Lëvizja FOL ka filluar të premten një forum të quajtur “Fol
Hapur”, i cili synon të sjellë shoqërinë civile më pranë proceseve të
rëndësishme vendimmarrëse për vend. Në këtë forum u vlerësua se Kosova
ka filluar negociatat pa përgatitje paraprake të opinionit publik për
pritjet dhe pa strategjinë për pronësi publike në proces.Po
ashtu u tha se transparenca e këtyre bisedimeve është qenësore për të
rritur mbështetjen e publikut për ndonjë marrëveshje eventuale, ndërkaq
duke folur rreth proceseve tjera në vend u vlerësua se ‘status quo-ja’
në Kosovë po ndihmon krimin në veri të vendit.
Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL në hapje të këtij
diskutimi tha se qëllimi i këtij debati është të sjell një perspektivë
tjetër prej asaj politike të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Shefi i departamentit të Shkencave Politike në UP, Bekim Baliqi, tha
se nuk pajtohet me frikën se çfarë po humb Kosova dhe se çfarë po fiton
Serbia nga këto bisedime. “Ajo që dihet është se këto nuk janë bisedime,
por negociata klasike. Më e rëndësishmja në këtë proces e që nuk po
bëhet transparente është kohëzgjatja e këtyre bisedimeve, sepse nuk mund
të negociohet pafundësisht për diçka”, tha Baliqi.
Sipas tij, zakonisht palët që hyjnë në bisedime kanë qëndrime të
kundërta andaj kërkohet një mes i artë. “Ne si Kosovë ende nuk e kemi të
qartë se çfarë presim nga këto negociata, e që shihet Serbia këtu e ka
më të qartë se çfarë pret nga to. Nëse për Serbinë ka qenë një lloj
joshje anëtarësimi në BE, e për Kosovën liberalizimi i vizave, do duhej
të dihej se cili do të jetë çmimi që Kosova do ta paguaj në këtë rast”,
theksoi Baliqi, i cili shtoi se mos përfshirja e Shteteve të Bashkuara
të Amerikës si ndërmjetësues në këto negociata është një gabim.
Ndërkaq, analisti Halil Matoshi, tha se është mirë që së paku
shoqëria civile të flas hapur për këtë proces, kur dihet se në Kuvendin e
Kosovës nuk ka pasur diçka serioze për këtë proces.
“Mendoj se nuk ka qenë koha e duhur për Kosovën që të hyj në këto
bisedime. Kuvendi i Kosovës duhet të miratoj një rezolutë me anë të së
cilës do të kërkohej ndërprerja e bisedimeve deri në përmbushjen e disa
kushteve nga Serbia, duke përfshirë edhe ndërprerjen e fushatës kundër
Kosovës si dhe ndërprerjen e mbështetjes së strukturave paralele në
Kosovë”, tha ai. /Telegrafi/