Prishtinë, 27 dhjetor - Me rastin e shugurimit të peshkopit Teodosije, në të cilën mori pjesë edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) z. Irinej, i cili nuk mundi t’i përmbahet kodit fetar e njerëzor, por, siç e kanë zakon titullarët më të lartë të KOS-it, hodhi baltë e vrer, duke e përmendur raportin e Dick Martyt, madje deri në mallkimin “e atyre që kanë përfituar materialisht nga shitja e organeve të trupit të njerëzve”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Ne kemi pritur që ai si lider fetar, në një objekt fetar dhe në një rast solemn, si ai i djeshmi në Prizren, do të fliste për paqe e bashkëjetesë në mes njerëzve, do t’i ftonte njerëzit në tolerancë e mirëkuptim. Nga ai është pritur me të drejtë që të përcjellë mesazhe paqeje dhe kërkim-falje për gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar gjatë shekullit të kaluar, për t’i hapur rrugën pajtimit historik të dy popujve e për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes dhe armiqësisë. Mirëpo, për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, vazhdoi avazi i vjetër dhe gjuha e paragjykimeve dhe insinuatave për t’i mallkuar njerëzit pa fakte dhe argumente”, thuhet më tutje në reagim.
BI-ja shton se kreu i KOS-it i përmendi viktimat e palës serbe, “për çka edhe ne ndjejmë dhembje sepse viktima është viktimë pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike, mirëpo ai me këtë rast “harroi” t’i përmendë 1 824 të pagjetur, të cilëve akoma nuk u dihet asnjë gjurmë, kurse përgjegjësinë për këtë e bart qeveria dhe institucionet serbe”.
“Irinej i përmend mijëra shtëpi të djegura të serbëve në Kosovë, por ai përsëri “harron” t’i përmend mbi 200 000 shtëpi të shqiptarëve të djegura nga forcat ushtarake dhe policore serbe në Kosovë në mënyrë sistematike. Patriarku i përmend kishat e djegura në Kosovë, djegien e të cilave ne me kohë e kemi gjykuar, por i pari i KOS-it përsëri i harron 218 xhami dhe objekte fetare islame, përfshirë këtu edhe selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame në Prishtinë, ndonëse autorët e shkatërrimit të tyre dihen”.
BI-ja e Kosovës vlerësoi se patriarku serb erdhi në Prizren dhe mallkoi njerëz pa u bazuar në argumente a fakte, “por do të pyesnim: a thua Patriarku di për 15 000 të mbytur, të masakruar, të djegur në Prekaz, Reçak, Likoshan e Çirez, në Qyshk e Podujevë, në Suharekë e Prizren, në Izbicë dhe në shumë vende tjera gjithandej nëpër Kosovë e kufomat e të cilëve, për t’i fshehur gjurmët e krimit, policia dhe ushtria serbe i hodhi në Danub dhe në Banjicë e mbase edhe në vende tjera që ne ende nuk i dimë”.
Përkundër gjithë kësaj, “na mban shpresa se me ardhjen e peshkopit Teodosije në krye të dioqezës Rashkë-Prizren, gjërat do të lëvizin për së mbari dhe se dialogu ndërfetar do të riaktivizohet dhe së bashku do t’i kthehemi të së ardhmes tonë të përbashkët”, thuhet në reagim dhe në fund shtohet: “Kryesia e BI-së së Kosovës e gjykon pjesën e fjalimit të Patriarkut serb si jo parimor. Kjo nuk përkon me parimet e feve tona. Kjo nuk përkon as me angazhimet tona të vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie shumetnike, ku bashkëjetesa dhe toleranca do të jenë vlera më të çmuara të shoqërisë sonë”.