Gjykata e Lartë e Serbisë në Beograd dënoi me 101 vjet burg 9 shqiptarë nga Lugina e Preshevës, 8 prej të cilëve në mungesë. Ata ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Të 9 ushtarët e UÇK-së kishin ardhë nga Lugina e Preshevës për t’i mbrojtur tokat e atdheut të tyre gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër politikën e terrorit antishqiptar serb, si dhe shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me politikën indiferente zyrtare të Kosovës karshi këtyre ngjarjeve.
Pas luftës në Kosovë, në vend që të ishim ne që ishim të sulmuar, të masakruar, të dëbuar e të rrëmbyer, ata që imponojmë drejtësi e zhdëmtim nga Serbia, kjo e fundit ishte ajo që Kosovën e copëtoi, e sulmoi, ia dogji kufijtë dhe po e mban peng me strukturat e veta paralele. Këtë strategji të Serbisë e mirëkuptoi dhe e lehtësoi me tolerancën e vet sidomos politika zyrtare e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un. Kjo politikë e mbrapshtë i ktheu shqiptarët në kriminelë, kurse Serbinë në viktimë.
Çlirimtarët u burgosën, ata u barazuan me kriminelët serbë. UÇK-ja u çarmatos, në vend që të çarmatosej ushtria e Milosheviqit. Shumë luftëtarë mbetën pa punë dhe me ndihma sociale. Krimet e luftës të shkaktuara nga serbët u mbyllën nga UNMIK-u, kurse shqiptarët vazhduan të dënohen nga gjykatat serbe. Serbia na i vrau gratë e fëmijët, shkatërroi shtëpitë, na e rrënoi ekonominë, na vodhi e na dëboi, kurse pas luftës na shet mallra dhe na e gjykon pavarësinë nëpër gjykata ndërkombëtare. Serbia na e ndau Kosovën, e pastroi etnikisht veriun, dhe në çdo veprim të saj ajo është mirëkuptuar nga politikanët e pushtetit. Asnjë qeveri e deritashme e Kosovës nuk ka ndryshuar në raport me Serbinë.
Çlirimtarët tanë po dënohen me qindra vite burg nga Serbia, kurse Qeveria në largim e Kosovës në vend që ta kushtëzojë bashkëpunimin me Serbinë, po përgjërohet për negociata të reja me të. Në vend që Kosova ta kushtëzojë Serbinë me kthimin e mbi 1,800 trupave të rrëmbyer, Serbia po e kushtëzon Kosovën me raportin e Dick Martyt për trafikime imagjinare organesh. Në vend që Kosova ta kushtëzojë Serbinë me ndaljen e terrorit në Luginën e Preshevës, Serbia po e kushtëzon Kosovën me veriun e vendit tonë. Sot kur pjesëtarët e UÇK-së po dënohen nëpër gjykatat e Serbisë, nuk dëgjojmë asnjë reagim nga Hashim Thaçi. A nuk po sulmohet UÇK-ja tash? Apo, thjesht, Hashim Thaçi reagon vetëm kur përmendet ai personalisht?!
Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që hyrja e Serbisë në BE të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, me reparacionet e luftës, me shpërbërjen e strukturave paralele, me dorëzimin e kriminelëve serbë të luftës, si dhe me të drejtën e shqiptarëve të Luginës për identitet, simbole, shkollim e punësim.
Kërkojmë lirimin e çlirimtarëve dhe dënimin e kriminelëve