Për përfaqësuesit e serbëve të veriut të Mitrovicës, Zveçanit dhe Zubin Potokut, marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për vulat doganore, është e barabartë me tradhti.
I ashtuquajturi sekretar shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, thotë se një strategji e përbashkët e Beogradit dhe e serbëve të Kosovës, megjithatë, është e mundur.
“Kjo që po shprehin përfaqësuesit e veriut është në të vërtetë frikë. Është frikë dhe pasiguri ndaj asaj që i pret në të ardhmen. Mendoj se një komunikim më i mirë me autoritetet e larta dhe institucionet ku vendoset për politikën ndaj Kosovës, do të ishte i dobishëm për qëndrueshmërinë e këtyre njerëzve”, thotë Ivanovic.
Kuvendi i bashkësisë së komunave serbe ka kërkuar nga Kuvendi i Serbisë të deklarohet rreth marrëveshjes për vulat doganore. Megjithatë, lideri i serbëve të Zveçanit, Dragisha Millovic, thotë se komuniteti nuk po largohet nga Beogradi.
“Jo, jo. Ne duam të punojmë vetëm me shtetin tonë. Shihni se sa po luftojmë që t’i heqim këta tela, të cilat na i kanë vënë dhe me të cilat duan të krijojnë një Mur Berlini apo një Mur Kinez. Duhet të kemi besim në kryetarin e shtetit, në shtetin e Serbisë. Por, njëkohësisht është e nevojshme që popullit – sado që është e hidhur – t’i thuhet e vërteta për atë se çfarë ka ndërmend të bëjë presidenti, qeveria dhe kuvendi me serbët që jetojnë në Kosovë”, thotë Millovic.
Qeveria e Serbisë, siç duket, është futur në rrugë qorre jo vetëm për shkak të kërkesave të Bashkimit Evropian, por edhe për shkak të, siç thuhet, problemeve me serbët e veriut.
Dushan Janjic, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, thotë se serbët e veriut, pavarësisht përkatësisë partiake, në përgjithësi kanë nisur të humbasin besimin në Beograd. Qeveria e Serbisë nuk ka ndikim në procesin e vendimmarrjes për veriun e Kosovës, ndërsa Tadici i ka bërë disa gabime, thotë Janjic.
“Ai (Tadici) ka drejtuar një politikë nga kabineti i tij, duke përjashtuar procedurat normale demokratike. Më shkatërrimtare për të është kontrolli i mediave dhe krijimi i një pasqyre të dirigjuar për gjendjen në Kosovë. Kjo në fillim ka funksionuar si një marketing i mirë – pra sikur Tadic zgjidhte probleme – ndërsa tash po vihet re se atij nuk i besohet”, thotë Janjic.
Sipas tij, serbët e Kosovës janë në pritje të asaj se çfarë do të ndodhë me ta dhe çfarë do të bëjë Tadici me ta. /Rel/Telegrafi/