Shkup, 14 janar - Për raportin e Dick Martyt nevojitet një analizë e ftohtë, objektive e argumentuar dhe një aksion i koordinuar diplomatik. Kjo ngase nga këndvështrimi politik duket se ky raport është bërë me qëllim dhe synon arritjen e një efekti diplomatik kundër Kosovës, sepse autorët e tij në aspektin gjyqësor asnjëherë nuk arritën të vërtetojnë tezën që e parashtruan në këtë raport. Kështu u shpreh për Alsat-M, profesori universitar Blerim Reka. Sipas tij, tentime të ngjashme ka pasur edhe ish kryeprokurorja Carla Del Ponte.
Profesor Reka sqaron se pse Marty paraqitet pikërisht në këtë kohë me një raport të këtillë dhe pse në Këshillin e Evropës e jo në NATO dhe në BE. “Arsyeja pse tash paraqitet është fakti se duhet të fitohet në kohë, në kohën kur Kosova ende nuk është shtet anëtar i Këshillit të Evropës dhe, në mungesë të saj, provohet të shqyrtohet një raport kundër saj pa praninë e përfaqësuesve legjitimë të Kosovës. Me fjalë të tjera, efekti diplomatik është pengimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Pse pikërisht në Këshillin e Evropës, bie fjala thash jo në NATO apo në Union Evropian, sepse vetëm në Këshillin e Evropës dhe në OSBE anëtare janë edhe Serbia edhe Rusia, gjë që nuk mund të dalin me kësi raporte edhe në NATO edhe në Unionin Evropian”, tha Reka. Sipas tij, shqiptarët e aq më pak Kosova nuk duhet të shqetësohen nga një raport i këtillë. Megjithatë shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri shqiptare? “Ajo që në mungesë të përfaqësuesve legjitimë të Kosovës në Këshillin e Evropës duhet bërë është që Shqipëria, si shtet anëtar, duhet të kërkojë prova bindëse, fakte, argumente të cilat do t’i vërtetonin këto teza, si dhe që, në mungesë të këtyre fakteve, argumenteve, të inicionte përgjegjësi ndaj Dick Martyt për fabrikimin e një raporti që fatkeqësisht mban vulën e Këshillit të Evropës... Roli i Shqipërisë në këtë drejtim është i pakontestueshëm, unë jam shumë i kënaqur që vetë kryeministri Berisha do t’i drejtohet Asamblesë Parlamentare, megjithatë është kryeministër dhe fjala e tij ka mjaftë peshë në këtë çështje”, vlerësoi ai. Raporti i Dick Martyt ka irrituar gjithë shqiptarët anembanë ku jetojnë, prandaj më 25 janar është paralajmëruar mbajtja e protestës në Strasburg, para selisë së Këshillit të Evropës.
Por, profesor Reka shpreh habinë dhe keqardhjen se pse Këshilli i Evropës, si institucion i themeluar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, asnjëherë nuk inicioi, nuk shqyrtoi, madje edhe më keq, nuk aprovoi raport për gjenocidin serb në Srebrenicë, për krimet në Vukovar, apo për krimet kundër shqiptarëve në Kosovë.