Në komunën e Mitrovicës, që në orën 7 të mëngjesit, siç është planifikuar, ka filluar rivotimi, që është pasojë e parregullsive të shumta të shënuara më 12 dhjetor, në ditën kur në mbarë Kosovën ishin mbajtur zgjedhjet parlamentare. Rivotimi po mbahet me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, pas konstatimit të parregullsive në procesin e votimit në këtë komunë.
Tash për tash nuk ka ndonjë informacion për parregullsi eventuale, apo ndonjë problem të theksuar.
Në Mitrovicë është planifikuar që sot të ketë 29 qendra të votimit, me 104 vendvotime.
Gani Mikullovci, zyrtar i lartë komunal i zgjedhjeve, ka thënë të shtunën se në listën e votuesve janë gjithsej 86 834 votues, nga të cilët 71 580 shqiptarë dhe 15 254 serbë. Sipas tij, të gjitha përgatitjet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve janë bërë dhe nuk ka pasur ndonjë problem. Në këtë proces janë inkuadruar me kohë dhe kanë bashkëpunuar ngushtë përfaqësuesit e të gjitha përkatësive etnike që jetojnë në komunë, me përjashtim të serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
Mikullovci më tej ka shtuar se në veri të Mitrovicës do të hapen katër qendra të votimit, me gjashtë vendvotime - në “Lagjen e Boshnjakëve”, në “Kodrën e Minatorëve”, në Vidimriq dhe Gushavc. Në lagjet veriore, ku jetojnë serbët, zgjedhjet do t’i organizojnë me ekipe mobile IFES-i, kurse nga partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje janë dërguar 728 anëtarë për këshillat e vendvotimeve dhe ata kanë të drejtë të dërgojnë edhe nga dy vëzhgues për secilin vendvotim. Në anën tjetër, Ismet Kryeziu nga koalicioni i organizatave jo qeveritare “Demokaracia në Veprim”, i ka thënë gazetës Koha Ditore se vëzhguesit e këtij koalicioni do të jenë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit në Mitrovicë. Sipas tij, DV do të sjellë njerëz nga e gjithë Kosova, pasi që vëzhguesit nga Mitrovica, të cilët kanë monitoruar zgjedhjet e 12 dhjetorit, janë tërhequr.
Për rivotimin në Mitrovicë, KQZ ka akredituar edhe shumë vëzhgues të tjerë.
Sipas medieve serbe, në pjesën veriore edhe këtë radhë janë duke u bojkotuar zgjedhjet nga serbët lokalë.