Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi
Gjatë dekadave të fundit shqiptarët në rajon kanë përfituar nga hapja për të komunikuar më shumë me njeri-tjetrin, dhe forcimin e elementëve të përbashkëta si gjuha, kultura, historia, ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ai ka hedhur poshtë spekulimet se i është dërguar ftesë presidentit serb, Boris Tadic, për ta vizituar Shqipërinë.
Ideve për një bashkim të mundshëm kombëtar, presidenti Topi në një intervistë për BBC-në iu përgjigj: “E ardhmja e vendeve tona, si vende sovrane të lira, patjetër që është në familjen euroatlantike, që do të thotë që ne të gjithë do të bashkohemi në Bruksel”.
Presidenti shqiptar inkurajon një bashkëpunim rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, tani pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e bëri të qartë se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Presidenti Topi tha se kur të piqeshin kushtet do të mirëpriste uljen në të njëjtën tryezë të udhëheqësve të Kosovës e Serbisë.
Sa iu përket raporteve Tiranë-Beograd, Topi tha se megjithëse me Serbinë nuk mund të bihet dakord për çështjen e Kosovës, ka një numër fushash të tjera bashkëpunimi, përfshirë ekonominë, komunikimin, kulturën, ku të gjitha palët në rajon mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
Presidenti shqiptar tha po ashtu se nuk ka ende një ftesë zyrtare për një vizitë të presidentit serb, Boris Tadic në Shqipëri. "Nuk ka një ftesë për presidentin Tadic për të vizituar Shqipërinë”, tha Topi i pyetur nëse po vonohej ardhja e presidentit serb në Tiranë siç ishte paralajmëruar më parë.
“Duke marrë në konsideratë që kjo ftesë do të bëhet nga presidenti i Shqipërisë në një rast eventual, përderisa unë e konfirmoj që nuk ka ftesë, çdo gjë tjetër që hamendësohet mbetet në një terren jo real”, tha presidenti Topi.
Presidenti shqiptar u shpreh me optimizëm se përpjekjet e Shqipërisë për t'u afruar me Bashkimin Evropian do të ndihmojnë vendin për të përparuar dhe konsoliduar institucionet. Ai tha se megjithëse partitë politike në vend nuk kanë arritur ende mirëkuptim, kjo nuk mund të konsiderohet dështim.