Lidhja Demokratike e Kosovës po zhvillon me sukses zgjedhjet nëpër degë në gjithë Kosovën dhe në diasporë. Brenda pak ditësh do të përmbyllet ky proces i rëndësishëm për të ardhmen e saj dhe të Kosovës demokratike, njoftohet përmes një komunikate nga kjo parti.
Nga vota e delegatëve në Kuvendin e Përgjithshëm, do të zgjidhet kryetari i partisë dhe Këshilli i Përgjithshëm, si dhe do të aprovohen dokumentet programore. Kështu do të realizohet vullneti politik i mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së.
Liria dhe mundësia për shanse të barabarta të ofertës dhe konkurrencës, e dëshmuar edhe në këto zgjedhje, është vlera kryesore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson kumtesa. Kemi vlerësuar se të gjithë ata që duan të jenë pjesë e realizimit të programit, të përgjegjësive dhe mundësive të reja, është e rëndësishme të bashkohen në këtë ofertë sfiduese demokratike.
Mendimi ndryshe, edhe në këtë proces, shikohet si një shtytës i madh për forcimin dhe zhvillimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të vendit tonë. Por, mendimi ndryshe, nuk nënkupton se mund të mbërrihet në krye të partisë pa i respektuar procedurat legale në procesin zgjedhor. Domethënë, pa hyrë në procesin e votimit. Aq më pak nëpërmjet veprimeve jodemokratike. Është e ditur për mijëra anëtarë dhe simpatizantë se jo vetëm njëherë Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe për të gjallë të Presidentit Rugova, i është
shtruar një fushate të egër, mu si në këto ditë të fundit, për njollosje, përçarje dhe kërcënime.
Prandaj, janë edhe të papranueshme adresimet e brendshme me akuza që i bëhen Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj, Fatmir Sejdiut. Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresën e vet dhe është adresë publike e njohur si shtëpi e të gjithë veprimtarëve dhe simpatizantëve për 20 vite dhe s'do mend se ky është një ngatërrim i qëllimshëm apo përputhje e plotë me terminologjinë që përdoren para ca ditësh eksponentë të një partie tjetër politike rivale.
Përfundimisht, ndjejmë keqardhje për shfaqje të linçit publik, të instalimit të dhunshëm, të një logjike ekskluziviste, antidemokratike, të një posesiviteti primitiv, që e dëgjuam ditën e shkuar.
Edhe një herë theksojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbetet në një proces të thellë dhe të përkushtuar demokratik të përfundimit të suksesshëm të zgjedhjeve dhe të të gjitha proceseve tjera politike dhe shtetërore.
Të gjithë kryetarët e degëve theksuan në unanimitet rregullsinë e procesit zgjedhor, mbështetur në Statutin dhe Udhëzimet mbi zgjedhjet.
Ne i inkurajojmë fuqishëm të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të përkushtohen e të punojnë për të ardhmen dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, përfundon komunikata.