Organizatat e shoqërisë civile janë të shqetësuara lidhur me deklaratat urrejtje-nxitëse të përfaqësuesit të Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër personaliteteve publike- thuhet në një deklaratë të përbashkët të OJQ-ve (BIRN, KPJ, GAP, KDI, IBP, Syri i Vizionit, Lëvizja FOL, KCSF, INPO, QPA) në mbrojtje të lirisë së shprehjes.
“Në vargun e sulmeve të saj, kjo shoqatë ka vënë në shënjestër ditë më parë një lider politik dhe së fundmi gazetarin Halil Matoshi. Duke akuzuar pa asnjë fakt dhe duke njollosur zërat kritikë në shoqërinë e Kosovës, qofshin ata gazetarë apo politikanë, personat që flasin në emër të veteranëve të UÇK-së dëmtojnë çdo debat publik, dhe njëkohësisht, dëmtojnë vetë projektin për çlirimin e Kosovës si dhe imazhin e vendit tonë. Gjuha e kërcënimeve ndot idenë fisnike të çlirimit të Kosovës. Duhet të kemi kujdes që vlerat tona të përbashkët të mos shndërrohen në instrument të politikës ditore dhe të interesave të ngushta dhe personale, të cilat hedhin hije të keqe mbi angazhimin e pashembullt të shumë luftëtarëve të UÇK-së”, thuhet në deklaratë.
Shoqëria civile kërkon nga institucionet e Kosovës që të dënojnë “sjelljet e papërgjegjshme të kreut të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së”. Po ashtu, kërkohet si prej institucioneve të Kosovës ashtu edhe nga misioni i Bashkimit Evropian (EULEX) dhe nga diplomatët e akredituar në Prishtinë “që të angazhohen me këmbëngulje në mbrojtjen e fjalës së lirë, e cila është parakusht për demokratizimin e mëtutjeshëm të shoqërisë sonë”.
“Pavarësia dhe liria e Kosovës janë rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të disa gjeneratave të këtij vendi. Synimet për privatizimin dhe monopolizimin e luftës për liri janë tejet të dëmshme për të ardhmen evropiane të Kosovës. Ne e përkrahim të drejtën e të gjithëve për t'u shprehur në mënyrë të lirë dhe kritike, por jemi kundër keqpërdorimit të fjalës së lirë për sulme personale dhe për të mbytur kritikën”, thuhet më tej në deklaratë.