Komandanti i KFOR-it, Erhard Buehler dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, gjenerali Miroslav Stojanovski vlerësuan se situata e përgjithshme e sigurisë në rajon dhe posaçërisht në kufi është stabilizuar me sukses përgjatë viteve të fundit.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se Buehler gjatë vizitës në Maqedoni, në kuadër të turneut të tij në Ballkan shpjegoi se KFOR-i me numër të reduktuar të ushtarëve do të veprojë në mbarë Kosovën me dy Grupe Luftuese Shumëkombëshe, e të cilat nuk kanë zona specifike rajonale të përgjegjësisë. Ato do të operojnë nën komandën e drejtpërdrejtë të tij, me fleksibilitet, lëvizshmëri dhe gatishmëri të shtuar.
Komandanti i KFOR-it e bëri të qartë se KFOR-i është ende i fortë pas riorganizimit dhe do t’i kryejë detyrat e veta me efikasitet dhe sukses. “Në këtë mënyrë, KFOR-i dhe NATO do t’i kontribuojnë stabilitetit të gjithë rajonit brenda dhe rreth Kosovës”, ka thënë Buehler.
Por, të dy delegacionet u pajtuan se kriminaliteti dhe potenciali për dhunë në disa rajone është ende sfidë, posaçërisht për forcat policore. Ndërkaq, gjenerali Stojanovski theksoi se NATO duhet dhe do të jetë garantues për zhvillimin demokratik dhe për të siguruar kornizën për prosperitet ekonomik.
“Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë e vlerëson veten si shtyllë të asaj sigurie dhe qëllimi i saj është të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Qeveria, posaçërisht Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë duke punuar shumë për t’i përmbushur kushtet për anëtarësim të tillë”, citohet të ketë thënë Stojanovski, duke theksuar vullnetin e shtetit të tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur formimin e FSK-së, duke trajnuar oficerët dhe pjesëtarë të saj.
Ata e vlerësuan të duhur vendimin që Policia Kufitare e Kosovës të jetë përgjegjëse për ruajtjen e një pjese të kufirit të përbashkët nga 22 janari i vitit 2011.
Gjithashtu u diskutua se përgjegjësia për kontrollim dhe monitorim të pjesëve tjera të kufirit mund t’i dorëzohet Policisë Kufitare të Kosovës nga KFOR-i. Mirëpo, meqë këto pjesë janë sfiduese sa i përket kontrabandimit dhe imigrimeve ilegale, të dy palët u pajtuan ta planifikojnë dhe monitorojnë procesin e dorëzimit të përgjegjësisë me shumë kujdes dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në kontekst të Komisionit të Përbashkët Implementues.
Gjatë qëndrimit në Shkup, komandanti i KFOR-it u takua me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’u informuar mbi çështjet e sigurisë kufitare.