Në bazë të kërkesave të Komisionit Evropian, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, gjatë javës së fundit, janë pajtuar dhe kanë aprovuar një numër të konsiderueshëm të ligjeve me procedura të shpejtuara. Miratimi i tillë i ligjeve është arsyetuar me faktin se Kosova synon të shënojë më shumë përparime në Raportin e ardhshëm të Progresit të Komisionit Evropian.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, thotë se miratimi i këtyre ligjeve ka anët pozitive për kah plotësimi i numrit të ligjeve që kërkohen nga Komisioni Evropian, por sfidë, thekson ai, mbetet zbatimi i tyre.
“Ajo që është parë edhe nga përvoja e legjislaturave të kaluara, është se miratimi me shpejtësi i një numri të ligjeve ka sjellë seriozisht probleme në implementimin e tyre, sepse miratimi i ligjeve nuk nënkupton asgjë nëse ato nuk zbatohen. Ky mbetet problemi kryesor tash në Kosovë, sepse sundimi i ligjit dhe lidhshmëria edhe me monitorim nga ana e Kuvendit janë probleme serioze që çdo vit i paraqet Raporti i Progresit. Edhe këtë vit do të mbetet sfida kryesore”, është shprehur Haziri, ndërsa transmeton Radio Evropa e Lirë.
Analisti i çështjeve integruese, Fatmir Curri, thotë se miratimi i ligjeve me procedura të shpejta vjen si pasojë e punëve të grumbulluara dhe trajtimit të tyre në momentin e fundit. Sipas tij, procedurat e shpejta nuk e ndihmojnë procesin integrues të Kosovës dhe as harmonizimin e legjislacionit me standardet e kërkuara evropiane.
“Aprovimi me procedurë të shpejtë i ligjit nuk do t’i bëjë mirë procesit, meqenëse Komisioni Evropian insiston përmbushjen e pakos legjislative, nuk insiston ose nuk kërkon nga Kosova domosdo që ato të kryhen pa marrë parasysh se cili është çmimi”, ka theksuar Curri.
Nga të gjitha ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian, dy prej tyre nuk janë miratuar. Bëhet fjalë për Ligjin për RTK-në dhe atë për Qendrën Historike të Prizrenit. Përderisa Ligji për RTK-në është thënë se do të marrë më shumë kohë për shkak të kompleksivitetit të tij, ai për Qendrën Historike të Prizrenit është refuzuar nga ana e deputetëve, për shkak të ingerencave shtesë që i jepen Kishës Ortodokse.
Kryeministri Hashim Thaçi i ka ‘qortuar’ gjatë javës deputetët, duke thënë se ata e kanë miratuar Pakon e Ahtisaarit dhe se duhet ta zbatojnë atë deri në fund. “Pavarësia e mbikëqyrur përmbyllet shpejt vetëm duke përmbyllur me sukses implementimin e plotë të Dokumentit të presidentit Ahtisaari”, ka thënë kryeministri. /Telegrafi/