Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po merr pjesë në Konferencën e Ministrave të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Brdo afër Kranjit në Slloveni.
Në konferencën për Ballkanin Perëndimor, që ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale dhe të asetëve të përfituara nga veprimtaria kriminale, po marrin pjesë Ministrat e Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministri i Drejtësisë, njëherësh Kryeprokuror i SHBA-ve, Eric H. Holder .
Në njoftimin për media thuhet se në sesionin e parë të saj, konferenca punimet i fillojë me fjalimin e ministri Kuçi, ku ai shpalosi punët që janë duke u bërë nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë.
“Kosova është një shtet i ri i pavarur dhe është në proces të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe në këtë drejtim, ne çmojmë përvojat tuaja pozitive. Jemi të gatshëm për të bërë rregullimet e domosdoshme në mënyrë që të përgatisim rrugën tonë drejt bashkëpunimit, koordinimit dhe integrimit. Gjithashtu jemi të gatshëm politikisht dhe me kapacitete profesionale, t’i marrim të gjitha përgjegjësitë e domosdoshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës, drejtësisë së Kosovës, qytetareve të rajonit dhe me gjerë. Siç jeni në dijeni, rajoni ynë ka qenë i përfshirë në konflikte dhe problem në një të kaluar jo të largët dhe ne nuk duam që kjo të përsëritet”, tha Kuçi.
Ministri foli edhe për bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë me EULEX-in, duke thënë së kontributi i tyre këshillëdhënës, është një ndihmë e madhe për Kosovë, ndërsa luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e vlerësoi si një sfidë e madhe si për Kosovën ashtu edhe për rajonin.
Kuçi tha së Kosova si shtet i ri kërkon mbështetje të vazhdueshme nga të gjitha institucionet relevante evropiane, pasi që reformat institucionale dhe legjislative janë prioritet mbi prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, gjatë një dreke të përbashkët, ministri Kuçi ka zhvilluar një takim me ministrin e Drejtësisë, njëherësh kryeprokurorë i SHBA-ve, Eric H. Holder, me të cilin kanë shkëmbyer informacione dhe kanë shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët të dy vendeve, kurse raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-së, i kanë cilësuar si të shkëlqyeshme. /Telegrafi/