Brukseli nuk i ka dhënë kurrfarë afati Prishtinës për dorëzimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ndërkohë, në Kosovë, të hënën, pas heqjes së regjimit të vizave ndaj Shqipërisë, përveç gëzimit, është vërejtur edhe një dozë dëshpërimi ndaj vetvetes dhe Bashkimit Evropian.
Me heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosova, e cila ende nuk është njohur nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, mbetët i vetmi shtet evropian i getoizuar, ku qytetarët e saj duhet të vazhdojnë të aplikojnë për viza për të udhëtuar në vendet e zonës Schengen.
Michele Cercone, zëdhënësi i komisionerës për çështje të brendshme të Bashkimit Evropian (BE), Cecilia Malmstrom, ka mohuar që zyrtarët në Bruksel t’i kenë premtuar Prishtinës muajin shtator si afat për dorëzimin e strategjisë për liberalizimit të vizave. “Nuk kemi premtuar”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi i Cecilia Malmstrom. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk i kanë përmbushur kriteret e këtij procesi.
“Institucionet në Kosovë duhet t’i përmbushin kriteret e përcaktuara për marrjen e strategjisë për liberalizimit të vizave, e që ka të bëjë me çështjen e riatdhesimit dhe riinetegrimit. Unë jam i befasuar për gjoja premtimin për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave, pasi gjithmonë e kemi bërë të qartë në Komisionin Evropian se mundësia e marrjes së këtij dokumenti është e lidhur direkt me punën e autoriteteve në Kosovë”.
“Nuk janë shënuar rezultate në riatdhesimin dhe riintegrimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë pa leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian. Ne kemi kërkuar më shumë punë në këto çështje, dhe natyrisht kemi thënë se kur Kosova do të jetë gati dhe efektive, ne do të jemi gati për dialogun për liberalizimin e vizave. Prandaj nuk ka ndonjë premtim apo afat të dhënë”, ka thënë zëdhënësi Cercone.
Të hënën qytetarët dhe zyrtarët e Kosovës nuk e kanë fshehur gëzimin për heqjen e vizave për shqiptarët e Shqipërisë, por as dëshpërimin për vetveten. Madje ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, ka akuzuar komisioneren Malmstrom për paragjykim ndaj kosovarëve kur është në pyetje procesi i liberalizimit të vizave.