Naimi i nënshkruanin veprat e tyre vetëm me inicialet, i pari S. F. dhe i dyti N. H. F. Botimet e Bukureshtit u shpërndanë në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë atdheut.
Një kthesë e rëndësishme në veprimtarinë e Shoqërisë “Dituria” u shënua në vitin 1896, kur në krye të saj u zgjodh Pandeli Evangjeli, që ishte mjaft aktiv dhe me aftësi drejtuese e organizative. Shoqëria “Dituria” dha ndihmesë të madhe për hapjen e shkollave shqipe në atdhe, veçanërisht në qarkun e Korçës. Ajo dërgoi pa pagesë tekste shkollore dhe ndihmoi në mbajtjen e mësuesve të shqipes. Në vitet 90 të shek. XIX lëvizja kombëtare në diasporë mori zgjerim më të madh. Ashtu si në Rumani, mërgimtarë shqiptarë në Bullgari ishin vendosur edhe më parë, por tani ky numër sa vinte e shtohej. Shqiptarët e mërguar në Bullgari merreshin me punë të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre bënte punë krahu, si gurëgdhendës, punëtorë rrugësh, hekurudhash e ndërtimesh, kopshtarë etj., por kishte edhe zejtarë, si rrobaqepës, këpucarë, zdrukthëtarë etj. Një pjesë tjetër merrej me tregti të vogël, sidomos në qendër të Sofjes. Me kohë lokalet e disave prej tyre u shndërruan në qendra ku takoheshin atdhetarët shqiptarë që jetonin në Sofje e në vise të tjera të Bullgarisë ose ata që kalonin për në Rumani, në Turqi e në Rusi.
Në Bullgari një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe të shkrimit shqip midis shqiptarëve të mërguar luajti Dhimitër Mole, i cili shkoi atje nga Bukureshti qysh në fillim të vitit 1886. Me punën e tij këmbëngulëse Dhimitër Mole grumbulloi rreth vetes një numër të madh shqiptarësh që jetonin në Sofje. Në vitin 1889 atje u themelua bërthama e parë e Shoqërisë për Arsim në Shqipëri. Me zgjerimin e numrit të shqiptarëve që interesoheshin për fatin e atdheut të robëruar, në janar të vitit 1893 u formua në Sofje Shoqëria shqiptare me emrin “Dëshira”, me statutin dhe me fondin e saj. Programi i kësaj shoqërie ishte i njëjtë me atë të shoqërive të Stambollit e të Bukureshtit. Shoqëria do të përpiqej “për të lartësuar frymën e shqiptarizmit” dhe “për skoli në Shqipëri”. Kryetari i komitetit të zgjedhur nga shoqëria ishte Ligor P. Marko dhe sekretar Dhimitër Mole. Në nenin 2 të statutit të saj thuhet: “Qëllimi i Shoqërisë “Dëshira” është për të përhapur dituri e mësimin e gjuhës, si edhe për të përhapur mësonjëtore në gjuhën shqipe në Shqipëri”. Meqenëse në fillim në Shoqërinë “Dëshira” mbizotëronin punëtorët e zejtarët, u ndje nevoja e bashkëpunimit me intelektualë shqiptarë. Prandaj shpejt shoqëria e re hyri në marrëdhënie me atdhetarët dhe me shoqëritë e tjera shqiptare jashtë Bullgarisë, si me Sami Frashërin e Naim Frashërin në Stamboll, me Shoqërinë “Drita” në Bukuresht; ajo pati lidhje edhe me atdhetarë brenda Shqipërisë. Shoqëria krijoi degët e saj në qytetet ku kishte më shumë mërgimtarë shqiptarë, si në Varnë e Plovdiv, por shqiptarë kishte edhe në Plevën, në Rila, në Samakov etj. Aktivitetet e ndryshme artistike e argëtuese, si edhe përhapja e mësimit shqip, ndihmuan si për bashkimin e shqiptarëve, ashtu edhe për ngritjen e tyre politike e kulturore. Veprimtaria e Shoqërisë “Drita” u zgjerua më shumë në vitet e fundit të shek. XIX, kur në Sofje u ngrit shtypshkronja me emrin simbolik “Mbrothësia” (Përparimi), në të cilën u botuan shumë libra e gazeta në gjuhën shqipe.
Një qendër tjetër e rëndësishme e lëvizjes shqiptare gjatë kësaj periudhe ishte Egjipti. Nismat e para të Thimi Mitkos e të Jani Vretos për të formuar këtu një shoqëri kulturore nuk patën sukses. Megjithatë, Thimi Mitkoja, Spiro Dineja, Grigor Nukoja etj. e vijuan vetë veprimtarinë atdhetare. Krahas kësaj, Thimi Mitkoja u përpoq disa herë të organizonte një shoqëri me shqiptarët e Egjiptit, por vetëm në vitin 1894 u arrit që ata të formonin një shoqëri me emrin “Vëllazëria e Shqiptarëve”. Një rol të rëndësishëm në dobi të lëvizjes kombëtare vijuan të luanin në këtë periudhë edhe arbëreshët e Italisë. Megjithëse i moshuar, në krye të lëvizjes arbëreshe qëndronte gjithnjë shkrimtari dhe atdhetari i shquar Jeronim de Rada. Arbëreshët mbanin lidhje me qendrat e tjera të shqiptarëve të mërguar dhe me atdhetarët shqiptarë brenda Shqipërisë, si edhe me personalitete politike përparimtare italiane e evropiane. Me anën e letërkëmbimeve, të artikujve në shtypin e kohës dhe sidomos me organin “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885), arbëreshët e Italisë bënin të njohura e mbronin të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Intelektualët arbëreshë punuan me zell në fushën e studimit të gjuhës e të kulturës shqiptare. Në tetor të vitit 1895 ata organizuan në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) një kongres gjuhësor, në të cilin u vendos të formohej edhe një shoqëri, që mori emrin Shoqëria Kombëtare Shqiptare, e cila krijoi degë në të gjitha kolonitë arbëreshe.
Veprimtaria e arbëreshëve në dobi të lëvizjes kombëtare u zhvillua në kushte më të favorshme se ajo e kolonive të tjera; qeveria italiane, për shkak të interesave të saj ekonomikë e politikë, në dukje pajtohej me parimin e ndjekur nga arbëreshët “Shqipëria për shqiptarët”. Me këtë ajo synonte të ndalte si shtrirjen e Austro-Hungarisë e të shteteve sllave drejt Jugut e Perëndimit të Ballkanit, ashtu edhe zgjerimin e Greqisë drejt Veriut. Por, krahas kësaj, qarqet politike italiane kishin filluar të bënin përpjekje për ta vënë lëvizjen arbëreshe në shërbim të interesave politikë të Romës në Shqipëri. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:55 am | |
| Përhapja e mësimit shqip dhe e shkollave kombëtare
Në vitet e reaksionit osman që shpërtheu pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, veprimtarët e lëvizjes kombëtare i dhanë rëndësi të veçantë zbatimit të programit të tyre kulturor, i cili ishte pjesë përbërëse e programit kombëtar të Rilindjes. Mirëpo detyrat e rëndësishme me karakter politik, kulturor e ekonomik, që shtronte zhvillimi i vendit dhe periudha historike në fushën e arsimit, nuk mund të zgjidheshin me sistemin arsimor që ishte atëherë në Shqipëri, sepse ai përbëhej nga një numër jo i madh shkollash të një niveli të ulët, në gjuhë të huaja (turke, greke, italiane etj.), me përmbajtjen përgjithësisht skolastike, me frekuentim të pakët dhe me cikle jo të plota. Shkollat ishin të ndara veç për popullsinë myslimane dhe veç për atë të krishtere. Ato administroheshin, si rregull, nga institucionet fetare islamike, ortodokse e katolike. Përveç kësaj, ky sistem arsimor ishte shndërruar në një mjet të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të sunduesit osman, ashtu edhe të shteteve të tjera. Ndërkaq kërkesat e zhvillimit të vendit, por sidomos rreziku i asimilimit të kombit shqiptar, diktonin si një nevojë të ngutshme përhapjen e arsimit e të kulturës kombëtare, e bënë atë një domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë. Duke shprehur këtë nevojë të madhe të kohës, Kostandin Kristoforidhi shkruante më 1888: “Ndë mos u shkroftë gjuha e shqipes edhe sot mbë këtë ditë nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut dhe as nuk do të shënohet më emri i Shqipërisë ndë hartë të botës”.
Megjithëse ishte bërë detyrë e rëndësishme dhe e ngutshme, në kushtet e atëhershme të Shqipërisë përhapja e arsimit kombëtar ndeshte në vështirësi e në pengesa të shumta. Pengesat kryesore i nxirrte Perandoria Osmane, e cila ishte përpjekur gjithnjë t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri. Megjithëse me reformat e Tanzimatit ishte shpallur se të gjitha kombësitë e Perandorisë do të lejoheshin të ushtronin lirisht gjuhët e tyre në institucionet arsimore e fetare, Porta e Lartë i përjashtoi shqiptarët nga kjo e drejtë kombëtare. Duke u mbështetur në parimin mesjetar absurd të identifikimit të kombësisë me fenë, Porta e Lartë, edhe pas reformës arsimore turke të vitit 1844, nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, por vijoi t’i quante ata sipas besimit fetar “turq”, “grekë” e “latinë”.
Në përputhje me parimin teokratik islam, pas reformës arsimore Porta e Lartë krijoi për shqiptarët myslimanë një rresht të ri shkollash shtetërore fillore (iptidajie), qytetëse (ruzhdije) dhe pastaj gjimnaze (idadije). Ashtu si në shkollat e mëparshme fetare, edhe në shkollat shtetërore osmane mësimet zhvilloheshin vetëm në gjuhën turke dhe, megjithëse quheshin laike , në planet e tyre mësimore bënin pjesë edhe lëndë fetare islamike. Sipas statistikave të viteve të fundit të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme (të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës), në të cilat shqiptarët përbënin një tërësi kompakte e shumicën e popullsisë, kishte 1 187 shkolla turke nga të cilat 1 125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) e 5 shkolla të mesme (idadije). Ndërkaq sunduesit osmanë, për shkak të presionit të huaj, u lanë pak a shumë dorë të lirë shteteve ballkanike dhe evropiane, veçanërisht institucioneve të tyre fetare të krishtera, për të vepruar në Shqipëri si në fushën fetare, ashtu edhe në atë arsimore. Shtetet që në projektet e tyre parashikonin përfshirjen ose copëtimin e trojeve shqiptare, në gjysmën e dytë të shek. XIX, e rritën më tej veprimtarinë në fushën arsimore e fetare, duke shtuar numrin e shkollave në gjuhë të huaj, duke i krijuar vështirësi shkollës e kulturës shqiptare. Ato nuk ngurronin në këtë rast të përpiqeshin për t’i paraqitur shqiptarët si një popull “të egër”, “pa kulturë” e me zakone “të rënda”, kurse veten e tyre si “shpëtimtarë”, si “përhapës të arsimit e të kulturës” etj.
Përhapje të madhe mori, veçanërisht në Shqipërinë e Poshtme, shkolla në gjuhën greke. Me gjithë programin e tyre laik, shkollat greke ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë dhe përshkoheshin nga një frymë intolerance fetare. Shkollat greke arritën të përhapeshin deri në Durrës e në Tiranë. Sipas të dhënave të konsullatës franceze të Janinës, në vitin 1882 vetëm në vilajetin e Janinës, që përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme (duke përjashtuar rrethet e Kolonjës, të Korçës e të Pogradecit) dhe që shumicën dërrmuese të popullsisë e kishte shqiptare, kishte 643 shkolla greke për djem e mikse me 736 mësues dhe 22 shkolla për vajza me 40 mësuese. Në vitin 1894 në sanxhakun e atëhershëm të Gjirokastrës kishte 84 shkolla fillore greke e po kaq edhe në krahinën e Beratit. Organizimi e plani mësimor i shkollave në gjuhën greke në Shqipëri ishin të njëjtë me ato të shkollave në Greqi. Hapja e këtyre shkollave bëhej nga mitropolitë ortodokse greke, të cilat, në marrëveshje me konsujt grekë, emëronin drejtorët e shkollave dhe personelin mësimor. Mjetet kryesore financiare për mbajtjen e këtyre shkollave siguroheshin nga qeveria e Athinës, nëpërmjet silogut që ishte krijuar aty për përhapjen e gjuhës e të kulturës greke. Me anën e këtyre shkollave e të propagandës qarqet politike të Athinës përpiqeshin t’i paraqisnin shqiptarët ortodoksë si grekë dhe me kohë t’i asimilonin ata. Në fundin e shek. XIX në Shqipëri kishte më shumë se 1 000 shkolla greke. Përveç shkollave turke e greke, në trojet shqiptare ishin çelur edhe shkolla serbe, bullgare, vllahe etj. Sipas statistikave të asaj kohe kishte mbi 300 shkolla serbe, bullgare e vllahe, pa përmendur shkollat në gjuhën italiane, të cilat ishin nën administrimin e Austro-Hungarisë e të Italisë.
Shkollat e huaja, me gjithë kufizimet e mangësitë e programeve, ndihmonin në pajisjen me dije të fëmijëve, por ato, padyshim, shërbenin si mjedise të propagandave të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve dhe si të tilla nuk mund t’i shërbenin as përparimit kulturor kombëtar të shqiptarëve, as emancipimit të tyre politik e kombëtar. Prandaj rilindësit i trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin mbylljen ose kthimin e tyre në shkolla shqipe. Në këto rrethana, patriotët e Rilindjes punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Rilindësit tanë iu drejtuan në radhë të parë gjuhës amtare, që kishte luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e popullit shqiptar dhe që u kishte bërë ballë me sukses trysnive shekullore asimiluese të pushtuesve të huaj. Te rilindësit në përgjithësi ishte formuar bindja se tani vetëm duke e shkruar mund të ruhej gjuha shqipe, se vetëm me gjuhën amtare mund të zhvillohej arsimi e kultura kombëtare, mund të shkolloheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga gjendja ekonomike, mund të edukohej atdhetarizmi dhe mund të mbrohej kombi nga asimilimi. Pikërisht në atë periudhë Kostandin Kristoforidhi shkruante: “Shqipëria nuk mësonet dot, as nuk ndritet sot, as nuk qytetëronet dot me gjuhë të huaj, përveç me gjuhën e mëmës ... Edhe ndë u shkroftë gjuha e shqipes në këtë kohë që gjendemi sot, edhe ndë futet ndëpër skolirat e Shqipërisë, kemi shpresë se do të na njohën për komp e për vendarë ndë dhe t’onë, edhe do të kemi pjesë e vent ndë rretht e ndë shoqërit të kombevet tjerë që gjenden në Evropë...”. Të njëjtën ide mbronte Sami Frashëri kur disa vjet më vonë shkruante: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja”.
Rilindësit bënë përpjekje të shumta për të nxjerrë nga Porta e Lartë lejen e përdorimit të gjuhës amtare në shkollat e vendit, për botimin e librave shqip, për shpërndarjen e tyre në Shqipëri dhe për nxjerrjen e një organi periodik shqip, qoftë edhe me përmbajtje krejtësisht kulturore. Për disa kohë këto kërkesa ndeshën në kundërshtimin e vendosur të qeverisë osmane. Por në verën e vitit 1884, e shqetësuar nga përpjekjet e Greqisë për t’i nxitur shqiptarët të hidheshin në kryengritje kundër Stambollit, si dhe nga themelimi në Athinë i shoqatës kulturore “Vllamët Shqiptarë”, Porta e Lartë dha lejen për botimin e një organi kulturor shqip. Megjithatë, edhe në këtë rast ajo u qëndroi besnike parimeve të veta, sepse ajo lejen nuk ua dha shqiptarëve myslimanë, të cilët vijonte t’i quante turq, por vetëm shqiptarëve ortodoksë, me qëllim që t’i largonte nga mundësia e bashkëpunimit me grekët. Leja për botimin e një reviste shqipe u dha nga Ministria turke e Arsimit në emrin e Petro Pogës. Pas kësaj, më 10 gusht 1884 doli në Stamboll numri i parë i revistës “Drita”. Për shkak të censurës, lënda e revistës u kufizua në shkrime letrare e arsimore. Meqenëse Porta e Lartë ua ndalonte shqiptarëve myslimanë shkrimin e shqipes, Sami Frashëri e Naim Frashëri, nga penda e të cilëve u përgatit shumica e lëndës, nënshkruanin me pseudonime, i pari me tre yje, kurse i dyti me shkronjën “D”. Në revistën “Drita” botuan shkrimet e tyre edhe Jani Vretoja, Pandeli Sotiri, Koto Hoxhi etj.
Qëllimi i kësaj reviste ishte përhapja e diturisë, zhvillimi i arsimit dhe ngritja e vetëdijes kombëtare. Revista kryente njëherësh edhe misionin e mësuesit për përhapjen e ideve iluministe të rilindësve. “Drita” u botua me alfabetin e Stambollit dhe në këtë mënyrë ndikoi në përhapjen e këtij alfabeti te lexuesit e saj shqiptarë. Ndonëse përmbante vetëm shkrime me karakter arsimor-kulturor, botimi i revistës “Drita” shkaktoi shqetësimin e qarqeve klerikale e politike greke, të cilat ushtruan trysni të fortë ndaj Petro Pogës dhe e detyruan të hiqte dorë nga revista, pas botimit të numrit të saj të tretë. Por atdhetarët shqiptarë të Stambollit nxorën në emrin e Pandeli Sotirit një leje të dytë për një revistë të re me emrin “Dituria”, e cila u bë vazhdim i “Dritës”. Duke bërë fjalë për misionin e revistës “Dituria”, Sami Frashëri shkruante në një artikull të numrit të parë të saj: “Dituria është ajo që e bëri njeriun të quhet njeri”. Artikujt me karakter shkencor e pedagogjik që u botuan në “Drita” dhe në “Dituria” shërbyen si bazë për hartimin e teksteve shkollore shqipe. Revista “Dituria” u mbyll në numrin 12 të saj, në korrik të vitit 1885.
Edhe përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe ndeshte gjithnjë në pengesa të shumta. Në kohën kur në Shqipëri po shtohej numri i shkollave greke, serbe e bullgare, Porta e Lartë ndalonte hapjen e shkollave shqipe. Madje Ministria turke e Arsimit tërhoqi edhe lejen që kishte dhënë për botimin e fjalorit të Kostandin Kristoforidhit. Përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe pengohej edhe nga fanatizmi fetar e nga konservatorizmi të kultivuar prej shekujsh, sikundër edhe më fort nga kundërshtimet e turkomanëve e të grekomanëve. Megjithëse në kushte shumë të vështira, shkrimi i gjuhës shqipe vijoi të mësohej fshehurazi në vise të ndryshme të Shqipërisë. Nën shembullin e mësuesit të tij Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi, ndonëse ishte fare i ri në moshë dhe punonte si mësues i greqishtes në shkollat e fshatrave Bezhan, Katund e Luaras, gjatë viteve 1882-1887 u bë një përhapës i flaktë i shkrimit të gjuhës shqipe dhe i ndjenjave kombëtare. Po kështu Kostandin Kristoforidhi, me t’u kthyer në atdhe në vitin 1884, hyri si mësues i greqishtes në shkollën e Elbasanit dhe, ashtu siç kishte bërë dikur në Tiranë, filloi t’u mësonte nxënësve fshehurazi gjuhën shqipe. Në Shkodër mësimi i gjuhës shqipe kishte krijuar tashmë një farë tradite dhe vijonte të mësohej në disa shkolla private për djem e për vajza. Po ashtu, në vitin 1885, Gjerasim Qiriazi kishte hapur në Manastir një shkollë private shqipe për djem e për vajza. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:56 am | |
| Rilindësit shfrytëzuan në të mirë të lëvizjes kombëtare edhe gjendjen e vështirë, në të cilën u ndodh Perandoria Osmane në fund të vitit 1885 e në fillim të 1886 si pasojë e bashkimit të Rumelisë Lindore me Bullgarinë, si edhe gjendjen e acaruar të marrëdhënieve turko-greke. Meqenëse qeveria osmane kundërshtonte formimin e organizatave politike, rilindësit kërkuan të themelonin brenda në Shqipëri një shoqëri kulturore. Ndërkaq qeveria turke premtoi se do të lejonte futjen e mësimit të shqipes në shkollat shtetërore. Në fund të vitit 1885 atdhetarët shqiptarë zgjodhën si vend më të përshtatshëm për formimin e një shoqërie të tillë qytetin e Korçës. Në këtë mënyrë do t’i jepej një goditje edhe propagandës helenizuese të qarqeve shoviniste të Athinës dhe klerikëve grekomanë ortodoksë që u shërbenin atyre. Për të ndihmuar atdhetarët brenda vendit Shoqëria “Drita” e Bukureshtit dërgoi në Korçë Thimi Markon, një nga anëtarët më aktivë të kryesisë së saj. Sipas udhëzimeve të Shoqërisë, ai i paraqiti pleqësisë së Mitropolisë, si dhe vetë mitropolitit grek të Korçës, Filotheu, kërkesën e shqiptarëve të mërguar të Bukureshtit për të vënë “gjuhën shqipe nëpër gjithë mësonjëtoret” e qytetit që administroheshin nga silogu grekoman i Korçës. Por shumica e anëtarëve të pleqësisë dhe të silogut të qytetit, të cilët ndodheshin nën ndikimin e mitropolitit grek, e hodhën poshtë këtë kërkesë. Me gjithë kundërshtimin e tyre kërkesa gjeti mjaft përkrahës në radhët e qytetarëve; ajo u mbështet edhe nga disa anëtarë të dhimogjerondisë? së komunitetit të krishterë të qytetit, ndër të cilët më aktiv u tregua Jovan Cico Kosturi. Në lëvizjen për përhapjen e gjuhës shqipe u përfshinë jo vetëm qytetarët ortodoksë të Korçës, por edhe ata myslimanë. Për të drejtuar këtë lëvizje, u krijua brenda në Korçë në muajt e parë të vitit 1886 një Komitet Kombëtar i fshehtë, i përbërë nga Jovan C. Kosturi, Orhan Ç. Pojani e Thimi Markoja. Në fund të vitit 1886, me përmirësimin e gjendjes së jashtme politike të Perandorisë Osmane, u duk qartë se Porta e Lartë nuk kishte ndër mend ta mbante premtimin e dhënë për të futur mësimin e shqipes në shkollat shtetërore dhe as të lejonte krijimin e organizatave kulturore shqiptare. Nga ana tjetër, për t’i vënë njëfarë gardhi politikës antiturke, që zhvillonin me anën e mësimit agjentët grekë, qeveria e Stambollit dha të kuptohej se ajo nuk do t’i pengonte shqiptarët ortodoksë të futnin në shkollat e komuniteteve të tyre mësimin e gjuhës amtare dhe të kishin klubet kulturore shqiptare, duke përjashtuar gjithnjë nga kjo e drejtë shqiptarët myslimanë.
Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës në fillim të vitit 1887 vendosi të ngrinte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa atdhetarët e Korçës e të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisjet, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, Sami Frashëri e Naim Frashëri, sipas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë së Stambollit, shkëputën prej saj lejen në emrin e Pandeli Sotirit për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë. Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo. Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit. Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars 1887, Thimi Markoja i shkruante Visar Dodanit në Bukuresht: “... dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u hap. druri që vumë në dhet këtu e dy vjet sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla... Mendimet tona dhe të luftuarit e faqezinjve grekomanë gjersa mbaruam këtë të shënjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruaj ndë kartë”.
Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ajo ishte një shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare, ku gjithë mësimet jepeshin shqip. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare. Përveç Pandeli Sotirit, që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar, si Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj. Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë atdheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim: “Hapu, hapu errësirë, / Pa jakë tëhu o dritë! / Se arriti koh’ e mirë, / U gdhi nata u bë ditë... / Lumja ti, moj Korç’ o lule! / Q’i le pas shoqet e tua / Si trimi në ball’ u sule, / Ta paçim për jetë hua!”.
Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, me mësues Koço Sotirin (vëllai i Pandeli Sotirit), në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj. Filloi të mësohej shkrimi shqip edhe në mjaft fshatra. Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet, edhe kërkesa të shumta për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj. Në një letër të Thimi Markos, dërguar nga Korça në Bukuresht më 1887 thuhej: “Sot nuk ka vend të Shqipërisë që të mos ndodhen burra shqiptarë, në fyejt e të cilëve të mos lëvrinjë gjak shqiptari dhe të cilët të mos përpiqen për këtë të shenjtëruar punë. Nga të gjitha anët e Shqipërisë marrim karta hiri dhe gëzimi për shkollën që hapmë... Megjithëqë na dërguat afro 600 copë vivlla, u lutemi të na dërgoni edhe të tjera”. Këto suksese e lejuan Komitetin të bënte një hap tjetër: ai formoi në Korçë një shoqëri shqiptare, që u quajt Shoqëria e Mësimit Shqip. Në krye të kësaj Shoqërie u vu Alo Dishnica. Shoqëria kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte veprimtarinë e atdhetarëve shqiptarë në krahina të ndryshme të vendit për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve të nevojshme dhe shtypjen e teksteve shkollore a të ndonjë organi periodik.
Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë. Për vite me radhë punoi në këtë shkollë, si mësues i gjuhës shqipe, atdhetari Mati Logoreci, i cili shfrytëzoi të gjitha mundësitë për të përhapur mësimin e gjuhës shqipe te nxënësit dhe në popullsinë shqiptare të Prizrenit. Futja e shqipes si gjuhë mësimi dhe veprimtaria e mësuesit Mati Logoreci bënë që shkollën e Prizrenit, me gjithë kërcënimet e autoriteteve osmane, ta ndiqnin edhe nxënës myslimanë. Kur u shtua numri i nxënësve, pranë Mati Logorecit filloi të punonte si mësues edhe Lazër Lumezi. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të administruara prej saj, në qytetet e në fshatrat e Shqipërisë së Sipërme dhe të asaj Qendrore. Përveç shkollave të përmendura, në shumë vise të Shqipërisë, si në Elbasan, në Dibër, në Krujë, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në Vlorë, në Përmet, në Skrapar, në Çamëri etj., u çelën dhe funksiononin pranë shtëpive private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla të fshehta shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijëve dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe. Në këto qendra dhe në qytete të tjera të vilajeteve shqiptare, si në Durrës, në Tiranë, në Prizren, në Prishtinë, në Shkup, në Manastir etj., mësuesit shqiptarë atdhedashës, që punonin në shkollat turke, greke etj. të Shqipërisë, u mësonin fshehurazi nxënësve shkrimin shqip.
Por përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe ndeshën në vështirësi të shumta. Valë të furishme kundërshtimi shpërthyen kundër Shoqërisë së Mësimit Shqip dhe Mësonjëtores së Korçës që në ditët e para të themelimit të tyre. Nën nxitjen e mitropolitit të Korçës dhe të Patrikanës së Stambollit, autoritetet osmane filluan të pengonin zgjerimin dhe madje vetë ekzistencën e shkollave shqipe, si dhe veprimtarinë e Shoqërisë së Mësimit Shqip. Propaganda fetare, shpifjet, presionet, frikësimet e shtrëngimet e tjera kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës, qenë mjetet e zakonshme që autoritetet osmane dhe agjentët grekë përdorën në luftën kundër tyre. Në vitin 1890 autoritetet qeveritare ndaluan fëmijët myslimanë që të ndiqnin shkollën shqipe. Nën këtë trysni të dyfishtë përpjekjet për të hapur shkolla të tjera shqipe nuk patën sukses. Për më tepër edhe shkollat e hapura gjatë vitit 1887-1888 u mbyllën njëra pas tjetrës me përjashtim të shkollës së Korçës, e cila me sakrifica të mëdha e në luftë të vazhdueshme me autoritetet klerikale greke dhe me administratën osmane e vijoi veprimtarinë e vet, ndonëse me një numër të kufizuar nxënësish.
Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra edhe vetë drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra rreth vitit 1891 në Stamboll nga agjentët grekomanë. Atdhetarë të tjerë shqiptarë, si Jovan Cico Kosturi, Thimi Marko etj., iu nënshtruan ndjekjeve të pashembullta. Një luftë e ashpër e në forma të ndryshme u bë kundër Alo Dishnicës, i cili qëndronte në krye të Shoqërisë së Mësimit Shqip. Pasi dështuan orvatjet për ta tërhequr në anën e tyre me dekorata e me mjete të tjera, agjentët e Patrikanës bënë kundër tij një varg shpifjesh e ankesash që ua dërguan autoriteteve lokale. Por të gjitha këto nuk dhanë rezultat. Edhe shkolla shqipe e Prizrenit ndeshi në pengesa të shumta dhe në qëndrimin armiqësor të autoriteteve osmane. Përparimin e saj e shihnin me sy të keq edhe shovinistët serbë, sepse ajo vepronte në kundërshtim me planet e tyre për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare të Kosovës nëpërmjet kishës e shkollës serbe. Nën këto trysni edhe vetë konsullata austro-hungareze ndërmori masa të ndryshme kundër saj.
Një ndihmesë tjetër të çmuar për shkollën shqipe dha familja e Qirjazëve dhe veçanërisht Gjerasim D. Qiriazi. Bir i një tregtari shqiptar të vendosur në Manastir, qysh i vogël u edukua prej të atit me dashurinë për atdheun dhe për gjuhën amtare. Duke qenë në shërbim të Shoqërisë Biblike Angleze, në vend të Kostandin Kristoforidhit, ai i kushtoi një vëmendje të veçantë përhapjes së shkrimit të gjuhës shqipe dhe të ndjenjës kombëtare. Qysh në vitin 1888, kur u vendos në Korçë, ai bëri përgatitjet e nevojshme për të çelur një shkollë shqipe për vajza. Këtu erdhi, pasi mbaroi kolegjin në Stamboll, edhe e motra e tij, Sevasti Qiriazi, që, së bashku me të vëllanë, Gjerasimin, iu vunë punës për çeljen e kësaj shkolle. Në këtë vepër ata u ndihmuan edhe nga Naim Frashëri, i cili ndërhyri që t’u jepej iradeja (urdhri) nga qeveria osmane. Më 23 tetor 1891 u çel në Korçë shkolla e parë shqipe për vajza. Në kushtet e ndjekjeve nga qeveria osmane, hapja e saj u bë në saje të pasaportës së huaj që mbante themeluesi i saj Gjerasim Qiriazi. Qysh në vitin e parë numri i nxënëseve u rrit në 27. Më vonë shkolla kishte çdo vit 30-50 nxënëse. Edhe në këtë shkollë mësuan vajza të besimeve të ndryshme. Mësueset e para të saj ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, më vonë edhe Polikseni Luarasi e Parashqevi Qiriazi.
Gjerasim Qiriazi kishte lidhje me Komitetin Kombëtar të Korçës dhe me kolonitë shqiptare jashtë atdheut. Ai u ndihmua veçanërisht nga Shoqëria “Drita” e Bukureshtit. Me gjithë pengesat e shumta të armiqve, shkolla e vajzave mbeti e hapur edhe pas vdekjes së parakohshme të Gjerasim Qiriazit dhe u bë vatër e rëndësishme për përhapjen e arsimit, të kulturës dhe të ndërgjegjes kombëtare. Krahas Korçës, krahinat e Kolonjës e të Vakëfeve u bënë vatra të rëndësishme të përhapjes së arsimit kombëtar. Vepra e nisur nga mësuesi atdhetar Petro Nini Luarasi u zgjerua edhe më shumë në fillim të viteve 90. I ndihmuar nga ish-nxënësit e tij, nga kolonitë e mërgimit, në mënyrë të veçantë nga shoqëria “Drita”, si dhe me përkrahjen e mbrojtjen e popullsisë së këtyre zonave, ai çeli gjashtë shkolla të reja shqipe, në fshatrat Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë e Pishës dhe në Treskë, të cilat filluan të funksiononin që në vjeshtën e vitit 1892. Midis mësuesve të këtyre zonave ishin dhe Nuçi Naçi, Kristo Luarasi, Vasil Thanasi e Balil Tahiri.
Lajmi për hapjen e këtyre shkollave të reja shqipe shkaktoi një kundërveprim të ri të klerikëve të lartë ortodoksë grekë dhe të autoriteteve osmane. Mitropoliti i Kosturit, Fillareti, në bashkëpunim me atë të Korçës, lëshoi kundër Petro Nini Luarasit mallkimin. “Me pikëllim të madh, - thuhet në aktin e mallkimit, - pamë syfaqeza dhe dëgjuam në udhëtimin tënë që bëmë në ato vise se i mallëkuari dhe i çvetëmuari prej Perëndisë, Petro Luarasi ... erdhi rreth e përqark në katundet e ndryshme të kazasë së Kolonjës, duke u zotuar të emërojë mësonjës shqiptarë, gjoja për të mësuar gjuhën shqipe, e cila nuk ekziston...Për këto shkaqe pra... ju porositim të gjithë ju, të vegjël e të mëdhenj, të vobegtë e begatorë, burra e gra, që të mos u jepni besë fjalëve dhe zotimeve të këtyre të mallkuarve femohues, që t’i mbyllni veshët tuaj kundër blasfemivet të tyre...”.
Atdhetarët nuk u sprapsën as nga mallkimet dhe as nga shkishërimet e mitropolitit grek. Por në ndihmë të tij vajtën autoritetet osmane të vilajetit të Manastirit, të cilët dërguan në vend shefin e policisë së vilajetit. Në këto rrethana, shkollat shqipe të Kolonjës u mbyllën njëra pas tjetrës. E fundit u mbyll shkolla e Luarasit, në vitin 1896. Megjithëkëtë, Petro Nini Luarasi dhe shokët e tij e vijuan veprimtarinë e tyre për të përhapur shkrimin shqip në forma ilegale. Duke vlerësuar nevojën e madhe për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe që po hapeshin në atdhe, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit filloi përgatitjet për të çelur në Bukuresht një shkollë normale. Sipas vendimit të Komitetit drejtues të kësaj shoqërie Shkolla Normale Shqipe e Bukureshtit u çel më 10 maj 1892. Drejtor i kësaj shkolle ishte Nikolla Naço, kryetar i Shoqërisë “Drita”. Shkolla pati edhe konviktin e saj për nxënësit që do të vinin nga Shqipëria. Në nenin 2 të rregullores së Shkollës thuhej se ajo fillimisht do të kishte “të paktën 15 nxënës”, të cilët do të ushqehen dhe do të vishen me të prishurat e Shoqërisë “Drita”. Në nenin 4 parashikohej që “Në këtë mësonjëtore të përgatiten mësonjëtorë shqiptarë”, pa dallim feje, kurse neni 5 përmbante planin mësimor të shkollës, që përfshinte 11 lëndë, si gjuhën shqipe, turke e rumune, histori e gjeografi të përgjithshme, veçanërisht të Perandorisë Osmane, pedagogji, matematikë, dituri natyre, muzikë, gjimnastikë, mësim feje, një gjuhë të huaj, e cila të ishte më e folur e më e njohur në botë etj.
Meqenëse Shkolla Normale kishte edhe konvikt, ishin vënë në dijeni të gjitha qendrat ku jetonin shqiptarë, veçanërisht ato të trojeve shqiptare, si dhe të diasporës, prej nga mund të vinin nxënës për të ndjekur këtë shkollë. Në rregullore ishte parashikuar që mësuesit e përgatitur në këtë shkollë të dërgoheshin për të hapur shkolla shqipe kudo ku kishte shqiptarë. Shoqëria “Drita” kishte detyrë t’i mbronte ata si gjënë “më të shtrenjtë të kombit, nga çdo e keqe” dhe t’i mbante me shpenzimet e saj. Në rast se mësuesve u ndodhte ndonjë rrezik, Shoqëria merrte përsipër të ndihmonte familjet e tyre “sa të rrojnë”. Mësuesit kishin si detyrë të punonin ku t’i dërgonte Shoqëria, për të forcuar te nxënësit “shpirtin e mendjen me mësime e të tjera”. Fondet për Shkollën Normale të Bukureshtit siguroheshin nga ndihma që jepnin anëtarët e Shoqërisë “Drita”, nga disa punë publike që ndërmerrte Shoqëria dhe vetë Nikolla Naçoja, nga organizimi i llotarive, i koncerteve muzikore dhe i fondeve të tjera. Po kështu një ndihmë për këtë shkollë u sigurua edhe nga Ministria rumune e Kulturës. Në këtë shkollë mësuan një numër të rinjsh shqiptarë, si Kristo Luarasi, Jashar Erebara, Mihal Grameno, Asdreni etj. Por, në përgjithësi kjo shkollë pati një veprimtari të kufizuar. Sapo mësuan për çeljen e saj, autoritetet osmane morën masa për të penguar ardhjen e nxënësve shqiptarë në këtë shkollë. Pas disa vjetësh Shkolla Normale e Bukureshtit u mbyll. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:56 am | |
| K R E U VII
NGRITJA E LËVIZJES KOMBËTARE NË VITET 1896-1900. LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS (1899-1900)
1. LËVIZJA AUTONOMISTE NË VITET 1896-1897
Shqipëria dhe çështja maqedone
Lëvizja kombëtare u zhvillua në këtë periudhë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare, kur si pasojë e ashpërsimit të çështjes maqedone në mesin e viteve 90, u shtuan ndërhyrjet e shteteve fqinje ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane. Ngjarjet që u zhvilluan këtu në vitet 1894-1896 treguan se përveç çështjes shqiptare, që ishte shtruar për zgjidhje nga koha e Krizës Lindore të viteve 1876-1881 dhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lindi edhe ajo maqedone, përmbajtjen themelore të së cilës e përbënte lufta e popullsisë sllave-maqedone për çlirimin nga zgjedha osmane.
Qarqet monarkiste të Sofjes, të Beogradit dhe të Athinës ndërhynë në çështjen maqedone, jo aq për të çliruar popullsitë sllavo-maqedone, serbe e greke të Turqisë Evropiane, sesa për të përmbushur aspiratat e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare e maqedone, që kishin një pozitë të rëndësishme strategjike, kontrollonin rrugët nga Danubi drejt detit Egje dhe nga Adriatiku, nëpër Via Egnacia, për në Egje e në Lindje. Ato shfrytëzuan faktin se Maqedonia nuk ekzistonte si njësi e veçantë administrative-territoriale e Perandorisë Osmane dhe nuk banohej nga një masë e vetme etnike-kombëtare. I ringjallur në shek. XIX, emri Maqedoni kishte ardhur nga antikiteti (shek. IV para erës së re), kur u themelua e lulëzoi shteti maqedon, i cili arriti kulmin e vet nën Aleksandrin e Madh. Në shekujt e mesjetës dhe në periudhën e sundimit osman ky emër përdorej vetëm për shkak të traditës historike, si një term gjeografik. Në shek. XIX, territoret e Maqedonisë së kohës antike, sipas ndarjes administrative të vendosur në Perandorinë Osmane, përfshinin vilajetin e Selanikut dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit. Megjithatë, edhe në këto territore banonin popullsi të ndryshme.
Qarqet qeveritare të Bullgarisë, të Serbisë e të Greqisë, duke iu referuar të ashtuquajturave argumente historike dhe të dhënave etnike të falsifikuara, u përpoqën t’i jepnin Maqedonisë një shtrirje më të gjerë duke përfshirë në kufijtë e saj, përveç vilajetit të Selanikut, gjithë sanxhakët e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës. Mirëpo, në dy vilajetet e fundit shumicën dërrmuese të popullsisë e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave zyrtare osmane të viteve 1896-1900, në vilajetin e Kosovës popullsia shqiptare, myslimane e katolike, edhe pse nuk ishte e regjistruar plotësisht, arrinte në 600 000 frymë (kundrejt 161 000 serbëve, 220 000 sllavo-maqedonëve, 79 000 turqve etj.) dhe përbënte rreth 60 % të popullsisë së përgjithshme prej 1 060 000 banorësh. Me përjashtim të sanxhakut të Shkupit, në të cilin ishin në pakicë, shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë në sanxhakët e Prishtinës, të Prizrenit e të Pejës dhe ishin në një numër të barabartë me sllavët në sanxhakët e Pazarit të Ri e të Tashllixhesë. Në vilajetin e Manastirit (pa sanxhakun e Selfixhesë, që iu bashkëngjit këtij në vitet 90, si një njësi e veçantë), sipas statistikave osmane, popullsia shqiptare, myslimane e ortodokse, arrinte në 460 000 frymë (kundrejt 214 000 sllavo-maqedonëve, 40 000 grekëve e vllehëve e 8 000 pomakëve) dhe përbënte 64% të popullsisë së përgjithshme prej 722 000 frymësh. Në sanxhakun e Manastirit shqiptarët myslimanë e ortodoksë përbënin rreth 42% të popullsisë duke qenë shumë afër me sllavo-maqedonët, të cilët bashkë me pomakët, zinin 51 për qind të popullsisë.
Ndërsa në tre sanxhakët e tjerë të vilajetit të Manastirit, në ata të Dibrës, të Korçës e të Elbasanit, shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë. Popullsitë joshqiptare (serbe dhe në një masë më të madhe ajo sllavo-maqedone) ishin vendosur në disa vise e sidomos në ato periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa në vilajetin e Selanikut, përveç popullsisë sllavo-maqedone që përbënte shumicën, kishte edhe popullsi greke, vllahe, turke dhe pakica të tjera. Në rrethana të tilla ndërhyrja e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në çështjen maqedone prekte drejtpërdrejt interesat kombëtarë të popullit shqiptar dhe cenonte tërësinë e trojeve të tij. Një veprimtari të gjerë në të ashtuquajturën Maqedoni ndërmorën qarqet drejtuese të Bullgarisë, të cilat u orvatën të vënë nën kontrollin e tyre luftën e drejtë çlirimtare që popullsia sllavo-maqedone, e udhëhequr nga Organizata e Brendshme Revolucionare e Maqedonisë (e themeluar në vitet 1893-1894), zhvillonte kundër pushtuesve osmanë. Ato përpiqeshin t’ua nënshtronin këtë lëvizje synimeve ekspansioniste të Mbretërisë Bullgare, për të krijuar një Bullgari të Madhe, me kufijtë e caktuar nga Traktati i Shën-Stefanit i vitit 1878. Këtij qëllimi i shërbente edhe kërkesa që qeveria bullgare, duke filluar nga viti 1894, u parashtroi Fuqive të Mëdha për formimin e një “Maqedonie autonome”, ku të përfshiheshin edhe viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës, e cila shihej si një fazë kalimtare për aneksimin e territoreve të saj nga Bullgaria.
Të njëjtat aspirata pushtuese vijuan të ushqenin edhe qarqet sunduese të Serbisë e të Greqisë, që lakmonin gjithashtu të pushtonin gjithë Shqipërinë e Maqedoninë. Në Serbi kishte shpërthyer me një forcë të re propaganda serbomadhe e ushqyer nga qarqet drejtuese dhe po punohej me të gjitha mjetet për të zbatuar programin e “Naçertanies”, të rimëkëmbjes së Perandorisë së Stefan Dushanit, ku të përfshihej, në fillim vilajeti i Kosovës dhe më pas gjithë Shqipëria. Edhe në Greqi qarqet politike dhe një varg organizatash shoviniste (“Shoqëria Kombëtare”, “Helenizmi” etj.), të krijuara në mesin e viteve 90, vijuan veprimtarinë e tyre për të përgatitur pushtimin e territoreve shqiptare e maqedone.
Rivaliteti ndërmjet Bullgarisë, Greqisë e Serbisë u shfaq në fillim me grindjen kishtare, që shpërtheu me forcë gjatë viteve 1894-1896, midis Patrikanës greke të Stambollit, e cila përpiqej të ruante të drejtën tradicionale për të pasur në varësi ortodoksët e Perandorisë Osmane, Ekzarkatit bullgar, që ishte shkëputur prej saj qysh më 1870, dhe kishës serbe. Në vitin 1895 qeveria e Sofjes kërkoi nga Stambolli emërimin e pesë peshkopëve bullgarë në viset shqiptare e maqedone. Kjo kërkesë u hodh poshtë atëherë nga kryeministri turk Said Pasha. Në vitin 1896 Serbia shkëputi nga Porta e Lartë urdhëresën për emërimin e një mitropoliti serb në Prizren, për të cilin po punonte prej kohësh, ndërsa në janar të vitit 1897 Stambolli caktoi një administrator serb në dioqezën e Shkupit, që Beogradi synonte ta vinte nën kontrollin e kishës së vet. Rritja e ndikimit të kishave bullgare e serbe në viset shqiptare, çelja më 1890 e një shkolle bullgare në Korçë, si edhe orvatjet e reja për t’i futur dioqezat e krahinave lindore shqiptare nën varësinë e Ekzarkatit dhe ato të Kosovës nën varësinë e kishës serbe dhe për t’i paraqitur ato si sllave, i shtyu atdhetarët shqiptarë që, krahas qëndresës kundër Patrikanës greke të Stambollit, që punonte prej kohësh për të asimiluar të krishterët shqiptarë, të luftonin edhe kundër ekspansionit bullgar e serb e të kishave të tyre.
Në këto rrethana, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare u hodh përsëri ideja e shfaqur prej kohësh për të krijuar një kishë shqiptare të pavarur nga Patrikana e Stambollit si një nga mjetet që do t’i jepte fund ndikimit që qarqet shoviniste fqinje ushtronin mbi popullsinë ortodokse shqiptare me anë të kishës së tyre dhe do t’u hiqte mundësinë për ta përdorur atë dhe klerin e lartë ortodoks si një mjet politik për të përmbushur lakmitë e tyre pushtuese ndaj territoreve shqiptare. Atdhetarët shqiptarë të Rumanisë protestuan disa herë me anë të peticioneve që i dërguan Patrikanës kundër politikës asimiluese të kishës së huaj e të asaj greke patriarkiste në veçanti. Po kështu, më 1894 iu dërgua sulltanit një memorandum nga Shqipëria në emër të treqind fshatrave shqiptare të disa krahinave të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ku parashtrohej ankesa ndaj Portës së Lartë, që u jepte mundësi bullgarëve, serbëve dhe grekëve të ngrinin në viset shqiptare, si në Dibër, në Prizren, në Prishtinë e gjetkë, shkolla, peshkopata e seminare në gjuhët e tyre. Në këtë memorandum kërkohej gjithashtu leje për hapjen e shkollave shqipe në këto vise. Autoritetet turke jo vetëm që nuk i morën parasysh këto kërkesa, por përkundrazi i internuan nismëtarët e memorandumit.
Qarqet drejtuese të shteteve fqinje ngritën gjithashtu komitetet e tyre, që merreshin me organizimin dhe dërgimin e bandave të armatosura në viset maqedone e shqiptare. Në pranverën e vitit 1895 komitetet bullgare hodhën bandat e armatosura, të komanduara nga oficerë bullgarë, në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës. Nga mesi i viteve 90 edhe Serbia, duke ndjekur shembullin e Bullgarisë, filloi të hedhë bandat e saj në territoret periferike të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, ndërsa bandat greke, të përbëra nga ushtarë e oficerë grekë, në verën e vitit 1896, vepronin në viset e Maqedonisë e të Shqipërisë, deri në rrethet e Prespës, të Peristerit etj. Organizatat nacionaliste bullgaro-maqedone dhe ato greke me bandat e tyre sulmonin popullsinë e fshatrave krishtere shqiptare e maqedone për ta detyruar atë të braktiste kombësinë e vet dhe, sipas përkatësisë fetare, të shpallej bullgare ose greke. Përveç kësaj, gjatë viteve 1896-1897 bandat e armatosura bullgare, serbe e greke zhvilluan në qendra të ndryshme të vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës përleshje të armatosura jo vetëm kundër forcave ushtarake osmane, por edhe kundër njëra-tjetrës, duke tërhequr në këtë luftë edhe kombësitë e ndryshme të këtyre vilajeteve.
Edhe qëndrimi që Fuqitë e Mëdha mbanin ndaj çështjes shqiptare, nuk ndihmonte në zgjidhjen e saj. Politika e tyre ndaj Shqipërisë përcaktohej nga interesat e tyre ekonomike e politike në këtë zonë dhe nga pozita gjeostrategjike e territoreve shqiptare, përmes të cilave kalonin rrugët tregtare, si edhe ato të një ekspansioni të mundshëm të këtyre fuqive drejt lindjes, në thellësi të Ballkanit e drejt jugut për në Selanik, në detin Egje, në Mesdhe e në Afrikë. Ndërkaq, Shtetet e Mëdha evropiane, sidomos Rusia, Austro-Hungaria e Italia, sado që aspironin të vendosnin kontrollin mbi zotërimet ballkanike të Perandorisë Osmane e në mënyrë të veçantë mbi Shqipërinë, për një kohë të gjatë u detyruan të ndiqnin politikën e ruajtjes së status quo-së së Perandorisë Osmane. Kjo politikë shihej si një mjet që do të ruante, qoftë edhe përkohësisht “ekuilibrin” ndërmjet tyre në luftën për ndikimin në Lindjen e Afërme dhe në veçanti në zotërimet evropiane të Turqisë.
Megjithatë, Anglia, duke dashur ta largonte Rusinë nga çështjet e Lindjes së Largme dhe të fuste shtetet evropiane në luftë me njëri-tjetrin për “trashëgimin osman”, që nga viti 1895 disa herë i propozoi Gjermanisë e më vonë Rusisë, që ta ndanin Perandorinë Osmane, e cila, sipas shprehjes së kryeministrit të atëhershëm anglez Salsbori, “ishte e pafuqishme për të jetuar”. Anglia propozonte me këtë rast që “Italinë ta kënaqte në Tripoli dhe në Shqipëri”. Gjermania kundërshtoi atëherë çdo projekt për copëtimin e Perandorisë Osmane dhe këmbënguli të ruhej status quo-ja. Me këtë qëndrim Berlini kërkonte të shmangte një përleshje të Gjermanisë ose edhe të aleatit të saj Austro-Hungarisë me Rusinë dhe ta hidhte këtë të fundit në luftë me Anglinë në Lindjen e Largme.
Rusia, e angazhuar në Lindjen e Largme, ndonëse nuk kishte hequr dorë nga pretendimet e saj të vjetra mbi Stambollin e Ngushticat, nuk pranoi të kthehej në këtë kohë në çështjet e Lindjes së Afërme, prandaj, preferoi që përkohësisht të ruhej status quo-ja në Perandorinë Osmane. Rusia u gjend atëherë në një pozitë kontradiktore: nga njëra anë kundërshtonte të gjitha propozimet e Anglisë për ndarjen e “trashëgimit osman”, ndërsa nga ana tjetër, ashtu si më parë, Rusia përkrahte synimet e shteteve sllave të Ballkanit për t’u zgjeruar në Turqinë Evropiane dhe për të pushtuar territoret shqiptare.
Austro-Hungaria, nga ana e saj, kërkonte të shtinte në dorë një pjesë të mirë të territoreve ballkanike të Perandorisë Osmane, duke përfshirë edhe vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit dhe të dilte në Selanik. Por kjo nuk mund të arrihej pa përleshje me Rusinë, me të cilën do të bashkoheshin edhe shtetet sllave të Ballkanit dhe do të përfundonte me forcimin e pozitave të Rusisë në Turqinë Evropiane. Në këto rrethana Austro-Hungaria, duke qenë edhe nën trysninë e Gjermanisë, që nuk donte konflikte në Lindjen e Afërme, ndoqi politikën e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane. Ndërkaq, Vjena përpiqej që të siguronte epërsinë ekonomike e politike në Shqipëri e në Maqedoni dhe, “kur të vdiste i sëmuri i Bosforit, që ndodhej në shtratin e vdekjes”, të vendoste kontrollin mbi to. Austro-Hungaria shfrytëzonte për të forcuar pozitat e saj në Shqipëri edhe të drejtën e protektoratit fetar mbi klerin katolik e katolikët e Perandorisë Osmane, të siguruar prej kohësh. Nga 240 institucione kishtare katolike, që Vjena mbante nën drejtimin e saj në Perandorinë Osmane, 220 ishin ngritur në Shqipëri.
Italia, e cila, njëlloj si Austro-Hungaria, punonte për t’u zgjeruar drejt bregdetit shqiptar të Adriatikut e të Jonit, që zinin një pozitë kyçe në kanalin e Otrantos dhe për depërtimin në brendi të Ballkanit, preferoi të respektonte në atë kohë status quo-në në Perandorinë Osmane e në Shqipëri. Politika e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane, ashtu si Fuqitë e tjera të Mëdha, edhe Austro-Hungarinë e detyronte të kundërshtonte çdo lëvizje politike autonomiste dhe të armatosur të popullit shqiptar, e cila, bashkë me çlirimin e tij, do të sillte fundin e sundimit osman në Ballkan. Megjithatë, Vjena nxiste dhe përkrahte zhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe përpjekjet që bëheshin për zgjimin e tyre kombëtar. Në të njëjtën kohë ajo shfrytëzonte politikën pushtuese të shteteve sllave të Ballkanit ndaj Shqipërisë dhe rrezikun që përfaqësonte ajo për të ardhmen e saj, për të krijuar te shqiptarët bindjen se e vetmja rrugë shpëtimi ishte protektorati austro-hungarez mbi territoret shqiptare.
Shtetet evropiane, sidomos Austro-Hungaria, Italia e Franca, kishin ngritur në qytetet e vilajeteve shqiptare konsullatat dhe agjencitë tregtare, që u shërbenin jo vetëm marrëdhënieve me këto treva, por edhe synimeve politike të qeverive të tyre në Shqipëri. Lakmitë pushtuese të qeverive ballkanike, të nxitura edhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, si edhe rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare i dhanë një shtytje luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:56 am | |
| Kërkesat për autonominë e Shqipërisë (1896)
Qeveria turke nuk ishte në gjendje as të zgjidhte çështjen maqedone, as të ndalonte ndërhyrjet e shteteve fqinje e të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane. Nën presionin e tyre dhe me shpresën që të dilte nga gjendja e vështirë, sulltan Abdyl Hamiti shpalli, më 22 prill 1896, dekretin “Mbi reformat në vilajetet e Rumelisë”, që përfshinte masa të tilla, me të cilat Porta e Lartë mendonte të siguronte “barazinë” e të krishterëve me myslimanët, si emërimi në vilajetet e Edrenesë, të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës i ndihmësvalinjve të krishterë (maqedonë, serbë ose grekë) dhe futja e përfaqësuesve të tyre në këshillat administrativë (mexhliset) e këtyre vilajeteve, plotësimi i policisë dhe i xhandarmërisë me të krishterë të po këtyre kombësive, që do të përbënin 10 për qind të efektivit të tyre etj.
Për zbatimin e këtyre masave sulltani dërgoi në vilajetet e Selanikut e të Manastirit një komision të veçantë, të kryesuar nga Haki Beu. Në vilajetin e Kosovës u ngarkua me këtë detyrë vetë valiu, Hafiz Mehmet pasha. Megjithatë, ato nuk bënë efektin që priste Porta e Lartë as mbi bullgarët, serbët e grekët, as edhe mbi Fuqitë e Mëdha, që vijuan veprimtarinë e tyre politike në Turqinë Evropiane. Meqë nuk zgjidhën asnjë nga problemet politike, ekonomike e shoqërore të popujve të shtypur të Turqisë Evropiane, reformat nuk arritën të parandalonin lëvizjen e tyre çlirimtare.
Shpallja nga sulltani e reformave të prillit vuri në lëvizje tërë klasat dhe forcat politike të shoqërisë shqiptare. Pavarësisht nga dallimet që kishin në pikëpamjet dhe në qëndrimet e tyre ndaj sunduesve osmanë, përfaqësuesit e shtresave të ndryshme të popullsisë shqiptare e pritën me shqetësim e me pakënaqësi dekretin e reformave. Shqiptarët e dinin se përfshirja e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në zonën e reformave do të çonte në shkëputjen e tyre nga dy vilajetet e tjera shqiptare (i Shkodrës dhe i Janinës) dhe në pranimin e tyre zyrtar si toka sllavo-maqedone. Ky rrezik ishte real në kushtet kur qarqet shoviniste bullgare kërkonin të futnin në kufijtë e Bullgarisë ose të Maqedonisë “autonome”, të projektuar prej tyre, në perëndim të vilajetit të Manastirit viset shqiptare deri në Boboshticë e në Drenovë (afër Korçës) dhe në veriperëndim Dibrën së bashku me një pjesë të Kosovës deri në Kumanovë.
Shqiptarët kundërshtuan përfshirjen e viseve të tyre në zonën e reformave maqedone dhe njëherazi kërkuan nga qeveria e sulltanit reforma të veçanta për tërë vilajetet shqiptare. Për shkak të qëndresës së popullsisë shqiptare të vilajeteve të Manastirit, Komisioni i reformave, i kryesuar nga Haki Beu, që mbërriti këtu në maj të vitit 1896, qëndroi vetëm tri javë, u detyrua të largohej menjëherë nga kazaja e Kërçovës dhe nuk guxoi të shkojë në sanxhakët e Elbasanit e të Dibrës, që u kthyen në vatra të qëndresës kundër reformave. Propagandë të dendur për përhapjen e ideve kombëtare dhe për qëndresën ndaj reformave osmane zhvillonin atëherë në vilajetin e Manastirit dhe sidomos në Shqipërinë e Mesme, në Dibër, në Ohër, në Strugë, në Elbasan, në Tiranë, në Krujë dhe në qendra të tjera, atdhetarët Hamdi Ohri e Dervish Hima (Ibrahim Naxhi).
Në vilajetin e Kosovës urdhri për zbatimin e reformave u dha me vonesë, në nëntor të vitit 1896, por ndeshi kudo (në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup etj.) në kundërshtimin e popullsisë shqiptare, e cila kërkoi gjithashtu reforma të veçanta për Shqipërinë, që do t’i siguronin asaj autonominë. Në organizimin e kësaj qëndrese, që në shumë qendra mori formën e luftës së armatosur, u shqua atdhetari kosovar Haxhi Zeka. Qëndresa ndaj reformave u shtri në verën e vitit 1896 edhe në vilajetin e Shkodrës dhe në atë të Janinës, në Shqipërinë e Jugut.
Përgjithësisht, përpjekjet e Portës së Lartë për zbatimin e reformave në vilajetet e Rumelisë dhe sidomos në ato shqiptare dështuan plotësisht. Në këto rrethana, kur lindi përsëri rreziku i copëtimit dhe i aneksimit të tokave shqiptare, atdhetarët rilindës nëpërmjet peticioneve, protestave e memorandumeve, që iu paraqitën në vitin 1896 Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha, shtruan një varg kërkesash, që do të çonin në njohjen zyrtare të kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij për mësimin e përdorimin e lirë të gjuhës amtare. Përfaqësuesit më të ngritur të lëvizjes parashtruan kërkesa më të përparuara, siç ishte ajo e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë, të cilën e quanin si zgjidhjen më të drejtë të çështjes shqiptare në ato kushte. Në maj të vitit 1896, kur Komisioni i Inspektimit (i Reformave) të Rumelisë ndodhej në vilajetin e Manastirit, një grup atdhetarësh i dorëzoi kryetarit të tij, Haki Beut, një promemorje, e cila ishte hartuar nga Dervish Hima dhe mbante nënshkrimin “Një dashamirës i atdheut”.
Në hyrje të saj përshkruhej me shprehje shumë të rrepta dhe me një qartësi të veçantë gjendja e rëndë e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane, dhunimet që ushtronin “nëpunësit e pandershëm që merrnin ryshfete, taksa të jashtëligjshme dhe bënin lloj-lloj veprimesh arbitrare mbi popullin…”. “Të flasim shkurt, - thuhej në këtë dokument, - … qeveria e jonë na shtyp, na pi gjakun dhe pak nga pak po na shkatërron”. Atdhetarët shqiptarë e vinin theksin gjithashtu te rreziku i jashtëm që kërcënonte Shqipërinë, për shkak të lakmive pushtuese të Bullgarisë, të Serbisë e të Greqisë dhe të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha.
Në këtë dokument, atdhetarët shqiptarë i parashtronin Portës së Lartë e sulltanit, të cilët i quanin përgjegjës për këtë gjendje të vendit, një varg kërkesash politike-kulturore, që i vlerësonin si tepër të ngutshme e të domosdoshme për parandalimin e rrezikut të jashtëm dhe për afirmimin kombëtar të shqiptarëve, siç ishin: ndalimi i propagandave dhe i shkollave të huaja në Shqipëri; dëbimi i mësuesve të huaj dhe zëvendësimi i tyre me mësues shqiptarë, myslimanë e të krishterë; zhvillimi i arsimit në gjuhën amtare, duke çelur shkolla shqipe, që do të ndihmonin në konsolidimin e kombit shqiptar, do të mbronin vetëqenien e tij, do të çrrënjosnin ndikimet e huaja dhe do të çonin në njohjen e kombësisë shqiptare nga Porta e Lartë e nga shtetet e huaja. Promemorja e majit të vitit 1896 zë vend të rëndësishëm në mendimin politik të Rilindjes, si për kërkesat kombëtare që përmbante, ashtu edhe për faktin se ajo kishte dalë nga pena e atdhetarëve shqiptarë, që vepronin e jetonin brenda vendit dhe shprehte pikëpamjet e tyre.
Në korrik të vitit 1896 iu dërgua kryeministrit turk dhe nëpërmjet tij sulltanit një memorandum nga një komitet i reformës shqiptare jashtë atdheut (në Bukuresht), në emër të banorëve të krishterë e myslimanë të Ballkanit e të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë me porosi të delegatëve e të krerëve të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës. Memorandumi, që mbante nënshkrimin “Në emër të popullit shqiptar” dhe që ishte shkruar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja, atdhetar nga Struga (në atë kohë i arratisur nga Stambolli dhe i vendosur në koloninë shqiptare të Rumanisë), iu dërgua Portës së Lartë me nismën e tij, të Nikolla Naços e të Faik Konicës. Pasi shprehej në këtë memorandum protesta kundër propagandave të huaja, të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi, që synonin të asimilonin dhe të shkombëtarizonin popullsinë shqiptare, kërkohej që qeveria osmane t’i njihte shqiptarët, myslimanë e të krishterë, si një komb më vete dhe që përkatësia fetare të mos përzihej me atë kombëtare.
Memorandumi i korrikut të vitit 1896 nuk shtroi drejtpërsëdrejti çështjen e autonomisë së Shqipërisë, por duke u kufizuar me nevojën e zbatimit në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës të Ligjit organik, të parashikuar në nenin 23 të vendimeve të Kongresit të Berlinit, kërkoi këto reforma: lirimin e gjithë shqiptarëve të burgosur e të internuar për arësye politike; ndalimin e propagandës shkollore-kishtare greke e sllave në Shqipëri; çeljen e shkollave kombëtare shqipe; themelimin e kishës shqiptare dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishat greke e sllave.
Zbatimi i këtyre masave, që diktoheshin më shumë nga rreziku i jashtëm, do të çonte në njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, të përkatësisë etnike shqiptare të vilajeteve të banuara nga shqiptarët, në vendosjen e një administrate vendase dhe do të shënonte kështu një hap të rëndësishëm drejt sendërtimit të programit të autonomisë dhe të sigurimit të tërësinë së trojeve shqiptare. Po në vitin 1896 iu dërgua Fuqive të Mëdha një memorandum tjetër, me titull “Peticion për të kërkuar mbështetjen dhe mbrojtjen e qeverive të Fuqive të Mëdha”, i hartuar në frëngjisht, me nënshkrimin “Në emër të popullit shqiptar”. Një kopje e tij i është dërguar qeverisë angleze më 18 shtator 1896 nga Shoqëria “Dëshirë” e Sofjes. Megjithatë, variant i parë i tij ka dalë nga kolonia shqiptare e Rumanisë dhe është hartuar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja. Meqë ky peticion nuk i është dërguar vetëm Anglisë, por edhe qeverive të Fuqive të tjera të Mëdha, ka shumë mundësi që këtyre t’u jetë çuar nga Bukureshti, ku kishte edhe prejardhjen e tij.
Në peticion kërkohej mbështetja e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e çështjes shqiptare duke zbatuar një varg reformash radikale, të cilat do të çonin në formimin e një njësie shtetërore autonome shqiptare. Përmbajtjen themelore të këtij dokumenti e përbënte kërkesa e bashkimit të vilajeteve (të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës) në një vilajet të vetëm, me kryeqendër Manastirin, me një guvernator (vali) shqiptar në krye, me një administratë të veçantë të përbërë nga funksionarë shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Aty përcaktohej gjithashtu struktura organizative e vilajetit të bashkuar shqiptar: në kryeqendrën e tij, pranë guvernatorit të përgjithshëm, do të funksiononte një Këshill i Pleqve, i përbërë prej 24 anëtarësh (nga 6 për çdo vilajet), që do të ishin nga njerëzit më të aftë, myslimanë e të krishterë, sipas përbërjes së popullsisë së sanxhakëve dhe të kazave. Në memorandum kërkohej gjithashtu hapja e shkollave në qytetet dhe në fshatrat e Shqipërisë, ku krahas me shqipen do të mësohej edhe turqishtja, e cila njihej si gjuhë zyrtare. Kombësive të tjera, që banonin në vilajetet shqiptare, u njihej e drejta e shkollimit në gjuhën e tyre amtare. Shërbimi ushtarak do të ishte i përgjithshëm për myslimanët e të krishterët dhe do të kryej në Evropë, për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Në peticion kërkohej gjithashtu që konsujt e Fuqive të Mëdha, të cilët ndodheshin në Manastir, të ngarkoheshin për të kontrolluar vendimet e Këshillit të Pleqve, derisa të përmbusheshin reformat e parashikuara.
Në vjeshtën e vitit 1896, në Shqipëri e sidomos në qendrat e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, që kërcënoheshin më shumë nga rreziku i copëtimit për shkak të reformave osmane, u bënë përpjekje për një qëndresë të organizuar e të përbashkët kundër ndërhyrjeve të shteteve fqinje dhe Portës së Lartë. Kjo do të arrihej duke themeluar një lidhje të re shqiptare, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) do të merrte përsipër këtë detyrë. Nën drejtimin e udhëheqësit të lëvizjes kombëtare në Kosovë, Haxhi Zekës, që u vu në krye të këtyre përpjekjeve, në fundin e tetorit të vitit 1896 u mbajtën në Prishtinë njëra pas tjetrës dy mbledhje të përfaqësuesve të popullsisë shqiptare, ku u diskutuan kërkesa e autonomisë, e vetëqeverisjes së vendit dhe nevoja e organizimit dhe e armatosjes së popullit për mbrojtjen e atdheut nga rreziku i jashtëm. Për blerjen e armëve u vendos një kontribut në masën 10% të të ardhurave të çdo shqiptari, që filloi të vilej menjëherë. Në fundin e tetorit e në fillim të nëntorit u zhvilluan bisedime për bashkimin e shqiptarëve në një lidhje të re në Prishtinë, në Pejë, në Dibër, në Elbasan dhe në qendra të tjera.
Gjatë këtyre takimeve shqiptarët e Shkupit, të Prizrenit, të Pejës, të Dibrës e të të gjitha viseve të Veriut shtruan edhe kërkesën e autonomisë, duke shpresuar se edhe sulltani nuk do ta kundërshtonte atë, se ai do të pranonte ta bënte Shqipërinë një principatë autonome. Në fundin e tetorit përfaqësuesit e popullsisë së Kosovës, të mbledhur në Prishtinë, kërkuan haptazi nga sulltani që t’i jepte Shqipërisë vetëqeverisjen, të vinte në krye të saj një princ të pavarur dhe ajo të kishte të drejtë t’i mbante vetë të ardhurat nga viset shqiptare, duke i dhënë një pjesë Stambollit. Edhe atdhetarët dibranë kërkuan, në nëntor të vitit 1896, që të formohej një vilajet i bashkuar shqiptar, i cili do të përbënte bërthamën e shtetit autonom kombëtar.
Në kushtet kur Porta e Lartë kundërshtonte çdo reformë, që mund të cenonte sundimin e saj në Shqipëri e në Ballkan, ndërsa Fuqitë e Mëdha këmbëngulnin për ruajtjen e status quo-së së Perandorisë Osmane, kërkesa e autonomisë së Shqipërisë, që u parashtrua nga përfaqësuesit e popullsisë shqiptare brenda vendit dhe nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si edhe përpjekjet për të formuar një lidhje të re nuk dhanë rezultat. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:57 am | |
| Çështja shqiptare gjatë Krizës Lindore të vitit 1897
Në pranverën e vitit 1897, si pasojë e shpërthimit të luftës greko-turke për çështjen e Kretës, gjendja politike në Shqipëri u acarua edhe më shumë. Krahas rrezikut që i kërcënohej pjesës jugore të Shqipërisë nga forcat greke, lindi edhe ai i ndërhyrjes së shteteve të tjera të Ballkanit (të Serbisë e të Bullgarisë) që cenonte tërësinë territoriale të trevave veriore e verilindore të Shqipërisë. Përqendrimi i trupave greke në kufijtë e Thesalisë e të vilajetit të Janinës dhe rreziku i copëtimit të tokave shqiptare në rast se fitonte Greqia, e largoi për një kohë vëmendjen e atdhetarëve shqiptarë nga lufta kundër sunduesve osmanë dhe e drejtoi atë nga Athina. Megjithatë, derisa trupat greke luftonin për Kretën dhe nuk kishin filluar ende veprimet ushtarake në Shqipërinë e Jugut, në vilajetin e Janinës, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare dhe shumica e parisë shqiptare nuk pranuan t’i jepnin Turqisë ushtarë dhe i kumtuan Portës së Lartë se do t'i ruanin forcat e tyre për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë.
Pas ndërmarrjes pa sukses për të pushtuar Kretën në mesin e shkurtit të vitit 1897, Greqia e shtriu luftën në Thesali dhe në vilajetin e Janinës, ku sulmoi forcat turke më 12 prill të vitit 1897. Kjo rrethanë i dha mundësi sulltanit që luftën kundër Greqisë ta paraqiste si luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Ndërkaq, edhe atdhetarët shqiptarë, udhëheqës të lëvizjes kombëtare, përballë rrezikut të pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, u detyruan të ndryshonin qëndrimin dhe ta përballonin me forcat e tyre agresionin grek. Gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit e përcaktoi këtë qëndrim të atdhetarëve shqiptarë me këto fjalë: “Në fillim të luftës greko-turke, kur grekët luftonin për Kretën, për ta bashkuar ose për autonominë e saj, shqiptarët, të krishterë e myslimanë, simpatizuan luftën e grekëve dhe deklaruan se nuk i japin (Turqisë - shën. i aut.) ushtarë për luftën. Por, kur panë se Greqia donte të rrëmbente Maqedoninë dhe Epirin, domethënë Shqipërinë, simpatitë e botës u kthyen në zemërim, ashtu edhe ca më shumë ajo e shqiptarëve…, që u lëshuan të mbrojnë mëmëdheun e tyre”. Në të njëjtën kohë Porta e Lartë, me anë të premtimeve për t’u dhënë tituj, shpërblime e privilegje në administrimin e vendit, bëri për vete parinë shqiptare. Në këtë mënyrë ajo siguroi mobilizimin e forcave “vullnetare” shqiptare, që u hodhën në luftë kundër ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë, në vilajetin e Janinës.
Në këto rrethana ushtria greke pësoi disfatë të rëndë në frontin e Janinës dhe u shpartallua plotësisht brenda tri javësh. Por, me ndërhyrjen e Rusisë dhe të Fuqive të tjera të Mëdha, trupat osmane, ku bënin pjesë edhe repartet vullnetare shqiptare, e ndalën përparimin e tyre të mëtejshëm. Më 19 maj u nënshkrua armëpushimi ndërmjet Turqisë e Greqisë dhe më 4 dhjetor 1897 Traktati përfundimtar i Paqes. Megjithëse doli fitimtare, Perandoria Osmane, sipas marrëveshjes me Shtetet e Mëdha evropiane, e humbi Kretën, e cila u shpall autonome dhe “asnjanëse”, nën administrimin e një guvernatori të krishterë, që në të vërtetë do të ishte grek dhe nën kontrollin e Fuqive të Mëdha. Meqenëse lufta greko-turke shkaktoi acarimin e gjendjes politike në Ballkan dhe mund të prishte status quo-në e Perandorisë Osmane, Austro-Hungaria e Rusia shpejtuan të merreshin vesh ndërmjet tyre për çështjet e Ballkanit e të Lindjes së Afërme. Si rrjedhojë e bisedimeve që u zhvilluan në Peterburg në muajin prill ndërmjet perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef, dhe carit të Rusisë, Nikolla II, si edhe pas notave që u shkëmbyen ndërmjet ministrave të Jashtëm të të dy shteteve, në maj të vitit 1897, u arrit, në parim, një marrëveshje që theksonte edhe njëherë interesimin e vendosmërinë e të dyja fuqive për të ruajtur status quo-në në Ballkan. Me këtë rast Ballkani u nda në dy zona ndikimi: në atë austriake të perëndimit dhe në atë ruse të lindjes.
Në këto nota bëhej fjalë gjithashtu për qëndrimin që do të mbahej, në qoftë se më në fund do të ishte e pamundur të ruhej status quo-ja në Ballkan. Në këtë rast Austro-Hungaria kërkoi të aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën që i kishte pushtuar nga koha e Traktatit të Berlinit, si edhe sanxhakun e Jenipazarit. Lidhur me çështjen shqiptare, që zuri një vend të rëndësishëm në bisedimet austro-ruse, Vjena propozoi që të krijohej një shtet i pavarur shqiptar me emrin Principata e Shqipërisë, që do të përfshinte në kufijtë e vet tokat midis Janinës në jug dhe liqenit të Shkodrës në veri dhe do të kishte një shtrirje të “arsyeshme” në lindje. Tokat që do të mbeteshin pas kësaj do t’u ndaheshin shteteve të vogla të Ballkanit në mënyrë që të ruhej ekuilibri i deriatëhershëm. Ky shtet, sipas projekteve të fshehta të Vjenës, do të vihej nën protektoratin austro-hungarez, i cili, në rast se do ta lejonin rrethanat, do të shoqërohej edhe me një pushtim të pjesshëm të tokave të Shqipërisë e në radhë të parë të Durrësit e të Vlorës. Kjo do t’i siguronte Austro-Hungarisë kontrollin mbi Otranton dhe mbi detin Adriatik.
Propozimet e Austro-Hungarisë për sistemin e ri në Ballkan dhe për ndarjen e territoreve të Turqisë Evropiane, u kundërshtuan nga ministri i Jashtëm i Peterburgut si të papajtueshme me interesat dhe politikën e Rusisë në Ballkan, që synonte të zgjeronte shtetet sllave deri në brigjet shqiptare të Adriatikut. Ripohimi nga ana e Fuqive të Mëdha i politikës së ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane bëri që sulltani ta ndiente veten më të sigurt dhe të hiqte dorë nga premtimet që u kishte dhënë shqiptarëve gjatë luftës greko-turke për t’u bërë lëshime në administrimin e vendit. Sulltani kënaqi vetëm krerët gjysmëfeudalë, të cilëve u dha zotërime të reja tokësore dhe shpërblime të tjera që t’i lidhte më shumë pas Stambollit.
Kriza Lindore nxiti më tej lakmitë e Beogradit, të Sofjes e të Cetinës, që e shihnin luftën greko-turke si një moment të përshtatshëm për “të zgjidhur” çështjen maqedone, për të pushtuar territoret shqiptare dhe ato sllave-maqedone. Gjatë bisedimeve serbo-bullgare, që u zhvilluan në Sofje në shkurt të vitit 1897, kryeministri serb propozoi që të ndaheshin zonat e ndikimit e të veprimit të dy shteteve dhe, duke përfituar nga kjo luftë, të fillonin veprimet ushtarake në tokat shqiptare e maqedone. Por bisedimet e Sofjes nuk dhanë rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për ndarjen e të ashtuquajturave vilajete maqedone.
Ndërkaq, gjatë dhe pas luftës greko-turke (1897) shpërtheu me një forcë më të madhe konflikti kishtar serbo-greko-bullgar. Serbia kërkoi nga Stambolli që të rivendoste Patrikanën e Pejës (të hequr më 1767), nga e cila të vareshin dioqezat e Shkupit, të Prizrenit, të Dibrës e të Manastirit, duke synuar të themelonte kështu kishën e pavarur serbe në Turqinë Evropiane. Nga ana tjetër, Bullgaria kërkoi të shtinte në dorë selitë peshkopale të Dibrës e të Manastirit dhe të zbonte prej andej Patrikanën greke. Si Serbia, ashtu edhe Bullgaria synonin me këto masa të forconin pozitat e tyre politike dhe të krijonin një mbështetje për pretendimet territoriale mbi viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës.
Pas luftës greko-turke Porta e Lartë, duke u bërë lëshime të reja shteteve ballkanike, emëroi një mitropolit serb në Shkup në vitin 1897, nxori në pranverën e atij viti urdhrin për hapjen e shkollave serbe në vilajetet e Kosovës, të Manastirit e të Selanikut dhe në fillim të vitit 1898 emëroi dy dhespotë bullgarë (ekzarkistë) në Dibër e në Manastir.
Këto lëshime sollën dy pasoja: acaruan edhe më shumë kontradiktat ndërmjet Bullgarisë, Serbisë e Greqisë, që çuan në përleshje të reja të përgjakshme midis bandave të këtyre shteteve në viset shqiptare e maqedone dhe ashpërsuan gjendjen politike në Shqipëri, shtuan pakënaqësinë e shqiptarëve, territoret e të cilëve rrezikoheshin të aneksoheshin nga shtetet fqinje. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:57 am | |
| Besëlidhja Shqiptare e vitit 1897 dhe qëndresa e armatosur kundërosmane
Të bindur se e vetmja rrugë për t’u bërë ballë ndërhyrjeve të shteteve fqinje në Shqipëri dhe për të siguruar autonominë e saj, ishte organizimi i një lëvizjeje të përgjithshme kombëtare, atdhetarët rilindës dendësuan përpjekjet për ngritjen e ndërgjegjes politike të popullit shqiptar, për të ngulitur tek ai idenë e bashkimit e të organizimit. Krahas kësaj, rrethet atdhetare shqiptare zhvilluan një veprimtari të gjithanshme politike e organizative për të kapërcyer karakterin lokal e të kufizuar të lëvizjeve të veçanta kundërosmane dhe për t’i shkrirë ato në një lëvizje të vetme mbarëshqiptare. Edhe shoqëritë atdhetare të mërgimit, me gjithë punën e madhe që kishin bërë, vijonin të ishin të veçuara njëra nga tjetra dhe të palidhura sa duhej me qendrat kryesore të lëvizjes në Shqipëri.
Në kushte të tilla, atdhetarët rilindës arritën në përfundimin se para lëvizjes kombëtare ngrihej si detyrë e dorës së parë krijimi i një organizate të re, si ajo e Lidhjes së Prizrenit, që të përfshinte të gjithë vendin dhe të siguronte udhëheqjen e vetme të luftës për çlirimin kombëtar. Kjo bëhej edhe më e ngutshme për shkak të rritjes së veprimtarisë së qarqeve shoviniste fqinje për të pushtuar vilajetet shqiptare e sidomos ato të Kosovës e të Manastirit dhe nga paaftësia e qeverisë së sulltanit për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Nismën për krijimin e një organizate të tillë e morën qytetet kryesore të vilajetit të Kosovës. Pas orvatjeve pa sukses që u bënë për këtë qëllim në fundin e vitit 1896, në fundin e shkurtit të vitit 1897, menjëherë pas shpërthimit të luftës greko-turke, u zhvilluan në Pejë e në Gjakovë mbledhje të përfaqësuesve të popullsisë dhe u hodhën bazat e një lidhjeje të re që u quajt Besëlidhja Shqiptare, organizatorë të së cilës ishin Haxhi Zeka? e Riza Kryeziu (Gjakova).Në krye të Komitetit që drejtonte veprimtarinë e saj u vu Haxhi Zeka, një nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare në vilajetin e Kosovës.
Në pranverën e këtij viti Besëlidhja u zgjerua duke u shtrirë në qytete të tjera të Kosovës. Pas mbledhjeve e bisedimeve paraprake, që shqiptarët bënë në mars të vitit 1897 në Prizren, në Pejë e në Gjakovë, popullsia e këtyre qyteteve përfundoi një marrëveshje, shpalli një Besëlidhje të përbashkët. Besëlidhja u forcua më tej. Përfaqësuesit e popullsisë së qyteteve të vilajetit të Kosovës mbajtën mbledhje të njëpasnjëshme në fundin e marsit, në vendin e quajtur Babin Most (midis Prishtinës e Vuçiternës), ku u diskutuan masat që do të merreshin për mbrojtjen e Shqipërisë në rast të një sulmi nga shtetet fqinje.
Po në mars të vitit 1897 u mbajt në Shkodër një mbledhje e përfaqësuesve të popullsisë së sanxhakut të Shkodrës, ku u shqyrtua një rezolutë, në të cilën shtrohej si detyrë mbrojtja e tërësisë së trojeve shqiptare dhe sigurimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Por, me gjithë përpjekjet e Haxhi Zekës, vilajeti i Shkodrës nuk arriti atëherë të bashkohej me Besëlidhjen Shqiptare. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shqipërisë së Jugut, të Vlorës, të Beratit, të Gjirokastrës e të qyteteve të tjera, me anën e letrave e të deklaratave që u dërguan në mars të vitit 1897 bashkatdhetarëve në Dibër, në Shkup, në Gjakovë, në Prishtinë e në qytete të tjera, shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në Besëlidhjen Shqiptare.
Besëlidhja Shqiptare përcaktoi si kërkesë kryesore ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga rreziku i jashtëm. Kjo shpjegohet me dendësimin e orvatjeve të Serbisë, të Bullgarisë, të Malit të Zi e të Greqisë për të copëtuar trojet shqiptare, që u bënë edhe më të rrezikshme gjatë dhe pas luftës greko-turke të vitit 1897. Duke përfituar nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave vullnetare shqiptare për mbrojtjen e kufijve të Perandorisë Osmane, Besëlidhja veproi në mënyrë të hapur. Por udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e shfrytëzuan këtë interesim të Portës së Lartë për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut, të Shqipërisë dhe jo për interesat e Perandorisë Osmane. Duke vënë theksin në këtë qëndrim të drejtë të Besëlidhjes Shqiptare, Sami Frashëri shkruante kështu në pranverën e vitit 1897: “Lidhjet janë aty (në Shqipëri - shën. i aut.) dhe jo për interesat e ndonjë koke të kurorëzuar (të sulltanit - shën. i aut.); ato janë organizuar vetëm e vetëm për të mbrojtur atdheun, me shpresë që një ditë, e cila sidoqoftë nuk duket e largët (shqiptarët - shën. i aut.) të bëhen të lirë dhe të lumtur”.
Haxhi Zeka dhe drejtuesit e tjerë të Besëlidhjes punuan gjithashtu për të vënë në themel të saj kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, duke parashtruar si hap të parë drejt saj bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm. Kjo kërkesë u përcaktua edhe më qartë në programin e Komitetit të fshehtë Shqiptar, që vepronte në Kosovë në vitin 1897 dhe që udhëhiqte veprimtarinë e Besëlidhjes Shqiptare. Ky Komitet, që kishte degët e veta në qytetet e Kosovës, zhvilloi një veprimtari të fshehtë për të formuar një Shqipëri autonome, nën sovranitetin e sulltanit, me ushtri e administratë të pavarur shqiptare, sipas shembullit të Principatës Bullgare.
Atdhetarët rilindës brenda e jashtë atdheut, të frymëzuar nga Besëlidhja Shqiptare, bënë përpjekje për të përpunuar më tej programin e lëvizjes kombëtare dhe për ta orientuar Besëlidhjen drejt përmbushjes së detyrave themelore të saj. Nismën për këtë e mori Shoqëria e Stambollit, e cila në këtë kohë u riorganizua me emrin Komiteti Shqiptar, me kryetar gjithnjë Sami Frashërin. Në manifestin “Ç’duan shqiptarët”, që ky Komitet lëshoi në pranverën e vitit 1897, miratohej krijimi i Besëlidhjes, si edhe kërkesa e saj për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit.
Por Komiteti i Stambollit theksonte njëkohësisht se krahas kësaj ishte e nevojshme të luftohej kundër qeverisë së sulltanit dhe të ndryshoheshin marrëdhëniet e shqiptarëve me të. Komiteti parashikonte dy variante të mundshme të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Nëse Evropa, thuhej në manifest, do të vijojë të respektojë tërësinë e Perandorisë Osmane, atëherë shqiptarët do të punojnë për të siguruar autonominë e Shqipërisë, për bashkimin e vilajeteve të saj në një vilajet të vetëm autonom, me gjuhën shqipe si gjuhë lokale dhe me një guvernator të përgjithshëm që do të administronte vendin nën kontrollin e një kuvendi kombëtar me funksionarë shqiptarë. Nëse Evropa do të vendoste t’i jepte fund Perandorisë Osmane, atëherë Shqipëria duhej të bëhej një shtet i lirë e i pavarur, të shkëputej krejtësisht prej saj. Në të dy variantet ndërtimi shtetëror i Shqipërisë parashikohej të bëhej sipas parimeve demokratike e të përparuara të kohës. Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë të Komitetit të Stambollit mendonin se sistemi më i përshtatshëm për Shqipërinë do të ishte republika, e cila do të ndërtohej në përputhje me kushtet e me traditat e vendit.
Në manifest i bëhej thirrje popullit shqiptar të vazhdonte edhe në të ardhmen luftën kundër synimeve shoviniste të Greqisë dhe të shteteve fqinje sllave për mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare, theksohej se duhej prerë çdo lidhje me Patrikanën dhe të formohej një kishë e pavarur shqiptare. Krahas kundërshtimit të hapur ndaj çdo protektorati të Fuqive të Mëdha mbi Shqipërinë, në manifest shprehej besimi në aftësitë e shqiptarëve për të drejtuar vendin e tyre. Veprimtaria e mëtejshme e Besëlidhjes Shqiptare u pengua nga masat shtypëse të Portës së Lartë, e cila, në maj të vitit 1897, pas përfundimit të konfliktit me Greqinë dhe pas afirmimit nga Fuqitë e Mëdha të politikës së ruajtjes së status quo-së në Lindjen e Afërme, e ndjeu veten më të sigurt dhe humbi përkohësisht interesimin për të mobilizuar forcat shqiptare për mbrojtjen e kufijve të Turqisë Evropiane. Sulltani urdhëroi valiun e Kosovës që të shtypte çdo lëvizje, qoftë edhe legale, për zbatimin e reformave të premtuara prej tij gjatë luftës greko-turke. Në dekretin e majit të vitit 1897 sulltani kundërshtoi përsëri kërkesën e shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe. “Meqenëse gjuha e shtetit osman është gjuha osmane,- thuhej në këtë dekret,- nuk do të ishte aspak e lejueshme që të hapen shkolla në të cilat mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe…”.
Në pranverën dhe në verën e vitit 1897 gjendja në Shqipëri u acarua edhe më shumë për shkak të përqendrimit të forcave të mëdha ushtarake osmane për shtypjen e lëvizjes kombëtare. Nëpërmjet vijës hekurudhore të Shkupit u dërguan në Mitrovicë 34 vagona me ushtarë. Ndikim të ndjeshëm ushtroi në Shqipëri propaganda e ideve kombëtare, që atdhetarët zhvillonin brenda e jashtë vendit. Nëpërmjet thirrjeve drejtuar popullit dhe artikujve të botuar në shtyp, gjatë muajve maj-qershor të vitit 1897, sidomos në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit, veprimtarët rilindës grishnin shqiptarët që “të bashkoheshin, të punonin për kombin e tyre, për të pasur shtetin e vet të veçantë e të lirë, për t’u bërë zot të vendit, të Shqipërisë”. Në këto rrethana shpërtheu në Shqipëri lëvizja e armatosur kundërosmane, që filloi në verën e vitit 1897 dhe vijoi deri në fundin e atij viti. Megjithëse u zhvillua në formën e kryengritjeve lokale, të veçuara nga njëra-tjetra, lëvizja kundërosmane pati karakter të theksuar politik, kishte si qëllim të fundit sigurimin e vetëqeverisjes, të autonomisë territoriale-administrative të vendit. Për karakterin politik dhe antiqeveritar të kësaj qëndrese bënte fjalë, në një nga relacionet që i dërgonte atëherë Portës së Lartë, edhe guvernatori i vilajetit të Manastirit. Ndërsa agjenti tregtar bullgar në Selanik, në nëntor të vitit 1897, i shkruante qeverisë së Sofjes se “pas luftës greko-turke shqiptarët kanë shfaqur në mënyrë të pandërprerë pakënaqësinë e tyre dhe po kërkojnë vazhdimisht autonominë”.
Vatra kryesore e qëndresës së armatosur në vitin 1897 u bë Shqipëria e Veriut, vilajetet e Kosovës e të Shkodrës. Qysh në maj popullsia e rretheve të Pejës, të Prizrenit, të Prishtinës, si edhe ajo e Dibrës, e Tetovës dhe e Kërçovës në vilajetin e Manastirit, hyri në konflikt të armatosur me ushtritë osmane. Gjatë verës lëvizja u shtri në vilajetin e Shkodrës dhe sidomos në krahinën e Mirditës. Me kërkesën e valiut të Shkodrës, sulltani urdhëroi të merreshin masa të jashtëzakonshme për shtypjen e qëndresës në vilajetet e Shkodrës e të Kosovës. Në të katër vilajetet shqiptare, në gushtin e vitit 1897, u arrestuan 300 atdhetarë shqiptarë, të akuzuar për organizimin e kryengritjes, të cilët u dërguan, përmes Manastirit, në shkretirat e Anadollit e të Afrikës osmane. Përmasa edhe më të mëdha mori qëndresa e popullsisë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1897, sidomos në vjeshtën e atij viti. Në vilajetin e Kosovës kjo lëvizje e armatosur udhëhiqej nga Besëlidhja Shqiptare dhe Komiteti i saj i fshehtë. Nëpërmjet degëve që kishte ngritur në qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, ky Komitet punonte për bashkimin e popullit në Besëlidhjen Shqiptare dhe, njëherazi, për organizimin e qëndresës së armatosur për autonominë e Shqipërisë. Në shtator të vitit 1897 shqiptarët kryengritës dëbuan nga Prizreni e nga Prishtina qeveritarët turq, mytesarifët dhe nëpunësit e korruptuar, ndërsa në fillimin e tetorit u zhvilluan në këto qendra, si edhe në rrethet e tjera, përleshje të armatosura me ushtritë osmane. Në mbledhjen që mbajti më 7 tetor, Porta e Lartë pranoi se “në mjaft sanxhakë të vilajetit të Kosovës pushteti qeveritar nuk ka asnjë ndikim”.
Krahas arrestimeve në masë të pjesëmarrësve të lëvizjes, qeveria e sulltanit, duke parë se vilajeti i Kosovës dhe veçanërisht rrethi i Shkupit kërcënohej nga një kryengritje e re, dërgoi atje 7 batalione, të pajisura me artileri, të sjella nga vilajeti i Janinës. Po në fillim të tetorit mbërriti në Shkodër Tefik pasha, i dërguar nga sulltani, gjoja “për të dëgjuar dëshirat” e shqiptarëve. Sikurse shkruante “Shqipëria” e Bukureshtit më 11 tetor të vitit 1897, tetëdhjetë shqiptarë nga krerët myslimanë e të krishterë të Shqipërisë së Sipërme i deklaruan delegatit turk se nuk do të pranonin të dorëzonin armët dhe t’i nënshtroheshin qeverisë turke, derisa ajo të zbatonte reformat që kishin kërkuar shqiptarët dhe pikërisht autonominë e vendit. Orvajtjet e Tefik Pashës për t’i bindur me anë të premtimeve krerët e Shkodrës e të malësive, që t’i dorëzonin armët, nuk dhanë rezultat.
Në ditët e para të nëntorit të vitit 1897 kryengritja, e udhëhequr nga Haxhi Zeka, përfshiu Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Gucinë, Prishtinën, Tetovën dhe qendra të tjera të vilajetit të Kosovës. Në rrethet e Gjakovës u përqendruan 3-4 mijë kryengritës, të udhëhequr nga Riza Kryeziu, që shtinë në dorë qytetin dhe i detyruan funksionarët osmanë të iknin në Shkup. Nga 15 nëntori e deri në fundin e tij në rrethet e Pejës, të Prizrenit, të Gjakovës e të Prishtinës u zhvilluan, thuajse çdo ditë, përleshje të përgjakshme ndërmjet kryengritësve dhe ushtrisë osmane. Luftime të ashpra u bënë sidomos më 22 e 23 nëntor në rrethet e Gjakovës, kurse Shkupi kërcënohej nga kryengritësit e Kaçanikut. Kryengritësit e populli kërkonin që në vend të funksionarëve të zbuar turq të emëroheshin “guvernatorë dhe nëpunës shqiptarë”, të krijohej kudo administrata shqiptare, ndërsa shqiptarët e Gjakovës deklaruan se do të vendosnin një “pushtet të pavarur nga sulltani”. Gjendja vijoi të jetë e tendosur edhe në Shkodër. Më 11 dhjetor u mbajt këtu një mbledhje e përfaqësuesve të popullsisë së qytetit e të Malësisë, nga e cila iu dërgua sulltanit një memorandum, ku këmbëngulej për zbatimin e reformave në Shqipëri.
Në nëntor të vitit 1897 lëvizja u përhap edhe në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, popullsia e të cilave, sidomos ajo e vilajetit të Janinës, ishte ngarkuar me taksa e me kontribute të rënda gjatë luftës greko-turke. Qëndresa kundërosmane që shpërtheu në Elbasan, në Tiranë, në Vlorë, në Gjirokastër, në Përmet, në Delvinë e në vise të tjera, kishte si qëllim të fundit sigurimin e autonomisë së Shqipërisë. Drejtuesit e lëvizjes bënë gjithashtu plane për të liruar të burgosurit e të internuarit politikë, ndërsa në Himarë shpërtheu kryengritja e hapur, e cila u shtyp nga forcat osmane. Në verën e në vjeshtën e vitit 1897, kur Haxhi Zeka vazhdonte të punonte për zgjerimin e Besëlidhjes, Murat Toptani e bashkëpunëtorët e tij u përpoqën të bashkonin me Besëlidhjen edhe popullsinë e Shqipërisë së Mesme e të Jugut dhe të formonin një lidhje mbarëkombëtare, që të bashkonte gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë.
Po në nëntor të vitit 1897, në një situatë të acaruar politike, me nismën e Haxhi Zekës u mbajt në Pejë një mbledhje e gjerë e përfaqësuesve të popullsisë së vilajetit të Kosovës, ku morën pjesë rreth 500 veta, në të cilën u shqyrtua çështja e reformave që duhej të bëheshin në Shqipëri. Ndryshe nga grupi konservator, i kryesuar nga Riza Gjakova, Halil pashë Begolli e bajraktarë të tjerë, që nuk pranonin reforma radikale, të cilat do të ndryshonin marrëdhëniet e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, Haxhi Zeka dhe ithtarët e tij parashtruan në këtë tubim kërkesën e autonomisë së Shqipërisë.
Lëvizja e armatosur kundërosmane dhe veprimtaria e Besëlidhjes Shqiptare pati edhe në këtë periudhë përkrahjen e shoqërive patriotike dhe të atdhetarëve që punonin jashtë vendit. Në nëntor të vitit 1897, kur lëvizja kryengritëse ishte ende në ngritje, me nismën e Shoqërisë “Dituria”, që ishte organizata më e madhe patriotike jashtë atdheut (me 2 000 anëtarë), u thirr në Bukuresht një mbledhje e gjerë, ku morën pjesë përfaqësuesit e “shoqërive kombëtare, të lidhjeve e të komiteteve që vepronin në Shqipëri dhe në kolonitë e mërgimit”. Në mbledhje u miratua një memorandum, i hartuar në shqip dhe i përkthyer në frëngjisht e italisht, i cili iu dërgua sulltanit dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, “Ndë emër të Llauzit (popullit - shën. i aut.) shqiptar”. Në këtë memorandum kërkohej nga Turqia e nga qeveritë evropiane njohja e kombësisë shqiptare dhe autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, që do të sendërtohej duke bashkuar të katër vilajetet (ku shqiptarët përbënin shumicën) në një vilajet të vetëm, me një qeveritar të përgjithshëm shqiptar në krye dhe me kryeqytet Manastirin. Si gjuhë zyrtare për administratën shtetërore, institucionet shkollore e fetare do të ishte shqipja. Kërkohej gjithashtu ndalimi i çarmatimit të shqiptarëve dhe amnisti për gjithë ata që ishin internuar, ishin burgosur e ishin dëbuar jashtë për çështje politike. “Qeveria autonome e Shqipërisë” që do të vihej në krye të vendit, do t’i paguante sulltanit një shumë të caktuar të hollash.
Duke parashtruar rrugën e zgjidhjes së çështjes shqiptare me anë të krijimit të një shteti autonom, memorandumi i Bukureshtit iu përgjigj në thelb kërkesave të lëvizjes kombëtare në atë kohë. Të mbështetur në përvojën e Lidhjes së Prizrenit, autorët e këtij memorandumi e orientuan drejt lëvizjen kombëtare, duke theksuar se formimi i shtetit kombëtar e autonom do të ishte edhe rruga më e mirë për sigurimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Krahas kësaj, atdhetarët e Bukureshtit, duke miratuar këtë memorandum, sikurse theksonte një nga anëtarët e Komitetit të Shoqërisë “Dituria” në ato ditë, synonin “t’i tregonin Evropës se kryengritja shqiptare e Kosovës nuk ishte një lëvizje e elementëve “të egër”, siç po e paraqiste Porta e Lartë, por një lëvizje që ka për qëllim të vërtetë çlirimin kombëtar të shqiptarëve”. Çështja e autonomisë territoriale-administrative të vendit u parashtrua nga atdhetarët rilindës edhe në një varg artikujsh të botuar në shtypin shqiptar të kohës, e sidomos në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit (1897-1899). Por kërkesat për njohjen e kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij të ligjshme, për të formuar shtetin e vet kombëtar, nuk u morën parasysh as nga qeveria e sulltanit, as edhe nga Fuqitë e Mëdha.
Duke e ndier rrezikun e madh që i kanosej nga një lëvizje e organizuar shqiptare me program kombëtar, Porta e Lartë në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit mori masa të rrepta për shpërndarjen e Besëlidhjes dhe për shtypjen e lëvizjes kryengritëse në Shqipëri. Krahas me ushtritë e shumta që tërhoqi nga fronti i Thesalisë dhe i hodhi në vilajetin e Kosovës, Porta e Lartë dërgoi në Shqipëri edhe një mision të posaçëm, të kryesuar nga Is’han Beu, si edhe disa grupe hoxhallarësh për të propaganduar te besimtarët myslimanë besnikërinë ndaj sulltanit, “Kalifit të gjithë myslimanëve”. Në përpjekjet e tyre për të paralizuar lëvizjen shqiptare Is’han Beu dhe valiu i Kosovës, krahas forcave ushtarake, shfrytëzuan edhe lëkundjet e parisë shqiptare, sidomos të Riza Kryeziut, njërit prej krerëve të kryengritjes shqiptare në Gjakovë, i cili ishte dalluar njëherazi për veprime përçarëse dhe synonte ta përdorte lëvizjen për qëllimet e tij të ngushta vetjake. Pas bisedimeve që zhvilloi me ta, Riza Kryeziu pranoi të shkonte në Stamboll në fundin e vitit 1897, në krye të një komisioni prej 8 vetash, përfaqësues të parisë së vendit, për t’i paraqitur sulltan Abdyl Hamitit një pasqyrë të gjendjes së Shqipërisë dhe nevojat e kërkesat e saj. Në Stamboll Riza Kryeziu kapitulloi, hoqi dorë nga lëvizja kundërosmane dhe hyri në rrugën e bindjes e të nënshtrimit ndaj sulltanit, gjë që e dobësoi ndikimin e tij në Shqipëri. Për shërbimet që i solli Perandorisë, ai u emërua anëtar i Kryesisë së Këshillit të Shtetit, ndërsa anëtarëve të tjerë të misionit iu dhanë grada civile e ushtarake, si edhe tituj nderi e dhurata të shumta.
Qëndrim krejt të ndryshëm mbajti Haxhi Zeka, që nuk pranoi ftesën e Portës së Lartë për të vajtur në Stamboll, as edhe kërkesën e saj këmbëngulëse e të përsëritur për të shpërndarë komitetet shqiptare që vepronin në Kosovë. Përpjekjet e shqiptarëve për t’u bashkuar në një Besëlidhje të përgjithshme, si edhe qëndresa e tyre kundërosmane për autonominë e Shqipërisë, ndeshën në qëndrimin armiqësor të shteteve fqinje ballkanike dhe u pritën me shqetësim edhe nga Fuqitë e Mëdha. Këto të fundit nuk e përkrahën lëvizjen shqiptare për formimin e një shteti autonom, sepse e shihnin atë si një faktor që do të prishte status quo-në në Ballkan e në Lindjen e Afërme dhe ekuilibrin midis tyre. E ndodhur përballë masave shtypëse të Portës së Lartë (që bëri për vete edhe një pjesë të parisë shqiptare) dhe qëndrimit mospërfillës të faktorit ndërkombëtar, Lëvizja Kombëtare Shqiptare e vitit 1897 dhe Besëlidhja e krijuar prej saj, nuk sollën rezultatet që priteshin dhe e ndërprenë përkohësisht veprimtarinë e tyre. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:58 am | |
| 2. LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS (1899-1900)
Rrethanat e brendshme dhe të jashtme politike në pragun e themelimit të Lidhjes (1898)
Gjatë vitit 1898, ndërsa Porta e Lartë vazhdonte të shtypte me të njëjtën ashpërsi lëvizjen shqiptare, atdhetarët rilindës e shtuan veprimtarinë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit, për bashkimin dhe organizimin e tij në qëndresën kundër sunduesve osmanë. Më 1 janar të vitit 1898 shoqëritë atdhetare të mërgimit (Komiteti i Stambollit, Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit, “Vëllazëria Shqiptare” në Egjipt, Shoqëria “Dëshira” e Sofjes dhe Shoqëria Kombëtare Shqiptare e arbëreshëve të Italisë) botuan një thirrje të përbashkët me titullin “Në emër të popullit shqiptar”, që u drejtohej qeverisë së Stambollit dhe Fuqive të Mëdha. Në thirrje dënoheshin intrigat e shteteve fqinje në Shqipëri, pretendimet e tyre aneksioniste ndaj vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, si edhe politika e verbër e Portës së Lartë, që u kishte lejuar grekëve, serbëve e bullgarëve të hapnin kisha e shkolla në vilajetet shqiptare dhe u kishte bërë atyre lëshime të njëpasnjëshme politike në dëm të Shqipërisë.
Në këtë dokument parashtroheshin kërkesat themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “Të gjithë ne shqiptarët, - theksohej në të, - kudo që ndodhemi, brenda dhe jashtë atdheut dhe pavarësisht nga besimet fetare, kërkojmë nga sulltan Abdyl Hamiti autonominë administrative të tokave shqiptare, bashkimin e vilajeteve ku është përfshirë atdheu ynë në një vilajet të vetëm me një guvernator shqiptar”, me gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, me shkolla e me kisha shqipe.
Atdhetarët rilindës i bënin të ditur në këtë thirrje opinionit evropian se “shqiptarët, për të ruajtur qenien e tyre dhe për të përmbushur programin kombëtar, nuk do të ngurronin të përdornin edhe kryengritjen e armatosur, të drejtën supreme të popujve, revolucionin”.
Thirrja e shoqërive shqiptare të mërgimit ishte një dokument i rëndësishëm programatik, që pati ndikim si në opinionin publik evropian, ashtu edhe në Shqipëri, ku vijonte propaganda e ideve autonomiste. Në mjaft qendra të Shqipërisë vepronin në fshehtësi komitetet shqiptare. Në maj të vitit 1898 mytesarifi i Prizrenit njoftonte valiun e Kosovës për veprimtarinë e një Komiteti Qendror në këtë qytet, ndërsa në Tetovë ishte ngritur një komitet tjetër i fshehtë, që kishte shtrirë degët e tij edhe në mjaft qendra të Kosovës.
Këto komitete punonin për forcimin e bashkimit të shqiptarëve, për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për organizimin e luftës për autonominë e Shqipërisë. Idetë autonomiste kishin marrë një përhapje të gjerë në vilajetin e Kosovës, në sanxhakun e Dibrës e qendra të tjera të vilajetit të Manastirit, në të cilat shqiptarët haptazi kërkonin të drejtën e vetëqeverisjes, të njëjtë me atë që gëzonin kombet e tjera të Ballkanit. Duke bërë fjalë për këtë aspiratë të shqiptarëve, ministri i Jashtëm i Turqisë, Tefik Pasha, deklaronte në qershor të vitit 1898, se “shqiptarët kërkojnë vetëqeverisjen dhe shkojnë më tej: kërkojnë një princ nga kombi i tyre…, kërkojnë të kenë ushtrinë e tyre, e cila ç’është e vërteta duhet të jetë pjesë e Perandorisë… Por, po u formua, në rast se u nevojitet, ata mund ta organizojnë sipas mënyrës së tyre”.
Qeveria turke vazhdoi të shtypte me forcën e armëve lëvizjen dhe popullsinë e zonave kryengritëse shqiptare. Në projektin e “reformave”, që valiu i Kosovës, ai i vilajetit të Manastirit, ministri i Brendshëm dhe ai i Luftës i paraqitën Portës së Lartë, në mars të vitit 1898, si edhe në “Projektin mbi Shqipërinë”, që mareshali Ethem Pasha i parashtroi sulltanit me porosi të qeverisë në korrik të atij viti (1898), shihej si rrugë e vetme për “stabilizimin” e gjendjes në Shqipëri forcimi i pushtetit të centralizuar osman, që nuk u njihte asnjë të drejtë popujve të tjerë.
Kërkohej të zbatoheshin në Shqipëri dhe sidomos në pjesën e saj veriore e veriperëndimore, në sanxhakët e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit “reforma” të tilla, siç ishte nënshtrimi me forcë i popullsisë shqiptare, duke përdorur dhunën ushtarake për ta detyruar atë të paguante taksa, të pranonte regjistrimin e përgjithshëm dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Mareshali Ethem Pasha, komandant i forcave ushtarake osmane në Kosovë, kërkonte që të ndërmerrej çarmatosja e përgjithshme e shqiptarëve, “meqë armët ishin mjeti kryesor i veprimeve të tyre kryengritëse”.
Masat shtypëse të Portës së Lartë u përkrahën edhe nga përfaqësues të tillë të parisë gjysmëfeudale shqiptare, si Esat pashë Toptani, Syreja bej Vlora etj. Në “Promemorjen”, që Syreja bej Vlora i parashtroi sulltanit, po në korrik të vitit 1898, kërkonte që të shtypeshin me dhunën ushtarake “forcat rebele të popullit në anët e Korçës, të Kolonjës, të Elbasanit e të Shkodrës”, “të ndalohej me çdo mjet futja në Shqipëri e Murat Toptanit” (që porsa ishte arratisur nga internimi në Tripoli) dhe e atdhetarëve të tjerë; “të mos lejoheshin të hynin në Shqipëri gazetat dhe revistat “heretike” shqipe, që botoheshin në Bukuresht dhe në vende të tjera dhe “të ndalohej përhapja e gjuhës shqipe, e cila po përdorej në korrespondencat private dhe kishte filluar të mësohej në disa shkolla të Shqipërisë”.
Për të zbatuar këto projekte “reformash”, të cilat, siç theksonte në qershor të vitit 1898 Tefik Pasha, synonin “të parandalonin formimin e një Shqipërie autonome dhe shkëputjen e saj nga Perandoria Osmane”, Porta e Lartë mbante në Turqinë Evropiane një ushtri prej 150 000 vetash.
Por qeveria e sulltanit nuk qe në gjendje të shtypte qëndresën e shqiptarëve dhe t’i çarmatoste ata. Në fundin e muajit gusht kryengritja përfshiu përsëri Pejën, Gjakovën dhe zonën përreth. Po në verën e atij viti u forcua qëndresa kundërosmane në rrethet e Shkodrës, të Korçës, të Kolonjës e të Elbasanit, ku vepronin çeta të armatosura. Stambolli u gjend atëherë në një pozitë të ndërlikuar. Edhe pse ishte i interesuar të shtypte sa më shpejt lëvizjen shqiptare, sulltani ngurroi të hidhte forca të mëdha ushtarake në Shqipëri, të cilat do ta keqësonin gjendjen atje dhe do t’u jepnin shkak shteteve fqinje të ndërhynin në Turqinë Evropiane.
Acarimi i ri i çështjes maqedone, në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, që u shoqërua me shtimin e ndërhyrjeve të qarqeve drejtuese të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi në Turqinë Evropiane, e veçanërisht në vilajetet shqiptare, krijuan përsëri një gjendje të nderë politike në Ballkan e si rrjedhim edhe në Shqipëri. Këtu ndikoi gjithashtu qëndrimi i Fuqive të Mëdha, të cilat, duke pasur parasysh kërkesat e shteteve ballkanike, sidomos të Bullgarisë, në janar 1899 u morën vesh për një ndërhyrje kolektive pranë Portës së Lartë.
Me nismën e Anglisë e të Italisë iu parashtrua Portës së Lartë kërkesa për zbatimin e reformave në Maqedoni, për të parandaluar kryengritjen në këtë trevë të Ballkanit. Me këtë ndërmarrje u bashkuan edhe Gjermania, Austro-Hungaria dhe Rusia. Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të ndarë tri vilajetet, të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut, e elektrizoi edhe më shumë gjendjen në Ballkan dhe në Shqipëri. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:58 am | |
| Kuvendi i Pejës dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare (23-29 janar 1899)
Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj. Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi. Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899.
Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës, të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut , kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej për organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme. Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.
Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka. Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve të ngushta, ku merrnin pjesë një numër i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj. Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj.
Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve. Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare. Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm shqiptar.
Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899. Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve. Lidhja shihej si një organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik.
Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni. Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.
Por në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë ishte e interesuar edhe Porta e Lartë, që përpiqej të ruante paprekshmërinë e Perandorisë Osmane. Atdhetarët shqiptarë përfituan nga ky interesim i Stambollit, për ta organizuar, nëpërmjet një veprimtarie legale, popullin dhe për ta bashkuar në një lidhje të re, e cila mori përsipër mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare. Prandaj me frazat “për besnikërinë ndaj sulltanit”, “për gatishmërinë për të jetuar në suazat e pushtetit të tij”, që përfshiheshin në hyrjen e Rezolutës së Kuvendit të Pejës, drejtuesit e Lidhjes nuk kishin aspak ndërmend të përjetësonin sundimin osman në Shqipëri, por të shprehnin synimet e tyre për të mbrojtur paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë, për të mos lejuar që ajo të kalonte nga sundimi osman, i cili ishte në kalbëzim e sipër dhe po shkonte dita-ditës drejt fundit, nën një robëri të re edhe më të rrezikshme të shteteve ballkanike ose të ndonjë prej fuqive evropiane. Në Rezolutën e Kuvendit të Pejës bëhej një dallim i përcaktuar qartë ndërmjet Perandorisë Osmane, “shtetit osman” dhe “atdheut të shqiptarëve”, Shqipërisë. Forcat vullnetare të Lidhjes, siç thuhej në këtë dokument, do të përdoreshin pikërisht për mbrojtjen e “atdheut të shqiptarëve”, “në rast të një sulmi mbi Maqedoninë (ku shtetet ballkanike përfshinin edhe vilajetet shqiptare të Kosovës e të Manastirit) dhe mbi atdheun tonë”.
Shprehja e besnikërisë së Kuvendit ndaj fesë islame, që përfshihej gjithashtu në Rezolutë, ishte padyshim rrjedhojë e ndikimit te popullsia myslimane shqiptare e fesë islame. Nuk mund të mohohet ndikimi negativ që një deklaratë e tillë ushtronte në përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aq më shumë kur edhe qeveria e sulltanit nxiste fanatizmin mysliman për t’i përçarë shqiptarët. Megjithatë, këto shprehje nuk cenonin përmbajtjen themelore të Rezolutës, që mishëronte synimin e atdhetarëve për të bashkuar, nën drejtimin e Lidhjes, gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë. Prandaj edhe shtypi shqiptar i kohës e sidomos revista “Albania” e Faik Konicës, duke kundërshtuar pikëpamjet e atyre që synonin ta paraqitnin Kuvendin e Pejës si një “kongres fetar mysliman”, e quajti atë “një asamble kombëtare, që u mbajt në Shqipëri, ku u diskutua në gjuhën shqipe rreth mjeteve për mbrojtjen e truallit shqiptar, që kishte një karakter me të vërtetë kombëtar dhe do të sillte si rrjedhojë forcimin e idesë së atdheut shqiptar”.
Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit. Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.
Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare. Në Rezolutë parashikohej që Lidhja ta shtrinte veprimtarinë e vet në vilajetet shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, ku do të formoheshin komitetet e saj. Organizimi i Lidhjes si një institucion shqiptar, me komitetet e pajtimit dhe të sigurimit që u ngritën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, shprehte synimet e shqiptarëve për një administrim autonom, veçanërisht për të arritur vetë bashkimin kombëtar dhe për të organizuar mbrojtjen e atdheut. Rëndësi të veçantë kishte krijimi nga ana e Lidhjes i ushtrisë shqiptare, në radhët e së cilës menjëherë pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë vullnetarë. Njësi të tilla vullnetare ushtarake, të përbëra nga mijëra veta, u vendos të formoheshin edhe në kuvendet e tubimet, që u mbajtën në vilajetet e në sanxhakët e tjerë shqiptarë. U vendos që komandantët e të gjitha trupave ushtarake në Shqipëri dhe në krahinat kufitare të ishin shqiptarë. Në Rezolutën e Kuvendit u kërkua gjithashtu që të përqendroheshin në duart e komiteteve të Lidhjes kompetenca të tilla të organeve lokale qeveritare, si lufta kundër hakmarrjes, pajtimi i gjaqeve, ndalimi i keqbërjeve, sigurimi i qetësisë publike, dënimi i atyre që do të kryenin veprime dhune mbi qytetarët, duke përfshirë edhe nëpunësit turq që do të shtypnin popullin e do të bënin padrejtësi. Komitetet e Lidhjes do të merrnin përsipër të mbronin të drejtat e gjithë banorëve të Shqipërisë, pa dallim feje dhe krahine. Në këto kërkesa të Rezolutës shprehej haptazi synimi i Lidhjes për të përqendruar pushtetin shtetëror në duart e komiteteve të saj.
Konsulli austriak në Shkodër, Ippen, duke parë në vendimet e Kuvendit të Pejës aspiratat autonomiste të shqiptarëve, vetëm katër ditë pas përfundimit të punimeve të tij i shkruante Vjenës se ato janë të ngjashme me kërkesat e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe se mbështeten në të njëjtin program. Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Pejës nuk përbën aktin e vetëm të saj. Po më 29 janar 1899, në ditën kur ky Kuvend mbylli punimet dhe shpalli vendimet e tij, një Komitet Ekzekutiv Shqiptar me qendër në Bukuresht, që ishte në dijeni të punimeve të Kuvendit të Pejës e bashkëpunonte me organizatorët e tij, botoi në gjuhën turke thirrjen “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”. Thirrja ishte hartuar nga Dervish Hima. Titulli i thirrjes, koha kur u publikua dhe përmbajtja e saj dëshmojnë se ajo ishte hartuar posaçërisht për Kuvendin e Pejës dhe përbënte në vetvete një dokument programatik të Lidhjes së re. Ideja qendrore që zotëron në këtë dokument është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lidhjes ose të Besa-Besës. “Ajo që do ta shpëtojë kombin dhe atdheun tonë, - thuhet në thirrje, - është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë”.
Shtrohej si kërkesë kryesore shtrirja e Lidhjes në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, “të cilët formojnë vendin që quhet Shqipëri”, kërkohej bashkimi i tyre nën drejtimin e Lidhjes, thirrja e një Kuvendi të Përgjithshëm ose e një Pleqësie, që do të miratonte një statut (rregullore) a një kushtetute të veçantë për administrimin e vilajeteve të bashkuara. Zbatimi i këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një njësie të vetme territoriale-administrative shqiptare, të qeverisur nga vetë shqiptarët, ndërsa Lidhja do të kthehej në një organizatë të përgjithshme, e veshur me atribute shtetërore. Ndër masat më të para dhe më të domosdoshme për kombin, që duhej të përmbushte Lidhja Shqiptare, ishte edhe hapja e shkollave shqipe dhe mbyllja e shkollave të huaja, “që qenë shndërruar në fole intrigash”, formimi i ushtrisë shqiptare ose i një garde kombëtare, pajtimi i gjaqeve, zhvillimi i bujqësisë, i transportit etj.
Zbatimi nga Lidhja i kërkesave të tilla do të çonte dora-dorës në përmbushjen e programit themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare dhe në bashkimin e tyre në një shtet autonom. Megjithëse Kuvendi i Pejës i kaloi caqet e “lejuara” (shfaqi synimet e shqiptarëve për vetëqeverisjen e vendit), Porta e Lartë në ditët e para pas formimit të Lidhjes nuk guxoi të dilte haptazi kundër saj dhe nuk mori masa të menjëhershme ushtarake për shtypjen e saj. Ky qëndrim diktohej, padyshim, nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave ushtarake shqiptare në luftën kundër rrezikut të një sulmi nga jashtë mbi Turqinë Evropiane. Porta ishte e detyruar të vepronte përkohësisht kështu edhe për shkak se nuk ishte në gjendje ta shtypte menjëherë Lidhjen që mbështetej te shqiptarët e armatosur.
Por pak ditë pas mbledhjes së Pejës, me shtrirjen e komiteteve të saj në qytete të tjera dhe me zgjerimin e me thellimin e veprimtarisë së tyre kombëtare, kontradiktat e Portës së Lartë me shqiptarët u acaruan dhe ajo ndryshoi qëndrimin ndaj Lidhjes. Duke qenë edhe nën trysninë e Rusisë e të Austro-Hungarisë, që shikonin te lëvizja shqiptare një rrezik për prishjen e status quo-së në Ballkan, qeveria e sulltanit nxori një varg urdhëresash për t’i çarmatosur shqiptarët dhe për të asgjësuar Lidhjen. Qysh në shkurt të vitit 1899, sulltani urdhëroi valinjtë e Shkodrës e të Kosovës, që të mos lejonin në të ardhmen asnjë mbledhje të shqiptarëve dhe të ndalonin çdo orvatje të Lidhjes për të organizuar kuvendet e saj.
Në fazën e parë sulltani, për të paralizuar Lidhjen, në vend të forcës ushtarake përdori politikën e përçarjes, duke nxitur kundër saj disa nga përfaqësuesit e parisë konservatore me prirje turkomane. Porta u mbështet sidomos te Riza bej Kryeziu, i cili që në fillim i ishte kundërvënë Lidhjes. Por qëndresa e shqiptarëve bëri që të dështonin këto orvatje të para të Portës së Lartë. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:58 am | |
| Shtrirja e Lidhjes në viset e tjera të Shqipërisë (shkurt-qershor 1899)
Në përputhje me vendimet e Kuvendit të Pejës, Haxhi Zeka dhe atdhetarët e tjerë, menjëherë pas përfundimit të tij, iu vunë punës për të ngritur organet e Lidhjes në të katër vilajetet shqiptare. Më 27 shkurt 1899 u mbajt në Prizren, në lokalitetin Zojzë (Suharekë), një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2 000 veta, qytetarë e fshatarë të atij sanxhaku. Këtu u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Prizrenit me Lidhjen, u miratua Rezoluta e Kuvendit të Pejës dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve deri në nëntor 1899. Në këtë tubim u zgjodh Komiteti i Lidhjes për sanxhakun e Prizrenit, i kryesuar nga Myderiz Halim Efendiu, i cili njihej si përfaqësues i krahut radikal të lëvizjes shqiptare dhe u kërkua që të thirrej një kuvend i përgjithshëm shqiptar. Në fillim të marsit morën pjesë në tubimin e Prizrenit edhe përfaqësuesit e popullsisë së kazasë së Lumës, që u bashkuan me Lidhjen Shqiptare të Pejës. Më 9 mars vendimet e këtij tubimi u shpallën publikisht dhe iu bënë të ditura edhe popullsisë katolike të këtij sanxhaku, që u ftua të merrte pjesë në Lidhje.
Me Lidhjen Shqiptare të Pejës u bashkua gjithashtu popullsia e vilajetit të Shkodrës. Kjo u arrit pasi forcat atdhetare të lëvizjes kombëtare në Shkodër sprapsën kundërshtimin e krerëve turkomanë, që nuk e përkrahnin Lidhjen. Kuvendi i Shkodrës i filloi punimet në mesin e shkurtit dhe i vazhdoi deri në fillim të marsit. Këtu morën pjesë përfaqësues të popullsisë së këtij sanxhaku dhe të krahinës përreth, të Malësisë, madje edhe nga krahinat që i ishin shkëputur Shqipërisë, nga Ulqini, nga Podgorica, nga Shpuza etj. Në Kuvend ishin të pranishëm përfaqësues të tillë të krahut autonomist, si Dedë Gjo Luli, Isuf Tabaku, Selim Çoba, Mehmet Beci, Haxhi Alush Dibra, Haxhi Haki Lohja, Halil Mandiqi, Shaqir Shabani, Hysen Dragusha etj., disa prej të cilëve kishin qenë veprimtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si edhe përfaqësues të grupit konservator prosulltanist, si Bektash agë Kazazi, kryetar i bashkisë së qytetit dhe disa bajraktarë të tjerë.
Kuvendi i Shkodrës përfundoi më 5 mars, kur pas tri javë diskutimesh u miratua Vendimi (Rezoluta) prej 7 pikash, në të cilin, në emër të banorëve myslimanë e të krishterë të vilajetit të Shkodrës, u shpall bashkimi i popullsisë së kësaj province me Lidhjen Shqiptare të Pejës të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe u zgjodh Komiteti i Lidhjes për Shkodrën. Me vendimet e Kuvendit u bashkua edhe popullsia katolike e ortodokse e Shkodrës, përfaqësuesit e së cilës, së bashku me ata të popullsisë myslimane, nënshkruan më 6 mars, në emër të të gjithë banorëve të vilajetit të Shkodrës, Rezolutën prej 7 pikash, të hartuar në gjuhën shqipe.
Ndikimi i Lidhjes u përhap gjithashtu në Shqipërinë e Mesme dhe në radhë të parë në sanxhakun e Dibrës të vilajetit të Manastirit. Pa marrë parasysh urdhëresat e valiut të Manastirit, Abdyl Kerim pashës, për të ndaluar mbledhjen e Lidhjes në këtë sanxhak, atdhetarët dibranë thirrën Kuvendin e tyre. Punimet e Kuvendit të Dibrës u çelën me mitingun e madh e të hapur, që u mblodh më 27 shkurt 1899 në një nga sheshet jashtë qytetit dhe në të cilin morën pjesë përfaqësues të popullsisë së Dibrës së Sipërme e të Poshtme, së bashku me malësitë përkatëse (Gryka, Reka, Mati, Golloborda, Klenja, Vleshta, Dardha, Lura etj.).
Më 28 shkurt Kuvendi i Dibrës i vijoi punimet në mbledhje të fshehta, në të cilat, megjithatë, pati një pjesëmarrje të gjerë. Vetëm nga sanxhaku i Dibrës erdhën 31 delegatë. Kuvendi i kaloi caqet lokale, u kthye në një tubim të përgjithshëm shqiptar, ku morën pjesë delegatë edhe nga viset e tjera të Shqipërisë së Veriut e të Mesme, nga Shkodra, nga Tirana e nga Elbasani. Kuvendi u përshëndet edhe nga qytete të tjera të vendit. Në këtë Kuvend u miratua formimi i Lidhjes, u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Dibrës me Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u miratua Rezoluta prej 22 pikash, që u publikua në mitingun e dytë të madh (mbajtur më 16 mars), me të cilin u mbyllën punimet e tij. Në Rezolutë u konfirmua bashkimi i popullsisë së këtij sanxhaku me Lidhjen Shqiptare të Pejës, u shpall ndalimi i armiqësive, i gjakmarrjeve dhe i grindjeve që pengonin unitetin e shqiptarëve, si edhe i çdo dhune dhe arbitrariteti mbi banorët myslimanë e të krishterë. U shpreh gjithashtu gatishmëria për të grumbulluar forcat ushtarake vullnetare shqiptare, të cilat, ashtu si në Pejë, do të përdoreshin vetëm për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga një sulm i mundshëm sllavo-rus. Për këtë qëllim u vunë në dispozicion të Lidhjes 15 mijë vullnetarë.
Kuvendi zgjodhi Komitetin e Lidhjes për sanxhakun e Dibrës me 18 anëtarë, midis të cilëve ishin Selim Rusi, Shaqir Jegeni, Nuredin (Nurçe) Pustina, Shaqir Daci, Beqir Tërshana, Kurtish Aga, Xhafer Noka, Hasan Zajmi, Bajram Markja, Shaban Dema, Hasan Kaloshi, Memo Alia, Shaqir Pilko, Alush Pustina, Mustafa Gryksahija, Haxhi Ibrahim Atila etj. Komiteti e vijoi veprimtarinë e tij edhe pas mbylljes së Kuvendit, për aq kohë sa jetoi edhe Lidhja, deri në fundin e vitit 1900. Në përputhje me klauzolat e Rezolutës së Kuvendit, Komiteti veproi krahas qeverisë dhe përqendroi dora-dorës kompetenca të tilla të organeve shtetërore, ushtarake e civile, si organizimi i mbrojtjes së atdheut, mbajtja e rendit dhe e qetësisë publike, funksionet gjyqësore, fiskale etj. Komiteti punoi gjithashtu për përhapjen e mësimit shqip dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe, për çeljen e shkollave, në të cilat mësimi të zhvillohej në gjuhën amtare shqipe. Për këto qëllime, si edhe për të ndihmuar shkrimtarët atdhetarë, u themelua një Arkë Kombëtare ose një fond financiar i veçantë.
Kuvendi i Dibrës dhe Komiteti që doli prej tij miratuan gjithashtu thirrjen e kryetarit të Lidhjes, Haxhi Zekës, për organizimin e një kuvendi të madh kombëtar dhe zgjodhi delegatët e këtij sanxhakut. Vendimet e Kuvendit të Dibrës u miratuan edhe nga popullsia e Elbasanit, e Tiranës, e Beratit, e Starovës, e Korçës, e Ohrit, e Manastirit, e Kërçovës, e Përlepit etj., që shprehu gatishmërinë për t’u bashkuar me Lidhjen Shqiptare. Në mars të vitit 1899, me gjithë pengesat e kajmekamit, në Ohër u mbajt mbledhja e fshehtë e përfaqësuesve të popullsisë së kësaj kazaje, në të cilën u miratua vendimi i Kuvendit të Dibrës dhe u shpall bashkimi me Lidhjen Shqiptare. Po në mars, me nismën e Hasan Blloshmit nga Bërzeshta, të Iljaz Kokodeshit e të Hajdar Kokodeshit, u mbajt mbledhja e përfaqësueve të popullsisë së kazasë së Starovës e të Pogradecit, që miratoi Rezolutën e Kuvendit të Dibrës dhe shpalli bashkimin me Lidhjen.
Në fillim të majit pushteti i Lidhjes u shtri edhe në sanxhakun e Elbasanit, ku ishin përhapur gjerësisht idetë kombëtare. Popullsia e këtij qyteti miratoi Rezolutën e Dibrës dhe shpalli Besën e bashkimin me Lidhjen Shqiptare. Në pranverën e vitit 1899 u bashkua me Lidhjen popullsia e Shpatit të Elbasanit, e cila ishte dalluar për atdhetarizmin e saj dhe kishte kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hapjen e shkollave shqipe në këtë krahinë. Menjëherë pas kësaj Porta e Lartë shtypi me egërsi lëvizjen shqiptare në këtë zonë, arrestoi drejtuesit e saj, Mehmet Merxhanin, Omer Gaxhon, Tom Topuzin e Braho Kadinë. Më 18 qershor popullsia e Çermenikës shpalli gjithashtu bashkimin me Lidhjen Shqiptare e miratoi vendimet e saj dhe ato të Kuvendit të Dibrës. Hynë në Lidhje edhe krahina e Babjes, e Mokrës së Sipërme dhe gjithë nahija e Qukësit, që formuan një Komitet, me qendër në katundin Bërzeshtë.
Me shtrirjen e pushtetit të Lidhjes në krahinat e ndryshme të vendit, ajo filloi të shndërrohet në një organizatë mbarëshqiptare. Duke bërë fjalë për këto arritje, Sami Frashëri shkruante në mars të vitit 1899: “Lidhja po bëhet në Shqipëri, Besa po forcohet, bashkimi po zgjerohet. Nga një çip’i Shqipërisë u zu Lidhja edhe ditë më ditë po përhapet nëpër tërë Shqipërit”.
Qëndrimi i mendimtarëve rilindës ndaj Lidhjes Shqiptare
Qysh në formimin e saj Lidhja e Pejës pati përkrahjen e rretheve patriotike shqiptare brenda e jashtë atdheut, të cilat, nëpërmjet artikujve të botuar në shtyp dhe thirrjeve drejtuar popullit, propagandonin idenë e bashkimit të shqiptarëve nën drejtimin e Lidhjes, nevojën e shtrirjes së veprimtarisë së saj në të gjithë vendin dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë. Në mars të vitit 1899, kur Lidhja vijonte të shtrihej në qytete të tjera të Shqipërisë dhe po përgatitej një kuvend i përgjithshëm i saj, u botua në Bukuresht nga Shoqëria “Dituria”, pa emrin e autorit, vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”
Në këtë vepër Sami Frashëri përcaktoi rrugën që duhej të ndiqte Lidhja e Pejës dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi, në luftën kundër zgjedhës osmane. Samiu e quante formimin e Lidhjes një ngjarje të rëndësishme në lëvizjen kombëtare dhe shprehte besimin e shpresën se Lidhja do të arrinte bashkimin e çlirimin e popullit shqiptar nga zgjedha osmane dhe do të garantonte tërësinë e trojeve shqiptare. “Kjo Lidhje, kjo mbledhje e kjo Besë që po bëhet sot në Shqipëri, - shkruante ai, - do të jenë krej’ i shpëtimit të Shqipërisë...”. Samiu argumentonte domosdoshmërinë e shtrirjes së Lidhjes në mbarë Shqipërinë dhe të bashkimit nën drejtimin e saj të të gjithë shqiptarëve, myslimanë, ortodoksë e katolikë. “Më parë se çdo gjë, - theksonte ai, - shqiptarët duhet të lidhin një Besë të madhe e të përgjithshme në mes tyre e të bëjnë një lidhje e një bashkim, që të pushtojnë të tërë Shqipërinë”.
Sami Frashëri kërkonte nga atdhetarët shqiptarë që ta shndërronin Lidhjen në një qeveri shqiptare, në një organ të përhershëm shtetëror, që “të jetë gjithnjë e kudo sa t’u jepen shqiptarëve ato që duan dhe të shpëtonjë Shqipëria nga rreziku”, “të qëndronjë e të mbanjë vent qeverie në Shqipëri se qeveri e turqve s’është një qeveri për ndërtime, po për prishje”; prandaj “Lidhja e shqiptarëve të zërë vendin e saj” dhe të plotësojë vetë ose të detyrojë me forcë qeverinë turke të plotësojë kërkesat e lëvizjes shqiptare. Samiu përcaktoi edhe strukturën organizative të Lidhjes së re Shqiptare: në çdo sanxhak do të ngrihej një këshill i përhershëm, që do të përbënte organin lokal të Lidhjes, ndërsa në kryeqendrën e saj do të vendosej këshilli i përgjithshëm, që do të mblidhej një herë në vit ose kur të lindte nevoja. Ky do të ishte organi qendror legjislativ i Lidhjes Shqiptare dhe do të nxirrte nga gjiri i tij këshillin e përhershëm, i cili do të luante rolin e organit më të lartë ekzekutiv të Lidhjes, të një qeverie shqiptare.
Në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” ideologu i shquar i Rilindjes nuk u kufizua vetëm me mendimet që parashtroi për Lidhjen, por përpunoi më tej programin e tërë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në themel të të cilit vendosi formimin e një shteti kombëtar autonom shqiptar që në kushte më të favorshme do të shndërrohej në një shtet të pavarur. Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” pati ndikim të madh në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare; ajo mbeti një nga dokumentet kryesore programatike të kësaj lëvizjeje. Një muaj pas botimit të veprës së Samiut, në prill të vitit 1899, u publikua në Bukuresht, në formë broshure në gjuhën turke, në emër të një Komiteti a Shoqërie Shqiptare thirrja “Të zgjohemi!” (“Ujanallëm!”). Ky Komitet, i përbërë nga Dervish Hima, Ibrahim Temo, Mehmet Frashëri, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Ilo Unezi etj., vepronte pranë Shoqërisë së Bukureshtit. Thirrja “Të zgjohemi!”, po ashtu si dokumenti tjetër “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”, që u përfshi edhe në këtë broshurë, është hartuar nga Dervish Hima.
Ideja qendrore që përshkon thirrjen “Të zgjohemi!” është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në Besa-Besën, në Lidhjen e Pejës. “Bashkimi dhe drejtësia, - thuhej në këtë dokument, - mbajnë në këmbë një komb. Uniteti i mendimit dhe i veprimit përbën një nga kushtet më të rëndësishme për të siguruar lumturinë e një kombi”. Grisheshin gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë, gegë e toskë, që jetonin në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës që të jepnin Besa-Besën, të linin mënjanë përçarjet e dasitë fetare dhe të bashkoheshin nën udhëheqjen e Lidhjes për mbrojtjen dhe për çlirimin e atdheut. Vetëm të bashkuar në Lidhjen që sapo ishte formuar, theksonin autorët e thirrjes, shqiptarët do t’u bëjnë ballë sunduesve osmanë (që cilësoheshin si armiq të brendshëm) dhe lakmive pushtuese të armiqve të jashtëm, të shteteve fqinje. Bashkimin atdhetarët rilindës e shikonin gjithashtu si një mjet për afirmimin e shqiptarëve si komb në Ballkan e në Evropë. “Po të bashkohemi, - thuhej në këtë dokument, - edhe Evropa do të bindet se ne meritojmë të kemi vendin tonë si komb i lirë në gadishullin e Ballkanit”.
Në këtë dokument atdhetarët shqiptarë e orientonin Lidhjen e Pejës drejt luftës për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, u bënin thirrje udhëheqësve të saj të kërkonin nga qeveria e sulltanit dhe nga shtetet evropiane zbatimin e programit të përgjithshëm të lëvizjes shqiptare: ndryshimin e sistemit ekzistues të qeverisjes së Shqipërisë; vendosjen e një regjimi kushtetues, në të cilin pushtetin legjislativ do ta kishte një këshill i pleqve që do të vihej në krye të vendit, ndërsa pushtetin ekzekutiv një guvernator i zgjedhur nga ky këshill; guvernatori (valiu) do të vihej në krye të katër vilajeteve të bashkuara, të cilat do të përfshiheshin në kufijtë e Shqipërisë; emërimin në Shqipëri vetëm të nëpunësve shqiptarë, të krishterë e myslimanë; barazinë për të gjithë shqiptarët pa dallim feje; hapjen në çdo qytet të Shqipërisë të shkollave shqipe; vendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që do të kryhej vetëm në Shqipëri; përdorimin e të ardhurave të përgjithshme për përparimin e Shqipërisë; amnisti për të gjithë shqiptarët e burgosur dhe të internuar etj.
Përmbushja e këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një shteti autonom e kombëtar shqiptar, i cili, ndonëse do të mbetej ende nën sovranitetin e sulltanit, do të kishte kufijtë e tij të përcaktur qartë dhe një regjim demokratik, të mbështetur në traditat shtetërore të shqiptarëve dhe në parimet më të përparuara të kohës. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Pejës u përkrah gjithashtu nga organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909), “Kalendari Kombiar” (Sofje, 1897-1912), “La Nazione Albanese” (“Kombi Shqiptar”, Kantazaro-Pallagorio, 1897-1912 e në vazhdim) etj., botuesit e të cilëve i bënë të njohur opinionit evropian programin e saj kombëtar. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:59 am | |
| Përpjekjet për thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm shqiptar (prill-qershor 1899)
Vendimi për thirrjen e një Kuvendi të Përgjithshëm, që u mor menjëherë pas themelimit të Lidhjes, gjeti përkrahjen e plotë të komiteteve që u formuan më pas në qytetet e ndryshme të vendit. Duke qenë i vendosur për të bashkuar në Lidhje gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë, Haxhi Zeka theksonte, në ftesat që u shpërndau drejtuesve të komiteteve të saj dhe atdhetarëve të tjerë, se në Kuvendin që do të thirrej ishte e domosdoshme të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e popullsisë katolike e ortodokse. Nisma për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm u miratua nga popullsia e Shkodrës dhe e rretheve të saj, nga popullsia e Mirditës, e Pukës, e Prizrenit dhe e gjithë qyteteve të Kosovës, e sanxhakut të Dibrës, e Ohrit, e Starovës, e Elbasanit, e Tiranës, e Durrësit, e Beratit, e Vlorës etj. Në shumë nga këto qendra u zgjodhën edhe delegatët për në Kuvend. Një veprimtari e dendur politike dhe organizative për mbledhjen e tij u zhvillua në sanxhakun e Dibrës, ku punonte një grup i tërë atdhetarësh, si Selim Rusi, Halit Bërzeshta, Kadri Fishta (Dibra), Fehim Zavalani etj.
Duke përgatitur Kuvendin e Përgjithshëm, Haxhi Zeka dhe pasuesit e tij synonin që nëpërmjet tij të forconin Lidhjen e Pejës dhe ta shtrinin atë në tërë Shqipërinë. Gjatë ditëve të përgatitjes së kësaj mbledhjeje të përgjithshme u përpunua më tej edhe programi kombëtar i Lidhjes së Pejës. Qysh në prill-maj të vitit 1899 atdhetarët shqiptarë u morën vesh që në Kuvendin e Përgjithshëm, përveç vendimit për zgjatjen pa afat të Lidhjes Shqiptare, të miratonin edhe kërkesën për të futur shkallë-shkallë gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e vendit, për të themeluar shkolla kombëtare dhe për të emëruar nëpunës shqiptarë në të gjitha viset me popullsi shqiptare. Haxhi Zeka e përfaqësuesit më të përparuar të forcave atdhetare shqiptare vendosën gjithashtu të shtronin për miratim në këtë mbledhje bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një njësi të vetme administrative, që do të përbënte hapin e parë drejt autonomisë së Shqipërisë. Ishte parashikuar që Kuvendi i Përgjithshëm t’i përmblidhte të gjitha këto kërkesa kombëtare në një memorandum të përbashkët, të cilin do t’ua paraqiste, në formën e një ultimatumi, sulltanit dhe Fuqive të Mëdha.
Por këto përpjekje të Haxhi Zekës dhe të atdhetarëve të tjerë shqiptarë ndeshën në kundërshtimin e hapur të qeverisë së sulltanit. E shqetësuar përpara zgjerimit e thellimit të veprimtarisë së Lidhjes së Pejës, me një urdhëresë të veçantë që iu dërgua guvernatorëve të të katër vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, Porta e Lartë ndaloi thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm të shqiptarëve, që ishte caktuar të mbahej në fund të majit të vitit 1899. Në këtë kohë u përmirësua disi edhe pozita ndërkombëtare e Perandorisë Osmane. Konferenca e Hagës e Fuqive të Mëdha “për çarmatimin dhe paqen”, që u mblodh në maj të vitit 1899, tregoi se këto fuqi nuk kishin ndërmend të ndërhynin në atë kohë për ta detyruar Turqinë të bënte “reforma” në Maqedoni. Në kushte të tilla Porta e Lartë përqendroi gjithë vëmendjen në shtypjen e lëvizjes shqiptare që vazhdonte ende. Në maj të vitit 1899 në mjaft vise të Shqipërisë, si në Shkodër, në Gjakovë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Tetovë dhe në sanxhakun e Dibrës kishin shpërthyer përleshje të armatosura të popullsisë kundër masave ndëshkimore të ushtrisë osmane. Luftime të ashpra u zhvilluan në Glivicë, afër Prishtinës, ku kryengritësit zunë e mbajtën për disa ditë përfaqësuesit e pushtetit lokal. Po në muajin maj mijëra kryengritës të sanxhakut të Tetovës, qytetarë e fshatarë, u grumbulluan në një fshat afër Shkupit, ku krahas protestave kundër arbitraritetit të çifligarëve vendas, shtruan edhe kërkesën për të mbledhur Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes.
Përpjekjet për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm u përkrahën edhe nga atdhetarët e kolonisë së Bukureshtit. Më 9 gusht u shpall në emër të komitetit “Bashkimi Shqiptar”, i përbërë nga doktor Ibrahim Temoja, Dervish Hima e Jorgji Meksi dhe i kryesuar nga Mehmet Frashëri, vëllai i Abdylit, i Naimit e i Samiut, manifesti “Kërkimet e shqiptarëve”, në të cilin u bëhej thirrje gjithë shqiptarëve, që nën drejtimin e komiteteve të Lidhjes të mblidhnin në Prizren Kuvendin e Përgjithshëm të saj, i cili do të kërkonte nga Porta e lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha autonominë e Shqipërisë.
Kur qeveria osmane filloi të përdorte dhunën për të ndaluar mbledhjen brenda në Shqipëri të Kuvendit të përgjithshëm, Komiteti Shqiptar i Bukureshtit vendosi që të mbahej në këtë qytet, më 27 shtator 1899, një Kongres i Përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë përfaqësues nga popullsitë shqiptare brenda vendit dhe nga kolonitë e mërgimit. Kongresi do t’i paraqiste Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha kërkesën për formimin e një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e sulltanit, me asamblenë e vet kombëtare, me një guvernator të përgjithshëm, të caktuar nga Shtetet e Mëdha dhe të miratuar nga sulltani. Por edhe kjo nismë, për shkak të ndalesave që qeveria rumune nxori nën presionin e Stambollit, nuk pati sukses.
Lufta e Lidhjes kundër administratës osmane dhe shtypja e saj (tetor 1899 - dhjetor 1900)
Në vjeshtën e vitit 1899 lëvizja kombëtare, e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në një fazë të re, filloi lufta kundër administratës osmane në tërësi për të vendosur një administratë shqiptare. Kjo luftë u gërshetua me qëndresën e armatosur të masave kundër përpjekjeve të Portës së Lartë për të shpërndarë komitetet e Lidhjes dhe për të rivendosur autoritetin e organeve shtetërore osmane në viset ku qeveriste Lidhja. Sado që kjo qëndresë nuk u shtri në mbarë Shqipërinë, ajo ishte një përpjekje për të përmbushur programin e Lidhjes dhe të lëvizjes kombëtare në tërësi, për formimin e një Shqipërie autonome.
Vatër kryesore e kësaj lëvizjeje u bë sanxhaku i Dibrës. Në shtator të vitit 1899 Porta e Lartë ndërmori këtu një varg masash, siç ishte rivendosja e gjykatave osmane, të suprimuara nga Lidhja etj., që kishin për qëllim të zhvishnin Komitetin e Dibrës nga kompetencat shtetërore dhe ta asgjësonin atë përfundimisht. Këto masa shtypëse të qeverisë u bënë shkak për shpërthimin e kryengritjes popullore, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes për Dibrën. Më 17 tetor mijëra malësorë zbritën nga fshatrat dhe u bashkuan me popullsinë qytetare të Dibrës e të qendrave të tjera të këtij sanxhaku. Kryengritësit dëbuan nëpunësit osmanë, izoluan mytesarifin dhe shtinë në dorë postë-telegrafën. Përveç Selim Rusit, Nurçe Pustinës dhe drejtuesve të tjerë të Komitetit, me organizimin e qëndresës së armatosur në këtë sanxhak merrej edhe Hamdi Ohri, i cili sapo ishte liruar nga internimi pas kërkesës këmbëngulëse të Lidhjes. Për katër muaj me radhë, nga fundi i tetorit 1899 e deri në janar 1900, pushteti faktik në sanxhakun e Dibrës u përqendrua në duart e shqiptarëve, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes, ndërsa qeverisë dhe autoriteteve lokale nuk u mbeti asnjë fuqi.
Më 6 nëntor, në emër të Komitetit Arsimor Shqiptar të Dibrës, që vepronte si organ i Lidhjes Shqiptare, iu dërgua sulltanit një promemorje, në të cilën kërkohej të themeloheshin shkolla shqipe në këtë sanxhak. Promemorja qe nënshkruar nga Shyqri Çoku (nipi i Iljaz pashë Dibrës), Hamdi Ohri dhe nga atdhetarë të tjerë, gjithsej 31 veta. Meqë edhe kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria, më 8 dhjetor kryengritësit rifilluan veprimet e tyre, sulmuan selitë e administratës lokale, dëbuan ushtritë osmane nga qyteti ose e izoluan atë në kazerma. Në Dibër u përqendruan edhe 1 500 shqiptarë të armatosur, që zbritën nga Malësia e Dibrës së Poshtme, nga Mati, nga Luma e nga Selishta.
Duke marrë zemër nga lëvizja kryengritëse në Kosovë, që po në këtë kohë përfshiu Prishtinën, Pejën, Gjakovën e Drenicën, popullsia e Dibrës i zgjeroi veprimet e saj. Në javën e parë të dhjetorit këtu qenë grumbulluar 3 000-3 500 kryengritës, që shtinë në dorë thuajse të gjitha lagjet e qytetit. Sulltani u detyrua t’u bënte lëshime kryengritësve dibranë, të tërhiqte nëpunësit e gjykatave osmane dhe të njihte pushtetin gjyqësor të vendosur nga Lidhja, ndërsa në shkurt pushoi edhe mytesarifin e sanxhakut të Dibrës. Në një kohë me qëndresën kundërosmane atdhetarët dibranë Selim Rusi, Hamdi Ohri, Halit Bërzeshta etj., në bashkëpunim me Haxhi Zekën, vijuan përpjekjet për të zgjatur afatin e Lidhjes, për të forcuar pushtetin e saj në këtë sanxhak dhe për të thirrur një Kuvend të Përgjithshëm. Por, për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, përpjekjet që u bënë në nëntor të vitit 1899 për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme të Lidhjes në sanxhakun e Dibrës nuk dhanë rezultat.
Më 16 shkurt, pa marrë ende fund kryengritja e Dibrës, atdhetarët kosovarë, të drejtuar nga Idriz Gjakova, një nga atdhetarët më me ndikim në këtë trevë, organizuan një manifestim të fuqishëm në Shkup, që u kthye në një kryengritje të armatosur. Kryengritësit kërkuan pushimin e valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, të kryetarit të bashkisë dhe të funksionarëve të tjerë të administratës osmane në Shkup. Atdhetarët shqiptarë synonin ta kthenin Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në vatër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në tërësi dhe nëpërmjet kryengritjes që organizuan në këtë qytet të përmbushnin kërkesat autonomiste të saj. Për këtë qëllim u formua edhe Komiteti i Shkupit, që doli nga gjiri i kryengritjes dhe që merrej me udhëheqjen e saj. Kryengritësit e Shkupit, si edhe të viseve të tjera të Shqipërisë, shtruan si kërkesë themelore autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit.
Në fillim të marsit në Shkup u mblodhën 2 000 shqiptarë të armatosur, që iu kundërvunë ushtrive osmane, të cilat mbronin selitë e administratës lokale. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua edhe popullsia sllavo-maqedone e Shkupit. Pushimi nga sulltani më 13 mars të vitit 1900 i valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, ndonëse përbënte një fitore të kryengritësve kosovarë, nuk mund të sillte përmbushjen e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare. Porta e Lartë, megjithëse kishte shpallur amnistinë, arrestoi më 18 mars udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Idriz Gjakovën, Haxhi Raufin e të tjerë, që u dërguan në Bitlis. Këto masa u bënë shkak për një manifestim tjetër, që u organizua më 20 mars, në të cilin morën pjesë 3 000 veta; ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Idriz Gjakovës dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes. Manifestimet që shpërthyen në Shkup në mars të vitit 1900, vijuan pa ndërprerje deri në vjeshtën e atij viti.
Në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim të marsit qëndresa kundër administratës osmane u shtri në Mitrovicë e në krahinën e Drenicës. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte vënë Komiteti i pajtimit, i Lidhjes Shqiptare për Mitrovicën e për Drenicën. Po në fundin e shkurtit dhe në fillim të marsit ndodhën përleshje të armatosura në rrethet e Prishtinës, ku qindra kryengritës, që kishin zbritur nga Çiçavica, u përleshën në hyrje të qytetit me trupat osmane. Populli kërkonte largimin e mytesarifit dhe të funksionarëve të tjerë osmanë nga Prishtina. Lëvizja përfshiu edhe sanxhakun e Prizrenit, ku popullsia myslimane e katolike ngriti krye duke kërkuar gjithashtu largimin e mytesarifit e të nëpunësve të tjerë. Në Prizren u rimëkëmb Besa dhe u vendos të mbahej një tubim i përgjithshëm për të konsoliduar Lidhjen Shqiptare.
Masat shtypëse të Portës së Lartë dhe futja e një shtese të re të taksave u bënë shkak që të shpërthente (në mars të vitit 1900) lëvizja kundërosmane në Mitrovicë, në Senicë dhe në Pazarin e Ri, e cila vijoi deri në verën e atij viti, kur mori formën e një kryengritjeje të armatosur. Në korrik-gusht shpërtheu kryengritja në Pejë e në Gjakovë, që e detyroi qeverinë të pushonte mytesarifin e sanxhakut të Pejës. Në qershor Porta e Lartë hodhi ushtri të shumta, të komanduara nga Shemsi Pasha, të cilat kaluan përmes Shkupit në Mitrovicë dhe prej andej në Pazar të Ri e në Senicë. Vetëm në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës u përqendruan 14 batalione ushtarësh, 8 000 kalorës e 36 topa, që shtypën me egërsi kryengritjen në Senicë e në Pazarin e Ri. U arrestuan, u burgosën dhe u internuan 573 udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në këtë trevë. Masat shtypëse të Shemsi Pashës shkaktuan zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Pazarin e Ri. Në peticionin që iu dërgua sulltanit, në fundin e gushtit të vitit 1900, me nënshkrimet e 2 000 kryengritësve të Pazarit të Ri, kërkohej lirimi i të burgosurve politikë dhe largimi i funksionarëve të administratës osmane. Në verën e këtij viti shpërthyen konfliktet e armatosura në kazanë e Gjilanit, në jug të Prishtinës; u forcua qëndresa kundërosmane në Shkup, në Ferizaj, në Mitrovicë, në Mat, në Dibër e në vende të tjera të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.
Në këto rrethana, sulltani u detyrua të largonte nga vilajeti i Kosovës Shemsi Pashën, të pushonte mytesarifin e Pazarit të Ri dhe të hiqte shtesën e taksës në të gjithë sanxhakët e Kosovës. Megjithatë, konfliktet e shqiptarëve me autoritetet osmane në vilajetin e Kosovës vazhduan deri në shtatorin e vitit 1900. Në pranverën e vitit 1900, duke përfituar nga gjendja e krijuar pas shpërthimit të kryengritjeve në Dibër e në Kosovë, Haxhi Zeka bëri një përpjekje të re për të mbledhur një kuvend tjetër shqiptar, ku të kërkohej autonomia e Shqipërisë. Për këtë, qysh në mars të vitit 1900, ai shkoi në Dibër, ku idetë e Lidhjes ishin ende të fuqishme. Në bisedimet që u zhvilluan në Dibër u arrit në përfundimin që Besa të vendosej për një kohë të gjatë, të paktën për një periudhë pesëvjeçare. Në fundin e prillit Haxhi Zeka arriti të mbajë në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Tetovës, të Gjilanit, të Rozhajës, të Shkodrës, të Hasit, të Gjakovës, të Dibrës, të Senicës e të Pazarit të Ri. Këtu u diskutuan çështjet që kishin të bënin me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe u vendos të thirrej Kuvendi i ri i Përgjithshëm, që do të mbahej në Prizren ose në ndonjë qytet tjetër.
Por edhe këtë herë atdhetarët shqiptarë nuk mundën të mblidhnin Kuvendin e Përgjithshëm, për shkak të pengesave që nxori valiu i Kosovës, Reshat Pasha. Edhe sulltani, kur mësoi se Kuvendi do të parashtronte kërkesa kombëtare, urdhëroi valinjtë e Shqipërisë që të mos e lejonin mbajtjen e tij. Po kështu dështuan edhe përpjekjet, që atdhetarët dibranë bënë, në muajt prill-qershor të vitit 1900, për të përforcuar dhe për të zgjeruar Lidhjen Shqiptare. Qeveria e sulltanit, e nxitur edhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat qenë çliruar nga lëvizja maqedone, që tanimë kishte rënë, kundërshtoi çdo kërkesë të shqiptarëve dhe kaloi në sulm të hapur kundër lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Në shtator të vitit 1900 Porta e Lartë vetëm kundër vilajetit të Kosovës hodhi 40 mijë ushtarë. Goditjen kryesore Stambolli e drejtoi kundër qëndresës popullore në Shkup, Tetovë, Dibër, Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë e në qendra të tjera. Për shtypjen e kryengritjes në Shkup u ngarkua komandanti i sapoemëruar i xhandarmërisë së kryeqendrës së vilajetit, Mehmet Pasha. Pas përleshjeve që u bënë në Shkup më 15 shtator, komanda e ushtrisë osmane arrestoi edhe 30 veprimtarë të tjerë të lëvizjes shqiptare. Në nëntor u arrestua një nga udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Haxhi Raufi, me 22 pasues të tij. Terrori dhe arrestimet në Shkup vazhduan deri në fundin e vitit 1900.
Nga Shkupi Mehmet pasha u drejtua për në Tetovë dhe prej andej në Dibër, ku mori gjithashtu masa të ashpra për shtypjen e qëndresës popullore dhe për shpërndarjen e komiteteve të Lidhjes. Për të shtypur kryengritjen në qytetet e Kosovës, sulltani dërgoi përsëri Shemsi Pashën, i cili në krye të ushtrive të shumta osmane, gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1900, goditi në fillim kryengritësit e Prizrenit dhe shpërndau Komitetin e Lidhjes së këtij sanxhaku. Prej këtej Shemsi Pasha u hodh në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Mitrovicë e në qendra të tjera. Për të vendosur “rendin dhe qetësinë” ai shtypi lëvizjen shqiptare kudo ku shkeli.
Këto masa, krahas disa lëshimeve të pjesshme që iu bënë kryengritësve dhe krahas dhuratave e posteve që iu dhanë krerëve konservatorë e turkomanë, përmirësuan përkohësisht pozitat e Perandorisë Osmane në vilajetet e Kosovës e të Manastirit. Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë. Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:59 am | |
| 3. PROGRAMI POLITIK I SAMI FRASHËRIT DHE I ISMAIL QEMALIT (1899-1900)
Sami Frashëri dhe Ismail Qemali, dy nga personalitetet e shquara shqiptare, duke ecur në gjurmët e platformës politike të përcaktuar nga Lidhja e Prizrenit (1878-1881), i dhanë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në kapërcyellin nga shek. XIX në shek. XX një program të përparuar politik, që hapte perspektiva për përmbushjen e objektivave të saj dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ata u bënë kështu figurat qendrore të lëvizjes çlirimtare, ndërsa pikëpamjet e tyre mbetën një pikë referimi për lëvizjen kombëtare të asaj periudhe.
Traktati politik i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899)
Me veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, që u botua (nga Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit) pa emrin e autorit në mars të vitit 1899, Sami Frashëri pasuroi më tej mendimin politik të Rilindjes dhe ndikoi fuqishëm për zhvillimin e lëvizjes kombëtare në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX. Duke pasur një përvojë të gjatë, si një nga udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Samiu e shkroi këtë vepër menjëherë pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Pejës, që u mbajt në javën e fundit të janarit të vitit 1899. Vepra zë një vend të veçantë në krijimtarinë e gjithanshme të autorit dhe përbën traktatin më të rëndësishëm shqip me karakter politik e shoqëror të Rilindjes Shqiptare.
Ndonëse e hartoi duke qenë i frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) dhe me synimin që t’i jepte asaj një program të plotë politik e kombëtar, Sami Frashëri i tejkaloi caqet e këtij qëllimi dhe, me një qartësi të veçantë e në mënyrë të gjithanshme, shtjelloi në këtë vepër tërë programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, zhvilloi më tej mendimin politik e shoqëror shqiptar për çështjet themelore të luftës për çlirimin kombëtar. Kjo vepër është një përgjithësim i përvojës së pasur politike të Samiut dhe i të gjithë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, një program i luftës për çlirimin e Shqipërisë dhe për organizimin e saj politiko-shtetëror e ekonomik. Në të janë hedhur themelet e strategjisë së lëvizjes kombëtare që përcaktohej nga raporti i atëhershëm i forcave në Perandorinë Osmane e në Evropë, si edhe të taktikës e të rrugës që duhej ndjekur për të siguruar formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Me veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, Sami Frashëri u bë ideologu më i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe një nga figurat më të ndritura të historisë së mendimit politik shqiptar.
Ai, si askush tjetër, përcaktoi me një kthjelltësi të veçantë dhe në një mënyrë të prerë, pa asnjë mëdyshje e lëkundje, qëndrimin kundrejt Perandorisë Osmane, shtroi konceptet dhe bindjet e tij për të tashmen e të ardhmen e Shqipërisë. Pas një përshkimi të shkurtër të historisë së lashtë e mesjetare të Shqipërisë, me qëllim që të ngjallte te bashkatdhetarët krenarinë kombëtare për të kaluarën e tyre, Samiu trajtonte me ngjyra të forta gjendjen e mjerueshme ku e kishte zhytur Shqipërinë sundimi turk. “Sot shqiptarët janë robër, të poshtëruar e t’unjurë, të shkelur e të çpërndarë shumë më tepër se të tjerët kombe.... Turqia, - vazhdonte Samiu, - sot shqiptarë e mer ushtar, e mundon e rreh që të mësonjë gjuhën e tij ... Shqiptarët janë futur në aq të rënda pagesa, sa s’mundin të ngrenë krye..., janë lakuriq me një këmishë, që s’ka ku ta zerë qeni. Vete dhe zaptija e tahsildari e ngre shkopin e i rreh duke thirrur: paguani!” Samiu ngre zërin kundër politikës antishqiptare dhe asimiluese të pushtuesve osmanë. Në kohën kur ndihmon grekët, serbët e bullgarët të çelin shkolla të huaja në Shqipëri, vinte në dukje Samiu, qeveria turke “nuk le të hapet ndonjë shkollë shqipe e të shkruhet ndonjë libër shqip”. Varfëria, paqeveria (administrimi i keq - shën. i aut.), padituria, ishin, sipas Samiut, karakteristikat kryesore të sundimit osman në Shqipëri.
Autori analizon në këtë vepër gjendjen e brendshme të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane dhe në atë ndërkombëtare, që e trajton të lidhur me raportin e atëhershëm të forcave në Ballkan e në Evropë. Kjo analizë e çoi Sami Frashërin në përfundimin e drejtë se armiku kryesor i popullit shqiptar ishte Perandoria Osmane, që e mbante atë të robëruar prej 500 vjetësh, në prapambetje të madhe ekonomike e kulturore e që po e çonte tani drejt shkatërrimit; pas saj vinin shtetet fqinje të Ballkanit, Greqia, Serbia e Bullgaria, që përpiqeshin me anë të kishës, të shkollës e të armëve t’i asimilonin shqiptarët dhe të copëtonin atdheun e tyre. Ai theksonte gjithashtu se Perandoria Osmane, e kalbur që nga themelet, nuk ishte në gjendje të përballonte goditjet e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha, se shkatërrimi i saj ishte i shpejtë e i pashmangshëm, se sundimi i saj në Evropë do të merrte fund. Duke u mbështetur në këtë analizë, Sami Frashëri argumentoi në mënyrë shkencore domosdoshmërinë e shkëputjes së Shqipërisë nga Turqia dhe të formimit të një shteti të pavarur shqiptar si rrugë e vetme për shpëtimin e kombit shqiptar e të Shqipërisë nga zgjedha turke e nga copëtimi. “Turqia në Evropë jetën e ka fort të shkurtër, - shkruante Samiu, - Shqipëria s’ka bërë themel as ka lëshuar rrënjë në vetëhe; ron në themelet e gremisurë të Turqisë e në rrënjët e kalbura të saj. Me të rënët e kësaj stihie të madhe (të Perandorisë Osmane - shën. i aut.) do të bjerë edhe Shqipëria e do të shtypetë nën gërmadhat e rënda të saj...”.
Në qoftë se Shqipëria, arsyetonte ideologu i madh, do të vazhdonte të mbetej nën Perandorinë Osmane, e ndarë në katër vilajete të zakonshme, pa asnjë të drejtë të veçantë dhe në qoftë se shqiptarët do të vijojnë të durojnë tiraninë turke, nuk do të ngrihen për të kërkuar të drejtat e tyre kombëtare dhe për t’u çliruar nga robëria, ata do të identifikoheshin me turqit. Në këtë rast, kur Perandoria Osmane të shembej, Shqipëria mund të trajtohej si një pjesë e trashëgimit turk, si objekt për t’u ndarë ndërmjet monarkive dhe do të gremisej bashkë me këtë Perandori. Prandaj, theksonte ai, është e domosdoshme që gjithë shqiptarët të luftojnë kundër sundimit osman, “që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane, që të shpëtojë nga shkatërrimi e nga katastrofa drejt së cilës po shkon kjo Perandori”. Shembja e saj duhet ta gjejë Shqipërinë të organizuar në shtet më vete me qeverinë e vet. Është detyrë e parë që shqiptarët të kërkojnë nga sulltani dhe nga shtetet evropiane që Shqipëria të veçohej nga trungu turk, që “një orë e më parë të ndahetë Shqipëria e të dihetë që ku e gjer ku është. Të njihet vendi ynë për Shqipëri, ta njohë Evropa për Shqipëri”.
Megjithëse në tërë veprën e tij Sami Frashëri argumentonte domosdoshmërinë e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, ai lejonte që për një kohë ajo të kishte statusin e autonomisë brenda Perandorisë Osmane. “Kjo qeveri shqiptare, - shkruante ai, - të jetë sot për sot nën Turqinë..., por me një mënyrë që në rëntë Turqia, të mundënjë Shqipëria sikundër që është të qëndronjë më vehte”. Formimin në fazën e parë të një shteti autonom shqiptar, të një qeverie shqiptare nën sovranitetin e sulltanit, Samiu e argumentonte me faktin se në shtresat e ndryshme të popullsisë shqiptare ende nuk qe formuar bindja për nevojën e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Sundimi pesëqindvjeçar osman, feja e përbashkët (myslimane) e shumicës së popullsisë shqiptare me turqit, përbashkësia e interesave ekonomike të parisë shqiptare me sunduesit osmanë dhe lidhjet e tjera të shumta tradicionale të krijuara gjatë pesë shekujve ushtronin ndikimin e vet te shqiptarët, duke errësuar ndërgjegjen e tyre.
Por edhe në këtë rast Sami Frashëri u mbeti besnik bindjeve të tij përparimtare dhe, duke arsyetuar si iluminist e atdhetar i shquar, u përpoq t’i bindte shqiptarët se interesat e tyre si komb i veçantë janë krejt të ndryshme nga ato të turqve dhe se të ardhmen e Shqipërisë duhet ta kërkonin jashtë Perandorisë Osmane. Shqiptarët, theksonte ai, i dallonte nga turqit jo vetëm identiteti i tyre krejt i veçantë kombëtar, por edhe përkatësia e tyre në familjen evropiane, fakti që ata ishin një popull evropian dhe qenë formuar si të tillë gjatë historisë mijëravjeçare. Samiu argumentonte gjithashtu nevojën e luftës me armë për arritjen e qëllimeve kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për çlirimin e atdheut nga zgjedha turke. Duke iu drejtuar atyre krerëve shqiptarë që shpresonin se Porta e Lartë do t’ua jepte me “hirin” e vet reformat e premtuara, ai shkruante: “Turqia me dashuri e mirësi s’jep gjë kurrë. Do më mirë Turqia ta humbasë Shqipërinë e ta ndajë në mes të armiqve të saj sesa t’i japë një qeveri të urtë e të mirë, e cila të ndreqnjë e të zbukuronjë e ta bënjë vend të ndriturë si gjithë bota... Prandaj edhe shqiptarëve me hir Turqia s’u ka për të dhënë gjë. Shqiptarët duhet t’i marrin ato që duan me pahir: t’i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot”; ata “janë të zotë t’i ruajnë dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre edhe me armë në dorë. Kur përzihet e drejta me fuqinë, - theksonte Samiu, - merr një forcë të cilës gjë s’i rri dot kundrejt”.
Në veprën e vet Samiu parashtroi njëkohësisht parimet themelore dhe strukturën organizative të shtetit të ardhshëm shqiptar, një lloj projekti të kushtetutës që, sipas tij, duhej të kishte Shqipëria kur të bëhej shtet më vete, i pavarur; kjo ide formulohej në mënyrë të plotë për të parën herë në historinë e mendimit politik shqiptar. Në këtë projekt Samiu zhvilloi më tej mendimet e parashtruara prej tij në Manifestin e Komitetit Shqiptar të Stambollit të vitit 1897. Sipas Sami Frashërit, Shqipëria si shtet më vete duhej të ishte një republikë parlamentare me organet e saj të veçanta. Pushteti ekzekutiv do të ishte i ndarë nga ai legjislativ; të parin do ta ushtronte qeveria e përbërë prej shtatë ministrash, njëri prej të cilëve do të ishte kryetar i Këshillit të Ministrave; atë legjislativ do ta ushtronte Këshilli i Përgjithshëm (parlamenti), i përbërë nga deputetët që do të zgjidheshin një për çdo 20 mijë banorë.
Në krye të shtetit shqiptar do të qëndronte Këshilli i Pleqësisë i përbërë prej 15 vetash, të cilët do të zgjidhnin nga gjiri i tyre një kryetar dhe një nënkryetar. Ky organ, sipas mendimit të Samiut, do të ishte si një lloj presidiumi i Këshillit të Përgjithshëm dhe do të ngarkohej me detyrat që në shtetet e tjera i kryente mbreti, princi ose presidenti i republikës. Me vendim të Pleqësisë do të bëhej edhe ndërrimi i qeverisë ose caktimi i qeverisë së re dhe i kryetarit të saj. I tillë do të ishte, sipas Samiut, organizimi i shtetit të pavarur shqiptar.
Por sa kohë që Shqipëria do të ishte autonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, në krye të qeverisë do të vihej një guvernator ose, siç e quante Samiu, një qeveritar i përgjithshëm, i cili do të emërohej nga sulltani për 5 vjet, pasi të merrej pëlqimi nga Pleqësia e nga Këshilli i Përgjithshëm. Në të dy rastet qeveria do të ishte e detyruar të përgjigjej e të jepte llogari përpara Pleqësisë dhe Këshillit të Përgjithshëm; këta kishin të drejtë të pranonin ose të rrëzonin ligjet e vendimet e paraqitura prej saj. Kushtetuta e Samiut përshkohet nga një frymë demokratike. Ajo ishte kushtetutë e një regjimi demokratik- borgjez. Idesë për shtetin shqiptar Samiu i jepte një përmbajtje të përparuar edhe nga ana ekonomike e shoqërore. Ai kërkonte që në Shqipërinë e lirë të merreshin masa të shpejta me anë investimesh të mëdha për të përmirësuar gjendjen e vajtueshme ekonomike të vendit. Ai kërkonte të ngrihej një industri kombëtare, të mëkëmbej bujqësia e prapambetur, të pajisej vendi me një rrjet të gjerë transporti, të forcoheshin financat dhe të vendosej një sistem arsimor mjaft i përhapur e i përparuar. Ai i kushtonte arsimit një kujdes të veçantë, idetë e tij për këtë çështje janë thellësisht përparimtare.
Samiu kërkonte një arsim të përgjithshëm e të detyrueshëm për të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit, të njëllojtë si për djemtë edhe për vajzat, një arsim në gjuhën amtare si për shqiptarët, ashtu edhe për pakicat kombëtare që do të bënin pjesë në Shqipëri; ai mendonte të themelohej një shkollë, që të ishte laike, e shkëputur nga kisha e nga xhamia, e varur krejtësisht nga shteti, një shkollë që të ishte vatër diturie dhe atdhetarizmi, që të bëhej bartëse e lulëzimit dhe e qytetërimit të atdheut. Sistemi arsimor i rilindësit të shquar parashikonte shkolla fillore, qytetëse, gjimnaze, teknikume, universitete dhe institute të larta për miniera, bujqësi, pyje, histori, gjeografi, gjuhësi, akademi ushtarake e detare etj. Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë” la përshtypje të thellë në radhët e atdhetarëve. Idetë e parashtruara nga Samiu në këtë vepër për rrugët që duheshin ndjekur për çlirimin e Shqipërisë u përvetësuan dhe u përhapën nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare dhe nga shtypi shqiptar i kohës. Në saje të punës së shoqërive shqiptare jashtë atdheut vepra e Samiut u përhap thuajse në të gjitha krahinat e vendit. Megjithëse u botua pa emër, shumë shpejt u kuptua se autori i saj ishte Samiu. Si pasojë kundër tij filloi persekutimi nga qeveria. Ai u urdhërua nga policia e Stambollit të qëndronte i mbyllur në shtëpinë e tij dhe të ndërpriste çdo lidhje me shokët e miqtë e vet. Ky izolim, që i ngjante një burgimi të vërtetë, vijoi derisa rilindësi i madh vdiq më 18 qershor 1904.
Ismail Qemali dhe programi i tij i vitit 1900
Nga viti 1900 filloi të marrë pjesë gjallërisht në jetën politike të Shqipërisë edhe Ismail Qemali, që deri në atë kohë njihej më shumë si një nga personalitetet e shquara politike e shtetërore të Perandorisë Osmane. Ai u lind në Vlorë më 24 janar 1844 në familjen e Sinanajve, që njihej si pronare e madhe tokash dhe për kontributin e saj në qëndresën kundërosmane në vitet 20 të shek. XIX, sidomos gjatë kryengritjes popullore të vitit 1847. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin Zosimea të Janinës, në vitin 1859 u vendos me familjen e tij në Stamboll. Këtu hyri si përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke ndjekur njëkohësisht studimet e larta për drejtësi.
Në Stamboll mori pjesë, së bashku me atdhetarët e tjerë shqiptarë, në përpjekjet që u bënë në vitin 1864 e 1867 për hartimin e një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe dhe për të formuar një shoqëri kulturore shqiptare. Ismail Qemali u shpreh atëherë kundër përdorimit të alfabetit arab për gjuhën shqipe dhe u bashkua me Pashko Vasën, me Kostandin Kristoforidhin dhe me intelektualë të tjerë që ishin përkrahës të alfabetit latin. Në vitet 70 Ismail Qemali filloi të shquhej si personalitet shtetëror. U ngarkua me detyrën e guvernatorit në disa provinca të Perandorisë Osmane. Duke qenë njohës i shumë gjuhëve dhe me një kulturë të gjerë, i pajisur me zgjuarsi e talent në fushën shtetërore dhe të diplomacisë, e sidomos në saje të artikujve që botonte në gazetat më të mëdha evropiane, Ismail Qemali qysh në vitet 70 u bë një nga figurat më të shquara të Perandorisë Osmane e shumë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. U dallua veçanërisht si njohës i mirë i gjendjes së Turqisë e sidomos i asaj ndërkombëtare.
Si funksionar në administratën shtetërore osmane Ismail Qemali u shqua shumë shpejt për pikëpamjet përparimtare, si përkrahës i reformave. Në vitin 1876, kur u bë kryeministër Mithat Pasha, Ismail Qemali, që kishte bashkëpunuar me të edhe në të kaluarën kur ishte guvernator në provincën e Danubit, mori pjesë në komisionin shtetëror për hartimin e kushtetutës turke, e cila u shpall në dhjetor 1876. Pas heqjes së kushtetutës nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mithat Pashës më 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor i tij në internim në Kutahja, ku u mbajt deri në vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin 1899, u emërua përsëri disa herë me radhë si guvernator në provinca të ndryshme të Perandorisë dhe u caktua gjithashtu anëtar i Këshillit të Shtetit. Gjatë kësaj periudhe, i ngarkuar nga sulltani për të hetuar gjendjen ndërkombëtare të vendit, Ismail Qemali kërkoi prej tij disa herë me radhë që të zbatonte reforma në Perandorinë Osmane. Në shkurt të vitit 1897, duke qenë guvernator i Tripolit, i paraqiti Abdyl Hamitit një promemorje ku, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të brendshme e të jashtme të Perandorisë, korrupsionin, arbitraritetin e keqadministrimin që zotëronte në aparatin shtetëror qendror e lokal dhe mungesën e të drejtave njerëzore e politike për gjithë shtetasit, parashtronte programin e tij të reformave.
Ai propozonte që të zbatoheshin me ngutësi reforma radikale, të cilat duhet të ishin të përgjithshme, t’u siguronin shtetasve të drejta në qeverisjen e vendit, lirinë e mendimit e të veprimit. Në promemorje kërkohej që të rivendosej e të vihej menjëherë në jetë kushtetuta e vitit 1876, së cilës duhej t’i bëheshin ndryshime e përmirësime që t’u përshtateshin gjendjes së Perandorisë Osmane në fundin e shek. XIX dhe lëvizjeve kombëtare të popujve; këto ndryshime e përmirësime do të miratoheshin nga asambleja kushtetuese, që do të thirrej posaçërisht për këtë qëllim. Ismail Qemali mendonte që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Evropës. Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorjen, Ismail Qemali i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane.
Miratimi i një kushtetute të tillë do t’u hapte rrugën reformave decetralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorisë. Ismail Qemali shpresonte se këto masa do t’i sillnin dobi edhe kombit shqiptar, do të përmirësonin dukshëm gjendjen politike, kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë e të provincave të saj. Këto ide Ismail Qemali i shprehu edhe më qartë në intervistën që botoi në shtypin evropian në janar të vitit 1900, në të cilën kërkonte që Perandoria Osmane t’u jepte liri të gjera e të plota popujve që mbante nën zotërimin e saj, që shqiptarët, grekët, sllavët e arabët të gëzonin të drejta të njëjta me turqit dhe të viheshin në një shkallë barazie me ta. Promemorja e vitit 1897 u prit mirë nga opinioni zyrtar e publik i disa shteteve evropiane, pati jehonë në shtypin e tyre, që e cilësoi Ismail Qemalin si një reformator dhe burrë shteti të shquar e largpamës.
Ndërsa qarqet përparimtare të Perandorisë dhe ato të popujve të robëruar i shikonin me simpati idetë e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave, sulltani e Porta e Lartë i quante ato dhe autorin e tyre të rrezikshëm për stabilitetin e sundimit të tyre. Për pikëpamjet e tij, si dhe për lidhjet me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sulltani vendosi ta largonte Ismail Qemalin nga kryeqyteti dhe në prill të vitit 1900 e emëroi guvernator në Tripoli. Para se të merrej kjo masë, Porta e Lartë, me këmbënguljen e sulltanit, kishte vendosur tanimë pa asnjë akt gjyqësor ta dëbonte atë nga Stambolli. Në këto rrethana emërimi i tij i ri u vlerësua si një përpjekje e maskuar për ta internuar e ndoshta për ta zhdukur. Edhe Ismail Qemali dyshoi për këtë komplot, prandaj disa ditë pas takimit që pati me sulltanin, më 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, në Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qëndroi për një kohë më të gjatë. Në Athinë dhe në ndonjë vend tjetër Ismail Qemali pati takime edhe me personalitete politike e shtetërore të kohës. Përveç të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë, Gjergji I, që tregoi interes të veçantë për të.
Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të madhe në Turqi e në Evropë, prandaj sulltani qysh në ditët e para të largimit të tij bëri disa përçapje për ta tërhequr në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shtetërore, të cilat ai nuk i pranoi. Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Krahas me këtë Ismail Qemali, si dhe mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në lëvizjen e turqve të rinj, ku u bashkua me përkrahësit e rrymës së decentralizimit që kërkonin zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë. Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës së tij, “Albania” (1897-1909). Më pas nxori këtu gazetën e vet “Le salut d’Albanie” (“Shpëtimi i Shqipërisë”).
Programin e vet politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare Ismail Qemali për herë të parë e shfaqi publikisht në intervistën që i dha gazetës së njohur italiane “Tribuna”, më 21 maj 1900, kur ende ndodhej në Romë; ndërsa më 15 tetor të po atij viti ai botoi në revistën “Albania” thirrjen (“Vëllezërve shqiptarë!”) drejtuar gjithë shqiptarëve, në të cilën paraqiti edhe njëherë pikëpamjet e veta për lëvizjen shqiptare.
Në të dyja këto dokumente Ismail Qemali, duke folur për arratisjen e tij, thekson se u largua nga Turqia për t’u bashkuar me vëllezërit e tij shqiptarë dhe për t’u marrë vesh me ta për shpëtimin e atdheut, të Shqipërisë, e cila për shkak të rrokullimës së Perandorisë Osmane rrezikon të copëtohet nga vendet fqinje dhe të humbasë bashkë me të. Ismail Qemali parashtroi si një kërkesë të ngutshme, të drejtë e të rëndësishme njohjen e kombësisë shqiptare, pranimin “si një kurm e një komp të shqiptarëve që rrojnë tubërisht në Shkodër, në Kosovë, në Manastir e në Janinë, e tej e këtej në viset e tjera të Turqisë Evropiane”. Në sendërtimin e këtyre kërkesave ai shihte rrugën e mundshme të konsolidimit të kombësisë shqiptare, të afirmimit të shqiptarëve si komb më vete dhe të njohjes së identitetit të tyre kombëtar në arenën ndërkombëtare. “Ne, - shkruante ai, - duam vetëm bashkimin dhe unitetin e racës (kombësisë - shën. i aut.) sonë shqiptare, përparimin e saj intelektual dhe ekonomik me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne...”.
Ismail Qemali e shihte të ardhmen e shqiptarëve, të cilët, siç shprehej ai, “në gjak kanë mbetur gjithmonë evropianë”, vetëm po të futeshin në rrugën e qytetërimit evropian. Edhe pse programi i Ismail Qemalit i vitit 1900 nuk përmbante (ashtu si ai i Lidhjes së Prizrenit, 1878-1881) të gjitha kërkesat e platformës së një shteti autonom shqiptar, ai kishte në thelb karakter autonomist, synonte të hidhte themelet e këtij shteti. Kërkesa e Ismail Qemalit për riorganizimin e administrimit të Shqipërisë sipas artikullit 23 të Traktatit të Berlinit, duke i bërë plotësimet e nevojshme në përputhje me rrethanat e kohës dhe duke i dhënë edhe Shqipërisë po ato privilegje që i ishin akorduar Kretës (e cila u shpall autonome më 1897), nënkuptonte pa asnjë mëdyshje formimin e një Shqipërie autonome. Në intervistën që i dha gazetës “Tribuna” (Romë), Ismail Qemali shpalli haptazi se çështja shqiptare do të zgjidhej “nga shqiptarët e krishterë e myslimanë, të cilët janë në harmoni dhe kjo harmoni i bënë të sigurt se do t’ia arrijnë qëllimit të tyre, që është autonomia”. Prandaj shtypi evropian shkruante në vjeshtën e vitit 1900 se “autonomistët shqiptarë kanë tani një udhëheqës serioz sikurse është Ismail Qemali”, i cili me programin e tij “kërkon ndarjen e Shqipërisë, të kombit shqiptar nga Turqia”.
Ndërkaq, vetë Ismail Qemali, duke dashur ta vinte theksin në synimet autonomiste të programit të vet, në intervistat që u dha organeve të shtypit në marsin e vitit 1901 dhe në bisedën që pati po në atë kohë me konsullin francez në Kajro, deklaroi se nuk kishte kërkuar “pavarësinë e plotë dhe absolute të Shqipërisë”. Ai theksoi me këtë rast se nuk përkrahte shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por kërkonte një organizim të tillë, që nuk do të cenonte të drejtat e sulltanit si kalif dhe nuk do të ndryshonte nënshtrimin ndaj tij; me një deklaratë të tillë ai kishte parasysh autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit.
Në kushtet kur Fuqitë e Mëdha ishin për ruajtjen e status quo-së dhe nuk lejonin shkëputjen e kombësive joturke nga Perandoria Osmane, Ismail Qemali shihte si rrugëdalje organizimin autonom të Shqipërisë dhe të kombeve të tjera, që sipas mendimit të tij duhej të sigurohej me rrugën e reformave, me përkrahjen e drejtpërdrejtë dhe të hapur të Fuqive të Mëdha. Duke menduar se një Shqipëri e shkëputur nga Perandoria Osmane nuk do të mund t’i bënte ballë rrezikut të copëtimit nga shtetet fqinje, Ismail Qemali theksonte se ishte në interesin e përbashkët të shqiptarëve dhe të turqve që të ruhej status quo-ja në Ballkan. “Përsa u përket shqiptarëve, - deklaronte ai në intervistën, që dha në Romë në vitin 1900, - çdo lëvizje e hapur revolucionare nuk do të sillte gjë tjetër veçse do të bënte të ligjshme ndërhyrjen e huaj”.
Bashkimin e shqiptarëve si komb dhe afirmimin e tyre kombëtar Ismail Qemali e shihte të lidhur ngushtë me përparimin e tyre arsimor e kulturor. “Për t’u futur në rrugën e qytetërimit, - shkruante ai po në atë periudhë, - ne kemi nevojë të mësojmë, kemi nevojë të hapim shkolla kombëtare për tërë Shqipërinë, që gjuha shqipe të lexohet dhe të përhapet në çdo vend. Kjo nevojë për shkolla është e para nga ato reforma që duhet të kërkojmë. Është e mundur të përmirësohet një popull pa shkolla dhe pa arsim? Duhet të jesh i verbër e tradhtar të mos pranosh shkollat kombëtare. Shqiptarët nuk do të vonojnë të marrin në duart e tyre armën e arsimit shqip”.
Ismail Qemali ishte ithtar i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me shtetet që e rrethonin Shqipërinë. Ai theksonte se shqiptarët duhet të rrojnë në paqe me gjithë fqinjët e vet, por me kusht që edhe këta duhet të mos ua mohojnë shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare dhe të mos përpiqen t’i pengojnë në sigurimin e tyre. Me veprimtarinë e tij të gjithanshme politike e diplomatike, që zhvilloi në të mirë të çështjes shqiptare brenda vendit dhe në rrafshin ndërkombëtar, ai u radhit ndër personalitetet më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillimin e shek. XX | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 7:59 am | |
| K R E U VIII
RRITJA E LËVIZJES KOMBËTARE NË SHQIPËRI NË VITET 1901-1908
1. LËVIZJA KOMBËTARE DHE REFORMAT E FUQIVE TË MËDHA (1901-1904)
Depërtimi austriak dhe italian në fushën ekonomike, kishtare dhe shkollore
Në vitet e para të shek. XX, krahas shteteve fqinje ballkanike (Serbisë, Greqisë e Bullgarisë), të cilat prej kohësh punonin për të vendosur në provincat shqiptare ndikimin e tyre në fushën politike e në atë shkollore-kishtare edhe Shtetet e Mëdha, e veçanërisht Austro-Hungaria dhe Italia, i shtuan përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e tyre në Shqipëri. Për shkak të afërsisë gjeografike me Italinë dhe me Austro-Hungarinë dhe të pozitës së rëndësishme në Ballkan e në Adriatik, Shqipëria mori në këtë periudhë një vlerë të veçantë gjeostrategjike për këto dy fuqi dhe u bë një nga objektet kryesore të rivalitetit të tyre. Austro-Hungaria u aktivizua sidomos pas pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, kur vuri si qëllim të shtrihej drejt territoreve të tjera ballkanike të Perandorisë Osmane, të dilte në Selanik (porti më i madh i detit Egje) dhe të ndërtonte hekurudha drejt Egjeut e Adriatikut, të cilat do të kalonin nëpërmjet territoreve shqiptare. Vjena synonte gjithashtu të përdorte tokat dhe popullsinë shqiptare si mburojë kundër shtrirjes së shteteve sllave (Malit të Zi e Serbisë) në brigjet shqiptare të Adriatikut dhe të pengonte njëkohësisht vendosjen e Italisë në këtë zonë.
Italia, nga ana e saj, synonte të zgjerohej në të dyja brigjet e Adriatikut, për të vendosur zotërimin e plotë mbi të dhe për ta kthyer në një det të brendshëm ose “liqen italian”. E shqetësuar përballë rritjes së ndikimit austriak në Shqipëri e në Ballkan, Roma, që nga fundi i shek. XIX, filloi të zhvillonte një veprimtari të gjerë për depërtimin ekonomik, politik e ideologjik në vilajetet shqiptare. Ndeshja e interesave ndërmjet tyre i detyroi këto dy fuqi të merreshin vesh për politikën e mëtejshme në Shqipëri. Marrëveshja u arrit pas shkëmbimit të notave ndërmjet Romës e Vjenës, që u bë nga dhjetori i vitit 1900 deri në shkurt 1901, në të cilat u ripohua nevoja e ruajtjes së status quo-së në Shqipëri dhe u theksua me këtë rast se, në qoftë se ajo do të prishej, atëherë do të formohej një Shqipëri autonome.
Marrëveshja austro-italiane për Shqipërinë dhe për brigjet lindore të Adriatikut, që u arrit edhe nën ndikimin e Gjermanisë, u vu në themel të Aleancës Tripalëshe, Gjermani, Austri dhe Itali, e cila u përsërit më 1902 dhe mbeti pjesë e saj deri më 1912. Me këtë marrëveshje, që njihet edhe si një akord i “ekuilibrit” në Adriatik, nuk i lejohej asnjërës prej këtyre dy fuqive të vendoseshin në Shqipëri; por për shkak se kishte nën zotërim bregdetin Adriatik, ky vend, sipas tyre, nuk duhej të binte as në duart e shteteve të tjera. Në të vërtetë, kjo marrëveshje e mbante Shqipërinë si zonë të ndikimit austro-italian. Respektimin e status quo-së në Ballkan e në Perandorinë Osmane e kërkuan, në vitet e para të shek. XX, edhe Fuqitë e tjera të Mëdha, Gjermania, Rusia, Franca dhe Anglia. Megjithatë, në Angli kishte filluar të përkrahej edhe ideja e dëbimit të Turqisë nga Ballkani dhe e ndarjes së zotërimeve të saj evropiane ndërmjet shteteve ballkanike.
Meqë ruajtja e status quo-së kishte një karakter të përkohshëm, Austria dhe Italia i shtuan përpjekjet për zgjerimin e depërtimit ekonomik e politik në Shqipëri, në mënyrë që të ishin të përgatitura për të kënaqur ambiciet e tyre, në rast se do të ndodhnin ndryshime eventuale në hartën politike të Ballkanit. Austro-Hungaria, Italia dhe shtetet e tjera në fundin e shek. XIX e sidomos në fillim të shek. XX shtinë në dorë tregun e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, Austro-Hungaria dhe Italia vendosën kontrollin mbi tregtinë e jashtme të vendit, që bëhej nëpërmjet skelave të Adriatikut, nga të cilat një rëndësi të dorës së parë kishin skela austriake e Triestes dhe ato shqiptare, si Shkodra, që lidhej me botën e jashtme me anë të Obotit në Bunë, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Saranda etj.
Të dhënat ekonomike të viteve 1901 e 1904-1905 tregojnë se në fillim të shek. XX Austro-Hungaria kishte përqendruar në duart e veta 3/4 e import-eksportit që bëhej nëpërmjet Shkodrës, e cila ishte qendra më e rëndësishme për tregtinë e jashtme të vilajeteve shqiptare. Vendin e dytë e zinte Italia, pas së cilës vinin Mali i Zi, Franca dhe shtetet e tjera. Nga vlera e përgjithshme prej 215 000 franga ari të doganës së Shkodrës për vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë i përkisnin rreth 170 000 franga, kurse Italisë 24 000 franga. Firmat austro-hungareze kontrollonin gjithashtu rreth 2/3 e import-eksportit, që bëhej nga porti i Durrësit në vitin 1904-1905. Vendin e dytë e të tretë e zinin këtu Anglia dhe Italia, pas të cilave vinin Egjipti, Rusia e Franca. Nga 251 000 franga ari të vlerës së përgjithshme të import-eksportit të portit të Durrësit për vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë i takonin 156 000 franga, Anglisë 37 000 franga, kurse Italisë rreth 30 000 franga. Austro-Hungaria zinte vendin e parë në import-eksportin e vilajetit të Kosovës, që në vitin 1908 arriti në rreth 49 000 000 franga dhe bëhej kryesisht nëpërmjet Selanikut. Pas saj vinin Rusia, Anglia, Gjermania, Italia etj.
Në tregtinë e jashtme të vilajeteve shqiptare (të Shkodrës, të Kosovës etj.), për shkak se Shqipëria ishte një vend agrar, zotëronte importi, që përbëhej nga prodhime industriale e ushqimore dhe gjatë viteve 1901-1910 paraqitej çdo vit 2,5-3 herë më i madh nga eksporti, i cili përbëhej tërësisht nga prodhimet bujqësore e blegtorale të vendit. Austro-Hungaria e Italia kishin vendosur gjithashtu kontrollin e tyre mbi lundrimin detar e mbi transportin tregtar e postar të porteve shqiptare të Adriatikut dhe të Jonit, të cilat i kishin në dorë shoqëritë austriake të lundrimit “Llojd” (“Lloyd”), “Raguza” (“Ragusa”), “Ungaro-Kroate” dhe Shoqëria italiane “Pulia” (“Puglia”). “Llojdi” austriak, që ishte një nga shoqëritë më të fuqishme në Evropë, kryente veprimet e transportit në tërë bregdetin shqiptar deri në portet e jugut dhe zinte pozitë zotëruese në transportin detar të Shkodrës (Obotit) e të Durrësit. “Llojdi”, sipas të dhënave të vitit 1902, merrte nga qeveria austriake një subvencion vjetor shtetëror prej 3 600 000 fiorintash.
Në vitet e para të shek. XX shoqëritë austriake të lundrimit ndeshën në konkurrencën e atyre italiane, të “Pulias”, që depërtoi në skelat e Tivarit, të Ulqinit, të Shëngjinit, të Durrësit, të Vlorës, të Sarandës e të Janinës. “Pulia” kishte mbështetjen financiare të shtetit, që, sipas të dhënave të vitit 1902, arrinte në 430 000 lireta në vit. Përveç “Pulias”, në skelat e Shqipërisë së Jugut vepronte edhe Shoqëria tjetër italiane “Adria”, që, konkurronte me sukses shoqëritë austriake “Llojd” e “Raguza”, ndërsa Shoqëria tregtare italiane “Frateli Alatini”, që ishte grumbulluesja kryesore e leshit dhe e drithit, e kishte shtrirë veprimtarinë e saj deri në vilajetin e Kosovës.
Në këto rrethana u rrit pesha e Italisë në tregtinë e jashtme të skelave të Shqipërisë së Jugut. Në vitin 1910 Italia arriti të zinte vendin e parë në importin e Shqipërisë së Jugut, që ishte 3 800 000 franga ari, duke ia kaluar dy herë atij austriak, që përbëhej vetëm nga 1 800 000 franga ari. Por Austro-Hungaria vijoi të mbante vendin e parë në importin e skelave të Shqipërisë së Veriut, që në vitin 1910-1911 arriti në rreth 5 200 000 franga ari, duke ia kaluar dy herë atij italian, që ishte vetëm 2 200 000 franga ari. Ndikimi austriak në skelën e Sarandës në jug të Shqipërisë dhe në portin e Durrësit ndeshi, në fillim të shek. XX, edhe në konkurrencën e firmave greke të tregtisë e të lundrimit, si “Ksidias (“Xydias”) e C” etj.
Depertimi i huaj ekonomik, veçanërisht ai austriak e italian, u realizua gjithashtu nëpërmjet sistemit bankar e të kredisë. Në vilajetin e Shkodrës vepronin shtëpitë bankare të Triestes, ndërsa bankat evropiane (franceze, italiane, gjermane, angleze) jepnin kredi me anë të agjentëve ndërmjetës që mbanin në Shqipëri. Në vitin 1906 u themeluan në Shkodër e në Durrës degë bankare italiane të “Shoqërisë Tregtare të Lindjes” (“Societa Comerciale d’Oriente”), që kishin si synim të përqendronin në duart e tyre veprimet e blerjes së mallrave, të hipotekimeve e të inkasimeve dhe të vendosnin ndikimin e Romës në sistemin financiar në Shqipërinë e Veriut.
Firmat e huaja bënë përpjekjet e para për të depërtuar edhe në fushën e industrisë. Në Vlorë, në fillim të shek. XX, firmat austriake ngritën presa për prodhimin e vajit, ndërsa sipërmarrës të tjerë austriakë filluan të shfrytëzonin pyjet e Bregut të Matit. Po në këto vite të para të shek. XX një shoqëri italiane siguroi nga Turqia koncensionin e përpunimit të pyjeve të Rrushkullit; firma të tjera italiane hapën në Vlorë, në Durrës e në Butrint kripore, mullinj e presa për prodhimin e vajit, ndërsa një shoqëri franceze filloi të nxirrte bitum në Selenicë. Sipërmarrësit italianë parashikonin të sillnin kolonistë në rrethet e Shkodrës, të Vlorës dhe të Durrësit, ndërsa ata austriakë në tokat e vilajetit të Kosovës. Në fillim të shek. XX firmat e huaja (franceze, italiane, austriake e ruse) hartuan disa projekte për ndërtimin e hekurudhave transballkanike, që do të lidhnin portet shqiptare të Adriatikut me detin Egje (Selanikun) dhe me Detin e Zi.
Austro-Hungaria dhe Italia kishin ngritur konsullatat e agjencitë konsullore, tregtare e postare në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, si në Shkodër, Durrës, Vlorë, Janinë, Prevezë, Gjirokastër, Shkup, Prizren, Mitrovicë, Manastir etj. Përfaqësi të shumta konsullore në qytetet e vilajeteve shqiptare kishte gjithashtu Franca dhe në disa qendra të Shqipërisë edhe Rusia me Anglinë. Në fillim të shek. XX u acarua konflikti ndërmjet Vjenës e Romës për ndikimin mbi klerin katolik në Shqipëri dhe në lëmin e kulturës. Vjena synonte të ruante përgjithmonë të drejtën e protektoratit mbi klerin e mbi shqiptarët katolikë, të fituar prej kohësh me anë të kapitulacioneve që i kishte shkëputur Perandorisë Osmane (qysh me Traktatin e Karllovacit të vitit 1699) dhe që i siguronte asaj kontrollin e plotë mbi ta e varësinë prej Vjenës. Ndërkohë qeveria italiane filloi të vendoste në Shqipëri urdhra katolikë që do t’i nënshtroheshin Romës, po ashtu edhe priftërinj italianë nga kombësia, dhe po përgatiste klerikë shqiptarë në Itali. Por, gjatë bisedimeve që u zhvilluan ndërmjet përfaqësuesve të të dy vendeve në fillim të shek. XX, Vjena mbrojti të drejtën e saj ekskluzive mbi klerin katolik e mbi institucionet katolike në Shqipëri dhe nuk pranoi t’i bënte asnjë lëshim Romës. Ndërkaq, qeveritë e të dyja vendeve bënin shpenzime të mëdha për të bërë për vete klerin katolik duke i dhënë atij subvencione të rregullta mujore ose vjetore.
Austro-Hungaria e Italia zgjeruan edhe rrjetin e shkollave të tyre, që ishin kryesisht fetare katolike, kurse një pjesë laike. Pas shkollave, të hapura qysh në gjysmën e dytë të shek. XIX, Austro-Hungaria ngriti shkolla të tjera, për djem e për vajza, në Shkodër, Durrës, Shkup, Janievë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Zymë, Lumë, Manastir, Milot, Rrëshen, Tiranë dhe në qendra të tjera të Shqipërisë. Vetëm në qytetin e Shkodrës, në fillim të shek. XX, kishte 7 shkolla austriake me rreth 800 nxënës, ndërsa në gjithë vilajetin ishin ngritur 21 të tilla; në vilajetin e Kosovës kishte 8 shkolla austriake dhe në atë të Manastirit 3 (në sanxhakun e Manastirit). Shkollat austriake ishin në shumicën e tyre fetare dhe administroheshin nga institucionet katolike; vetëm një pjesë ishin laike (fillore) ose profesionale. Disa nga këto të fundit frekuentoheshin edhe nga fëmijë myslimanë.
Deri në vitet e fundit të shek. XIX në shumicën e shkollave austriake mësimi zhvillohej në gjuhën italiane. Në fillim të shek. XX, duke synuar të dobësonte ndikimin italian, Vjena shpalli “nacionalizimin” e shkollave katolike austriake në Shqipërinë e Veriut, vendosi në mjaft prej tyre, në vend të italishtes, gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, në disa të tjera futi gjuhën gjermane po si gjuhë mësimi dhe mbajti njëkohësisht (në ndonjë qendër të Kosovës) shkollat katolike në gjuhët sllave.
Me këtë masë Vjena mendonte të forconte ndikimin e saj mbi lëvizjen kulturore shqiptare, një nga kërkesat e së cilës ishte themelimi i shkollave kombëtare shqipe. Në qarqet qeveritare të Austro-Hungarisë ky veprim, si edhe botimi në Vjenë i librave në gjuhën shqipe, vlerësohej si një kontribut për ruajtjen dhe përhapjen e idesë nacionale në Shqipëri. Pranë Institutit shtetëror të gjuhëve orientale të Vjenës u hap në vitin 1903 një kurs për mësimin e gjuhës shqipe, që drejtohej nga Gjergj Pekmezi, ndërsa në koloninë shqiptare të Zarës (në Borgo-Erico) qysh në vitin 1901 funksiononte një kurs për mësimin e shqipes pranë Institutit Pedagogjik, një tjetër pranë shkollës ushtrimore (me rreth 40 nxënës, më 1903); në vitin 1903 u çel aty një kurs i gjuhës shqipe për vajza (me 55 nxënëse), që drejtohej nga Patër Bardhi. Në vitin 1906 mësimin e gjuhës shqipe në atë institut si edhe në shkollën e vajzave filloi ta jepte, në vend të Patër Bardhit që u largua, Shtjefën Konstantin Gjeçovi. Në shkollat pedagogjike me internate, si në atë të Klagenfurtit e të ndonjë qendre tjetër, u përgatitën mësuesit e parë për shkollat austriake në Shqipëri.
Edhe Italia, duke filluar nga viti 1896, pas ardhjes në fuqi të kryeministrit Krispi, çeli shkolla fillore e profesionale në Shkodër, në Janinë, në Durrës e në Vlorë, ndërsa në fillim të shek. XX u ngritën shkolla të tjera në Shkodër (ku funksiononin tanimë një shkollë fillore për djem, një për vajza, një shkollë tregtare, një tjetër artizanati dhe një kopësht për fëmijë), u hapën shkolla të reja fillore për djem dhe për vajza (më 1901-1906) në Vlorë, në Durrës, në Janinë (dy shkolla fillore e një shkollë artizanati). Vëmendjen kryesore Roma e kishte përqendruar në Shkodër, ku në vitin 1906 shkollat italiane ndiqeshin nga 360 nxënës, ndërsa ato të Durrësit nga rreth 110 djem e vajza, të Vlorës nga 68 nxënës dhe 50 të rritur. Në vitin 1906 qeveria italiane shpenzonte për shkollat jashtë vendit 1 milion franga. Vetëm për shkollat e Shkodrës Roma shpenzonte çdo vit 40 mijë franga. Ndryshe nga shkollat austriake, ato italiane nuk ishin fetare, por shtetërore, ndërsa mësimet zhvilloheshin në italisht. Në vitet e para të shek. XX edhe Roma, nën ndikimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të kërkesës së saj për përhapjen e shkrimit shqip, futi në shkollat italiane, në një masë shumë të kufizuar (dy orë në javë në vitin e fundit), mësimin e gjuhës shqipe. Përgatitja e personelit mësimor për shkollat italiane në Shqipëri bëhej në dy institucione, në Katedrën e Gjuhës Shqipe, pranë Institutit Oriental të Napolit dhe në Kolegjin italo-shqiptar të Shën-Demetër Koronës (San-Demetrio Corone), që nxirrte mësues dhe priftërinj për Shqipërinë.
Si Austria, ashtu edhe Italia, siç theksohej në dokumentacionin e kohës të të dy këtyre shteteve, duke zgjeruar nëpërmjet shkollave ndikimin e gjuhës e të kulturës së tyre në Shqipëri, synonin njëherazi të përgatisnin truallin për të vendosur kontrollin e tyre mbi shtetin e ardhshëm shqiptar. Prandaj rilindësit, edhe pse këto shkolla ndikonin në zhvillimin e përgjithshëm kulturor të vendit, madje edhe në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe, sado që në një masë të kufizuar, i shikonin ato me mosbesim, kërkonin zëvendësimin e tyre me shkolla kombëtare shqipe. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 8:00 am | |
| Qëndresa ndaj sunduesve osmanë dhe kundërshtimi i ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në vitet 1901-1903
Shtypja ekonomike e politike e administratës osmane dhe krahas saj ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha e sidomos të Rusisë si edhe ato të shteteve fqinje ballkanike në trevat shqiptare, bënë që lëvizjet çlirimtare në vitet e para të shek. XX të drejtoheshin njëkohësisht kundër zgjedhës osmane dhe kundër ndërhyrjeve të shteteve të huaja në Shqipëri. Vilajetet shqiptare, ashtu si territoret e tjera të Turqisë Evropiane, karakterizoheshin në fillim të shek. XX nga një prapambetje e madhe ekonomiko-shoqërore e kulturore, e cila forcohej edhe më shumë për shkak të politikës së rëndë fiskale, që Porta e Lartë zbatonte në këto treva. Edhe në këtë periudhë burimin kryesor të të ardhurave të shtetit osman e përbënin të dhjetat (ashari), që u merreshin në natyrë gjithë pronarëve të tokave, nëpërmjet sistemit të sipërmarrjes; ky sistem rëndonte më shumë fshatarësinë, e cila përbënte shumicën e popullsisë së vendit. Në vilajetin e Janinës shteti nxirrte çdo vit nga të dhjetat më shumë se 8 milionë groshë, që përbënin rreth 30 % të të ardhurave të përgjithshme të kësaj province, të cilat arrinin në 28 500 000 groshë. Në vilajetin e Manastirit nxirreshin nga të dhjetat më shumë se 14 milionë groshë, që përbënte gjithashtu 30 % të shumës së përgjithshme të të ardhurave prej 47 milionë groshësh. Nga vilajeti i Kosovës qeveria turke vilte nga të dhjetat 16 milionë groshë, d.m.th. 30 % të sasisë së përgjithshme të të ardhurave prej më shumë se 53 milionë groshësh.
Në fillimin e shek. XX rreth 2/3 e të ardhurave vjetore të vilajeteve të Janinës, të Manastirit e të Shkodrës dhe rreth 1/2 e atyre të vilajetit të Kosovës shkonin në Stamboll, ndërsa nga ato që mbeteshin në vend dhe që formonin buxhetin lokal, më shumë se gjysma shpenzohej për të mbajtur forcat e xhandarmërisë e të policisë dhe aparatin burokratik shtetëror osman. Sipas të dhënave të Sait Pashës, kryeministër i Turqisë, në vitin finaciar 1902-1903, në vilajetin e Kosovës nga 647 612 lira, që ishte buxheti i përgjithshëm i kësaj province, për të mbajtur xhandarmërinë, ushtrinë dhe aparatin e nëpunësve, përdoreshin 695 mijë lira, domethënë 61 000 lira më shumë; në vilajetin e Manastirit nga buxheti i përgjithshëm prej 488 000 lirash, për xhandarmërinë, ushtrinë dhe aparatin burokratik shpenzoheshin rreth 500 000 lira; në vilajetin e Janinës nga rreth 269 000 lira të ardhura, 217 000 përdoreshin për xhandarmërinë, ushtrinë dhe aparatin shtetëror osman; në vilajetin e Shkodrës, ku të ardhurat ishin më të pakëta, rreth 39 000 lira gjithsej, shpenzoheshin për xhandarmërinë, ushtrinë dhe aparatin shtetëror 200 000 lira.
Nga këto të dhëna kuptohet se për nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit nuk përdorej pothuajse asgjë, ndërsa për arsimin, që ishte në gjuhën turke, vetëm një shumë e papërfillshme. Kështu, në vilajetin e Kosovës për arsimin përdoreshin vetëm rreth 4 000 lira. E njëjta gjendje paraqitej edhe në vilajetet e tjera. Duke qenë përballë ndërhyrjeve të reja të shteteve fqinje në Turqinë Evropiane, Porta e Lartë i shtoi edhe më shumë forcat ushtarake. Në vitin 1901 Stambolli mbante në Rumeli një ushtri prej 203 000 vetash, një pjesë e mirë e së cilës ishte vendosur në vilajetet shqiptare. Në vitin 1901 u shtuan forcat e xhandarmërisë në të gjitha viset shqiptare, sidomos në vilajetet e Manastirit e të Kosovës, ku kishte respektivisht 2 700 dhe 2 200 xhandarë.
Masat shtypëse të Portës së Lartë u bënë shkak për rritjen e pakënaqësisë së përgjithshme dhe të lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Në fillim të vitit 1901 në Prizren vepronte një Komitet Qendror, që kishte degët e veta në Prishtinë, në Shkodër e në Guci dhe që zhvillonte një propagandë të gjerë kundër ndërhyrjeve të Vjenës. Në janar-shkurt të po atij viti Haxhi Zeka organizoi mbledhje në qytetet e Kosovës me qëllim që të rimëkëmbte Lidhjen Shqiptare të Pejës për të përballuar rrezikun që i kanosej vendit nga shtetet ballkanike dhe nga Austro-Hungaria, e cila kishte projektuar hekurudhën Uvac-Mitrovicë, që shihej nga shqiptarët si një mjet për depertimin austriak në Kosovë). Në tubimin që u mbajt në maj, në Luka, afër Manastirit të Deçanit, përfaqësuesit e popullsisë së vilajetit të Kosovës protestuan kundër ndërhyrjeve të Austro-Hungarisë në këtë trevë. Nisma për rimëkëmbjen e Lidhjes së Pejës u përkrah nga atdhetarët dibranë e të viseve të tjera. Në kuvendin që u caktua të mbahej në maj ose në qershor të vitit 1901, ku do të përfaqësoheshin të gjitha vilajetet shqiptare, parashikohej të merreshin masa për bashkimin e shqiptarëve dhe të kërkohej futja e gjuhës shqipe në shkolla e në administratën shtetërore. Por, për shkak të pengesave të administratës osmane, ky kuvend nuk u thirr.
Në qytetet e Shqipërisë së Mesme e të Jugut dhe në ato të Kosovës, ku futej fshehurazi shtypi shqiptar, ai xhonturk dhe librat shqip, po ndihej gjithnjë e më shumë ndikimi i programit autonomist të Ismail Qemalit dhe po përhapej gjerësisht ideja e autonomisë së vendit. Për të penguar zgjerimin e saj në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, Porta e Lartë u mbështet në pranverën dhe në verën e vitit 1901 te Syrja bej Vlora (që i propozoi Stambollit masa të posaçme, të drejtuara kundër lëvizjes kombëtare) dhe tek Esat pashë Toptani, që me autorizimin e sulltanit hartonte peticione e mblidhte nënshkrime kundër lëvizjes kombëtare dhe Ismail Qemalit, të cilin e akuzonte si agjent të Anglisë, të Greqisë etj. Ndërkaq në Kosovë të dërguarit e posaçëm të Stambollit, pasi nuk arritën të bënin për vete Haxhi Zekën e parinë e Pejës, shkëputën prej krerëve të veçantë të Prishtinës e të Prizrenit peticione, drejtuar sulltanit (të botuara edhe në gazetën zyrtare “Kosova”), në të cilat dënohej veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit.
Megjithatë, në popullsinë shqiptare myslimane e krishtere, krahas kërkesës së përgjithshme për njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollave kombëtare e për lëvrimin e gjuhës shqipe, po forcohej bindja se duheshin prerë lidhjet me sulltanin e paaftë dhe se Shqipëria duhej të kthehej në një shtet autonom. Në vitin 1901 në mjaft qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Dibër, Mat, Vlorë, Fier etj., qenë krijuar me kontributin e popullsisë fonde të posaçme, që përdoreshin për të sjellë fshehurazi libra, gazeta e broshura në gjuhën shqipe, si edhe për të ndihmuar veprimtarinë e atdhetarëve shqiptarë jashtë vendit. Në verën dhe vjeshtën e vitit 1901 pakënaqësia filloi të bëhej e përgjithshme dhe u shtri në të katër vilajetet shqiptare. Popullsia në krahina të tëra nuk pranonte të paguante taksat dhe të jepte ushtarë. Në Shkodër grupe kryengritësish u përqendruan rreth qytetit dhe u orvatën ta sulmonin atë, ndërsa në Shqipërinë e Jugut kryengritësit zunë rajonin midis Tepelenës e Vlorës dhe zhvilluan përleshje me trupat turke, duke i shtrirë veprimet e tyre deri në Konicë dhe në afërsi të Elbasanit.
Në shtator të vitit 1901 ngriti krye popullsia e qytetit të Tiranës, me të cilën u bashkua, duke lidhur besën, edhe Malësia e këtij rrethi. Kryengritësit i dërguan sulltanit një telegram proteste kundër korrupsionit, arbitraritetit e dhunës së administratës osmane lokale. Porta e Lartë u detyrua të pushonte prefektin e sanxhakut të Durrësit (Tefik Pashën) dhe kajmekamin e Tiranës. Ngjarjet e Tiranës vlerësohen në dokumentet bashkëkohëse si dëshmi e forcimit në këtë qytet të krahut nacionalist e antiqeveritar të lëvizjes kombëtare ose të “partisë shqiptare”, që në atë kohë drejtohej nga Mehmet pashë Toptani, Fuad dhe Refik bej Toptani etj.
Në shkurt të vitit 1902 ngritën krye mirditasit, që ranë në marrëveshje me malësorët e Pukës e me banorët e Kthellës dhe prenë rrugën midis Shkodrës e Prizrenit, si edhe vijën telegrafike në afërsi të Lezhës. Në memorandumin, që u dërguan valiut të Shkodrës e konsujve të huaj, krahas kërkesës për të kthyer nga internimi dhe për të emëruar si guvernator të Mirditës Preng Bibë Dodën, ata shfaqën edhe aspirata kombëtare, autonomiste, deklaruan se “nuk do ta njohin më sulltanin si kryezotin e tyre dhe se kërkojnë njohjen e kombësisë shqiptare”. Për të qetësuar gjendjen në Shqipëri Abdyl Hamiti mori masa të ashpra. Pasi hoqi valiun e Shkodrës, Qazim Pashën, si të paaftë për të shtypur lëvizjen shqiptare, sulltani dërgoi në vendin e tij Shaqir Pashën me kontigjente të shumta ushtarësh. Në Shkodër u bënë arrestime të shumta të krerëve dhe të qytetarëve të thjeshtë që kishin kërkuar reforma me karakter kombëtar. Arrestime të atdhetarëve shqiptarë u bënë edhe në Ohër, në Tiranë, në Berat, në Vlorë e në qytete të tjera. Trupat osmane bënë gjithashtu masakra midis popullsisë së Pejës, të Gjirokastrës, të Konicës e të qyteteve të tjera.
Një nga veprat më të shëmtuara të armiqve të popullit shqiptar ishte vrasja në Pejë, më 21 shkurt të vitit 1902, e udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Haxhi Zekës, që u krye me nxitjen e qarqeve shoviniste të Serbisë dhe me përkrahjen e autoriteteve osmane. Si përgjigje për këtë populli i Pejës ngriti krye, sulmoi zyrat qeveritare, shtiu në dorë postë-telegrafin, arrestoi funksionarët turq dhe kërkoi nga sulltani lirimin e gjithë bashkatdhetarëve të burgosur. Lëvizje të tilla antiqeveritare pati edhe në Mitrovicë, në Prishtinë, në Pazar të Ri e në qytete të tjera. Vrasjes së Haxhi Zekës i bëri jehonë edhe shtypi evropian, gazeta “Lë Tan” (“Le Temps”, Paris) dhe organe të tjera.
Pakënaqësinë që zotëronte në vend u orvat ta shfrytëzonte edhe pretenduesi për fronin e Shqipërisë, aventurieri don Aladro Kastrioti, ish-diplomat spanjoll, që e paraqiste veten si pasaardhës të Kastriotëve. Promemorja e tij për autonominë e Shqipërisë, e shpallur në korrik 1902 gjoja në emër të një komiteti shqiptar, takimet me diplomatë të huaj, lidhjet me “garibaldinët” (vullnetarë italianë, të përgatitur për t’u hedhur në Shqipëri), deklaratat për organizimin e kryengritjes së armatosur e sidomos vizitat në Korfuz, pranë brigjeve shqiptare, e detyruan Portën e Lartë që të përqendronte në Vlorë përforcime të tjera ushtarake, të sjella nga Konica e nga Janina. Por ky pretendent aventurier mbeti pa ndonjë mbështetje në Shqipëri dhe për këtë arsye dështoi.
Në qershor të vitit 1902 Porta e Lartë, me qëllim që të shtypte Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, të parandalonte zhvillimin e saj të mëtejshëm dhe t’u jepte një shembull ndëshkimi krahinave të tjera të Shqipërisë, ndërmori arrestime të shumta në sanxhakun e Beratit, sidomos në Vlorë e në Kaninë, ku u ndalën 20 veta, kryesisht nga paria e kësaj zone, që u dërguan të lidhur në Janinë dhe iu dorëzuan gjykatës ushtarake. Të arrestuarit u akuzuan për tradhti të lartë dhe për përhapjen e shkrimeve të ndaluara. Në Korçë u arrestua, në muajin korrik të vitit 1902, atdhetari Nuçi Naçi dhe më pas veprimtarët e shquar të lëvizjes në këtë qytet, Orhan bej Pojani e Thimi Markoja. Edhe çarmatimi në masë i popullsisë në rrethin e Vlorës dhe në atë të Mallakastrës, që u ndërmor në qershor-korrik të vitit 1902, kishte për qëllim të godiste lëvizjen kombëtare në këtë zonë.
Këtij qëllimi i shërbeu edhe ekspedita ushtarake kundër lokalitetit të Shëngjergjit në Malësinë e Tiranës, që u organizua drejtpërsëdrejti nga valiu i Shkodrës dhe që u bë shkak për qëndresën e armatosur të popullsisë së kësaj zone kundër Portës së Lartë, e cila zgjati nga 11 deri më 29 korrik të vitit 1902. Fshatarësia e kësaj zone përbënte një mbështetje të fuqishme për lëvizjen kombëtare, të drejtuar nga grupi i bejlerëve nacionalistë të Tiranës. Në mesin e korrikut përballë ekspeditës, që ishte ngarkuar të ndërmerrte çdo lloj masakre, qëndronte e bashkuar popullsia e Shëngjergjit, e cila së bashku me atë të krahinave përreth, nxorri më shumë se 2 500 njerëz të armatosur. Qëndresa e malësorëve u përkrah edhe nga grupi i atdhetarëve të Tiranës, që lidhën besën me ta dhe i ndihmuan fshehtazi me të gjitha mjetet.
Më 24 korrik u mbajt në katundin Shënmëri mbledhja e përfaqësuesve të popullsisë së fshatrave të Malësisë së Tiranës; në të mori pjesë edhe një komision i posaçëm i dërguar nga Këshilli administrativ i kazasë së Tiranës, ku bënin pjesë edhe atdhetarë të tillë si Abdi bej Toptani, Fuat bej Toptani etj. Këtu u vendos që të përtërihej Lidhja (Besa), që tanimë ishte në fuqi nga 17 korriku, dhe të kërkohej nga qeveria të largonte menjëherë ekspeditën; pas plotësimit të kësaj mase, duhej të pakësohej tatimi i prapambetur i vergjisë dhe të lëshohej urdhri për shlyerjen e tij me këste etj. Stambolli u detyrua të tërhiqej përballë përmasave të qëndresës së popullsisë së Shëngjergjit, me të cilën u bashkuan edhe malësorët e krahinave përreth; ajo rrezikonte të kthehej në një lëvizje të përgjithshme, që mund të çonte në një luftë të përgjakshme, e cila do t’i sillte ndërlikime ndërkombëtare Stambollit dhe do të bëhej shkak për ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në Shqipëri e në Turqinë Evropiane. Më 29 korrik ekspedita u largua nga Shëngjergji.
Gjendja në Shqipëri vijoi të mbetej e nderë. Në relacionin që kryeministri turk, Said Pasha, i parashtroi sulltanit më 2 korrik 1902, i shkruante se “Shqipëria ishte duke dalë nga duart e shtetit osman”, ndërsa lëvizjen shqiptare e quante si “prelud të çështjes së ekzistencës ose të zhdukjes së sundimit osman në Ballkan”. Edhe Fuqitë e Mëdha nuk ishin indiferente ndaj krizës që po përjetonte sundimi osman në Shqipëri. Ambasadori austro-hungarez në Stamboll, baroni Kaliçe, disa herë i kishte folur Said Pashës për trajtimin e keq të shqiptarëve nga Turqia, të cilin Vjena e shikonte si shkakun kryesor të pakënaqësisë dhe të revoltave të tyre. Austro-Hungaria pati shprehur pakënaqësinë që Porta e Lartë nuk kishte zbatuar në Shqipëri e në Rumeli as reformat e premtuara sipas Traktatit të Berlinit (sipas nenit 23). Një politikë e tillë, theksonte përfaqësuesi diplomatik i Vjenës, “mund të krijonte rrezikun e humbjes nga Turqia të Rumelisë dhe veçanërisht të Shqipërisë”.
Në qershor të vitit 1902 ambasadori austriak në Stamboll pati kërkuar nga kryeministri turk që të merrte masat për të përmirësuar nivelin arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe, në mënyrë të veçantë, të pranonte mësimin e shkrimin e gjuhës shqipe, duke futur për këtë alfabetin latin. Ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Golluhovski, në letrën që i dërgoi kryeministrit turk në ditët e para të gushtit të vitit 1902, vlerësonte drejt kërkesat kombëtare të shqiptarëve, për të cilat thoshte se nuk janë “të nxitura nga jashtë”, siç pretendonte Porta e Lartë, por janë të lidhura “me ndjenjat, që kanë lindur te populli shqiptar”. Ai i tërhiqte vëmendjen Portës së Lartë për qëndrimin e saj mospërfillës “ndaj aspiratave të vërteta dhe të natyrshme të shqiptarëve për pavarësi”. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 8:00 am | |
| Por, siç del nga letra e Golluhovskit, Vjena shqetësohej gjithnjë për ruajtjen e status quo-së në Ballkan, prandaj kërkonte nga qeveria e Stambollit zbatimin në Shqipëri të disa reformave të pjesshme, të cilat nuk cenonin ekuilibrin në këtë zonë, siç ishin zgjerimi i kompetencave të vilajeteve, vendosja e rregullit dhe e drejtësisë në vjeljen e taksave, po ashtu kërkonte t’u jepej fund abuzimeve dhe arbitraritetit të nëpunësve, të mbrohej jeta e pasuria e tyre. Përmirësimi i administrimit të Shqipërisë dhe i gjendjes së saj të përgjithshme vlerësohej nga Golluhovski si një masë që do t’i shërbente forcimit të administratës osmane në këtë vend dhe njëherazi do të shmangte turbullirat e brendshme dhe ndërhyrjet nga jashtë.
Këtë përmbajtje kishte edhe projekti i reformave që Said Pasha i parashtroi sulltanit në “Promemorjen për Shqipërinë” më 9 gusht të vitit 1902, në të cilën propozonte të zbatoheshin masa të tilla, si ndreqia e rrugëve, zgjerimi i rrjetit të komunikacionit, përkrahja e tregtisë detare e tokësore, rindërtimi i limaneve, zhvillimi i artizanatit dhe i industrisë, hapja e punishteve dhe e fabrikave, heqia e nëpunësve të korruptuar dhe zëvendësimi i tyre me njërëz të kulturuar etj. Por edhe këto masa, të cilat, siç theksonte kryeministri turk, do të përmirësonin gjendjen ekonomike e kulturore të vendit, nuk u miratuan nga sulltani. Në gjysmën e dytë të vitit 1902, u acarua përsëri çështja maqedone dhe u forcuan ndërhyrjet e shteteve ballkanike e të Fuqive të Mëdha në Turqinë Evropiane, marrëdhëniet e popullit shqiptar me qeverinë e Stambollit u ashpërsuan edhe më shumë. Qarqet politike të Sofjes, me mbretin Ferdinand në krye dhe organizatat nacionaliste bullgare, duke përfituar nga lufta e drejtë çlirimtare e popullsisë sllave-maqedone, e nxisnin atë të hidhej në kryengritje kundër sundimit osman, për të bashkuar Maqedoninë, me anën e forcës, me Bullgarinë. Ndërkaq Serbia e Greqia, duke përfituar nga fakti që në Turqinë Evropiane kishte edhe popullsi serbe (në Kosovë) e greke (në vilajetin e Selanikut), ndërhynin në çështjen maqedone për të ndarë ndërmjet tyre territoret e vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës.
Nga vera e vitit 1902 në radhë të parë Bullgaria, por pas saj edhe Serbia e Greqia filluan të dërgonin në viset e Turqisë Evropiane banda të armatosura (të drejtuara shpesh nga oficerë të ushtrisë së rregullt), që luftonin kundër njëra-tjetrës dhe përpiqeshin të shkombëtarizonin me forcë ose të shfarosnin popullsinë e kombësive të tjera të territoreve të cilat pretendonin t’i aneksonin. Veprimtaria e çetave bullgare, të përbëra nga disa qindra veta, shtrihej, përveç vilajetit të Selanikut, edhe në disa rrethe të vilajetit të Manastirit, kurse qeveria serbe filloi të armatoste bashkëkombësit e vet në vilajetin e Kosovës.
Ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë në Turqinë Evropiane dhe përkrahja prej saj e lakmive pushtuese të shteteve sllave ballkanike në këtë zonë i shtyti shqiptarët të kundërshtonin çeljen e konsullatës ruse dhe hyrjen e konsullit të Rusisë në Mitrovicë. Në fillim të shtatorit të vitit 1902 qëndresa e shqiptarëve, e udhëhequr nga Isa Boletini, u shndërrua në një kryengritje të armatosur me karakter kombëtar; ajo drejtohej kundër ndërhyrjeve të Rusisë në trevat shqiptare dhe kundër Portës së Lartë që i bënte asaj lëshime. Më 7 shtator rreth 1 000 shqiptarë të armatosur u grumbulluan në afërsi të Mitrovicës, në rrugën që të çonte në Pejë dhe në rrethinat e saj, të gatshëm për të sulmuar qytetin. Një forcë ushtarake osmane prej 500 ushtarësh, që u dërgua nga Shemsi Pasha për të shtypur lëvizjen, u çarmatos më 15 shtator nga shqiptarët. Për t’i ndëshkuar kryengritësit, mareshali turk bombardoi e dogji fshatrat e boshatisura të Mitrovicës. Qëndresa e shqiptarëve të Mitrovicës u përkrah edhe nga popullsia e rretheve të tjera dhe mund të shtrihej në tërë vilajetin e Kosovës. Më 18 tetor u grumbulluan në Boletin (ku Isai kishte kullën e vet) rreth 5 000 shqiptarë të armatosur nga rrethet e Mitrovicës, të Pejës, të Prishtinës e të Pazarit të Ri, të cilët shprehën vendosmërinë për të luftuar për çështjen shqiptare.
Nën presionin e Rusisë e të Serbisë, që i kërkuan Stambollit të shtypte me çdo mjet kryengritjen shqiptare dhe të largonte Isa Boletinin nga Mitrovica, Porta e Lartë përdori dhunën ushtarake për të shuar këtë vatër të qëndresës së armatosur. Megjithatë, ekspedita ushtarake, që Dervish Pasha ndërmori në muajin tetor në rrethet e Drenicës e të Pejës, ku shkatërroi e bëri rrafsh me tokën fshatra të tëra dhe qindra kulla të shqiptarëve, dogji shtëpitë e grabiti bagëtinë e drithin, nuk dha përfundimet që priste Porta e Lartë. Vetëm pas bisedimeve, që kryesekretari i pallatit dhe Shemsi Pasha zhvilluan në Mitrovicë me Isa Boletinin, ky u bind të largohej në fillim nga Mitrovica dhe në fundin e nëntorit të vitit 1902 u tërhoq në Stamboll, ku u mbajt deri në vitin 1906.
Në të njëjtën kohë, Porta e Lartë shtypi me egërsi brenda një muaji kryengritjen e popullsisë maqedone, që shpërtheu në fundin e shtatorit 1902. Për të shmangur shpërthimin e një kryengritjeje të re në Maqedoni, qeveria turke, duke qenë edhe nën trysninë e vazhdueshme të Rusisë e të Austro-Hungarisë, shpalli në fillim të dhjetorit të vitit 1902 reformat për vilajetet e Turqisë Evropiane, të cilat u përfshinë në “Udhëzimin për vilajetet e Rumelisë”, të 12 dhjetorit të atij viti. Krahas masave të përgjithshme për përmirësimin e gjendjes në provincat e Rumelisë, për zhvillimin e tregtisë, të bujqësisë, të zejtarisë e të punëve botore, në këtë Udhëzim parashikohej edhe riorganizimi i xhandarmërisë, i policisë dhe i gjykatave (duke futur në to të krishterët), hapja e shkollave turke në fshatrat më të mëdha, përdorimi i një pjese të të ardhurave lokale për nevojat e vilajeteve etj. Për zbatimin e reformave në Rumeli emërohej një inspektor i përgjithshëm, që do të kishte kompetencat e një ministri dhe pranë tij një nëpunës civil e një tjetër ushtarak.
Porta e Lartë nuk përcaktoi provincat ku do të shtriheshin reformat, por zbatimin e tyre ajo e kufizoi në tri të ashtuquajturat vilajete maqedone (të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës), në krye të të cilave u vu si inspektor i përgjithshëm, me seli në Shkup, Hysen Hilmi pasha. Reformat turke ishin gjysmake dhe në thelb nuk i sillnin ndonjë përmirësim gjendjes së popullsive të shtypura të Rumelisë. Për këtë arsye ato nuk u pritën mirë as nga këto popullsi, as edhe nga qeveritë e shteteve të Evropës e nga opinioni publik evropian, i cili mbajti qëndrim kritik ndaj tyre. Ashpërsimi i mëtejshëm i gjendjes politike në Rumeli dhe rritja e pakënaqësisë së popullsive të saj i shtyti Fuqitë e Mëdha, veçanërisht Rusinë e Austro-Hungarinë, të ndërhynin drejtpërdrejt në çështjen maqedone. Pasi morën edhe pëlqimin e Anglisë, të Gjermanisë e të Francës, më 21 shkurt 1903 ato i paraqitën Portës së Lartë projektin austro-rus të reformave, të cilin, pas disa kundërshtimesh u detyrua ta pranonte edhe sulltani. Me këto reforma Fuqitë e Mëdha synonin të ruanin status quo-në në Turqinë Evropiane dhe, duke u dhënë disa të drejta popullsive të krishtere, sllave e greke, të parandalonin shpërthimin e kryengritjes, veprimtarinë e çetave të armatosura dhe mundësinë e një ndërhyrjeje të hapur ushtarake të Serbisë, të Bullgarisë, të Malit të Zi e të Greqisë (që njihnin si protektore Rusinë) në Rumeli.
Por kjo nuk mund të arrihej pa u dhënë kombësive të Turqisë Evropiane, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët që zinin pjesën më të madhe të territoreve të saj, të drejtën e autonomisë. Projekti austro-rus i reformave ishte në thelb një përsëritje e atij të shpallur nga sulltani në dhjetor të vitit 1902. Disa masa të reja që përmbante ai, si përqendrimi i riorganizimit të xhandarmërisë dhe të policisë në duart e specialistëve të huaj, kontrolli i Bankës Otomane mbi buxhetin e vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e të Kosovës etj., ndonëse do të sillnin ndonjë përmirësim të gjendjes së përgjithshme, do t’i shërbenin më shumë forcimit të kontrollit të dy fuqive në këtë zonë. Shqiptarët në përgjithësi, me përjashtim të një shtrese njërëzish që kërkonin të nxirrnin përfitime nga gjendja ekzistuese dhe nga anarkia, nuk ishin kundër reformave, të cilat mund të sillnin përparimin e vendit, as edhe kundër barazisë së të krishterëve me myslimanët. Kryeministri turk Said Pasha, qysh në nëntor të vitit 1902, duke bërë fjalë për nevojën e zbatimit të reformave në Shqipëri, i shkruante sulltanit se nuk është e vërtetë që shqiptarët janë kundër reformave, se “përveç disa krerëve, rendin dhe qetësinë në Shqipëri e do shumica e popullsisë, paria dhe të pasurit”.
Megjithatë, shpallja e projektit austro-rus të reformave (të 21 shkurtit 1903) e elektrizoi gjendjen në Shqipëri dhe u prit me pakënaqësi nga popullsia e saj, që shihte tek ato rrezikun e një copëtimi të ri të vendit. Duke zbatuar këto reforma vetëm në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës, Fuqitë e Mëdha do të saksiononin në fakt copëtimin e vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit, që ndaheshin nga vilajetet e Shkodrës e të Janinës. Kjo ishte arsyeja kryesore, që i shtyti shqiptarët të ngriheshin kundër projektit austro-rus të reformave. Qëndresa e shqiptarëve kundër reformave mori një karakter kombëtar. Nëpërmjet artikujve, të botuar në shtypin përparimtar në fundin e vitit 1902 dhe në fillim të vitit 1903, (në gazetat “Drita” të Sofjes, “Albania” të Beogradit etj.), atdhetarët rilindës i bënin thirrje popullit të kundërshtonte projektet e reformave, që synonin të copëtonin tokat shqiptare ndërmjet fqinjëve ballkanikë. Përkundrejt tyre, theksohej në këto organe të shtypit, populli shqiptar duhej “të kërkonte bashkimin e vendeve që janë në Shqipëri nën një vali”, t’u shpallte Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë se shqiptarët nuk janë kundër reformave në përgjithësi, “por duan që të mbajnë vendin e tyre, duan që ai të mos shkelet prej të huajve ..., që në Shqipëri të bëhen reforma për të mirën e shqiptarëve dhe duke qenë e tërë Shqipëria e bashkuar dhe jo e ndarë copa-copa”.
Në janar-shkurt të vitit 1903 vatra të lëvizjes shqiptare u bënë Peja e Gjakova, në rrethet e të cilave u mbajtën atëherë dy tubime. Në këto tubime u diskutua çështja e reformave, e hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë dhe e lirimit të të burgosurve politikë. Shqiptarët që u mblodhën këtu, dhanë Besën, vendosën të kundërshtonin reformat e projektuara dhe kërkuan largimin nga Shqipëria të Shemsi Pashës, që ishte dërguar për të shtypur qëndresën e tyre. Popullsia e Pejës dhe e Gjakovës u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të bashkoheshin kundër ndërhyrjeve që po bëheshin në Shqipëri në emër të zbatimit të reformave, por që kërcënonin tërësinë e saj territoriale. Me këto vendime u bashkua gjatë muajve shkurt-mars popullsia e Prizrenit, e Dibrës, e Drenicës dhe e Llapit, që i deklaroi Portës së Lartë se do të kundërshtonte me armë nëse kërkesat e shqiptarëve nuk do të merreshin parasysh.
Sulltani nxori një qarkore, që u shpërnda në qendrat kryesore të vendit, në të cilën u bënte thirrje shqiptarëve të nënshtroheshin e të mos ngrinin krye, ndërsa në fundin e shkurtit të vitit 1903, po për këtë qëllim, u dërguan në Pejë, në Gjakovë, në Rekë, në Shkup e në qytete të tjera të Kosovës komisione të posaçme. Megjithatë, këto përpjekje nuk dhanë rezultat. Po kështu dështuan orvatjet, që inspektori i përgjithshëm i Rumelisë, Hilmi Pasha, bëri po në shkurt të atij viti, për t’i bindur personalisht krerët shqiptarë të pranonin reformat e shpallura. Atdhetarët shqiptarë i deklaruan atij se nuk janë kundër reformave, por kundër përpjekjeve që po bëheshin nëpërmjet tyre për të copëtuar atdheun e tyre. Ata kërkuan njëkohësisht zbatimin në vilajetet shqiptare të disa masave me karakter kombëtar, siç ishin njohja zyrtare e kombësisë shqiptare, e drejta e mësimit dhe e lëvrimit të gjuhës amtare, futja e saj në ceremonitë fetare, emërimi i nëpunësve shqiptarë nga njerëzit e aftë, përdorimi i një pjese të taksave të nxjerra në Shqipëri për ngritjen e shkollave, amnisti për të burgosurit politikë, ndalimi i të huajve që të përziheshin në punët e katër vilajeteve shqiptare etj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Tefik Pasha, duke njohur aspiratat kombëtare të shqiptarëve, në shkurt të vitit 1903 u kumtoi përfaqësuesve të huaj diplomatikë se asnjë formë qeverisjeje nuk do t’i kënaqte shqiptarët, veç asaj që do të mbështetej në autonominë e viseve të tyre. Kërkesat kombëtare të shqiptarëve tërhoqën në atë kohë vëmendjen e përfaqësuesve të huaj konsullorë në Shqipëri. Në “Promemorjen mbi Shqipërinë prej vitit 1901 deri më 1905”, hartuar në Vjenë nga Kral, theksohej se “shqiptarët, më shumë se popujt e tjerë të Ballkanit, dëshirojnë zbatimin e reformave në atdheun e tyre të prapambetur”, se “ata kundërshtojnë ato masa që, sipas bindjes së tyre, kanë për qëllim shkombëtarizimin, copëtimin dhe dobësimin e racës së tyre” dhe që “do ta ngushtonin tokën e tyre nacionale”. Edhe kërkesa e shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe, thuhej në këtë dokument, përveç rëndësisë që ka për zgjimin kombëtar të shqiptarëve, është një conditio sine qua non për çdo reformë serioze, që synon me të vërtetë përparimin e Shqipërisë.
Shqiptarët u qëndruan me armë ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha e sidomos të Rusisë në Shqipëri. Në mars të vitit 1903 mijëra shqiptarë të armatosur u grumbulluan në rrethet e Prizrenit e të Mitrovicës dhe zunë gjithë zonën midis Gjakovës e Pejës. Më 26 mars rreth 5 000 kryengritës u mblodhën në Drenicë, ku, nën drejtimin e udhëheqësve të tyre Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në Fushë të Morinës kuvendin e tyre, në të cilin u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Më 29 mars rreth 10 000 shqiptarë nga Vuçiterna, Prishtina e Mitrovica u grumbulluan në Vuçiternë, ku pati përleshje të armatosura me forcat qeveritare.
Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet e Mitrovicës, ku më 30 mars u përqendruan 2 000 - 3 000 kryengritës, të cilët, ashtu si në Kuvendin e Drenicës, protestuan kundër “reformave që po dëmtonin interesat e atdheut”. Ngjarjet e Mitrovicës e ndërlikuan gjendjen në Kosovë e në gjithë Rumelinë dhe e vunë Stambollin nën trysninë e Fuqive të Mëdha, sidomos të Rusisë, e cila, nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme Zinovjev, disa herë kërkoi nga Porta e Lartë të shtypte me forcë qëndresën e shqiptarëve. Konsulli rus në Mitrovicë, Shçerbin, në kundërshtim me funksionet e tij diplomatike, duke qarkulluar në llogoret e ushtrisë e të artilerisë turke, i nxiste ato dhe komandantët e tyre të sulmonin sa më parë shqiptarët.
Më 30 mars 1903 autoritetet osmane, sipas vendimit që ishte marrë në Stamboll, urdhëruan garnizonin e Mitrovicës dhe forcat e artilerisë të sulmonin kryengritësit. Megjithëse u vunë nën breshërinë e predhave të artilerisë, shqiptarët u përleshën për 2 orë të tëra me ushtrinë osmane. Më shumë se 200 shqiptarë mbetën të vrarë në hyrjet e qytetit, ndërsa forcat e tjera u detyruan të tërhiqeshin. Të nesërmen, më 1 prill, u vra në Mitrovicë gjatë një ceremonie ushtarake, nga një ushtar shqiptar, konsulli rus Shçerbin. Atentatori (Ibrahim Gjilani) e quajti konsullin fajtor që kishte urdhëruar ushtrinë turke të qëllonte mbi shqiptarët, bashkatdhetarë të tij. Lëvizja kryengritëse në Shqipëri kërcënonte të prishte status quo-në në Ballkan. Prandaj Rusia dhe Austro-Hungaria, gjatë gjysmës së parë të prillit 1903, i kërkuan disa herë Portës së Lartë që, për të shmangur ndërlikimet në Ballkan, “të merrte masat e domosdoshme dhe sa më energjike kundër revolucionarëve shqiptarë”, të shtypte “kryengritjen shqiptare”, siç u quajtën në Evropë ngjarjet e marsit të vitit 1903. Me këto veprime u bashkuan gjithashtu Gjermania e Franca.
Në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1903 valiu i Shkupit, Shaqir Pasha, shkoi me 20 batalione ushtarësh e 8 bateri të artilerisë në fillim në Ferizaj dhe më pas në Prizren, ku bëri arrestime të shumta midis udhëheqësve të lëvizjes, të cilët u dërguan pastaj në Mosull e në Anadoll. Ushtri të tjera turke (rreth 18 000 ushtarë), nën komandën e Shemsi Pashës, u dyndën po në këtë kohë në Gjakovë, në Pejë, në Mitrovicë e në Prishtinë, ku u përleshën me forcat kryengritëse vendase. Më 30 prill ushtria osmane, e komanduar nga Omer Ruzhdi Pasha, nga valiu i Kosovës Shaqir Pasha dhe nga Shemsi Pasha, pasi doli nga Gjakova, u ndesh me kryengritësit në katundin Skovjan. Gjatë përleshjes, që vazhdoi 12 orë, ushtria turke la shumë të vrarë e robër. Pas tërheqjes së kryengritësve në pllajat përreth, ushtria shkatërroi fshatra të tëra midis Prizrenit e Gjakovës dhe shkretoi arat e mbjella. Përfaqësuesit e huaj konsullorë në Kosovë theksojnë në relacionet e tyre, se dëme të tilla nuk i ishin bërë popullsisë së kësaj treve qysh nga koha e shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe se pasojat e tyre shqiptarët do t´i ndienin për shumë kohë.
Në ditët e para të majit ushtria osmane shtypi edhe vatrën e fundit të qëndresës së shqiptarëve, Pejën. Më 3 maj sulltani e njoftoi Zinovjevin, që kërkonte informata të vazhdueshme për veprimet e ushtrisë në Shqipëri, se trupat turke morën edhe Pejën. Vetëm në Gjakovë e në Pejë komanda turke arrestoi 47 udhëheqës të kryengritjes shqiptare. Në fundin e majit midis Prizrenit, Gjakovës e Pejës ishin përqendruar 44 batalione, me 10 bateri artilerie, gjithsej 33 000 ushtarë. Gazeta “Drita” shkruante në atë kohë “për egërsinë e turqve në Mitrovicë, ku u vranë rreth 300 shqiptarë, për ekspeditat ndëshkimore të Ruzhdi Pashës, Shemsi Pashës etj., që vranë gra, pleq e foshnja dhe çuan në internim qindra shqiptarë”. Në një thirrje që kjo gazetë u drejtonte shteteve të Evropës në mars të vitit 1903, kërkonte që të zbatoheshin në Shqipëri reforma të tilla, të cilat të siguronin njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe futjen e saj në ceremonitë fetare në kisha, amnisti për të burgosurit politikë, emërimin e një përfaqësuesi të popullsisë shqiptare në komisionin e reformave etj.
Reformat e parashikuara nga projekti austro-rus i shkurtit të 1903, nuk kënaqën as popullsinë maqedone. Për më tepër, Porta po e zvarriste zbatimin e tyre. Ndërkaq, në Maqedoni gjendja e popullsisë u bë e padurueshme dhe i dha shkas shpërthimit të kryengritjes në pranverën e vitit 1903, që u përhap në disa qendra (në rrethet e Ohrit, Kosturit, Serezit etj.) ku, bashkë me banorët vendës, luftuan kundër ushtrisë osmane edhe çetat e armatosura, të dërguara nga Bullgaria dhe të organizuara nga komitetet bullgaro-maqedone. Me gjithë masat e egra të terrorit qeveria osmane nuk mundi ta likujdonte lëvizjen çlirimtare të popullsisë sllave-maqedone. Më 2 gusht të vitit 1903, shpërtheu në rrethinat e Manastirit, Kryengritja e Ilindenit (dita e Shën Ilisë), që shpalli si qellim kryesor çlirimin e popullit maqedon nga robëria osmane. Po në këtë ditë u çlirua qyteti i Krushevës, ku u shpall edhe Republika e Krushevës, kryetar i së cilës u caktua Nikolla Karev, komandant i shtabit të kryengritjes në këtë qytet. Më pas kryengritja u shtri në Traki, në vilajetin e Selanikut dhe vijoi 3 muaj, deri në fund të tetorit.
Kryengritja u përkrah nga popullsia shqiptare e trevave lindore, e Krushevës me rrethinat e saj, nga popullsia shqiptare e Shkupit, e Tetovës, e Gostivarit, e Dibrës, dhe e Strugës. Ndërsa atdhetarët shqiptarë të Manastirit, të Prespës, të Strugës, të Pogradecit dhe të qendrave të tjera, furnizuan çetat maqedone me armë e me municione. Një bashkëpunim i ngushtë u vendos ndërmjet çetave shqiptare dhe kryengritësve maqedonë. Ata u ndihmuan edhe nga Themistokli Gërmenji, që jetonte në Manastir e që mbante lidhje me revolucionarët maqedonë. Për shkak të kontributit që dhanë në Kryengritjen e Ilindenit, shqiptarët zunë një vend të rëndësishëm edhe në organet drejtuese që u krijuan gjatë saj. Kështu nga 60 anëtarë të Këshillit apo të Kuvendit të Republikës së Krushevës, që u formua në këtë qytet, 20 ishin maqedonë, 20 shqiptarë dhe 20 të tjerë vllehë. Organi ekzekutiv i kësaj republike që doli prej tij si një lloj qeverie e përkohshme përbëhej nga 2 maqedonë, 2 shqiptarë (Gjorgji Çaçi dhe Nikolla Balo), dhe 2 vllehë, gjithsej nga 6 anëtarë. Kryetar i saj ishte shqiptari Vangjel Dino. Edhe Manifesti i Krushevës, që u shpall në fillim të gushtit, u bënte thirrje të gjitha kombësive, e në radhë të parë shqiptarëve, që të bashkoheshin me kryengritësit në luftën kundër armikut të përbashkët, sunduesve osmanë.
Kryengritja e Ilindenit u shtyp me egërsinë më të madhe nga Porta e Lartë. Ajo hodhi kundër saj rreth 200 000 ushtarë, të cilët bënë reprezalje të shumta ndaj kryengritësve dhe popullsisë, dogjën e rënuan fshatra të tëra. Shtypi shqiptar përkrahu luftën çlirimtare të popullsisë sllave-maqedone kundër zgjedhës osmane, dënoi me zemërim terrorin turk dhe reformat gjysmake të sulltanit, të cilat, sikurse shprehej ai në artikujt e botuar ato ditë, “i sollën shkatërrime, vaj e varfëri popullit të thjeshtë”. Aty i bëhej thirrje popullit shqiptar që “të bashkohej me maqedonët dhe me ta të kërkonte lirinë kundër armikut të përbashkët, qeverisë së sulltanit” | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 8:00 am | |
| Programi i reformave i Myrcshtegut (22 tetor 1903) dhe kryengritjet shqiptare të vitit 1904
Kryengritja e Ilindenit dhe shtypja e saj nga ushtritë osmane, u dha shkak Fuqive të Mëdha të ndërhynin përsëri në të ashtuquajturën çështje maqedone. Më 22 tetor 1903 Austro-Hungaria dhe Rusia, që njiheshin edhe nga Fuqitë e tjera të Mëdha si shtetet më të interesuara në këtë zonë, i paraqitën Portës së Lartë një program tjetër reformash për tri të ashtuquajturat “vilajete maqedone”, që ishte rezultat i marrëveshjes ndërmjet perandorit austriak dhe atij rus në Myrcshteg (Austri). Meqë “Koncerti evropian” shihej si një mekanizëm më i ndërlikuar për t’u vënë në veprim, Fuqitë e Mëdha parapëlqyen t’u jepnin mandatin për reformat Rusisë e të Austro-Hungarisë.
Programi i ri u ndërmor “për të mbrojtur popullsitë krishtere” nga dhuna osmane, ndërsa qëllimi kryesor i Fuqive të Mëdha ishte të shmangnin çdo mundësi për çrregullime e turbullira (me të cilat nënkuptoheshin lëvizjet kryengritëse çlirimtare në Turqinë Evropiane) dhe për çdo ndërhyrje të Bullgarisë, të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë, që rrezikonte të cenonte ekuilibrin e vendosur në këtë zonë dhe paqen e përgjithshme në Evropë. Në kushtet e krijuara në Turqinë Evropiane në vitin 1903, nuk përjashtohej edhe një mundësi tjetër, ajo e një ndërhyrjeje ushtarake ruse a austriake, ose e të dyja fuqive në këtë zonë.
Marrëveshja e Myrcshtegut u quajt nga ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Golluhovski, “një aleancë e përzemërt” ndërmjet dy vendeve, që kishte për qëllim të ruante status quo-në në Ballkan dhe të siguronte një zgjidhje paqësore të problemeve të kësaj zone. Ai deklaroi se këto dy fuqi nuk synonin të vendosnin ndonjë ndikim mbizotërues këtu por, në të njëjtën kohë, nuk do të lejonin që një gjë të tillë ta bënte ndonjë shtet tjetër.
Golluhovski pranonte gjithashtu se programi i Myrcshtegut përbënte një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Austro-Hungarisë e të Rusisë në Turqinë Evropiane, e cila, nëse Porta e Lartë nuk do të bashkëpunonte me to, do të vazhdonte dhe mund të sillte pasoja të rënda për Perandorinë Osmane. Duke caktuar, sipas këtij programi, pranë inspektorit të përgjithshëm, Hysen Hilmi pashës, dy nëpunës civilë, një rus dhe një austriak, që do të vëzhgonin zbatimin e reformave dhe gjendjen në Maqedoni, Vjena e Peterburgu vinin nën kontrollin e tyre vilajetet e ashtuquajtura “maqedone”, të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut. Projekti parashikonte gjithashtu riorganizimin e xhandarmërisë, për të cilën ngarkoheshin si komandant një gjeneral (që u vendos të ishte italian) dhe oficerë të huaj, si edhe krijimin e komisioneve që do të merreshin me shqyrtimin e problemeve politike; këto komisione do të përbëheshin nga përfaqësues konsullorë të të dy fuqive dhe të popullsisë së krishtere e myslimane të të tri vilajeteve.
Ndërkaq, për të shmangur një ashpërsim të mëtejshëm të kontradiktave ndërmjet Fuqive të Mëdha, territori në të cilin do të zbatoheshin reformat u nda në 5 zona (të Serezit, të Dhramës, të Selanikut, të Shkupit dhe të Manastirit), në çdonjërën prej të cilave u vendosën respektivisht oficerët e huaj, francezë, anglezë, rusë, austriakë dhe italianë.
Projekti austro-rus i reformave dhe përgjithësisht ndërhyrjet e huaja në territoret shqiptare, i dhanë një shtytje të re lëvizjes kryengritëse në Shqipëri. Shqiptarët u ngritën përsëri kundër reformave, që cenonin tërësinë territoriale të atdheut. Pakënaqësia e popullsisë u shtua edhe për shkak se Porta e Lartë, në emër të reformave, vendosi taksa të reja dhe dërgoi në Shqipëri ushtri të shumta për vjeljen e tyre dhe për zbatimin e reformave.
Ndonëse nuk ishte e organizuar në përmasa kombëtare dhe u zhvillua në formën e kryengritjeve lokale, që nuk udhëhiqeshin nga një qendër e vetme, lëvizja shqiptare e vitit 1904, ose siç u quajt që në atë kohë kryengritja shqiptare kishte një objektiv të përbashkët, ishte drejtuar kundër zgjedhës osmane e ndërhyrjeve të reja, që Fuqitë e Mëdha ndërmorën në Shqipëri në fund të vitit 1903 dhe në fillim të vitit 1904. Edhe kërkesat që kryengritësit parashtruan në vatrat e ndryshme të saj ishin të njëjta dhe përgjithësisht kishin karakter kombëtar, synonin të siguronin autonominë e Shqipërisë. Revista “Albania” (Londër, 1904) e Faik Konicës botoi në numrin 2 të saj programin e kryengritjes, ku rendiste, përveç çështjeve të tilla si kundërshtimi i zbatimit të reformave, tërheqja e ushtrisë osmane nga Kosova dhe lirimi i të burgosurve politikë, edhe çështjen e autonomisë ose të “veturdhërimit” të Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit. Kërkesën e formimit të një Shqipërie autonome nëpërmjet bashkimit të vilajeteve të Kosovës, të Shkodrës, të Manastririt e të Janinës, ia atribuon kryengritjes shqiptare të vitit 1904 edhe autori serb Pavël Orloviç, në punimin e tij “Serbia e Vjetër dhe shqiptarët” (“Stara Serbija i arbanasi”, Beograd, 1904).
Në shkurt të vitit 1904 kryengritja përfshiu Gjakovën, Pejën, Lumën, Rekën, rrethet e Mitrovicës dhe qendra të tjera. Vatra kryesore e saj u bë Gjakova, në rrethet e së cilës në fillim të shkurtit u grumbulluan 5 000-6 000 kryengritës, të drejtuar nga Sulejman Batusha, që sulmuan garnizonin dhe u përpoqën të hynin në qytet. Me kryengritësit gjakovarë u bashkua shumë shpejt popullsia e Pejës, që lidhi besën me ta. Edhe mirditorët u treguan të gatshëm të niseshin për në Gjakovë e Pejë për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre kosovarë.
Për të shtypur lëvizjen qeveria turke dërgoi forca të mëdha ushtarake, të komanduara nga Shemsi Pasha i njohur për egërsinë e tij kundër shqiptarëve. Vetëm në Gjakovë u dërguan 10 batalione, me artileri fushore e malore, të cilat më 12 shkurt u ndeshën në veriperëndim të këtij qyteti, në katundin Batushë, me 2 000 kryengritës, që i shkaktuan humbje ushtrisë osmane të Shemsi Pashës dhe e gozhduan atë në vend. Veprimet luftarake u shoqëruan me mbledhjen me forcë të taksave nga popullsia dhe me shkatërrimin e fshatrave të tëra të kësaj treve. Më 21 shkurt u hodh në kryengritje popullsia e qytetit të Pejës, që rrëmbeu armët dhe iu kundërvu ushtrisë osmane, ndërsa orvatjet e bajraktarëve të Rugovës për të bashkuar popullsinë e kësaj zone me kryengritësit e Pejës u penguan për një kohë nga komanda ushtarake osmane. Ndërkaq Porta e Lartë hodhi kundër kryengritësve ushtri të tjera, gjithsej 25 batalione, që drejtoheshin nga vetë valiu i Kosovës, Shaqir Pasha.
Në fillim të marsit kryengritja u shtri në sanxhakun e Prizrenit dhe sidomos në kazanë e Lumës, ku në krye të lëvizjes u vu Ramadan Zaskoku, ish-kapiten i xhandarmërisë. Me disa ndërprerje kryengritja vazhdoi deri në vjeshtën e vitit 1904. Gjatë muajve mars-prill u përfshi në lëvizje edhe Mitrovica me rrethina, që u bë qendër e mbledhjeve të fshehta për organizimin e qëndresës kundër reformave dhe kundër çarmatimit të shqiptarëve. Përfaqësuesit e popullsisë së Mitrovicës hynë në lidhje me shqiptarët e Prishtinës, të Vuçiternës, të Gjilanit dhe të Pazarit të Ri (Novi Pazarit) për të vendosur një qëndrim të përbashkët lidhur me reformat.
Më 30 qershor u dërgua në Pejë valiu i Kosovës, Shaqir Pasha. Gjatë bisedimeve që zhvilloi me përfaqësuesit e 2 000 kryengritësve të mbledhur në këtë qytet, krerët shqiptarë kërkuan, krahas lehtësirave në vjeljen e taksave, edhe lirimin e gjithë të burgosurve politikë, të arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen kundërosmane. Valiu u premtoi shqiptarëve se do të plotësonte kërkesat e tyre.
Në gusht-shtator të vitit 1904, pas një rënieje të përkohshme, u rigjallërua qëndresa e armatosur në krahinat midis Pejës, Gjakovës e Prizrenit. Në gusht lumjanët sulmuan Prizrenin dhe e shtinë në dorë, ndërsa në shtator kryengritësit morën Pejën. Për të shtypur kryengritjen shqiptare u dërguan në rajonin e Prizrenit forca të reja ushtarake, rreth 5 batalione, por ato nuk qenë të mjaftueshme për të vendosur qetësinë në këtë trevë. Më 8 shtator shkoi në Prizren valiu Shaqir Pasha, i cili u premtoi shqiptarëve se do të plotësonte kërkesën për të liruar kryengritësit e arrestuar, do t´u jepte krerëve grada e pensione, por nuk pranoi të anulonte reformat në gjykata, në xhandarmëri dhe në polici. Pas kësaj, në fund të shtatorit, kryengritësit u tërhoqën nga Prizreni e Peja dhe u shpërndanë.
Megjithëse u shtypën, kryengritjet shqiptare të viteve 1903-1904 i detyruan Fuqitë e Mëdha të bënin ndryshime në caktimin e zonave ku do të zbatoheshin reformat. Qysh në janar të vitit 1904 Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar, i ngarkuar për të caktuar territoret ku do të zbatoheshin reformat, shqyrtoi çështjen e organizimit të një sanxhaku shqiptar në vilajetin e Kosovës, i cili do të përjashtohej nga zona e reformave dhe do të përbëhej nga rrethet ku shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë, do të shtrihej nga Kaçaniku në jug e deri në Kollashin në veri, duke përfshirë edhe Pazarin e Ri e Plevlën. Formimi i një sanxhaku të tillë shqiptar do të sillte njohjen zyrtare nga Fuqitë e Mëdha të përkatësisë etnike shqiptare të shumicës së territoreve të vilajetit të Kosovës, që binte ndesh me pretendimet e Beogradit për “Kosovën si tokë serbe”.
Pas protestave që Serbia dhe posaçërisht N. Pashiçi bëri pranë Peterburgut, përfaqësuesi i Rusisë në Komisionin e reformave, i përkrahur edhe nga ai i Italisë, arritën të mënjanonin organizimin e sanxhakut shqiptar të Kosovës. Pas kësaj Austro-Hungaria kërkoi që nga reformat të përjashtoheshin jo vetëm vilajeti i Shkodrës dhe ai i Janinës, por edhe tokat shqiptare të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. Ky propozim u bë si rrjedhim i qëndresës së shqiptarëve, por edhe për shkak të synimeve të Vjenës për të parandaluar ndërhyrjen e partnerëve të saj (sidomos të Italisë) në këto territore të Shqipërisë. Si pasojë, Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar vendosi, në shkurt të vitit 1904, të përjashtoheshin përkohësisht nga reformat krahinat perëndimore të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës, në të cilat shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë; bëhej fjalë pikërisht për sanxhakun e Korçës (me përjashtim të kazasë së Kosturit), për sanxhakun e Elbasanit, për pjesën perëndimore të kazasë së Ohrit, për gjithë sanxhakun e Dibrës, për atë të Prizrenit, për pjesën jugore e perëndimore të sanxhakut të Pejës dhe për kazatë e Plevlies e të Senicës në sanxhakun e Pazarit të Ri. Gjatë zbatimit të reformave u la jashtë tyre dhe nuk u përfshi në asnjërën prej zonave të Fuqive të Mëdha edhe sanxhaku i Prishtinës, një nga më të mëdhenjtë e vilajetit të Kosovës, ku shumica dërrmuese e popullsisë ishte gjithashtu shqiptare. Ky ishte në të vërtetë një pranim (ndonëse jo i drejtpërdrejtë) nga Fuqitë e Mëdha i karakterit etnik shqiptar të të gjitha këtyre territoreve, (domethënë të vilajetit të Kosovës dhe të krahinave perëndimore të vilajetit të Manastirit) që shënoi njëherazi një fitore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 8:01 am | |
| KOMITETET “PËR LIRINË E SHQIPËRISË”. LUFTA E ARMATOSUR E ÇETAVE (1905-1908)
Themelimi i komiteteve “Për lirinë e Shqipërisë” dhe programi i tyre (1905)
Në vitin 1905 lëvizja kombëtare filloi të merrte forma të reja organizimi, që u përcaktuan si nga nevojat e brendshme të zhvillimit të saj, ashtu edhe nga rrethanat e jashtme të krijuara në Ballkan e në mënyrë të veçantë në Turqinë evropiane pas marrëveshjes së Myrcshtegut.
Vendimet e Myrcshtegut nuk arritën të mënjanonin përfundimisht kundërthëniet ndërmjet shteteve evropiane për ndikimin në Ballkan, sidomos rivalitetin italo-austriak në Shqipëri. Roma nuk mund të pajtohej me epërsinë që Vjena siguroi, së bashku me Rusinë, në aksionin e reformave në Maqedoni. Në takimet e ministrave të Jashtëm të të dy vendeve (në Abacie të Italisë në prill 1904 dhe në Venecie në prill 1905), Vjena e Roma ripohuan se do të ruanin status quo-në në Ballkan. Lidhur me çështjen shqiptare, në takimin e Venecies të dyja palët arritën në përfundimin që, në rast se zhvillimi i ngjarjeve do ta bënte të pamundur ruajtjen e status quo-së dhe do të vendosej një organizim i ri në Maqedoni (me të cilën nënkuptonin vilajetet e Selanikut, të Manastirit e të Kosovës), viset e banuara nga popullsia shqiptare (që u përjashtuan në vitin 1904 nga reformat) do të veçoheshin prej saj dhe do të bashkoheshin me vilajetet e Shkodrës e të Janinës për të formuar një njësi të vetme (territoriale) me to.
Ky orientim i Italisë dhe i Austro-Hungarisë shkaktoi shqetësime në qarqet politike drejtuese të Beogradit e të Sofjes. Në prill të vitit 1904 u lidh Traktati i Aleancës ndërmjet Serbisë e Bullgarisë për ndarjen e territoreve shqiptare e maqedone të Turqisë Evropiane, që do të kryhej me arbitrazhin e Rusisë.
Shtetet ballkanike u nxitën për të ndërhyrë në Turqinë Evropiane edhe nga nyja 3 e marrëveshjes së Myrcshtegut, sipas së cilës Turqisë i kërkohej që, pasi të qetësohej gjendja në këtë zonë, të bënte ndryshime në kufijtë territorialë të njësive administrative për të siguruar “një grupim më të mirë dhe më të rregullt të kombësive të ndryshme”. Kjo kërkesë, e cila në parim ishte e drejtë, u bë burim konfliktesh të reja ndërmjet qeverive ballkanike dhe forcave politike të kombësive të krishtere në Turqinë Evropiane.
Serbia, Bullgaria e Greqia filluan të botonin statistika të tilla për përbërjen etnike të popullsisë së të ashtuquajturave vilajete maqedone, të cilat e shtrembëronin gjendjen reale dhe mund të shërbenin si mbështetje për pretendimet e tyre territoriale. Krejt të pavërteta e tendencioze paraqiteshin të dhënat për popullsinë e vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, në të cilat secili prej shteteve fqinje pretendonte se kishte shumicën e banorëve. U shtua veprimtaria e komiteteve dhe e bandave të hedhura nga Bullgaria, nga Serbia e nga Greqia në Turqinë Evropiane, që rifilluan përleshjet e përgjakshme ndërmjet tyre dhe ushtruan trysni mbi popullsitë e kësaj treve për të ndërruar me forcë karakterin e tyre etnik dhe për të zgjeruar hapësirën territoriale të kombësive serbe, bullgare e greke; ato synonin të siguronin në këtë mënyrë, kur të zbatohej nyja 3 e vendimeve të Myrcshtegut, sanksionimin e këtyre ndryshimeve nga ana e Fuqive të Mëdha.
Bandat vepronin sidomos në vilajetin e Selanikut, në sanxhakun e Shkupit të vilajetit të Kosovës, në sanxhakun e Manastirit, në sanxhakun e Korçës dhe në pjesën jugore të vilajetit të Janinës, në kufi me Greqinë. Sipas të dhënave zyrtare osmane, gjatë viteve 1905-1907 bandat vrisnin çdo vit në këta sanxhakë më shumë se 1 800 veta, një pjesë e mirë e të cilëve ishin banorë të pafajshëm të atyre trevave. Në këto territore i takonte mesatarisht një i vrarë në 1 500 frymë.
Një kërcënim të drejtpërdrejtë për shqiptarët përbënin bandat greke, që filluan të vepronin në shkallë më të gjerë në vitet 1904-1908, sidomos në vilajetin e Janinës, ku u përpoqën me anë të terrorit e të propagandës panheleniste, në të cilën qenë angazhuar edhe dhespotët grekë të kësaj treve, të largonin popullsinë e Shqipërisë së Jugut nga lëvizja kombëtare. Bandat greke ishin autore të veprave të shumta terroriste që ndodhnin në vilajetin e Janinës, ndërsa në shkurt të vitit 1905 një çetë greke prej 40 vetash masakroi në mënyrën më barbare, në fshatin Negovan, priftin e poetin atdhetar Papa Kristo Negovani, së bashku me disa bashkëfshatarë të tij, sepse përhapnin shkrimin shqip dhe idetë kombëtare në përgjithësi. Ky krim shkaktoi një zemërim të thellë jo vetëm tek intelektualët atdhetarë, por edhe te populli shqiptar në përgjithësi, që e quante këtë veprim si një sulm të hapur dhe të organizuar të qarqeve politike greke kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në rrethana të tilla, përjashtimi nga reformat i pjesës më të madhe të tokave shqiptare të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, si edhe i të gjithë vilajetit të Shkodrës dhe të Janinës, nuk qe i mjaftueshëm për të siguruar tërësinë territoriale të Shqipërisë. Rritja e ndikimit të ideve të çlirimit kombëtar, të propaganduara nga qarqet atdhetare brenda vendit, si edhe nevoja e vetëmbrojtjes nga ndërhyrjet e shteteve fqinje dhe nga terrori i bandave të tyre në tokat shqiptare, bënë të domosdoshëm riorganizimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbi themele të reja. U shtrua kështu si një nevojë e ngutshme formimi, sipas shembullit të popujve të Evropës e të Ballkanit, i një organizate politike të fshehtë, qendrore dhe të përgjithshme, që të bashkërendiste veprimet e të gjitha shoqërive dhe të atdhetarëve sipas një programi të njëjtë, të ripohonte me rrugën e luftës së armatosur e të organizuar të drejtat e kombit shqiptar në trojet e veta dhe t’i detyronte Turqinë dhe shtetet evropiane t’i njihte ato.
Në lëvizjen kombëtare kishte filluar tani të aktivizohej dhe të ushtronte ndikim të fuqishëm një brez i tërë atdhetarësh me pikëpamje radikale, që ishin kryesisht intelektualë, gazetarë e botues të organeve të shtypit shqiptar, mësues të shkollave turke, nëpunës të aparatit shtetëror, njerëz të profesioneve të ndryshme, që rridhnin nga borgjezia e nga bejlerët patriotë, por edhe nga borgjezia e vogël e qytetit dhe e fshatit, nga vegjëlia, siç shprehej shtypi i kohës. Përfaqësuesit e këtij brezi intelektualësh morën këtë herë nismën për krijimin e një organizate të fshehtë. Pas takimeve e diskutimeve që atdhetarët shqiptarë bënë në Dibër, në Elbasan, në Tiranë e në qytete të tjera, në nëntor të vitit 1905, me nismën dhe nën kryesinë e patriotit Bajram (Bajo) Topulli, nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit, u formua këtu komiteti i fshehtë shqiptar me emrin “Për lirinë e Shqipërisë”, që shënoi fillimin e një organizate të përgjithshme kombëtare. Themelues e anëtarë të tij ishin gjithashtu Halit Bërzeshta, kolonel dhe shef i shërbimit farmaceutik të Korparmatës III, Fehim Zavalani, pronar, Sejfi Vllamasi (Novosela), veteriner i qytetit të Manastirit, Gjergj Qiriazi, përkthyes i konsullatës austriake në atë qytet dhe Jashar Bitincka, mësues gjimnazi.
Komiteti doli me programin e vet politik, i cili u përgjigjej kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Sipas statutit (kanonizmës) të Komitetit, botuar në Sofje, qëllimi i organizatës ishte “të ngjallurit e Shqipërisë duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin; duke përhapur udhën e qytetërimit me anë të librave që do të shtypeshin; duke dërguar njerëz nëpër gjithë anët e Shqipërisë që të mbjellin këto mendime; duke mbajtur njerëz maleve që të ndihnin në çdo mënyrë për qëllime të komitetit edhe duke përdorur çdo vegël për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarit nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.
Statuti përmbante qëllimet më të përgjithshme të Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”. Por, siç dëshmojnë të dhënat e tjera dokumentare, organizata e re shtroi si synim themelor dhe më të fundit çlirimin e Shqipërisë nga robëria osmane. Si detyra më të afërta vlerësoheshin bashkimi i të gjitha forcave të kombit për “mbrojtjen e atdheut shqiptar nga rreziku i jashtëm që i kanosej” në atë periudhë, “njohja e shqiptarëve si komb i veçantë dhe e gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare (zyrtare)”, futja e saj në institucionet shtetërore e në shkollat (mësonjëtoret) e gjithë Shqipërisë, emërimi në vend vetëm i nëpunësve shqiptarë etj. Si mjet kryesor për plotësimin e këtyre kërkesave u quajt, përveç propagandës kombëtare, krijimi i çetave atdhetare dhe lufta e tyre e armatosur. Sipas kanonizmës, Komiteti parashikonte të krijonte një organizatë të gjerë ku të merrnin pjesë atdhetarët e vërtetë shqiptarë, burra e gra. Për të shtrirë veprimtarinë e tij në tërë vendin, Komiteti i Manastirit, që u quajt Komiteti Qendror, dërgoi përfaqësues në krahina të ndryshme të Shqipërisë së Veriut, të Mesme e të Jugut. Ai vendosi lidhje me dhjetëra atdhetarë shqiptarë të viseve të ndryshme të Shqipërisë, myslimanë e të krishterë, që përkrahën programin e tij kombëtar.
Në fillim të vitit 1906 ishin krijuar komitete lokale ose degë të Komitetit në mjaft qendra të Shqipërisë, si në Shkup, Pejë, Gjakovë (ku bënte pjesë edhe Bajram Curri), Prishtinë, Tetovë, Dibër e në vende të tjera. Ndihmesë të veçantë për ngritjen e degëve të Komitetit në vilajetin e Kosovës dha Idriz Gjakova (Soroviçi), që ishte dërguar atje nga Komiteti i Manastirit. Komiteti punoi gjithashtu për ngritjen e degëve të veta në qytetet e vilajetit të Janinës. Në pranverën e vitit 1906 një komitet i tillë vepronte në Janinë, i cili, siç theksohej në dokumentet e administratës osmane, qe themeluar me nismën e atdhetarëve të viseve të Shqipërisë Perëndimore dhe kishte bërë përparime të shumta në këtë trevë të Shqipërisë.
Në mars-prill të vitit 1906, Komiteti i Manastirit kishte vendosur marrëdhënie me shoqëritë patriotike jashtë atdheut, veçanërisht me ato të Bukureshtit e të Sofjes, të cilat përkrahën programin dhe veprimtarinë e tij. Krahas librave e gazetave shqipe që sillte nga kolonitë e Sofjes dhe të Bukureshtit, Komiteti i Manastirit shpërndau në pranverën e vitit 1906, në qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë së Veriut, të Mesme e të Jugut qarkore, në të cilat bëhej fjalë për synimet e tij për të siguruar autonominë, madje edhe pavarësinë e Shqipërisë. “Ne, - thuhej në një nga këto akte të Komitetit, - jemi një popull prej më tepër se 2 500 000 frymësh, ndaj nuk duhet të privohemi nga kjo e drejtë”.
Për të siguruar mbështetjen e një Fuqie të Madhe, sikurse ishte Austro-Hungaria, drejtuesit e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”, nëpërmjet konsullatës së saj në Manastir, kërkuan nga Vjena që t’u jepte ndihmë materiale dhe përgjithësisht të përkrahte veprimtarinë e tyre politike. Në pajtim me udhëzimet që Golluhovski, ministër i Punëve të Jashtme, u dha konsullatave austriake në Shqipëri, në prill të vitit 1906, këto, “për shkak të qëllimeve revolucionare të Komitetit”, mbajtën një qëndrim të rezervuar dhe mjaft të kujdesshëm ndaj tij. Ndërkaq, Vjena përkrahu programin kulturor të Komitetit, i premtoi ndihma financiare për të ngritur shkolla, për të paguar trupën mësimore, për të botuar libra shqip, për të mbajtur shkollën e vajzave në Korçë dhe për të shtuar numrin e nxënëseve të saj. Por në të njëjtën kohë i kërkoi Komitetit që “të mos dilte nga caqet e rrugës paqësore dhe të mos përdorte mjetet e dhunës”. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare Wed Jun 16, 2010 8:01 am | |
| Qëndresa e armatosur kundërosmane e viteve 1905-1907. Ngjarjet e Kurbinit
Me gjithë punën propagandistike dhe organizative, komitetet “Për lirinë e Shqipërisë” nuk arritën të përqendronin në duart e veta udhëheqjen e lëvizjes në tërë vendin. Në mjaft krahina, e sidomos në vilajetin e Kosovës, vijuan lëvizjet spontane popullore kundër zgjedhës osmane. Qysh në mars-prill të vitit 1905 ngriti krye popullsia e Pejës, e Gjakovës, e Lumës dhe e Mitrovicës, që nuk pranoi të paguante taksën mbi bagëtinë dhe kërkoi nga Porta e Lartë “të lironte të internuarit politikë, të dërguar në Azinë e Vogël dhe të mos lejonte të huajt të përziheshin në atdheun e tyre, në Shqipëri”.
Në dhjetor të vitit 1905 e në fillim të vitit 1906 qëndresa kundërosmane mori përmasa të reja, përfshiu Prizrenin me rrethina. Në mesin e janarit të vitit 1906 vetëm në Gjakovë qenë grumbulluar 2 000 burra të armatosur. Kryengritësit vijuan të këmbëngulnin për lirimin e shqiptarëve të internuar gjatë lëvizjes së viteve 1903-1905 dhe kundërshtuan reformat që do t’i hapnin rrugën copëtimit të atdheut. Popullsia shpresonte gjithashtu se Prizreni do të bëhej kryeqendër e provincës që pritej të formohej nga territoret thjesht shqiptare të vilajetit të Kosovës të përjashtuara nga reformat. Shpallja nga Porta e Lartë (në fundin e janarit të vitit 1906) e amnistisë për të internuarit politikë, që ishin nga Peja, Gjakova, Prizreni e Luma, e qetësoi përkohësisht gjendjen në Kosovë.
Në pranverën e vitit 1906 lëvizja kryengritëse përfshiu përsëri Kosovën, në fillim Pejën e Gjakovën, për t’u shtrirë më pas në Vuçiternë, në Drenicë, në Llap dhe në Plavë e Guci, ku popullsia kundërshtoi të paguante taksat për bagëtinë, për arsimin dhe për blerjen e armatimeve për ushtrinë osmane. Karakter të ashpër morën ngjarjet në Pejë. Gjatë përleshjeve të përgjakshme, që u zhvilluan në muajin mars në kazanë e Pejës ndërmjet kryengritësve e trupave osmane, pati më shumë se 50 të vrarë dhe 200 të plagosur nga të dyja palët. Në prill kryengritësit mbyllën rrugën midis Prizrenit e Pejës.
Ngjarje të njëjta ndodhën në sanxhakun e Prishtinës e veçanërisht në Vuçiternë, ku popullsia e fshatrave të tëra (në mars të vitit 1906) u ngrit kundër taksave të reja. Gjendja në Vuçiternë u qetësua vetëm kur Porta e Lartë, pas ndërhyrjes pranë saj të Isa Boletinit (që në atë kohë ishte kthyer nga internimi), premtoi se do të hiqte dorë nga vjelja e taksave të reja.
Në gusht të vitit 1906 popullsia e Drenicës dhe e fshatrave përreth, që vareshin nga kazaja e Vuçiternës, ngriti krye e protestoi kundër vjeljes së taksave për arsimin publik dhe për blerjen e armatimeve. Drenicarët u kumtuan autoriteteve osmane se ata nuk do t’i shlyente këto detyrime, derisa qeveria nuk pranonte të fuste arsimin në gjuhën shqipe, ndërsa armët i përdorte kundër shqiptarëve. Porta e Lartë për të shtypur lëvizjen në Drenicë dërgoi forca të reja ushtarake, të komanduara nga kolonel Hasan Beu, me të cilin u bashkua më pas edhe Shemsi Pasha, që nuk ngurroi të përdorte topat kundër kryengritësve drenicarë, duke vrarë rreth 50 veta e duke plagosur 60 të tjerë.
Në pranverën e në verën e vitit 1906 pakënaqësia në Shqipëri ishte bërë e përgjithshme. Në vitet 1906-1907 u zhvillua qëndresa e popullsisë së Krujës dhe e fshatrave të Kurbinit kundër zgjedhës fiskale osmane. Duke qenë në gjendje të mjerueshme ekonomike, popullsia e këtyre rretheve nuk pranoi të paguante taksën për bagëtinë, për shërbimin ushtarak (bedel-i askerie), si dhe detyrimin e të dhjetës, që qeveria turke po këmbëngulte t’i vilte qysh në vjeshtën e vitit 1905. Ky vendim u mor në mbledhjen që përfaqësuesit e parisë e të vegjëlisë së popullsisë katolike të Kurbinit mbajtën në gusht të vitit 1906 në katundin Delbinisht, ku morën pjesë edhe dom Nikollë Kaçorri e at Shtjefën Gjeçovi. Me kurbinasit u bashkuan banorët e Kthellës, të Ranzës, të Malësisë së Lezhës, të Lurës, të Bregut të Matit, si edhe popullsia myslimane e Krujës.
Edhe pse lëvizja kishte karakter paqësor, valiu i Shkodrës, Sali Zeki pasha, për ta detyruar me forcë popullsinë katolike e myslimane të paguante taksat, në ditët e para të shtatorit të vitit 1906 dërgoi në Kurbin e në Krujë katër batalione ushtarësh, të pajisur me artileri e të komanduara nga Shefki Beu, kajmekam i Durrësit. Kur trupat osmane po u afroheshin fshatrave të Kurbinit dhe të Krujës, popullsia e tyre, sidomos gratë e fëmijët, për t’u shpëtuar masakrave u tërhoq në male, duke marrë me vete edhe bagëtinë. Kurbinasit u strehuan në Ranzë, në Kthellë, në Malësinë e Lezhës e në Mirditë.
Popullsia e fshatrave katolike ose me shumicën popullsi katolike (të Malit të Bardhë, të Skurajt, të Milotit, të Laçit, të Zhejës), të udhëhequr nga Gjin Pjetri, pa marrë parasysh këshillat e arkipeshkvit të Durrësit, imzot Biankit, që shkoi posaçërisht në Delbinisht për të kërkuar prej tyre të mos përdornin armët, në mesin e shtatorit të vitit 1906, iu kundërvu ushtrisë osmane në Skuraj e në Zhejë, ku u zhvilluan dy përleshje të ashpra që zgjatën disa orë, pas të cilave forcat osmane u detyruan të tërhiqeshin.
Autoritetet osmane, me qëllim që ta shtypnin më lehtë lëvizjen, hynë në fillim në bisedime me parinë myslimane të Krujës. Por në takimin që u mbajt, në marrëveshje me kajmakamin e kësaj kazaje, më 20 shtator 1906 në Tallajbe të Krujës, disa qindra përfaqësues të popullsisë myslimane të këtij qyteti, të Pezës e të Ishmit, u rrethuan dhe u goditën pabesisht nga ushtria osmane, e cila vrau 30 prej tyre, duke përfshirë këtu disa kryepleq të kësaj zone, si edhe gra e fëmijë.
Më 1 tetor 1906 Shefki Beu, me qëllim që të ndante myslimanët nga katolikët, filloi bisedimet me parinë e Krujës. Pas masakrës së 20 shtatorit dhe premtimeve të autoriteteve osmane për të lehtësuar banorët myslimanë nga taksa e bagëtisë, më 23 tetor gjendja në Krujë u qetësua dhe u rivendos autoriteti i administratës turke në qytet.
Ndërkaq lufta vijoi në fshatrat e Kurbinit, ku popullsia katolike nuk pranoi të nënshtrohej. Rreth 700 burra të armatosur qëndronin përballë ushtrisë osmane. Me ta u bashkuan edhe forca të tjera nga Kthella fqinje, si edhe popullsia e krahinave malore përreth, e Milotit, e Rrëshenit, e Pishkashit, e Lurës etj., shumica e së cilës ishte katolike. Me ndërmjetësinë e konsullit austro-hungarez në Shkodër, Kral, prifti i Durrësit Nikollë Kaçori më 17 tetor 1906 siguroi marrëveshjen me valiun e Shkodrës, sipas së cilës vendosej një shumë e kufizuar dhe e caktuar më parë për çdo kategori taksash. Kjo marrëveshje u pranua edhe nga kurbinasit, por u shkel nga autoritetet osmane, që vijuan të kërkonin vjeljen e plotë të taksave.
Më 26 tetor deri më 14 nëntor të vitit 1906 ushtria osmane ndërmori një ekspeditë të re edhe më të ashpër ushtarake, gjatë së cilës dogji e grabiti shtëpitë e Gegajt, të Milotit, të Zhejës, të Laçit e të Gjormit dhe shkretoi arat e tyre. Ushtria sulmoi gjithashtu Malësinë e Lezhës, ku ishin strehuar familjet e kurbinasve.
Kryengritësit i bënë ushtrisë osmane një qëndresë të fuqishme, sidomos në Skuraj ku luftimet zgjatën disa orë, si edhe te Shkalla e Matit. Për të shmangur shpartallimin e plotë, Shefki Beu, pasi la në këto vende disa dhjetëra ushtarë të vrarë, më 14 nëntor u tërhoq në fushën e Matit, duke mbajtur vetëm disa pika të kontrollit të rrugëve. Kurbinasit, edhe pse të kërcënuar nga të ftohtit, uria e vdekja, vazhduan të rezistonin dhe të qëndronin me familjet e tyre në male gjatë gjithë dimrit të 1906-1907-s.
Ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, sidomos ato të përfaqësuesve austro-hungarezë pranë qeverisë së Stambollit, pas lutjeve të përsëritura që popullsia e Kurbinit u bëri atyre në janar e në shkurt të vitit 1907, nuk mbetën pa rezultat. Por edhe Porta e Lartë, duke parë se me masa terrori nuk po e thyente dot qëndresën e popullsisë së Kurbinit dhe se zgjatja e kryengritjes në këtë krahinë po ulte prestigjin e saj dhe po u jepte shkas ndërhyrjeve të shteteve të huaja, vendosi t’u bëjë lëshime kurbinasve.
Pas bisedimeve, që zhvilloi në Shkodër me përfaqësuesit e kryengritësve në fundin e prillit, valiu i ri i kësaj province, Mustafa Hilmi Pasha, në ditët e para të majit 1907 u premtoi kryengritësve se sulltani u fal veprimet e tyre të armatosura, heq taksën mbi bagëtinë, ul të gjitha taksat e tjera dhe se qeveria do t’i ndihmonte për rindërtimin e shtëpive të djegura gjatë ekspeditave ushtarake. Pas kësaj kurbinasit, që u siguruan për plotësimin e kërkesave, u kthyen përsëri në fshatrat e tyre | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Rilindja Kombëtare | |
| |
| | | | Rilindja Kombëtare | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|