Munih, 15 mars - Arjen Robben dhe Franck Ribery dëshmuan se te Bayern Muncheni ende ka "jetë", me gjithë telashet që e kanë kapluar skuadrën në javët e fundit, që kulmuan me ndërprerjen e kontratës së trajnerit Louis van Gaal. Vetëm pesë ditë pas komunikimit se trajneri holandez do të largohet në fund të këtij edicioni, bavarezët "demoluan" Hamburgun fundjavën e shkuar me rezultatin 6:0 në kuadër të Bundesligës.
Van Gaal, kontrata e të cilit skadon në qershorin e vitit 2012 ka paguar çmimin për kampanjën e dobët këtë edicion, por holandezi mund të shkojë lart në Ligën e Kampionëve. Bayerni, që u mposht edicionin e shkuar në finalen e kësaj gare, të martën mbrëma (sot) në stadiumin "Allianz Arena" pret Interin. Ndeshja e parë e 1/8 të finales e zhvilluar në Milano muajin e shkuar, përfundoi me fitoren minimale 1:0 të Bayernit.
"Të gjithë e kanë parë dhe janë vërtetuar se sa mirë mund të luajë Bayerni në të vërtetë. Gjashtë golat kundër Hamburgut na çliruan dhe na mundësuan të përgatitemi në mënyrë perfekte për ndeshjen me Interin", tha trajneri i Bayernit, Van Gaal.
Braziliani Luiz Gustavo pritet të jetë partner i Bastian Schweinsteigerit në mesfushë, kurse holandezi Robben insiston se Interi do të ketë trajtim të njëjtë sikurse Hamburgu. Robben në këtë ndeshje shënoi "hat-trick" duke u ngritur në kuotën e tetë golave të shënuar këtë edicion në Bundesligë.
"Kemi thënë se ndryshimet duhet të fillojnë qysh tash dhe duhet të përkrahim njëri-tjetrin sa më shumë. Me Hamburgun treguam se jemi shumë të motivuar dhe pres të vazhdojmë kështu. Tash jemi sërish një super skuadër", u shpreh Robben.
Golin e vetëm në ndeshjen e parë ndaj Interit e shënoi sulmuesi i Përfaqësueses së Gjermanisë, Mario Gomez. Ai përfitoi nga gjuajtja e Robbenit dhe reagimi i dobët i portierit brazilian Julio Cesar.
"Gjashtë gola t'i shënosh është fantastike dhe gjithashtu shumë e rëndësishme për duelin me Interin, që do të jetë shumë i rrezikshëm. Do të jetë ditë e rëndësishme për trajnerin dhe ekipin", u shpreh Ribery.
Te skuadra kampione e Italisë dhe Evropës, Interi, mungesë e madhe pritet të jetë qendërmbrojtësi brazilian Lucio, i cili u zëvendësua në ndeshjen e fundit me Brescian (1:1) shkaku i lëndimit. Ai pritet të zëvendësohet nga Marco Materazzi, i cili do të luajë përkrah Andrea Ranocchias në qendër të mbrojtjes. Lajm i mirë për trajnerin e Interit, Leonardo, është rikthimi i mbrojtësit rumun Christian Chivu dhe mesfushorit argjentinas Esteban Cambiaso.
"Bayerni do të na shkaktojë shumë telashe në sulm, ndonëse kësaj here do të mundohet të jetë i fokusuar më shumë në mbrojtje. Ne do të sulmojmë prej fillimit dhe do të mundohemi të shënojmë gol sa më herët në mënyrë që t'i fusim nën presion", tha sulmuesi i Interit, Goran Pandev. "Kjo ndeshje do të jetë sikur finalja e vitit të shkuar, kështu që edhe kësaj here Interi do të fitojë për të kualifikuar tutje".
Ndeshja tjetër, që zhvillohet të martën (sot) mbrëma në kuadër të 1/8 së finales është ajo ndërmjet Manchester Unitedit dhe Olympique Marseilles. Kjo ndeshje luhet në stadiumin "Old Trafford". Dueli i parë i luajtur në Francë pati përfunduar pa gola.
E martë (20:45):
B. Munchen - Inter (1:0)
Man. Utd - O. Marseille (0:0)
Vërejtje: Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para të 1/8 së finales.