Përfaqësues nga shoqëria civile sërish shprehën shqetësimin e
tyre lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë. Përfaqësues të
organizatave joqeveritare vlerësojnë se mungon vullneti politik për të
luftuar korrupsionin, andaj sipas tyre institucionet e vendit duhet të
jenë më shumë të angazhuara për ta luftuar këtë dukuri.Ismet
Kryeziu, drejtor i organizatës “Demokracia në Veprim”, thotë se nuk
mjafton që shoqëria e vetme të angazhohet në luftën kundër korrupsionit,
derisa institucionet e vendit nuk janë të interesuara të bashkëpunojnë
për ta luftuar këtë dukuri.
“Nga praktikat e deritashme ne kemi theksuar, e gjithë shoqëria, se
mungon vullneti politik për luftën kundër korrupsionit. Përgjegjësit
politikë dhe institucionalë të Kosovës duhet të jenë më shumë të
angazhuar për ta luftuar këtë dukuri duke përfshirë edhe EULEX-in. Ne,
si qytetarë, jemi të zhgënjyer nga pritjet tona për luftën kundër
korrupsionit”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
“Demokracia në Veprim”, e cila është pjesë e organizatës Transparency
International, bëri publikimin e një raporti lidhur me raportimet në
media se sa shkruhet për korrupsionin.
Besnik Ramadanaj nga KDI-ja, tha se një nga instrumentet e luftimit
të korrupsionit padyshim se është edhe media dhe roli i saj nëpërmjet
hulumtimeve dhe raportimeve të rasteve të korrupsionit. Sipas tij, një
element tjetër që e pengon zhvillimin e gazetarisë hulumtuese është edhe
pengesa që u krijohet gazetarëve në qasjen në dokumentet zyrtare.
“Ne kemi publikuar raportin e mediave të shkruara për monitorimin e
korrupsionit në Kosovë. Ajo që ne konsiderojmë se me rëndësi është
pengesa që u krijohet gazetarëve për mosqasjen në dokumentet zyrtare. Në
debate është folur edhe për presionet e kërcënimet e gazetarëve.
Gazetarët nuk e kanë mbështetjen e duhur, gjë që është një pengesë për
të raportuar kundër korrupsionit”, theksoi Ramadanaj.
Lufta kundër korrupsionit ishte temë debati edhe në Kuvendin e
Kosovës. Deputetët e opozitës deklaruan se shumat e raportuara për
korrupsion (10 milionë euro) nuk janë reale, duke thënë se ato janë
shumëfish më të larta.
Ndërkohë “Demokracia në Veprim” njoftoi të premten se ka thelluar
bashkëpunimin me organizatën ndërkombëtare Transparency International
dhe KDI-në në Kosovë. Sipas Kryeziut, në vitin 2012, Transparency
Internacional do të ketë edhe zyrën e vet në Prishtinë, për të vepruar
në luftën kundër korrupsionit. /Telegrafi/