Prishtinë, 13 nëntor - Drejtues të Lëvizjes "Vetëvendosje" janë shprehur me nota kritike ndaj procesit të deritanishëm të privatizimit në Kosovë, ndërsa kanë kërkuar që institucionet që do të dalin pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit të rishqyrtojnë të gjitha kontratat e arritura deri më tash në kuadër të këtij procesi.
Në një konferencë për media me temën "Rivitalizimi i ekonomisë së Kosovës", kreu i "Vetëvendosjes" Albin Kurti ka prezantuar ish-udhëheqësin e minierës "Trepça", Nazmi Mikullovci, i cili ka aderuar në radhët e kësaj Lëvizjeje, raporton Kosovapress.
Me këtë rast, Mikullovci, ka thënë se ajo që e ka shtyrë të kalojë në "Vetëvendosje" ka qenë programi i saj i qartë.
"Ajo që më ka shtyrë të kalojë në Lëvizjen "Vetëvendosje" ka qenë programi i tyre, një program i qartë i liruar prej stereotipeve dhe prej frazeologjisë. Sa i përket pjesës ekonomike, programi pikënisjen e ka në identifikimin dhe mobilizimin e të gjitha resurseve njerëzore, materiale dhe financiare, dhe vendosja e tyre në funksion ekonomik të Kosovës", ka thënë Mikullovci.
Sipas Mikullovcit, mundësitë reale kanë ekzistuar, por ka munguar vullneti politik për zgjedhjen e problemeve. Ai ka përkujtuar se fabrikat për një kohe të gjatë mbeten pa përkujdesje dhe në duart e atyre të cilët nuk ishin të interesuar për forcimin e ekonomisë së Kosovës.
Ai ka shtruar nevojën e mobilizimit për vënien e resurseve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenës së qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, sa i përket procesit të privatizimit, lideri i "Vetëvendosjes" Albin Kurti ka kërkuar që në të ardhmen të rishikohen të gjitha kontratat që janë arritur gjatë këtij procesi.
"Lëvizja "Vetëvendosje" konsideron që është e domosdoshme që të rishikohen të gjitha kontratat në të kaluarën, në mënyrë që të identifikohen shkeljet e ligjit, shkelësit e të drejtave të njeriut, dhe njëkohësisht konfliktet e interesit. Këtë duhet ta bëjë pushteti i ardhshëm për shkak se nuk mund të ketë drejtësi pa korrigjimin e padrejtësive nga e kaluara", ka thënë ai.
I pyetur rreth seancës së mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit, ku u debatua për raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Moon, kreu i "Vetëvendosjes" ka thënë se Kosova nuk duhet të bie pre e akuzave të Serbisë dhe se nuk do të ketë negociata për statusin.
"Kosova nuk duhet të jetë pre e akuzave të Serbisë ose e shoqërimit me UNMIK-ut dhe besojmë që qëllimi i dobët i institucioneve të Kosovës karshi paralajmërimeve për negociata me Serbinë, karshi UNMIK-ut që vazhdon të tolerohet dhe mos konsolidimi i brendshëm po bën që edhe më tutje për Kosovën të diskutohet si për një çështje të pazgjidhur dhe ne jemi kundër këtij kuadri", ka thënë Kurti.