Beograd, 2 nëntor – Qëndrimet e partisë Demokrate Liberale (LDP), të Lëvizjes së Përtëritjes Serbe (SPO) dhe të Këshillit politik të partisë Demokrate (DS) të Dragolub Miqunoviqit, që serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës, u është bashkuar edhe partia Socialiste e Serbisë (SPS), shkruan sot “Danas”.
Sipas kësaj gazeta, funksionar i socialistëve dhe zëvendësi i kryetari të Këshillit Kosovë e Metohi në Kuvendin e Serbisë, Dejan Radenkoviq, ka thënë se për serbët e Kosovës është më së miri të kenë përfaqësuesit e vet legjitimë politikë, që të mund t’i realizojnë interesat e veta dhe në këtë mënyrë të sigurojnë jetë më të mirë.
“Thirrja serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje, kurrsesi nuk do të thotë njohje e shtetësisë së vetëshpallur të Kosovës”, ka theksuar Radenkoviq. Ai thekson se do të duhej të ndahen përpjekjet diplomatike për njohjen e integritetit territorial të Serbisë nga jeta e serbëve në Kosovë, në vështrimin se ata nuk do të duhej të vuanin pasojat e asaj lufte dhe të kenë kushte të këqija jetese.
Thirrja për pjesëmarrje në zgjedhje nuk do të duhej, thotë ai, të jetë e pakushtëzuar, por që EULEX-i, KB dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë të kërkojnë proces të përshpejtuar të kthimit të personave të zhvendosur dhe të zgjidhin problemet thelbësore jetësore të serbëve dhe të pjesëtarëve të tjerë të komunitetit joshqiptar në Kosovë.
Radenkoviq njëherësh ka shfaqur shpresën se qeveria e Serbisë nuk do të marrë vendimin “një minutë para dymbëdhjetëve”, nëse do t’i bëj thirrje serbëve të Kosovës të dalin ose të mos dalin në zgjedhje.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka për qëllim të imponojë zgjedhjet në gjysmën e dhjetorit, kurse LKD-ja e Fatmir Sejdiut insiston për afatin optimal të shkurtit.
Kryetari i Këshillit politik të Partisë Demokrate (DS), Dragolub Miqunoviq, ka vlerësuar të dielën se politika e deritashme e bojkotit të zgjedhjeve në Kosovë nuk ka dhënë kurrfarë rezultateve, meqë serbët pas zgjedhjeve kanë mbetur vazhdimisht në geto, juridikisht të pambrojtur dhe pa kurrfarë ndikimi në institucione.
Zëdhënësja e Partisë Demokrate, Jelena Trivan, ndërkaq i ka thënë “Danas”-it, se kjo është një çështje e organeve shtetërore dhe se qëndrimi zyrtar do të dihet së shpejti.
“Dalja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës është çështje shtetërore jo partiake dhe Serbia për këtë do të marrë vendim të përbashkët. Qeveria së shpejti do të duhej ta thotë fjalën e vet për këtë”, ka theksuar Trivan.
Duke komentuar pohimet se Partia Demokrate e Serbisë (DSS) ka ftuar serbët në zgjedhjet që i organizon Prishtina, Trivan ka thënë se ato “janë akuza të pakuptimta të patriotëve të rrejshëm, të cilët vazhdimisht përpiqen pa sukses të përfitojnë në temën e Kosovës”.
DSS të hënën zyrtarisht u ka bërë thirrje serbëve nga Kosova të bojkotojnë zgjedhjet e atjeshme.
Të rikujtojmë se Sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, disa herë ka deklaruar për “Danas” se nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës.