Prishtinë, 28 dhjetor – Një nga burimet që anëtari i Këshillit të Europës i ka shfrytëzuar në përpilimin e raportin të tij duket të kenë qenë edhe raporti i Shërbimit inteligjent të Serbisë, BIA (Bezbednosno-Informativna Agencija).
Koha Ditore ka arritur të sigurojë një raport të vitit 2003, të shkruar nga ky shërbim inteligjent serb. Në këtë raport, BIA bën përpjekje që të përshkruajë “rrjetet terroriste tek shqiptarët”. Raporti nuk flet për trafikimin e veshkave, por përmend grupe të ndryshme të shqiptarëve, të lidhur me trafikim të armëve, drogës dhe qenieve njerëzore. Siç pritet, raporti i inteligjencës serbe përshkruan UÇK-në, pastaj UÇPMB-në, por edhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare si grupe terroriste, të cilat merren edhe me krimin e organizuar. Ngjashmëritë mes raportit të BIA-së dhe atij të Martyt janë në gjuhën që përdorë për të përshkruar funksionimin e shoqërisë shqiptare, në referencat që i bën Grupit të Drenicës dhe në mënyrën se si shkruhet mbiemri i kryeministrit Thaçi.
Anëtari i Këshillit të Europës, Dick Marty, i ka dorëzuar javë më parë Këshillit të Europës një raport ku ka përmbledhur aktivitet e supozuara kriminale të ish-udhëheqjes së UÇK-së dhe ka rikthyer në vëmendjen e botës akuzat se pjesëtarë të UÇK-së kanë hequr veshkat nga civilë serbë të kidnapuar dhe i kanë përdorur organet për trafikim.
Në raportin e tij, anëtari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, tregon se burime të hetimit të tij janë raportet e shërbimeve të ndryshme inteligjente, por jo edhe ato të BIA-s.
Marty, shkruan se ka përdorur raportet e shërbimit inteligjent gjerman BND, atij italian SISM-i, shërbimit britanik MI6 dhe atij grek EYP.
Ish-prokurori zviceran thotë se raportet e këtyre shërbimeve japin “të paktën një bazë solide për të dëshmuar përfshirjen e Grupit të Drenicës dhe të sponsorëve të këtij grupi në shpëlarje parash, kontrabandë me drogë dhe duhan, trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, dhe monopolizimin e sektorëve më të mëdhenj ekonomikë, përfshirë tregtinë me derivate dhe ndërtime”, shkruan Marty.
Prokurori zviceran, lë pa i shpjeguar burimet e tij rreth organeve dhe nuk thotë nëse dokumentet e shërbimeve sekrete flasin edhe për këtë tregim.
Trafikimin me veshka, Marty tek më vonë e fut në raportin e tij si vepër e të njëjtit grup.
Gazeta e ka në dispozicion edhe një raport të Shërbimit inteligjent gjerman BND, i cili duket të jetë përdorur nga ish-prokurori zviceran. Raporti i BND-së është shkruar në vitin 2005, dhe është publikuar edhe vite më parë në “Kohën Ditore”.
Paragrafë të tërë të këtij raporti të BND-së gjermane janë futur në raportin e Martyt sa i përket përfshirjes së kryeministrit Thaçi dhe grupit të tij në trafikim me armë, drogë dhe aktivitete kriminale. Mirëpo raporti në fjalë i BND-së nuk shkruan dhe nuk e përmend fare trafikimin me veshka. Cilat janë faktet që mbështesin pohimin se Marty është shërbyer me pohime të BIA-s serbe dhe ç’shkruhet në ato raporte për krerët e UÇK-së, lexoni të plotë në numrin e sotëm të gazetës.