Dy organizata nga Kosova janë shpërblyer në Pragë të Republikës
Çeke në ceremoninë përmbyllëse për çmimin e Fondacionit ERSTE për
Integrim Social 2011. Shuma e fituar nga ky shpërblim kap shifrën e 16
mijë euro për secilin projekt. Projekti "Integrimi i
fëmijëve me autizëm" i shoqatës "Të bashkuar për autizëm" nga Prishtina
dhe "SOS fshati i ri i fëmijëve", i shoqatës së "SOS fshatit
ndërkombëtarë të fëmijëve" në Prishtinë, ishin në mesin e tridhjetë e
një finalistëve të çmimit për Integrim Social, të cilin Fondacioni ERSTE
e ka dhënë për të tretën herë organizatave të cilat janë duke zhvilluar
dhe zbatuar projekte të lidhura me integrimin social.
Në konkurrencë për çmimin, i cili u dha të hënën në Pragë, ishin 132
projekte nga 12 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (Kosova, Bosnja e
Hercegovina, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Maqedonia, Moldavia,
Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia).
Programi Integrimi i fëmijëve me autizëm i Jeta Devës ka bërë që 35
fëmijë në Kosovë të diagnostikohen me autizëm. Në këtë projekt ekspertë
ndërkombëtarë kanë trajnuar psikologë dhe mësues nga Kosova për
identifikimin e fëmijëve me autizëm gjë e cila më parë nuk ka ndodhur në
Kosovë.
Prindërit e fëmijëve me autizëm është dashur t'i dërgonin ata jashtë
vendit të trajtim të mëtejmë. Pasa këtyre trajnimeve fëmijëve u është
dhënë trajtim terapeutik dhe është vërejtur përmirësim i tyre në
komunikim dhe aftësitë e tyre në jetën e përditshme.
Ndërsa projekti i "SOS fshatit të fëmijëve" "SOS fshati i ri i
fëmijëve" ka të bëjë me fëmijët në nevojë të cilët janë të përjashtuar
nga shoqëria. Atyre "SOS fshati i fëmijëve" u ka dhënë një fillim të ri
të jetës së tyre duke u ofruar 120 fëmijëve kujdes në arsimimin
parashkollor. Ky është i vetmi institucion parashkollor që zbaton
strategjinë e arsimit parashkollor. Është interesante që në këtë
institucion janë të përzier të gjithë fëmijët përfshirë fëmijët e
varfër, ata me nevoja të veçanta dhe fëmijët e tjerë.
Në këtë konkurs janë paraqitur 1850 aplikacione, e 132 projekte, nga
ekspertët ndërkombëtarë, janë zgjedhur për të hyrë në listën e shkurtër.
Fondi i përgjithshëm për çmimin, e finalistëve, është 613 mijë euro,
ndërsa 132 organizata kanë marrë përfitime të tilla.
Juria e çmimit te fondacionit ERSTE për Integrim Social në vitin 2011
përbëhej nga 18 ekspertë në fushën e integrimit social, midis të cilëve
nga Kosova ishte analisti Shkëlzen Maliqi. /Telegrafi/