Formimi i një qeverie teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme është “plani B” i LDK-së, në rast se partia e parë, që doli sipas rezultatit preliminar, dështon të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, thotë se legjitimiteti demokratik i këtyre zgjedhjeve është i dëmtuar. Sipas tij, në këso situate, LDK-ja, qoftë partia e parë apo e dyta, nuk do ta merrte përsipër nismën për formimin e qeverisë së re. Duke i cilësuar zgjedhjet e 12 dhjetorit të parregullta, LDK-ja thotë se nuk i beson rezultatit të tyre dhe kërkon një proces të ri zgjedhor në Kosovë, gjatë vjeshtës së ardhshme. “Në të këtë mënyrë, ne do të krijonim kushte që të kemi një përfaqësim më të mirë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gashi për Evropën e Lirë.
Në kalkulimet e para pas zgjedhjeve ishte përfolur shumë formula e formimit të qeverisë mes PDK-së dhe AKR-së dhe pakicave. Por, rezultati preliminar, si dhe ai që pritet pas rivotimeve të pjesshme, besohet se nuk i garanton PDK-së një qeveri të qëndrueshme, pasi që nuk sigurohen numra që e garantojnë stabilitetin qeverisës dhe mbështetjen e nevojshme në Kuvend. Po ashtu, edhe AKR-ja i ka vendosur PDK-së disa parakushte, të cilat sikur e pamundësojnë formimin e qeverisë me këtë subjekt politik. PDK-ja nuk mund të llogarisë as në LDK-në, Vetëvendosjen dhe AAK-në, të cilat nuk e duan atë për partnere në qeveri.
Si alternativë apo “plan B” ishte përmendur formula e qeverisjes në mes të LDK-së dhe AAK-së, por as kjo formulë nuk garanton numra të domosdoshëm në Kuvend. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se kjo parti politike do të hynte në ndonjë qeveri të re vetëm me opsionin Ramush Haradinaj kryeministër. Ndonëse Haradinaj aktualisht është në Hagë dhe pret fillimin e një gjykimi të pjesshëm atje, Ramadani, megjithatë, thotë se pa këtë kusht, AAK-ja nuk do të hyjë në asnjë qeveri të re.
Situata e krijuar, kur shumica e partive nuk preferojnë të përfshihen në qeverinë e re, por presin zgjedhje të shpejta, i ngjan tashmë një ngërçi politik e institucional. Andaj edhe konsiderohet se, nëse dy partitë e mëdha nuk do t’ia dalin të formojnë qeverinë e re, atëherë zgjedhjet e reja janë imponimi i radhës për Kosovën dhe elektoratin e saj.