Doha, 11 janar - I shkatërruar nga lufta, Iraku shënoi suksesin më të madh në sport, kur para katër vjetësh fitoi titullin e kampionit në Kupën e Azisë. Do të ishte befasi shumë e madhe nëse Përfaqësuesja irakiane arrin të mbrojë titullin e kampionit këtë vit. Fushatën në Kupën e Azisë, Iraku do ta nisë të martën (sot) dhe kjo kundër fqinjit "armik", Iranit. Një takim ky që ngjall kujtimet e luftës së këtyre dy shteteve (1980-88), mirëpo taborët e të dy përfaqësueseve ngulin këmbë se mes tyre ka vetëm rivalitet sportiv.
Menaxheri gjeneral i përfaqësueses së Irakut, Waleed Tabra, ka garantuar se asnjëri nga futbollistët irakianë nuk do të mendojë për diçka tjetër, me përjashtim të fitores përballë Iranit.
"Irani dhe Iraku janë fqinjë të mirë. Ndajmë kufirin, historinë dhe kemi marrëdhënie me Iranin të ndërtuara me shekuj. Kemi religjionin e njëjtë, madje iranianët martohen me irakiane dhe irakianët me iraniane. Kjo është gjë e mirë për të dy shtetet", ka thënë Tabra. "Mirëpo futbolli është diçka tjetër, sepse është garë. Sikur ne edhe ata luajmë për fitore. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me luftën e viteve 80. Kemi luajtur kundër Iranit dhe jemi rivalë në fushë. Askush nuk e përmend tash luftën, ajo i takon historisë".
Seleksionuesi i Iranit, Afshin Ghotbi, është optimist dhe ka premtuar se do të fitojë titullin e kampionit në Kupën e Azisë për herë të parë pas vitit 1976.
"Futbolli është sporti numër një në botë, sepse bashkon njerëzit dhe shpresoj se ndeshja ndërmjet Iranit dhe Irakut do të jetë një rast i mirë që populli iranian dhe ai irakian të bëhen miq të mirë", ka thënë Ghotbi.
Ai nuk është treguar diplomat, pasi ka thënë se Irani do të jetë triumfues jo vetëm në këtë ndeshje, por në gjithë turneun. Kjo ndeshje i takon Grupit D dhe do të nis në orën 16:15 në stadiumin "Al Rayyan" në Katar.
"Irani do t'i japë fund pritjes 35-vjeçare për titull. Irani gjithmonë synon të triumfojë dhe kësaj here do t'ia dalë mbanë. Jemi të përgatitur për ndeshjen me Irakun, të cilën do ta fitojmë për t'u kualifikuar në rrethin e dytë", tha Ghotbi.
Irani ka fituar tri herë titullin e kampionit në Kupën e Azisë, atë në vitin 1968, 1972 dhe 1976. Pos Iranit dhe Irakut, në Grupin D luajnë edhe Koreja e Veriut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ghotbi ka qenë asistent i trajnerit holandez Guus Hiddink, i cili në vitin 2002 arriti deri në gjysmëfinale me Korenë e Jugut në Kampionatin Botëror.
"Iraku është kampion në fuqi, por ne i kemi mposhtur ata para gjashtë muajsh dhe mund t'i mposhtim sërish. Nuk do të jetë aspak lehtë, por unë kam besim në ekipin tim dhe për të drejtuar Iranin duhet të kesh një qëndrim të tillë", u shpreh Ghotbi.
Iraku kohët e fundit ka ndërruar shumë trajnerë dhe tash drejtohet nga gjermani Wolfgang Sidka, i cili po mundohet të ndërtojë ekip me shpirt garues.
"Ndeshja me Iranin do të jetë shumë e vështirë. Do të jetë derbi dhe ne jemi të përgatitur mirë. Njëherë do të merremi me këtë ndeshje dhe pastaj do të flasim për synimet e Irakut në këtë garë", ka thënë gjermani Sidka.