Në Tiranë ka fluks votuesish që në orët e para të hapjes së qendrave të votimit. Vihet re gjithashtu fluks emigrantësh që janë kthyer për të votuar.
Gjatë 24 orëve të fundit për të marrë pjesë në këtë votim kanë ardhur rreth 3200 emigrantë nga katër pikat doganore me Greqinë. Nga pika e Kakavijës kanë ardhur gjatë këtyre ditëve 7200 persona. Edhe në këto momente në këtë pikë ka fluks emigrantësh.
Ndërsa në Korçë ka pasur disa probleme të vogla teknike. Në komunën e Ravonikut, votimi nuk ka filluar ende pasi mungon pajisja e verifikimit të bojës, ndërsa në Voloçisht, Lozan dhe Lavdar ka nisur votimi, por mungojnë komisionerët e djathtë.
TCH raportoi se të shtunën në mbrëmje, në një tjetër komunë të këtij qarku, ka pasur akuza nga shtabi socialist se është marrë vula nga kryetarja e komisionit zgjedhor.
Bashkia e Korçës akuzoi kampin e djathtë se ka thyer heshtjen zgjedhore duke shpërndarë materiale propagandistike, gjë që është përgënjeshtruar nga PD-ja në zonë. Në këtë qark do të votojnë 185 mijë zgjedhës në 419 qendrat e votimit.
Në qarkun e Gjirokastrës proçesi ka filluar me vonesë në disa qendra votimi në Gjirokastër dhe Memaliaj. Kryetari i KZAZ-së së Gjirokastrës ka bërë të ditur se disa komisionerë të djathtë janë paraqitur me vonesë gjë që ka bërë edhe shtyrjen e votimit, ndërkohë që në Memaliaj ende nuk ka nisur votimi në dy qendra pasi po bëhet verifikimi i materialit zgjedhor.
Ndërkohë në njësinë Nr.2, në Tiranë, kandidati i “Aleancës për të ardhmen” Edmond Cukalla, tha se persona, simpatizantë të PD-së, janë instaluar brenda një QV-je dhe po bëjnë presion mbi zgjedhësit.
Në Kamëz ku votohet në 51 qendra votimi, nuk ka nisur votimi në pesë prej tyre për arsye teknike.
Në Paskuqan ka pasur probleme me bojën e cila ka rezultuar e skaduar në më shumë se 10 qendra, ndërsa në Ersekë KZAZ zëvendësoi disa komisionerë pasi nuk ishin në detyrë.
Në Fushë Krujë, në qendrën e votimit 1202 që ka 669 votues, mungojnë pothuajse gjysma e fletëve të votimit.
Në Lezhë 40 fletë votimi në fshatin Simon janë pa numër serie. Probleme ka pasur edhe në një qendër në Shëngjin ku nuk është hapur ende proçesi pasi një anëtar i komisionit është edhe kandidat për këshillin bashkiak dhe pritet zëvendësimi i tij. /Telegrafi/