Zyra e Shërbimit Civil në Lagjen e Bonjakëve në veri të Mitrovicës po vazhdon të jetë funksionale në lëshimin e dokumenteve të Kosovës edhe për qytetarët serbë, deri në themelimin e komunës së re, e cila sipas zyrtarëve qeveritarë, pritet të jetë funksionale deri në fund të këtij viti.
Ekzekutivi kosovar, ndërkaq, konsideron se bisedimet e nisura me Beogradin mund të ndihmojnë në realizimin e procesit të decentralizimit, i cili duhet të shtrihet edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, shkruan gazeta Zëri.
Zyra e Shërbimit Civil, e themeluar vitin e kaluar në Lagjen e Bonjakëve, vazhdon të lëshojë dokumente të Republikës së Kosovës, duke filluar nga certifikatat e lindjes, të vdekjes, letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shoferë për të gjitha komunitetet. Sipas përfaqësueseve të kësaj Zyre, numri më i madh i qytetarëve që marrin dokumente në këtë zyrë është ai i komunitetit serb, duke pasuar nga ai bonjak dhe shqiptar.
“Mbi 90 për qind të qytetarëve që marrin dokumente të Republikës së Kosovës në këtë zyrë janë nga komuniteti serb, ndërkaq pjesa tjetër janë bonjakë dhe shqiptarë”, ka thënë një zyrtar i Zyrës për Shërbimin Civil në kushte anonimiteti. Mirëpo, drejtues qeveritarë theksojnë se procesi i decentralizimit përmes krijimit të komunës së re duhet të shtrihet edhe në veri të Mitrovicës.
“Situata në veri të Mitrovicës është specifike dhe ka sfidat e veta, por ne kemi obligim kushtetues dhe moral që komuniteteve që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës t’iu ofrojmë kushtet normale për jetë dhe punë”, ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtet Lokal, Sllobadan Petrovic.
Sipas tij, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj, e veçmas ministria që drejton dhe Ekipi Përgatitor Komunal i Mitrovicës po punojnë rreth përgatitjeve për krijimin e komunës së Mitrovicës së veriut. Ai i ka deklaruar gazetës “Zëri” se zgjedhjet në këtë komunë do të mbahen kur të arrihet konkludimi i përbashkët se është koha e përshtatshme për mbajtjen e tyre.
“Po punohet në mënyrë aktive për përmbushjen e objektivave për krijimin e komunës së re”, ka thënë Petrovic. Megjithatë, ai synon që mbajtja e zgjedhjeve dhe konstituimi i organeve të reja komunale të bëhet brenda këtij viti.
Nga ana tjetër, Beogradi krijimin e komunës së re në veri të Mitrovicës e konsideron si provokim për qytetarët e atjeshëm. Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, ka pohuar se themelimi i kësaj komune përveç se është një provokim, mund të nxisë edhe reagime.
Mirëpo, zëvendëskryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sllobadan Petrovic mendon të kundërtën, duke thënë se rezultatet fillestare të procesit të decentralizimit në Gracanicë, Ranillug, Kllokot dhe Partesh janë shembulli më i mirë për qytetarët e veriut që ata të besojnë në procesin e decentralizimit dhe në dobinë që ky proces sjell në kualitetin dhe sigurinë e jetës së tyre. /Telegrafi/