Shkup, 4 nëntor - Nuk ka alaternativë për bashkëpunim rajonal. Krahas asaj që të gjitha vendet nga Evropa Juglindore të cilat lëvizin drejt rrugës së NATO-s, duhet individualisht të përpiqen në përmbushjen e reformave, megjithatë, të gjithë duhet të kenë kujdes në qasjen rajonale dhe angazhimin e përgjithshëm ta çojnë drejt afrimit të rajonit nga integrimet euroatlantike, njofton MIA.
Këtë e porositi ministri i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski pas fillimit të takimit të rregullt të trembëdhjetë të vendeve të Kartës së Adriatikut, që po mbahet në Shkup, e në të cilin do të bisedohet për ndarjen e përbashkët të përvojave, si dhe për promovimin e trajnim-qendrave të përbashkëta të ardhshme dhe të tanishme rajonale.
"Bashkarisht duhet të gjithë të ndikojmë për ta përmirësuar arkitekturën e sigurisë së Ballkanit. Vendet ballkanike janë të vogla si për nga territori ashtu edhe për nga numri i banorëve, por munden të japin shumë në raport me luftën kundër terrorizmit global dhe kërcënimeve të cilat paraqiten me liferimin me armë", deklaroi ministri Konjanovski pas hapjes së takimit.
Ai shprehu falënderim të madh për SHBA-në, e cila që prej vitit 2003 paraqitet si partnere e Grupit A3, i cili sot është rritur me dy anëtare të reja, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi dhe Serbia si vëzhguese.
"Rezultatet nga bashkëpunimi me SHBA-në janë të dukshme për të gjithë. Është e qartë se ku ndodhej rajoni ynë në vitet 2001-2002, dhe ku është sot - shumë afër integrimit të tërësishëm në BE dhe në NATO. Rajoni sot në Shkup është në një vend dhe po e jep ndoshta frymën më të rëndësishme drejt integrimit euroatlantik", theksoi Konjanovski.
Ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Filip Riker tha se për të paraqet kënaqësi të madhe që Grupi i Adriatikut prej tre u rrit në pesë anëtarë, me kyçjen e Bosnjë e Hercegovinës dhe të Malit të Zi si pjesë e iniciativës dhe i përshëndeti nikoqirët nga Maqedonia që i kanë ftuar Greqinë dhe Bullgarinë të marrin pjesë si vëzhguese së bashku me Serbinë.
"Ndërmjet SHBA-së dhe Grupit të Adriatikut, si dhe drejtpërdrejt me Republikën e Maqedonisë ka bashkëpunim të suksesshëm. Ne jemi të pranishëm në takim përmes Komandës evropiane të SHBA-së me gjeneralin Semjuel Loklir. Kemi bashkëpunim të mirë edhe në terrenin në Afganistan dhe Irak dhe takimet e këtilla si dhe bashkëpunimin tonë në terren e konfirmon bashkëpunimi dhe partneriteti ynë i suksesshëm që ekziston ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë", deklaroi ambasadori Riker.
Ai theksoi se bashkëpunimi i jashtëzakonshëm ndërmjet armatave të SHBA-së dhe Maqedonisë konfirmohet nga fakti që ministri Konjanovski kohë më parë në Uashington pati takim me sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts.
"Krahas kësaj, unë personalisht e mbështeta shefin e Shtatmadhorisë Mirosllav Stojanovski gjatë vizitës së tij në Napoli me admiralin në largim, Mark Fitcxherald", theksoi ambasadori Riker.
Temë kryesore e tubimit të sotëm në Shkup është "Kontrolli dhe qasja në hapësirën ajrore dhe detare dhe integrimi në arkitekturën e NATO-s për kontroll dhe komunikime" me ç'rast do të prezantohen qasjet individuale të pjesëmarrësve të takimit.
Në takim marrin pjesë delegacione të larta të armatave të vendeve anëtare të A5 të prezantuara nga SHM të forcave ajrore (FA) të Shqipërisë, gjenerali brigadier, Maksim Malaj, të Bosnjë e Hercegovinës, gjeneral nënkoloneli, Milladin Millojçiq, të Malit të Zi, vice-admirali, Dragan Samarxhiq dhe zëvendësi i SHM të FA të Kroacisë, gjeneral-nënkoloneli, Sllavko Bariq.
Krahas shefave të SHM të armatave anëtare të A5, në takimk do të marrin pjesë edhe SHMP të FA të Bullgarisë, gjenerali Simeon Simeonov, Serbisë, gjeneral-nënkoloneli, Milloje Miletiq, Komandanti i Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, admirali Samuel Loklier dhe zëvendësi i komandantit të Komandës evropiane të SHBA-së (EUCOM) gjeneral-nënkoloneli, Xhon D. Gardner.