Prishtinë, 2 shkurt - Ish-drejtori i Zyrës ligjore të UNMIK-ut dhe këshilltari i deritashëm i kryeministrit Hashim Thaçi ka fituar tenderin publik vlera e të cilit sillet rreth 80 mijë euro. “Koha Ditore” shkruan sot se kompania ku Alexander Borg Olivier është aksionar, është shpallur fituese nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila kërkonte një kompani e cila do të bënte interpretimin e ligjit anglez pasi kontratat nga ish-AKM-ja e UNMIK-ut ishin lidhur duke u bazuar në këtë ligj. Kreu i kësaj agjencie kishte kritikuar vazhdimisht mënyrën se si i kishte lidhur kontratat ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit duke i quajtur ato “kontrata rrobaqepësie”.
“Kontratat janë hartuar ashtu siç ka dashur ai që i ka blerë ndërmarrjet”, pati thënë në një konferencë shtypi Asanaj.
Ndërkaq, agjencia që drejton Asanaj do të këshillohet nga kompania e ish-zyrtarit të UNMIK-ut, mision ky që nga shefi i AKP-së ishte kritikuar për lidhje të kontratave të dëmshme. Zëdhënësi i Agjencisë së Privatizimit, Ylli Kaloshi, ka thënë se kompania e Borg Olivie është zgjedhur në bazë të Ligjit të prokurimit publik. Kjo ka qenë përgjigjja e vetme e kësaj agjencie, ndërsa nuk janë përgjigjur rreth qëndrimeve që ka mbajtur kreu i saj për njerëzit që kanë hartuar kontratat gjatë administrimit të UNMIK-ut. Ndërkaq, Borg Olivier, këshilltar ligjor i deritashëm në Zyrën e kryeministrit Thaçi ka qenë i pakontaktueshëm për gazetën.
Në anën tjetër, vlera e përgjithshme e kontratës, sipas Agjencisë së Privatizimit, është 78 mijë e 800 euro. Ndërsa, firma juridike që do ta bëjë interpretimin e kontratave të lidhura sipas ligjit anglez është “Interlex Associates”, e konstituuar në regjistrin e bizneseve në Kosovë më 19 tetor të vitit 2009. Aksionar në këtë firmë përveç Borg Olivier janë edhe Bejtush Isufi e Linn Alden Slattengren.
Agjencisë së Privatizimit i kanë dalë probleme me kontratat e lidhura në privatizimet me spin-off special, të cilat mund t’i shkëpusë vetëm kreu i UNMIK-ut. Krerët e AKP-së kishin kërkuar interpretim ligjor nga Gjykata Kushtetuese e ajo Supreme se cili institucion vendor e zëvendëson PSSP-në përgjigje të cilën nuk e kishin marrë nga asnjëra prej gjykatave. Kontrata problematike për AKP-në janë llogaritur ajo me blerësin e minierës së Goleshit e Strezovcit. Ndërsa, në gjendje “ngërçi” janë edhe ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special, përkatësisht Hoteli Grand dhe Fabrika e Duhanit në Gjilan.