Prishtinë, 7 nëntor (E plotësuar)– Isa Mustafa është kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu, sot vendosën delegatët e Kuvendit VII Zgjedhor të LDK-së. Pas përfundimit të procesit të votimit të fshehtë dhe numërimit të votave, u vërtetua se për Isa Mustafën votuan 235 delegatë, ndërsa për Fatmir Sejdiun 124.
Në fjalën përshëndetëse pas triumfit në garën për kreun e LDK-së, Isa Mustafa
ftoi gjithë elektoratin e shpërndarë të LDK-së që të kthehen në, siç tha ai, familjen e tyre.
Mustafa, tha se LDK ka sfida të mëdha para saj dhe se te gjithë që ndihen pjesë e saj, mund te kontribuojnë.
Ai tha se qeverisja në këto vite shkoi në rrugë të gabuar, duke konstatuar se në Kosovë ka depresion moral dhe ekonomik. Përmendi ngulfatjen e shtetit nga ana e grupeve të interesit, duke shquar edhe problemin e korrupsionit.
”Duke marre këtë detyrë, ju ftoj të gjithëve që jeni pjesë e LDK, që ta ngrisim, ta ndërtojmë, të punojmë dhe të ecim bashkarisht, që gjithë elektorati të rikthehet ne familjen e LDK-se”, tha Mustafa.
Ai në fund të fjalës së tij falënderuese propozoi qe kryetari i deritashëm i LDK-së, Fatmir Sejdiu, të shpallet kryetar nderi i LDK-së, propozim ky që u duartrokitë nga pjesëmarrësit në Kuvend.
Që në fillim të punës së Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u mbajt sot në Prishtinë, u eliminua dilema e kahershme se kush do të jetë kandidat për kreun e partisë. Sabri Hamiti, i cili kryesonte mbledhjen e Kuvendit paralajmëroi delegatët se kandidatë zyrtarë për kryetarë të LDK-së janë Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa. Kuvendin e VII Zgjedhor të LDK-së e ka hapur kryetari aktual i LDK-së, Fatmir Sejdiu. Në momentin e prezantimit të emrave të kandidatëve shumë delegatë kanë brohoritur për Isa Mustafën.
Sejdiu ka paraqitur ekipi udhëheqës të Kuvendit Zgjedhor, i cili përbëhet nga Sabri Hamiti, Lirie Kajtazi, Eqrem Kryeziu, Lutfi Haziri, Isa Mustafa, Gazmend Muhaxheri e Fatmir Sejdiu.
Në Kuvendin e VII Zgjedhor të LDK-së nuk po marrin pjesë Bujar Bukoshi, i cili bashkë me Ukë Rugovën, të birin e preisdentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ditë më parë publikuan Listën "LDK - Ibrahim Rugova".
Pjesa e parë e Kuvendit ishte e hapur për publikun dhe u transmetua direkt në televizionin publik të Kosovës, ndërsa siç njoftohet, pjesa vijuese e Kuvendit do të jetë e mbyllur.