Prishtinë, 13 janar - Ministria e Transportit dhe e Postë-Telekomunikacionit nuk i ka gati përgjigjet ndaj “gjykatës së tenderëve” në lidhje me urdhrin e kësaj të fundit për njërin nga tenderët milionësh që ka të bëjë me autostradën. Organi Shqyrtues i Prokurimit ia ka dërguar të hënën një letër urdhërese ministrisë duke specifikuar se mosnënshkrimi i kontratës me mbikëqyrësin e punimeve në autostradë paraqet rrezikim të interesit të përgjithshëm dhe se mund të shkaktojë humbjen e miliona eurove.
Në Ministrinë e Transportit thonë se vendimi përfundimtar për vënien e firmës në kontratën apo edhe anulimin e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve në autostradë do të dihet brenda afatit të paraparë nga OSHP-ja.
Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të kësaj ministrie thonë se nuk kanë asgjë konkrete në lidhje me kërkimet mbi verifikimin e dokumentacionit financiar të konsorciumit italian “Merilino Progetti & Politecnica”, ani pse kanë kaluar 4 muaj që nga dhënia e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve në autostradë.
“Do t'i kthejmë përgjigje OSHP-se në afatin ligjor”, ka thënë të mërkurën Xhevdet Pozhari, këshilltar për marrëdhënie me publikun i ministrit Limaj. “Jemi në prag të verifikimit të dokumentacionit, por ende nuk kemi diçka konkrete”, ka thënë ai.
Organi Shqyrtues i Prokurimit në një urdhëresë dërguar të hënën ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, dhe drejtorit të tenderëve në këtë ministri, Nexhat Krasniqi, ka kërkuar që të nënshkruhet kontrata me konsorciumin që ishte shpallur fitues në gusht në tenderin për mbikëqyrje të punimeve në autostradë.
“Urdhërohet MTPT-ja që në afat prej 15 ditësh të bëjë verifikimin e gjithë dokumentacionit relevant të operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë, edhe pse një gjë të tillë në përputhje me nenin 57 të Ligjit të prokurimit publik është dashur ta bënte gjatë procesit të vlerësimit të ofertave”, thuhet në shkresën e OSHP-së dërguar krerëve të Ministrisë së Transportit.
Sipas “gjykatës së tenderëve”, kjo kontratë duhet të nënshkruhet brenda kësaj periudhe për shkak se është rrezikuar interesi i përgjithshëm publik, duke çuar gjendjen deri aty që punimet në autostradë të kryhen pa u monitoruar kontraktuesi “Bechtel-Enka”, i cili pritet të paguhet nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkohë nga ministri Limaj është thënë se tenderi edhe mund të anulohet nëse dokumentet dalin false. Anulimi i tenderit bie në kundërshtim me vendimin e OSHP-së në të cilin precizohet qartë se kontrata duhet të nënshkruhet në afatin e paraparë me ligj.
Në rast të kalimit të këtij afati, përveç dënimeve të OSHP-së, Ministria e Transportit mund të paditet edhe nga konsorciumi italian për mosrespektim të Ligjit për Prokurimin Publik, dhe t’i paguhen miliona euro dëmshpërblim pa kryer asnjë punë.
Në shkresën e organit më të lartë të tenderëve, e cila është urdhëresa e dytë për nënshkrimin e kontratës, theksohet se kanë marrë një letër nga Ministria e Transportit në të cilën theksohet se nuk mund të nënshkruhet kontrata me konsorciumin italian “Merilino Progeti & Politecnica” deri në verifikimin e plotë të dokumentacionit me të cilin ka ofertuar në tenderin për mbikëqyrje të autostradës. Por, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, një gjë e tillë, sipas Ligjit të Prokurimit, është dashur të bëhej brenda kornizave kohore të parapara me Ligjin e prokurimit.