Pasi që janë hequr dilemat e kryesimit me Komitetin Drejtues të marrëveshjes rajonale për tregti të lirë - CEFTA, ekspertët kanë vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e qëndrimit të mëtutjeshëm të Kosovës, nëse Kosova nuk mund t’i realizojë të drejtat e saj që garanton marrëveshja.
Drejtori i Departamentit për Tregti të Jashtme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Flamur Keqa, ka thënë se autoritetet vendore do të punojnë maksimalisht që Kosova t’i eliminojë problemet me vendet anëtare Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë, ndërsa sa i përket reciprocitetit apo hapave tjera më radikalë, është çështje që hyn në sferën e politikave më të larta qeveritare.
“Masat e reciprocitetit hyjnë në sferën e politikave më të larta qeveritare dhe për implementimin eventual të këtyre masave duhet rrjedhimisht që vendimi i tillë të aprovohet nga vendimmarrësit qeveritarë me siguri, duke kryer paraprakisht analiza profesionale lidhur me pasojat vijuese shumëdimensionale”, ka thënë Keqa për Kosova Sot.
Kryeshefi ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Lekë Musa, thekson se kryesimi i marrëveshjes, si i tillë, është jashtëzakonisht me rëndësi, sepse e ngrit Kosovën në një nivel të barabartë me shtetet tjera anëtare të CEFTA-s. “Mirëpo, më e rëndësishme se kjo është trajtimi i barabartë sa u përket marrëdhënieve reciproke me vendet anëtare të CEFTA-s. Dua të them se ky kryesim do të jetë i pavlerë, nëse ne nuk mund të arrijmë që të ndryshojmë qasjen e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundrejt mallrave, të cilat vijnë nga Kosova”, ka thënë Musa për Kosova Sot.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Xhevat Meha, Kosova na këtë marrëveshje ka pasur vetëm pasoja negative. Ai ka thënë se kjo marrëveshje në raport me Kosovën nuk ka realizuar qëllimet dhe nuk ka arsyetuar funksionin e saj. Sipas Mehës, MTI-ja nuk ka trysninë e duhur apo ndikimin në BE si sponsoruese e kësaj marrëveshje. “Meqë Kosova është duke u dëmtuar nga kjo marrëveshje, nuk besoj se BE-ja është e interesuar për këtë dëmtim. Sigurisht se mekanizmat e tyre kanë procedura për t’u aktivizuar, por fitohet përshtypja që ministria dhe Qeveria jonë nuk kanë punuar sa duhet që t’i vërë në lëvizje këta mekanizma”, ka thënë Meha.