Prishtinë, 13 janar - Qeveria e Kosovës qe dy vjet po shkel mbi vendimin e saj të marrë në fillim të vitit 2008 lidhur me objektet qeveritare, për të cilat paguhet qira nga arka e buxhetit.
Kjo sepse as dy vjet pas marrjes së këtij vendimi, Qeveria nuk ka bërë zgjidhjen që të largojë nga objektet private disa sektorë institucionalë, për të cilët paguhen miliona euro qira në vit.
Madje, ekzekutivi jo vetëm që nuk ka bërë zgjidhje për respektimin e këtij vendimi, por madje shpenzimet për qiranë janë rritur nga viti në vit.
Kështu, në vitin 2010, shpenzimet për qiratë e disa ministrive kanë rezultuar të jenë së paku 33 për qind më të larta sesa në vitin paraprak. Përderisa gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2009 Qeveria ka shpenzuar 3.4 milionë euro për qiranë e objekteve të ndryshme qeveritare, në të njëjtën periudhë të vitit 2010 ka paguar mbi 1.2 milionë euro më shumë, apo mbi 4.6 milionë euro gjithsej.
Zyrtarë të Qeverisë, të pyetur se përse qe dy vjet nuk po zbatohet ky vendim i nënshkruar më 30 janar të vitit 2008 nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi, janë shprehur se “këtë gjë do ta bëjmë në vitin 2011”.
Visar Xani, zëdhënës i Ministrisë së Administratës Publike, e cila menaxhon ndërtesat e institucioneve qeveritare, ka thënë për “Kohën Ditore” se implementimin e këtij vendimi e kanë prioritet, porse për ta bërë këtë duhet të ndërtohet “kampi qeveritar”.
“Ne kemi në prioritet implementimin e këtij vendimi, porse zgjidhja e qëndrueshme do të jetë ndërtimi i kampit qeveritar”, është shprehur Xani.
Ai ka sqaruar më pas se “zgjidhja e qëndrueshme e këtij problemi është ndërtimi i kampit qeveritar, që përkon edhe me planin afatgjatë të Qeverisë së Kosovës. Por, po ashtu ne në MAP kemi në prioritet implementimin e këtij vendimi. Për këtë qëllim kemi hartuar një plan ku do të bëjmë përpjekje që gjatë vitit 2011 t’i akomodojmë të gjitha ato institucione që kanë nevojë për një akomodim të tillë. Por kjo do të varet edhe se sa objekte publike do të mund t’i marrim në menaxhimin e MAP-it”.
Ndërkohë që në këtë ministri nuk kanë pranuar të japin detaje lidhur me atë se sa institucione qeveritare edhe gati 12 vjet pas lufte gjenden në objekte me qira, për të cilat paguhet nga xhepi i taksapaguesve kosovarë.
Zyrtarë të kësaj ministrie janë arsyetuar se nuk “kujdesen” për këto lloj institucionesh, duke thënë se “MAP-i nuk menaxhon institucionet që janë në objektet me qira”.
“Pasi që ne nuk menaxhojmë ato institucione, nuk kemi edhe shuma të pagesave mujore apo vjetore të atyre institucioneve”, është përgjigjur Visar Xani. Por ai as nuk ka treguar se kush menaxhon atëherë me to.
Ndërkohë edhe në ueb-faqen e kësaj Ministrie shihet se ajo ka një departament të caktuar që duhet të merret me këtë punë-menaxhimin e ndërtesave të institucioneve qeveritare.
Megjithatë, gazeta posedon të dhëna zyrtare dhe detaje për secilin institucion veç e veç se nga sa para të buxhetit shpenzon për qira.
Kështu që, nga muaji i parë e deri në fund të muajit shtator të vitit 2010, Qeveria rezulton të ketë paguar afro 5 milionë euro vetëm për qiranë e objekteve të saj që janë të vendosura nëpër objekte private dhe nuk u është bërë zgjidhje që të vendosen në objekte publike, edhe me gjithë investimet e mëdha që janë bërë në renovimin e rrokaqiejve, ku janë të vendosura disa prej institucioneve.
Nga këto të dhëna zyrtare, që figurojnë në Raportin nëntëmujor të buxhetit për vitin 2010, shihet se vetëm Kuvendi, Kryeministria dhe Ministria e Energjisë dhe Minierave janë ato që nuk kanë pasur shpenzime për qira gjatë vitit të shkuar, duke u rehatuar në objekte publike.
Ndryshe, Zyra e Presidentit figuron të ketë paguar mbi 4 mijë euro qira, gjatë kësaj periudhe kohore. Mirëpo pas Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila ka paguar afro 2 milionë euro vendosjen e ambasadorëve kosovarë nëpër botë, rekordin në shpenzime për qira e mban Ministria e Ekonomisë dhe Financave, e cila në fakt është përgjegjëse për ndarjen e linjave buxhetore institucionale. Kjo ministri për nëntë muaj të vitit 2010 ka paguar rreth 450 mijë euro qira për objektet e saj që i ka ende të vendosura nëpër ndërtesa private. Pas saj radhitet Ministria e Ambientit, me mbi 210 mijë euro para të buxhetit të paguara për qira. Pastaj vjen Ministria e Drejtësisë, me rreth 168 mijë euro, Ministria e Punës, me mbi 160 mijë euro para të dhëna për qira vetëm për nëntë muaj. Ministria e Shëndetësisë për të njëjtën periudhë kohore ka paguar për qira afro 83.3 mijë euro, pas saj radhitet ajo e Punëve të Brendshme me mbi 81 mijë euro. Pas Ministrisë së Transportit, e cila për këtë gjë ka dhënë afro 58.6 mijë euro, tri ministri të tjera, ajo e Arsimit, e Pushtetit Lokal, si dhe e Bujqësisë kanë paguar më pak se 50 mijë euro për institucionet vartëse të tyre që gjenden me qira. Kurse më pak se dhjetë mijë euro kanë paguar Ministria e Administratës Publike, Ministria e Tregtisë, ajo e Kulturës, e Kthimit, Ministria e Forcës së Sigurisë, si dhe ajo e Integrimeve Evropiane.
Ndërsa pos tyre rezulton që me qira gjendet edhe një numër i madh i institucioneve të pavarura ekzekutive, të cilat po ashtu harxhojnë para të majme të buxhetit për qira.
Më së shumti nga to figuron të kenë paguar Agjencia e Privatizimit me afro 300 mijë euro qira të paguar për nëntë muaj, pastaj Agjencia Kosovare e Pronës me mbi 158 mijë euro, Zyra e Auditorit Gjeneral me 126 mijë euro, si dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës me afro 103 mijë euro të paguara për qira. Pos tyre, për qira paguajnë edhe 4 institucione të tjera të pavarura, në shuma prej më pak se 100 mijë euro, por për të cilat Qeveria nuk ka bërë zgjidhje për t’i vendosur në institucione publike.
Megjithatë, zyrtarë të MAP-it pohojnë se gjatë dy vjetëve të kaluar një sërë institucionesh janë nxjerrë nga objektet që më parë kanë paguar qira, dhe janë në objekte publike.
“Po punohet për planin e detajuar të kompleksit Blinaja dhe punë të tjera, sipas planit të MAP-it, për këtë qëllim”, ka thënë Visar Xani.