BeLti Anëtarë i MG
Postime : 1065
| Titulli: Sa kanë efekt vitaminat? Sat Sep 25, 2010 4:36 pm | |
| Peshku përmban vitamina B, si vitaminën B6, e cila lufton aneminë, vitaminën D, që është shumë e rëndësishme për asimilimin e kalciumit etj. Ndërsa mëlçia e peshkut është e pasur me vitaminën A, antioksiduese, e cila është tepër e dobishme për sytë dhe lëkurën. Gjithashtu, te peshku gjenden edhe vitaminat B2, B12, PP. Vetëm peshqit e dhjamtë janë të pasur me Omega 3, e cila ka acide yndyrore të pangopura dhe mbron zemrën nga sëmundjet kardiovaskulare, ndryshe nga dhjami i mishrave, i cili përmban acide yndyrore të ngopura. Peshqit e dhjamtë kanë 6 për qind lipide dhe midis tyre janë ngjalat, sardelet, salmoni, toni etj. Peshqit gjysmë të dhjamtë, si peshku shpatë, barbunji etj., kanë 2-6 për qind lipide, kurse ata pa dhjamë si koci, levreku etj., kanë më pak se 2 për qind. Disa njerëz nuk e hanë lëkurën e peshkut, edhe pse ajo është e payndyrshme, por është mjaft e pasur me Omega 3. Yndyrat Acidet yndyrore të pangopura të peshkut ndihmojnë për një energji të madhe fizike, shtojnë tonusin muskular dhe ndihmojnë për të ulur peshën e tepërt. Por ato janë të brishta, sepse oksidohen shpejt në ajër dhe në temperaturë të lartë. Për t’i ruajtur vlerat e tyre është mirë që peshqit të gatuhen në avull. Sa më shumë që peshku është në moshë dhe me peshë të madhe, aq më shumë ai është i pasur me këto lloj acidesh. Më i pasuri me acide yndyrore nga peshqit është skumbri, i cili përmban 1,8 gr acide të tilla në 100 gr peshk, i ndjekur nga sardelet me 1,3 gramë. Llojet natyrore përmbajnë më shumë acide yndyrore sesa peshqit e kultivuar nga njeriu. Yndyrat e peshkut ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq LDL, duke ruajtur njëkohësisht dhe kolesterolin e mirë HDL. Brenda tij gjenden acidet specifike DHA (acidi dekahekzaenoik), apo EPA (acidi ekozapentanoik) etj. Studiues të Universitetit të Seatle në SHBA kanë studiuar mbi konsumin e peshkut në 400 persona të moshuar mbi 65 vjeç dhe kanë vëzhguar se toni apo peshqit e pjekur në skarë e pakësojnë rrezikun e vdekjeve nga problemet kardiake. Po kështu, gratë që hanë peshk të yndyrshëm gjatë shtatzënisë dhe që u japin gji fëmijëve, ndihmojnë te fëmijët për një shikim shumë të mirë. Ky fenomen është zbuluar nga Universiteti Bristol në SHBA, gjatë studimit në mbi 400 fëmijë. Ka popuj që peshkun e hanë edhe të gjallë, siç janë aziatikët, dhe kryesisht japonezët apo indo-kinezët. Por në këto raste duhet bërë shumë kujdes, pasi shpesh mund të infektohemi nga paraziti i quajtur “anisakiase”. Peshku parandalon hemorragjinë cerebrale Në një studim botuar në revistën e Shoqatës amerikane të Mjekësisë thuhet se ngrënia e peshkut mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të hemorragjisë cerebrale, një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, shkencëtarët pranë universitetit “Harvard” studiuan për 12 vjet dietën ushqimore të 40 mijë burrave të moshave nga 40 deri në 75 vjeç. Studimi arrin në përfundimin se personat që hanë mish peshku thuajse çdo ditë dhe ata që përdorin mish peshku vetëm disa herë në muaj përfitojnë thuajse njësoj për nga shëndeti. Mishi i peshkut ndihmon në parandalimin e hemorragjisë cerebrale, pasi acidi yndyror që përmban peshku ndihmon qarkullimin e gjakut. Gjatë këtij studimi shkencëtarët nuk u përqendruan në ndonjë peshk të veçantë, për këtë arsye duket se përdorimi i çfarëdolloj peshku për ushqim, është mirë për shëndetin. | |
|