Londër, 28 janar - Futbollistet luajnë edhe me lëndime gjatë ndeshjeve vetëm për të treguar veten. Kështu është konstatuar në një hulumtim të bërë nga shkencëtarët në Bristol të Anglisë. Femrat janë më të fuqishme, pasi faktorët psikologjikë dhe sociologjikë ndikojnë në qëndrimin e tyre ndaj dhembjes, lëndimit dhe rrezikut.
Një grup i shkencëtarëve në Universitetin Perëndimor të Anglisë (UWE) ka studiuar futbollistet, përfshirë këtu edhe anëtaret e Përfaqësueses së Anglisë.
Sociologu John Bird, i cili ka udhëhequr grupin hulumtues, ka thënë se femrat janë më rezistuese.
Studimet për futbollistet vijnë pas vlerësimeve që ishin bërë ndaj arbitres anësore, Sian Massey.
Dy prezantuesit e kanalit televiziv "Sky Sports", Richard Keys e Andy Gray, kishin komentuar për 25-vjeçaren, pasi kjo e fundit ishte ndihmësrefere në ndeshjen e së shtunës mes Wolverhamptonit e Liverpoolit.
Prezantuesit duke menduar se mikrofonat e tyre janë ndalur, kishin thënë se Massey "nuk e di as rregullën e pozitës jashtë lojës".
Të dy prezantuesit kishin kërkuar falje, por Andy Gray u largua nga puna.
Studimet e UWE-s kanë përcjellë futbollistët nga mosha 10-vjeçare e deri në moshë të rritur. Është zbuluar se femrat luajnë me dhembje dhe lëndime për të treguar veten.
"Ato besojnë se duhet të injorojnë lëndimet, për shembull, për të mbajtur vendin në skuadër apo për të ndihmuar skuadrën", ka thënë sociologu Bird.
Ai thotë se ka zbuluar që futbollistet luajnë me gjithë lëndimet që kanë, madje edhe gënjejnë se i janë nënshtruar tretmanëve për të thënë se janë shëndosh për të luajtur.
"Unë kam zbuluar një sërë arsyesh pse futbollistet vazhdojnë të luajnë përkundër lëndimeve dhe dhembjeve. Ato besojnë se duhet të marrin rreziqe, duan të mbajnë vendin e tyre në skuadër dhe të mos lënë bashkëlojtaret në lloç".
Anne-Marie Heatherson, 26-vjeçare, që luan për skuadrën e Superligës së Anglisë, Bristol City Academy Women's FC, thotë se bazuar në përvojë, qasja e femrave ndaj dhembjes dhe lëndimit reflekton përkushtimin e tyre.
"Mendoj se kjo dallon ndaj femrave. Ka disa që menjëherë si të ndiejnë dhembje heqin dorë, por nëse një femër vërtet dëshiron të jetë aty dhe ka pasion për sportin, atëherë ajo do të luajë me lëndim. Nëse dëshiron të luash në nivelin më të lartë, si unë, atëherë duhet të rrezikosh. Nëse dëshiron aq shumë, atëherë do të luash e lënduar dhe me dhembje", ka thënë Heatherson.
Por, ajo thotë se nuk është ndryshe as në futbollin e meshkujve.
Hulumtimet e UWE-s, po ashtu kanë zbuluar se femrat kanë qasje negative ndaj atyre që dorëzohen shkaku i lëndimeve.
"Në moshën 14-15 - vjeçare femrat mësohen të kuptojnë dhembjen dhe lëndimet, dhembjet i shohin si normale dhe rrezikojnë", ka thënë Bird.
Mirëpo, sociologu thotë se edhe pse në futbollin e meshkujve po ashtu luajnë me lëndime, prapë futbolli i femrave shpërblehet më pak. Kushtet janë më të dobëta dhe pagat më të ulëta. Kjo edhe i shtyn femrat që të tregojnë veten dhe të jenë më rezistuese ndaj dhembjeve sesa meshkujt.
"Unë kam mësuar se ka shumë dhembje dhe lëndime që nuk raportohen nga futbollistet", ka thënë Bird.