Sipas All Facebook, lajmi për mbylljen e Facebook nuk është i vërtetë, dhe këtë, sipas tyre, e ka bërë një medium i cili kryesisht publikon lajme të sajuara.
UPDATE - 24:05: Përmes një qëndrimi zyrtar, Facebook sapo e ka konfirmuar se ky rrjet social nuk do të mbyllet. Në deklaratën zyrtare të Facebook, në mes tjerash thuhet “Ne do të vazhdojmë të punojmë si gjithnjë. Ne nuk do të shkojmë askund, ne vetëm sa kemi filluar”.
Weekly World News apo “mediumi i humorit” siç quhet ndryshe kjo faqe nga All Facebook, e ka publikuar lajmin se rrjeti më i madh social në botë – Facebook.com do të mbyllet më 15 mars 2011, dhe se të dhënat e postuara në këtë faqe nuk do të mund të tërhiqen pas kësaj date.
Për ta fuqizuar edhe më shumë pohimin e tyre, All Facebook na fton që t’i referohemi lajmeve tjera me humor të cilat janë postuar më herët nga WWN.
Mirëpo, ky lajm ka bërë bujë në mbarë botën, dhe reagimi i përdoruesve të Facebook ka qenë i menjëhershëm.
Madje, për këtë postim në Facebook janë bërë më shumë se 6,000 komente, ndërsa edhe në portalin më të madh të shqiptarëve – Telegrafi.com janë bërë afro 3,000 shpërndarje të lajmit, dhe dhjetëra komente që kanë ardhur nga lexuesit e shqetësuar.
Këtë “shaka” siç quhet lajmi i WW’së, Telegrafi e kishte marrë me rezervë duke i paralajmëruar lexuesit, se i njëjti mund të mos jetë i vërtetë.
Shumica prej tyre kanë thënë se Zuckerberg duhet ta ndërrojë zemrën e tij, pasi që në njoftimin për mbylljen e rrjetit të tij social ishte dhënë një sqarim në të cilin thuhet, se mbajtja gjallë e Facebook-ut po ia dëmton zemrën atij.
Disa të tjerë kanë thënë se jeta e tyre do të jetë më ndryshe pa Facebook, dhe se ata do të kenë më pak mundësi të shoqërohen ne miqtë e tyre brenda dhe jashtë këtij rrjeti social.
Të gjithë ju që akoma nuk keni arritur ta lexoni këtë lajm, na tregoni se çfarë mendoni, dhe a jeni të befasuar nga një veprim i tillë, që do të mund të thoshte – prej nesër nuk ka më Facebook? Sepse, pyetja që mbetet është, Facebook do të jetë, apo nuk do të jetë. Na tregoni ju!