Gazetarët pa kufij” dënojnë fuqishëm fushatën agresive të shpifjes, të cilën Shoqata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka ndërmarrë kundër gazetarit të respektuar, Halil Matoshi, në ditët e fundit.
Sulmet duket se janë nxitur nga një artikull i Matoshit në të përditshmen “Koha Ditore” të 6 janarit, rreth sfidave me të cilat përballet Kosova më 2011, në të cilat ai ka akuzuar njerëz të caktuar se duan ta bëjnë një “anarki patriotike”, duke dashur që ta marrin përsipër të drejtën për ta bërë dallimin midis patriotëve të “mirë” dhe të “këqij”. Në një komunikatë për shtyp një ditë më vonë, Shoqata e Veteranëve e la të kuptohet se Matoshi ishte tradhtar, duke e quajtur “një copë mbeturine, të cilën na e kanë lënë okupatorët”. Shoqata e Veteranëve udhëhiqet prej Muharrem Xhemajlit, përkrahësit të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai pak kohë më parë e kishte akuzuar edhe Albin Kurtin, lider i partisë opozitare “Vetëvendosje” se është “prosllav”.
“Ne i bëjmë apel kryeministrit Thaçi që të mohojë publikisht komentet e papranueshme të organizatës së Muharrem Xhemajlit rreth Halil Matoshit dhe ‘Kohës Ditore’”, kanë thënë “Gazetarët pa kufij”. “Heshtja duhet të marrë menjëherë fund. E tërë klasa politike e ka për detyrë që të reagojë ndaj këtyre kërcënimeve indirekte, mirëpo të vërteta. Akuzat për tradhti dhe kontestimi i patriotizmit të tij janë njësoj si një thirrje për sulm fizik kundër tij apo për vrasjen. Kjo është e patolerueshme. A duhet të presim që gazetarët të vdesin para se dikush të marrë qëndrim rreth komenteve të tilla?”
“Ne nxisim autoritetet që të dënojnë qartë këtë eksploatim të konceptit të patriotizmit, posaçërisht pasi që synimi është censurimi i medias. Pasojat e kësaj fushate kundër gazetarëve nuk duhet të shpërfillen. Qeveria e ardhshme duhet të marrë qëndrim të qartë publik rreth kësaj çështjeje, po qe se synon ta gëzojë besimin e qytetarëve, rreth premtimeve që i ka bërë, mirëpo shumë rrallë i ka mbajtur sa i përket lirisë së shtypit.
“Ne po ashtu nxisim Pieter Feithin, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, që të deklarohet dhe t’i japë mbështetje të plotë Matoshit, si dhe stafit të ‘Kohës Ditore’. BE-ja vazhdon të ketë kompetenca vendimmarrëse në Prishtinë. Ajo duhet të reagojë ndaj rasteve të tilla me këmbëngulësi, duke ua rikujtuar autoriteteve se respektimi i lirisë së medias është kusht esencial për çfarëdo mundësie të anëtarësimit të Kosovës në BE”.
“Gazetarët pa kufij” mbështesin fuqishëm stafin e “Kohës Ditore” dhe Matoshin, i cili është një prej analistëve më të respektuar të Kosovës. I akuzuar për terrorizëm nga Beogradi, ai ishte i vetmi gazetar në Prishtinë që u burgos prej autoriteteve serbe gjatë bombardimeve të NATO-s, më 1999.
I mbajtur një vit në një burg në Serbi, ai u lirua vetëm pas presionit të madh të bashkësisë ndërkombëtare.