MSH: Kontratat për barna janë bërë sipas Ligjit të Prokurimit Publik
Ministria e Shëndetësisë, ndërlidhur me komentime të
ndryshme në media, sipas të cilave, kontratat për blerjen e barnave të
bërë nga kjo ministri i kanë shkaktuar dëm buxhetit sqaron se të gjitha
kontratat për furnizime me barna, janë bërë sipas Ligjit të Prokurimit
Publik, ku është respektuar kriteri i së paku tre ofertuesve dhe ai i
përzgjedhjes së kompanisë që ka ofruar çmimin më të ulët.
Ministria
demanton pohimet se në MSH është formuar një Komision i veçantë për
shkak të, siç thuhet, keqpërdorimeve dhe MSH furnizohet me barna më
shtrenjtë se çdo institucion tjetër në Evropë.
MSH njofton se nga 168 artikuj farmaceutik të Listës Esenciale, për
117 artikuj është bërë krahasimi nga Komisioni për planifikim të
furnizimit me barna, dhe prej tyre ka rezultuar se 101 artikuj janë më
të lira se çmimet sipas BNF (British National Formulary), ndërsa 16 janë
më të shtrenjta. Për 51 artikuj nuk ka pasur krahasime.
Duke shikuar vlerën totale për 117 artikuj të krahasuar (sasia 6
mujore e planifikuar e barnave nga MSH), vlera totale e çmimeve
furnizuese të MSh-së për gjashtë muaj është 3.341.413 euro, ndërsa nëse u
referohemi çmimeve të BNF-it, po për këta artikuj, shuma totale është
11.893.914 euro. Nga kjo rezulton se në bazë të çmimeve të krahasuara me
BNF nga Komisioni për planifikim të furnizimeve me barna, MSH është më e
lirë për 8.555.501 euro.
Ndërsa, sipas Komisionit, 16 artikuj të tjerë janë më të shtrenjtë se
çmimet e BNF-it për 300 mijë euro.
Gjithashtu, edhe këto barna janë blerë në përputhje me Ligjin e
Prokurimit dhe kriter ka qenë çmimi më i lirë i ofruar nga ofertat e
pranuara dhe përzgjedhja është bërë nga oferta më e lirë sipas tregut
farmaceutik në Kosovë.
Kontratat për furnizime me barna do të vazhdohen në përputhje me
procedurat e parapara në Ligjin e Prokurimit Publik, nevojat e
institucioneve shëndetësore, kurse prioritet i MSH-së do të jetë
vazhdimisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm me barna për
institucionet shëndetësore, sipas buxhetit në dispozicion. /