Stina e nxehtë, kujdesi ndaj sëmundjeve që sjell kequshqyerja Mosmbajtja e një bilanci të duhur të regjimeve dhe dietave
ushqimore gjatë kësaj stine të nxehtë, mund të bëhet shkaku i lindjes së
një sërë sëmundjesh tek moshat e ndryshme të popullsisë.Ndër
kategoritë më të rrezikuara nga ky fenomen janë moshat e treta dhe
fëmijët, të cilët për shkak të imunitetit të dobët trupor që gëzojnë,
nuk arrijnë t’u bëjnë ballë efekteve që lë stina e nxehtë në organizimin
e tyre. Duke mos treguar interesin e duhur tek mënyra e të ushqyerit
ndodh që një sërë sëmundjesh të përforcohen edhe më tepër, siç janë ato
të diabetit, sëmundjet kardiovaskulare të hipertensionit si dhe
çrregullimet e stomakut. Një ndër këshillat kryesore që duhet të ndjekin
pacientët në këtë rast është shmangia e konsumit të ushqimeve nëpër
fast fond-e, të cilat janë dhe të rrezikshme për shëndetin, pasi nuk
arrijnë të tresin në mënyrën e duhur ushqimet në stomak, duke shfaqur në
këtë mënyrë komplikime të shumta shëndetësore.
Rritja e temperaturave në shumë raste është armiku shëndetësor për
shumë pacientë ku ndër problematikët janë ata të moshës së tretë. Kjo
kategori për shkak të fizionomisë së tyre e ka të vështirë t’u bëjë
ballë vapës së madhe, e cila e kombinuar me një regjim ushqimor jo të
duhur bën të mundur shpërthimin e një sërë sëmundjesh që mund të mbartin
pasoja të rënda shëndetësore.
Çfarë u rekomandohet pacientëve që të kenë kujdes gjatë këtij
sezoni?
Për të shmangur një sërë sëmundjesh dhe efektet negative
shëndetësore që ato kanë është e rëndësishme që gjatë kësaj stine të
mbahen parasysh dhe të ndiqen me kujdes disa rregulla dhe rekomandime të
lëshuara nga mjeku. Këto rregulla bëhen më të domosdoshme gjatë verës,
kjo për disa arsye, sepse në këtë sezon shumica e produkteve ushqimore
të të gjitha kategorive për shkak të temperaturave të larta (kur nuk
mbahen në kushtet e duhura) pësojnë një farë denatyrimi, substancat e të
cilave shndërrohen në sëmundje të llojeve të ndryshme për organizmin.
Ndërkohë që mundësia e kontaminimit të shumë produkteve ushqimore
përfshirë këtu edhe lëngjet është shumë herë më e lartë se sa në
periudhat e tjera. Në raste të tilla, mosmbajtja e ushqimit në vende të
freskëta shkakton tek njerëzit helmimin, e cila sjell pasoja të rënda
për shëndetin e tij. Shenjat kryesore që shfaqen tek njeriu, pasi ai ka
ngrënë një ushqim, të cilin nuk e ka mbajtur në kushte të duhura janë:
të vjellat, heqje barku, temperaturë, dobësi trupore, zverdhje të
lëkurës, djersë etj. Gjithashtu një kujdes i veçantë duhet treguar dhe
në mbajtjen e një higjiene të rreptë ndaj këtyre produkteve përpara se
të konsumohen. Kjo do të mbante larg organizmit shumë sëmundje, që mund
të lënë edhe pasoja fatale për shëndetin.
Produktet ushqimore që duhen konsumuar me kujdes
Gjatë kësaj stine konsumimi i produkteve të mishit apo i atyre
të tjerave që përmbajnë në masë shumë të larta yndyrash, mund të bëhen
shkak për lindjen është shumë sëmundjeve, pasi organizmi nuk arrin të
përballojë efektet e krijuara nga mostretja e ushqimit në mënyrën e
duhur. Ndërkohë që dhe konsumi i frutave apo perimeve të palara, mund të
kërcënojnë rrezikun shëndetësor. Këshillë e rëndësishme në këtë rast që
duhet ndjekur është ajo që duhet shmangur konsumi i ushqimeve të
gatshme, të thata që tregohen në rrugë. Ato asnjëherë nuk janë të
sigurta për shëndetin njerëzor. Gjithashtu nga ana tjetër këta sëmundje
mund të rëndohen edhe më tej nga konsumi i pijeve alkoolike në masë, apo
i duhanit.
Rekomandimet që japin mjekët
Duhen konsumuar në masë lëngje të freskëta, duke monitoruar në
mënyrë të vazhdueshme shifrat e tensionit arterial. Kështu që pacientët,
të cilët vuajnë nga sëmundjet e zemrës apo të hipertensionit, mund ta
rëndojnë edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore si pasojë e konsumit
të lëngjeve apo produkteve me shumë kripë, si dhe nga konsumi i duhanit
apo edhe i alkoolit. Ndërkohë që për diabetikët nuk rekomandohet
përdorimi i lëngjeve në sasi të larta që kanë përmbajtje sheqeri. Duhen
mbajtur larg edhe lëngjet, të cilat janë të gazuara, pasi shfaqin
vështirësi në tretjen e ushqimit në organizëm. Kështu gjatë një dite
rekomandohet që të përdoren të paktën 2-3 litra lëngje. Për ata që
humbasin më shumë lëngje gjatë ditës, këshillohet konsumimi edhe i më
shumë lëngjeve. Nga ana tjetër, rol të rëndësishëm në shmangien e
komplikimeve shëndetësore luan edhe konsumi i frutave të freskëta, të
cilat duhen ruajtur në ambiente të përshtatshme. Këshillohet larje e
tyre disa herë para ngrënies. Preferencat për frutat në këtë stinë janë
edhe të larta për shkak se ato përmbajnë vlera të larta ushqimore, duke i
siguruar organizmit një sërë substancash të nevojshme, si natrium,
kalium apo klor. Këto janë të domosdoshme gjatë kësaj stine, pasi
organizmi përveç humbjes në sasi të larta të ujit, humbet edhe nga këto
elementë. Gjithashtu këshillohet përdorimi i sa më shumë produkteve të
familjes së zarzavateve, por të gatuara mirë e në një higjienë të
rreptë. Kujdes i veçantë duhet treguar ndaj bulmetrave, pasi rreziku i
kontaminimit në këtë rast është shumë më i lartë. Ato duhen konsumuar me
kujdes. Produktet me bazë shtazore duhen përdorur në sasi të
rekomanduari, si mishi, apo peshku, kryesisht të ziera dhe të gatuara në
gjellë. Të mbahen sa më larg konsumi i thatë i tyre apo i gjërave të
skuqura.
Faktorët tjerë që ndikojnë në përforcimin e sëmundjeve 1. Ushqimi i fast food-eve i dëmshëm. Është
e rëndësishme që të eliminohen sa më shumë që të jetë e mundur produkte
apo ushqimet e thata që tregtohen nëpër fast fond-e. Gjatë kësaj kohe
ato bëhen shumë të rrezikshme për organizmin. Pasi jo vetëm që ndikojnë
në dehidratimin e tij, por pengojnë elementë të vështira që shprehen nga
organizmi. Konsumi i këtyre produkteve përmban dhe sasi të larta të
substancave që në të shumtën e rasteve kthehen në substanca helmuese për
organizmin. Kështu që do ndikojnë në lodhjen e organizmit dhe në
shfaqjen e debulesave të shumta trupore.
2. Të shmangen sasitë e larta alkoolike. Për disa kategori, duhet ndaluar kategorikisht përdorimi i pijeve.
Ndërkohë që ajo çka mund të përdoret gjatë kësaj stine është birra, por
kjo jo në sasi të larta. Kështu që konsumi i një gote birrë gjatë ditës,
nuk përmban sasi të larta alkooli, nuk përbën rrezik shëndetësor për
pacientin. Ndërsa konsumi i pijeve të tjera, gjatë kësaj periudhe është i
ndaluar kategorikisht, pasi është i dëmshëm për shëndetin.
3. Kërkohet ulja e sasisë së dozave për diuretikët. Përdorimi në sasi të larta i ilaçeve dhe sidomos pa rekomandim përkatës
të mjekut, është bërë në masë një shqetësim për mjekët. Në pjesën më të
madhe të rasteve këshillohet që gjatë kësaj periudhe të përdoren në
doza më të ulëta që të gjitha ilaçet. Kjo për shkak të temperaturave të
larta dhe efekteve që ajo lë në organizëm. Një ndër grupet më të
rëndësishme është ulja e dozave të ilaçeve diurektike (ose siç njihen
ndryshe), shkarkuesit urinor. Gjithashtu duhen pakësuar edhe dozat e
ilaçeve të zemrës dhe sidomos ato të tensionit të lartë. Që të gjitha
këto ndryshime duhen bërë pas vizitave tek mjeku, të cilat duhet të
zhvillohen në mënyrë periodike. Nga ana tjetër duhet shmangur përdorimi i
ilaçeve pa rekomandimin e mjekut