Prishtinë, 27 dhjetor - Kërkesa e Federatës e Çiklizmit të Kosovës (FÇK) për pranim në Unionin Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI) është shqyrtuar në dy kongreset e UCI-së të mbajtura në vitet 2008 e 2009. Kërkesë të njëjtë FÇK kishte paraqitur edhe para kongresit të fundit të UCI-t që u mbajt më një tetor të këtij viti. Për ndryshim nga dy vitet e kaluara në kongresin e vitit 2010, kërkesa e FÇK-së nuk u fut fare në rend të ditës. Kjo zmbrapsje nuk ka penguar drejtuesit e çiklizmit kosovar që vitin 2010 ta vlerësojnë si të suksesshëm sa i përket ndërkombëtarizimit, shkruan sot Koha Ditore.
"Ne si federatë kemi vlerësuar se ishte një vit i suksesshëm edhe sa i përket ndërkombëtarizimit. Kemi sfida të mëdha para vetes, por kemi bërë punë të mirë deri më tani. Më herët Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit ka kërkuar që të bëjmë disa ndryshime në statut. Në ato ndryshime i kemi bërë, por në kongresin e UCI-t kërkesa jonë për pranim nuk u fut fare në rend të ditës. Kusht për pranim në UCI është që Komiteti Olimpik i Kosovës të jetë i pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar", ka thënë të dielën kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha.
I pari i çiklizmit kosovar, ka thënë se çiklistëve dhe klubeve kosovare të këtij sporti në janar u është lejuar që të pajisen me licenca të ndonjë vendi tjetër dhe kështu të paraqiten në gara ndërkombëtare, në nivel të klubeve.
"Ne jemi pajisur me licenca të Shqipërisë. Por, çiklistët apo klubet tona nuk janë ftuar në asnjë garë ndërkombëtare. Megjithatë ne kemi mbajtur 'Rrethin e Kosovës', në të cilin kanë marrë pjesë çiklistë nga disa vende evropiane", ka shtuar Nuha.
Në të vërtetë, procesi i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar nuk ka lëvizur thuajse aspak gjatë vitit 2010. Asnjë federatë sportive nuk është pranuar në asociacionet ndërkombëtare. Përkundrazi, një federatë e pranuar me të drejta të plota është përjashtuar nga Federata Ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Federatën e Softbollit. Tani Kosova i ka vetëm dy federata të pranuara me të drejta të plota, atë të pingpongut dhe peshëngritjes. Disa të tjera si e hendbollit e xhudos janë të pranuara me të drejta të kufizuara. Të gjitha federatat sportive të Kosovës kanë aplikuar për pranim në asociacionet ndërkombëtare.
"Federatat e kanë kryer punën e tyre. Kanë përgatitur dokumentacionin dhe kanë aplikuar në federatat ndërkombëtare. Shumica prej tyre janë në pritje të përgjigjeve nga federatat ndërkombëtare. Ne jemi të kënaqur me punën që kanë bërë federatat", ka thënë më herët kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.
Hapin e vetëm para gjatë vitit 2010 e ka bërë Federata e Futbollit. Gjatë këtij viti, FIFA ia ka njohur FFK-së të drejtën e lëshimit të certifikatës ndërkombëtare të lojtarëve. Kjo pamundëson që lojtarët që janë në kontratë me klubet kosovare të largohen drejt ndonjë
klubi në shtet tjetër pa lejen e klubit.
"Me rezultatet e ndërkombëtarizimit nuk jemi të kënaqur, por me punën e bërë po. I kemi shfrytëzuar të gjitha lidhjet e mundshme dhe nuk ka qenë e mundur të arrihet më shumë. Gjatë këtij viti është njohur certifikata ndërkombëtare e lojtarëve që është e arritur e madhe. Jemi federata e parë e papranuar që e kemi realizuar këtë. Kishim për qëllim që të mbrojmë lojtarët dhe klubet e këtë e arritëm", ka thënë të dielën sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Procesi i ndërkombëtarizimit të FFK-së është bllokuar në UEFA. Kusht për pranim në UEFA është që shteti i federatës që aplikon të jetë i pranuar në OKB. Pa u pranuar në UEFA është i pamundur pranimi në FIFA.
Kushtin për të qenë pjesë e OKB-së, apo për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar e kanë thuajse të gjitha federatat ndërkombëtare.
"Pranimi me të drejta të plota nuk varet nga ne si federatë. Ajo çka është varur nga ne është realizuar shumë vite më parë. Ne jemi të kënaqur me aktivitetet ndërkombëtare që kishim gjatë vitit 2010. U paraqitëm në gara ndërkombëtare me skuadra, arbitra e delegatë. Po ashtu ishim pjesë e kongreseve dhe seminareve të ndryshme. Marrë në përgjithësi ka qenë një vit solid", ka theksuar sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit, Izet Gjinovci.