Prishtinë, 2 shkurt – ( E plotësuar) Pas një bisedës sotshme të ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj, me arsimtarët e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, këta të fundit vendosën t’i rikthehen procesit mësimor dhe të presin më vonë pagat e rritura sipas premtimit.
Hoxhaj u ka thënë mësimdhënësve të Sami Frashërit se rrogat e tyre do të rritet ashtu siç është premtuar me miratimin e buxhetit për vitin 2011 nga a na e deputetëve të ri të Kuvendit të ri.
Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë sot janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ata gjetën të mbyllura dyert e shkollës. Mësimdhënësit e tyre kanë hyrë në grevë, për shkak se dje, as sot nuk morën pagat me shtesën e premtuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Lajmin për fillimin e grevës në këtë shkollë e konfirmoi për Koha.net edhe Ali Shabani, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Shkollave të Kosovës, sindikatës më të madhe në vendin tonë. Ai ka paralajmëruar një konferencë shtypi për orën 10.
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar rritje pagash për shërbyesit civilë, punëtorët e arsimit parauniversitar dhe ata të shëndetësisë rritje pagash 50 për qind. Kjo rritje duhej të fillonte të merrej me pagat e janarit. Por dje, zëvendësministri i Ekonomisë e financave, Bedri Hamza, komunikoi se pagat do të ishin ato që kanë qenë para rritjes së premtuar dhe se duhej të konsideroheshin paradhënie, kurse me rritje do t’i merrnin pasi të miratohej buxheti nga përbërja e re Parlamentit të Kosovës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka tërhequr vërejtjen që kur u bën premtimet për rritje, se do të shkelej marrëveshja e Qeverisë së Kosovës me të po ndodhi siç thoshte kryeministri dhe se nuk do të kalonte pa pasoja.
Shef i arsimit në Komunën e Prishtinës, Refik Beqiri, ka thënë për “Express” së është vetëm ky gjimnaz që ka marrë këtë vendim por ai nuk ka garantuar se këtë nuk do ta bëjnë edhe shkollat e tjera.
“Ne sapo jemi informuar se Sindikata e Gjimnazit ‘Sami Frashëri’ ka marrë vendim për hyrje në grevë. Në shkollat e tjera, si fillore ashtu edhe të mesme mësimi është duke u zhvilluar normalisht”, ka thënë Beqiri.