Shkup, 2 shkurt- Pas thirrjes që i bëri kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti për ndërprerjen e ndërtimeve në Kalanë e Shkupit, ndërtuesi, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (DMTK), Pasko Kuzman ka stopuar ndërtimin për një kohë, njofton “Lajm” i Shkupit. "Drejtoria si organ në përbërje të Ministrisë së Kulturës, në cilësinë e koordinatorit të projekteve kapitale nga sfera e trashëgimisë kulturore, duke i pasur parasysh ngjarjet e fundit dhe reagimet në lidhje me realizimin e projektit 'Konzervimi, restaurimi dhe rikonstruimi me konstruksionin e objektit sakral objekt-kishë nga shekulli 13-14’ i zbuluar në Kalanë e Shkupit me hulumtime arkeologjike në vitin 2007, përkohësisht do t'i ndërpresë aktivitetet që të sqarohen paqartësitë rreth ndërhyrjeve në lidhje me këtë objekt", tha ai.
Një ditë më parë deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), kryetarë të komunave dhe këshilltarë të BDI-së, nga Kalaja e Shkupit u bënë thirrje ndërtuesve të kishës në Kala që menjëherë të ndërpresin punimet. "Mesazhi jonë sot është i qartë. Në krijimin e traditave kulturore në Maqedoni bashkëpjesëmarrës dhe bashkëpërgjegjës janë edhe shqiptarët. Duke mos dashur të predikojmë se për çfarë objekti bëhet fjalë për shkak të dilemave dhe shqetësimeve të mëdha që ka shkaktuar u bëjmë thirrje përgjegjësve që menjëherë të ndërpresin punimet", tha kryetari i Komunës së Çairit dhe nënkryetar i BDI-së, Izet Mexhiti. Sipas tij, aty ku gjurmohet nuk ndërtohet, por konservohet. Të hënën drejtori Kuzman tha se nuk do t’i respektojnë kërkesat e partive politike, por vetëm vendimet e Qeverisë.
Në Kalanë e Shkupit po ndërtohet një objekt të cilin pushtetarët e quajnë muze, por ai i ka të gjitha nishanet e një kishe, pasi ka altar, ndërtohet mbi themelet e kishës bizantine, është e kthyer nga lindja. Kundra kishës në Kala kanë reaguar Bashkësia Fetare Islame, partia Demokracia e Re, historianët shqiptarë , "Zgjohu", Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), Forumi Rinor Islam (FRI) dhe partia Lidhja Shqiptare.