Në Kliniken Infektive të QKUK-së në Prishtinë, këtë javë vërehet rënie e lehtë e numrit të rasteve të infektuara me virusin A H1N1. Kështu vlerëson drejtori i kësaj klinike, Shemsedin Dreshaj, sipas të cilit, sivjet janë shënuar gjithsej 198 raste me këtë virus, katër nga të cilët kanë vdekur.
Në Klinikën Infektive në Prishtinë, për dy vite me radhë, janë paraqitur numër i shtuar i pacientëve të dyshuar apo edhe të infektuar me virusin e gripit të derrit.
Aktualisht, në klinikë po trajtohen 15 pacientë të infektuar me virusin e gripit të derrit, tre nga të cilët vlerësohet të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë nën përkujdesje intensive. Drejtori Shemsedin Dreshaj thotë se mosparaqitja me kohë te mjeku, shkakton probleme.
“Pacienti thjeshtë e pret në shtëpi që gripi të kalojë brenda 5, 6 apo 7 dite edhe thotë se bëhem më mirë dhe kur shkon tek mjeku vetëm që është gjendja e rëndë e atëherë edhe për ne do të jetë rëndë. Pacientët, të cilët janë pranuar në kliniken infektive, pra nga 165 të cilët janë shtruar në klinikë, e shumica prej tyre kanë pas ndërlikime në mushkëri, shumica prej tyre kanë ardhur pas ditës se tretë tek ne”, thotë Dreshaj.
Në mesin e 198 të infektuarve me këtë virus, ka edhe persona që janë pjesë e stafit dhe personelit shëndetësorë. Por, sipas dr. Dreshajt, numri i të infektuarve po shënon rënie.
“Duke u nisur nga të dhënat që i kemi në pesë ditët e fundit, incidenca e sëmundjes ka filluar të bie, flas nga numri i pacientëve që kanë shenja për sëmundje gripoze, të cilat kanë ardhur në kliniken infektive pesë ditët e fundit, kemi një tendencë të rënies”, thekson Dreshaj.
Ndërkohë që epidemiologia Isme Humolli thotë se është pritur numër më i shtuar i të infektuarve. Sipas saj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, është në kontakt të përditshëm me institutet e shëndetit publik në tërë territorin e Kosovës.
“Kontakti jonë është ditor ku jemi të obliguar që gjatë ditës të dëgjohemi së paku dy herë, mirëpo në rast të nevojës apo emergjencave jemi në kontakt edhe në mbrëmje apo jashtë orarit të punës, varësisht nga emergjenca që diktohet. Në bazë të dhënave që i kemi nuk mund të themi se është situatë e rënduar dhe e pavolitshme, përkundrazi, mund të themi se është situatë që i përgjigjet rrjedhës natyrale të sëmundjes”, thotë Humolli.
Ndryshe, Dreshaj, sjell në vazhdim disa hollësi rreth origjinës se këtij gripi si dhe ndryshimet që ka pësuar vitet e fundit.
“Përpara, ne kemi pasur grip të derrit, mirëpo gripi i derrit i ka prek vetëm ata që janë marr me kultivimin e tyre, por nuk ka kaluar prej njeriut në njeri. Pra, ti nëse ke qenë në fermë e ke marr, por s’ke mujt me ja ngjit njeriut tjetër. Ka mundur të jenë epidemi familjare por jo jashtë, e ky tash ka përjetuar mutacion e tash më nuk është me rëndësi a e ka derri a se ka, tash njeriu ta ngjet”, shpjegon Dreshaj.
Dreshaj shpjegon edhe dallimet që duhet bërë rreth gripit të derrit dhe të atij sezonal.
“Manifestohet me temperaturë, me ethe, lodhje, molisje ,me dhimbje të muskujve, me kollë me dhimbje të barkut, ndonjëherë kemi edhe të vjella dhe heqje të barkut dhe nuk është veti e gripit që të kemi rrjedhje nga hundët. Fatkeqësisht këto shenja janë shenja që prezantohen si nga gripi sezonal ashtu dhe ai i derrit. Ajo çka mund ta dalloj H1N1-shin nga influenca A është dhembja e muskujve dhe temperaturat janë zakonisht më të larta. Dallim tjetër është se influenca H1N1 shumë shpesh ndërlikohet me prezantim të mushkërive gjë që nuk është veti e gripit sezonal”, tregon Dreshaj.
Epidemiologia Humolli ofron këshilla për mënyrën dhe mundësitë në parandalimin e sëmundjes.
“Ajrosja e ambientit ku rrimë në njërën anë dhe në anën tjetër është mirë që t’i ikim qëndrimit në ambientet e grumbulluara, për shkak të përhapjes së shpejtë të gripit dhe mbajtja e higjienës personale”, thekson Humolli.
Ndërkaq, Dreshaj i porosit të gjithë qytetarët se nëse vërejnë shenja të gripit, të lajmërohen menjëherë te mjeku më i afërt, me qëllim të udhëzimeve të mëtejme, sepse, sipas tij, kjo është mënyra më e mirë e shërimit si dhe e parandalimit të përhapjes së tij.