Prishtinë, 2 shkurt - Një delegacion i përbërë nga ekspertë financiarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë muajit shkurt do të nisë inspektimet financiare rreth buxhetit të pamiratuar të Kosovës për këtë vit. Ekspertë të FMN-së do të zbatojnë rekomandimet dhe ndryshimet në sektorë financiarë në draftbuxhetin e hartuar nga Qeveria dhe më pas i njëjti dokument do të shkojë për miratim në Kuvendin e ri, shkruan sot “Koha Ditore”. Fondi Monetar Ndërkombëtar do të japë rekomandimet e veta për ndryshimet e mundshme në projektbuxhetin e këtij viti, në të cilin pritet të përfshihen edhe shpenzimet për rritje të pagave dhe shpenzimet në sektorë të tjerë, po qe se aprovohen nga Qeveria e re, e cila pritet të konstituohet së shpejti. Ashtu siç është deklaruar edhe nga zyrtarë të lartë të Qeverisë në largim, para se të shkojë për miratim në Kuvendin e ri, projektbuxheti do të pësojë edhe një ndryshim derisa të bëhet gati për votat e deputetëve. Inspektimet e fundit nga ekspertë të FMN-së për mënyrën e shpenzimit të financave publike të vendit janë kryer gjatë muajit tetor, para hartimit të projektbuxhetit aktual për këtë vit nga Qeveria e kryesuar nga Hashim Thaçi.
Ministri i shkarkuar i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar në këtë fillim të javës me zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë, me të cilët janë diskutuar përmbushjet e obligimeve të dala nga marrëveshja “Stand-By” e nënshkruar në muajin korrik të vitit 2010 ndërmjet Kosovës dhe FMN-së.
“Së shpejti zyrtarë të FMN-së do ta vizitojnë Kosovën për të bërë vlerësimet e tyre në këtë proces”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave.
Nga përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë të martën nuk janë dhënë detaje rreth inspektimeve buxhetore të cilat pritet të realizohen gjatë këtij muaji. Ndërkohë, javë më parë zyrtarisht nga FMN-ja për “Kohën Ditore” është thënë se për të arritur objektivin e rivendosjes së qëndrueshmërisë fiskale, autoritetet kosovare duhet të angazhohen në kufizimin e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, duke ushtruar vetëpërmbajtje në shpenzimet aktuale.
“Përmbajtja e tillë është e nevojshme për të kontrolluar ndikimin e shpenzimeve të mëdha kapitale, duke përfshirë edhe shpenzimet në projektin ‘Rruga 7’, autostrada Morinë - Merdar”, thuhet nga Zyra qendrore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, përcjellë nga përfaqësuesit e saj në Kosovë.
Sipas përgjigjeve të FMN-së, shpenzimet e larta në këtë projekt të përcjella edhe me shpenzimet për pakot e reja ligjore, do të shkaktojnë vlerë të lartë të deficitit të përgjithshëm fiskal.
“Për këto angazhime duhet të veprohet ende në mënyrë që të futen në buxhet të vitit 2011, i cili duhet të jetë në përputhje me programin e mbështetur nga FMN-ja”, është thënë nga kjo e fundit. “FMN-ja po pret që të vazhdojë dialogun pasi Qeveria e re të konstituohet në vend”, është thënë zyrtarisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.