Pas publikimit të raportit racistë të raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për Kosovën, kreu i AKR-së, kërkon nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha të thërras një tubim mbarëkombëtar, për hedhur poshtë projekt-rezolutën e cila fyen rëndë kombin shqiptar.
Sipas Pacollit, ky objektiv do të arrihet përmes tri pikave. “Së pari, kompaktësimi i faktorit shqiptar në Ballkan në sulm ndaj këtij raporti dhe ideatorëve të tij, sepse sulmi është mbrojtja më e mirë. Së dyti, koordinimi me perëndimin (grupet parlamentare perëndimore në Këshill të Europës, kancelaritë perëndimore, përfshi SHBA-në). Së treti, ofrimi i gatishmërisë për t’u hetuar për akuzat, por jo nëpërmjet urdhrit të Këshillit të Evropës siç do Dick Marty dhe Serbia. Hetimi duhet të bëhet nëpërmjet krijimit të një grupi ad hoc të EULEX-it, plus Prokurorisë së Kosovës, apo nëpërmjet një grupi ad hoc ekspertësh të hetimit siç sugjeronte profesori i i njohur Ivo Banac”.
Agjencia e lajmeve INA njoftoi se Pacolli ka thënë se vetëm kryeministri Berisha ka autoritetin personal me i thirr liderët e kësaj hapësire në një tubim mbarëkombëtar.
“Nga ky tubim, unik në historinë e pluralizmit në viset tona, nga ky demonstrim i unitetit dhe forcës së faktorit shqiptar përballë akuzave të tilla monstruoze të Serbisë, duhet të dalë një dokument, një letër, një thirrje të gjitha kancelarive perëndimore. Atyre duhet t’u sqarohet pse Serbia duhet të heqë dorë nga fajësimi i shqiptarëve si komb, por duhet t’u kërkojë ndjesë atyre, njëjtë sikur Bosnjës, Sllovenisë dhe Kroacisë”.
Pacolli shpreson se Berisha do ta pranojë këtë ide. “Unë dua që kolegët e mi të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, e cila ka gjithashtu delegacion parlamentar në Këshillin e Evropës të kapërcejnë dasitë e tyre politike të brendshme dhe t’i përgjigjen kësaj thirrje. Nga simbolika e këtij takimi, me vlerë kombëtare, kur të shohim sa shumë jemi, dhe sa mirë do ndihemi bashkë, do të dalin mesazhe me vlerë për të gjithë. Bashkë jemi më të fortë. Nëse nuk reagojmë sot, të gjithë bashkë, nesër do të jetë vonë. Në kohë! Të gjithë si komb!”, ka thënë kreu i AKR-s